23 mars | çdo ditë me radhë
«Nuk do t’i ofroj Zotit, Perëndisë tim, olokauste që nuk më kushtojnë asgjë» (2 Sam. 24:24).
Kur Davidi tha që të ofronte olokauste atje ku Zoti e kishte ndaluar murtajën, Araunahu ofroi si një dhuratë të plotë veglat e shirjes, qe dhe dru për zjarrin. Por Davidi nguli këmbë që t’i blinte këto gjëra. Ai nuk do t’i ofronte Zotit diçka që nuk kushtonte asgjë.
Ne dimë se nuk kushton asgjë që të bëhesh i krishterë, por duhet të dimë gjithashtu se një jetë e dishepullimit të vërtetë kushton shumë. «Një fe që nuk kushton fare nuk vlen fare».
Shumë shpesh shtrirja e përkushtimit tonë përcaktohet nga faktorët e lehtësisë, kostos dhe rehatisë. Po, ne do të shkojmë në takimin e lutjes nëse nuk jemi të lodhur ose nëse nuk na dhemb koka. Po, ne do të japim mësim në studimin e Biblës me kusht që të mos bie ndesh me ndonjë fundjavë mbi male.
Bëhemi nervoz që të lutemi në publik, që të japim një dëshmi, që të predikojmë Ungjillin – prandaj, qëndrojmë në heshtje. Ne nuk kemi asnjë dëshirë që të ndihmojmë në misionin e shpëtimit nga frika se mos marrim morra ose pleshta. Ne e mbyllim çdo mendim për fushën e misionit nga tmerri i gjarpërinjve ose merimangave.
Dhënia jonë është shumë shpesh një bakshish në vend që të jetë një sakrificë. Ne japim atë që nuk do ta humbasim kurrë – ndryshe nga e veja që dha gjithçka. Mikpritja jonë përcaktohet nga masa e shpenzimeve, parehatisë dhe rrëmujës që i bëhet shtëpive tona – ndryshe nga fituesi i shpirtrave që ka thënë se çdo qilim në shtëpinë e tij është njollosur nga pijanecë që kanë vjellë mbi ta. Disponueshmëria jonë ndaj njerëzve në nevojë ndalon kur ne shtrihemi mbi krevatin me ujë [një lloj dysheku i mbushur me ujë] – ndryshe nga plaku [drejtues] që ishte i gatshëm të zgjohej në çdo kohë për të ndihmuar frymërisht ose materialisht.
Shumë shpesh kur thirrja e Krishtit vjen te ne, ne priremi ta pyesim veten: «Çfarë fitoj unë?» ose «A do të paguhem?». Pyetja është më mirë: «A është kjo një ofertë që kushton vërtet?» Është thënë shumë mirë: «Është më mirë në jetën frymërore që gjërat të kushtojnë, sesa ato të paguajnë».
Kur mendojmë se sa i kushtoi shpengimi ynë Shpëtimtarit, del kompensim i dobët që ne t’i shmangemi kostos dhe sakrificës për Të.