5 gusht

[no_toc]

5 gusht

«Zemërimi i njeriut nuk kryen drejtësinë e Perëndisë» (Jakobi 1:20).

Ilustrimi nuk është i panjohur. Është duke u mbajtur një takim i punëve të kishës. Duhet të merret një vendim. Nuk bëhet fjalë për ndonjë doktrinë të madhe të besimit, por ndoshta për ndërtimin e një shtese ose për lyerjen e kuzhinës ose për shpërndarjen e disa fondeve. Zhvillohet një mosmarrëveshje, zemërimi shtohet, temperamenti ndizet dhe shpërthejnë të bërtiturat. Më në fund disa individë vullnetfortë në vokal triumfojnë, më pas largohen me iluzionin se e kanë çuar përpara veprën e Perëndisë. Çfarëdo gjëje tjetër që të kenë çuar përpara, ata nuk e kanë përparuar veprën e Perëndisë, as nuk e kanë kryer vullnetin e Tij. Zemërimi i njeriut nuk kryen drejtësinë e Perëndisë.

Tregohet historia se Emersoni doli me nxitim nga një takim komiteti ku kishte patur argumente të shumta dhe grindje mendore. Ndërsa ishte ende duke zier nga zemërimi, ai dukej se po i dëgjonte yjet duke i thënë: «Përse kaq i nxehtë, o njeri i vogël?» Për këtë Lesli Uethërhedi komenton: «Sa mrekullisht yjet e heshtur në madhështinë dhe bukurinë e tyre të largët, i qetësojnë frymërat tona, sikur ata të ishin duke thënë në të vërtetë: “Perëndia është mjaft i madh që të kujdeset për ty” dhe “Asgjë që të shqetëson nuk është aq e rëndësishme sa duket”».

Ne e dimë, sigurisht, se ka një kohë për zemërim të drejtë. Kjo kohë është kur bëhet fjalë për nderin e Perëndisë. Por Jakobi nuk po mendon për këtë kur flet për zemërimin e njeriut. Ai po mendon për njeriun që ngul këmbë për t’u bërë e tija dhe që, kur pengohet, shpërthen me zemërim. Ai po mendon për personin krenar që e konsideron gjykimin e tij të pagabueshëm dhe që, si rrjedhim, është jo tolerant për mospërputhje mendimesh.

Për njeriun e kësaj bote, temperamenti shpërthyes është shenjë force. Për atë është një simbol i udhëheqjes, një mënyrë për ta komanduar respektin. Ai mendon se butësia është dobësi.

Por i krishteri kupton më mirë. Ai e di se kur e humbet toruan, ai e humbet respektin. Çdo shfrim i temperamentit është një dështim. Kjo është vepër e mishit, jo fryti i Frymës.

Krishti i ka mësuar atij një rrugë më të mirë. Kjo është rruga e vetëkontrollit, ku i jepet vend zemërimit të Perëndisë, duke treguar mirësjellje të madhe [butësi] kundrejt të gjithë njerëzve. Kjo është rruga e durimit këmbëngulës të padrejtësive, e kthimit të faqes tjetër. I krishteri e di që e pengon veprën e Perëndisë duke shfaqur zemëratë, që errëson çdo dallim të dukshëm midis vetes dhe të pakonvertuarit dhe që i vulos buzët për sa i përket dëshmisë së tij.

[previous][next]