22 prill | çdo ditë me radhë
«Po të rrëfesh me gojën tënde Zotin Jezus, dhe po të besosh në zemrën tënde se Perëndia e ngjalli prej së vdekurish, do të shpëtohesh» (Rom. 10:9).
Ky varg i preferuar për Ungjillin identifikon dy të vërteta bazë që janë tepër të vështira për t’u pranuar nga njeriu i rënë – mishërimin dhe ringjalljen. Nuk mund të ketë shpëtim pa pranuar këto doktrina dhe gjithçka që tregojnë ato.
Së pari, ne duhet të të rrëfejmë me gojën tonë se Jezusi është Zot, domethënë, se Ai që u lind në stallën e Betlehemit nuk është tjetërkush, veçse Perëndia i shfaqur në mish. Hyjnia e Zotit Jezus është esenciale për tërë planin e shpëtimit.
Së dyti, ne duhet të besojmë në zemrën tonë se Perëndia e ngjalli prej së vdekurish. Por kjo do të thotë më shumë se fakti i thjeshtë i ringjalljes. Kjo përfshin faktin që Zoti Jezus vdiq në kryq si Zëvendësi ynë. Ai pagoi dënimin që meritonin mëkatet tona. Ai pësoi zemërimin e Perëndisë që duhet ta kishim pësuar përjetësisht ne. Pastaj ditën e tretë Perëndia e ngriti nga vdekja si provë e pëlqimit të plotë që Perëndia i bëri sakrificës së Krishtit për mëkatet tona.
Kur e pranojmë Atë si Zot dhe Shpëtimtar, Bibla thotë që ne shpëtohemi.
Por dikush mund të pyes: «Përse është vendosur rrëfimi para besimit? A nuk besojmë së pari dhe pastaj rrëfejmë?»
Në vargun 9 Pali po thekson mishërimin dhe ringjalljen dhe jep rendin historik sikurse edhe ndodhën – së pari mishërimi dhe ringjallja tridhjetë e tre vjet më vonë.
Në vargun tjetër ai e vendos besimin para rrëfimit. «Sepse me zemër, njeriu beson në drejtësi dhe me gojë bëhet rrëfim për shpëtim». Këtu rendi është ai që ndodh kur ne lindim përsëri. Së pari, ne i besojmë Shpëtimtarit dhe shfajësohemi. Më pas ne shkojmë për të rrëfyer atë shpëtim që tashmë e kemi marrë.
Vargu ynë mbart një thjeshtësi të çiltër dhe një freski të vazhdueshme. Nuk është për t’u çuditur që fëmijët këndojnë:
Romakëve dhjetë dhe nëntë
është një varg i preferuar për mua;
duke rrëfyer Krishtin si Zot,
jam i shpëtuar nga hiri hyjnor;
sepse atje fjalët e premtimit
shkëlqejnë me letra të arta:
Romakëve dhjetë dhe nëntë.