29 maj | çdo ditë me radhë
«Nuk e them këtë se jam në nevojë…» (Filipianeve 4:11).
Është për t’u theksuar që Pali nuk i bëri kurrë të njohura nevojat e tij financiare. Jeta e tij ishte një jetë besimi. Ai besonte që Perëndia e kishte thirrur në shërbesën e Tij dhe ishte plotësisht i bindur që Perëndia paguan për atë që porosit.
A duhet t’i publikojnë sot të krishterët nevojat e tyre ose të kërkojnë para? Ja disa konsiderata: Nuk ka asnjë justifikim shkrimor për këtë praktikë. Apostujt i bënë të njohura nevojat e të tjerëve, por nuk kërkuan kurrë para për veten e tyre.
Duket më në përputhje me jetën e besimit për ta hedhur vështrimin vetëm te Perëndia. Ai do të sigurojë fondet e nevojshme për gjithçka që dëshiron për t’u bërë nga ne. Kur e shohim Atë duke siguruar pikërisht sasinë e duhur në momentin e duhur, besimi ynë forcohet shumë. Dhe Ai lavdërohet shumë kur kujdesi është në mënyrë të pamohueshme i mbinatyrshëm. Nga ana tjetër, Ai nuk merr lavdi kur ne i manipulojmë financat tona përmes teknikave të shtimit të fondeve.
Duke përdorur thirrje dhe kërkesa [për para], ne mund të vazhdojmë vepra «për Perëndinë» që mund të mos jenë aspak vullneti i Tij. Ose ne mund të shtyjmë një vepër për shumë kohë pasi Fryma është larguar nga ajo [vepër]. Por kur jemi të varur nga kujdesi i Tij i mbinatyrshëm, ne mund të vazhdojmë për aq kohë që Ai siguron.
Kërkesat e larta për para paraqesin një mënyrë të re për të matur suksesin në veprën e krishterë. Ai që është më i zgjuar në marrëdhëniet publike është ai që merr më shumë para. Mund të ndodh që veprat e denja vuajnë, për shkak se fushatat për fonde i thithin paratë. Shpesh kjo i hap rrugën xhelozisë dhe mungesës së unitetit.
C. H. Mekintoshi pati një pikëpamje të zbehtë mbi publikimin e nevojave personale të dikujt. «Që unë t’ia bëj të njohura nevojat e mia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, një qenieje njerëzore, do të thotë largim nga jeta e besimit dhe një çnderim i prerë për Perëndinë. Në fakt, kjo është ta tradhtoj Atë. Kjo është njësoj si të thuash që Perëndia më ka lënë në baltë dhe se unë duhet t’i drejtohem ndjenjave të mia për ndihmë. Kjo do të thotë të braktisësh burimin e gjallë dhe t’i drejtohesh një sterne të prishur. Kjo do të thotë të vendosësh krijesën midis shpirtit tim dhe Perëndisë, duke i zhvatur kështu shpirtit tim bekimet e larmishme dhe duke i hequr Perëndisë lavdinë që i takon».
Në po këtë frymë, Korri Ten Bum shkroi në «Endacak për Zotin»: « Do të parapëlqej me tepër të isha fëmija besimplotë i një Ati të pasur se një lypës në dorën e njerëzve të kësaj bote».