21 gusht

[no_toc]

21 gusht

«Do të parapëlqeja të thoja pesë fjalë që mund të kuptohen, që të mësoj të tjerët, sesa mijëra fjalë në një gjuhë të huaj» (1 e Korintasve 14:19 TEV).

Sigurisht që tema këtu ka të bëjë me përdorimin e gjuhëve pa përkthim në takimet e kishës. Pali e kundërshton këtë praktikë. Ai ngul këmbë që çka thuhet duhet të jetë e kuptueshme, përndryshe askush nuk ndërtohet.

Por vargu mund të zbatohet në një kuptim më të gjerë. Kur flasim ne duhet ta bëjmë këtë me zë mjaft të lartë që të gjithë ta dëgjojnë, përndryshe do të ishte njëlloj si të flisnim në një gjuhë të huaj. Pothuajse në çdo auditor ka njerëz që kanë vështirësi në të dëgjuar. Është një sprovë e madhe për ta nëse zëri i folësit është aq i dobët, që ata e humbin rrjedhën e mendimit. Duke qenë se dashuria mendon për të tjerët dhe jo për veten, ajo flet më zë të mjaftueshëm që të gjithë ta dëgjojnë.

Gjithashtu dashuria përdor fjalë që janë mjaft të thjeshta për t’u kuptuar nga dikush me nivel mesatar. Ne kemi një mesazh të madh – mesazhin më të madh në mbarë botën. Është e rëndësishme që njerëzit ta dëgjojnë dhe ta kuptojnë atë. Nëse ne përdorim zhargone të ngatërruara dhe të paqarta si dhe fjalë teknike, ne e mundim qëllimin tonë.

Një predikues shkoi në Lindjen e Largët për t’u ndarë njerëzve ungjillin, natyrisht me ndihmën e një përkthyesi. Fjalia e parë e mesazhit të tij ishte: «Çdo mendim mund të ndahet në dy kategori – konkret dhe abstrakt». Duke vështruar auditorin plot me gjyshe pa dhëmbë dhe fëmijë të shqetësuar, përkthyesi e përktheu këtë kështu: «Kam bërë tërë këtë rrugë të gjatë nga Amerika për t’u treguar juve për Zotin Jezus». Thuhet se që nga ajo pikë mesazhi ishte në mënyrë të sigurt në duart e engjëjve».

Në një numër të fundit të një reviste të krishterë, hasa shprehje të tilla si: evidencë normative e një kategorie tej-historike; vepër që nuk është eklektike por që përmban lidhje ekzistencialiste; një madhësi e vazhduar vertikale e ndërgjegjes; gjuha kanonike e pohimit; shkakësi klasike në limitet ekstreme të matjes. Sa për të ardhur keq për njerëzit e varfër të cilëve u kërkohet të kuptojnë këto zhargone fetare me fjalë të mëdha! Na ruaj të gjithëve ne nga ata të cilët kanë një mënyrë të rëndë për të thënë asgjë me fjali të pafundme!

Ne dëgjojmë që programi i zakonshëm televiziv ose radiofonik i drejtohet atyre që kanë një edukim të lartë. Kjo duhet të jetë një sinjal për ata të krishterë të cilët duan ta fitojnë botën me mesazhin e shpengimit. Ne duhet ta «bëjmë mesazhin të qartë dhe të thjeshtë: KRISHTI I PRANON NJERËZIT MËKATARË». Më mirë të themi pesë fjalë dhe të na kuptojnë, sesa 10.000 fjalë në një gjuhë që askush nuk mund ta kuptojë.

[previous][next]