Hënë e përgjakur? Asgjë e madhe! […] Çdo disa vjet ndonjë i krishterë dashamirës shfaqet me “provën” më të fundit nga Bibla se bota do të mbarojë apo që do të ndodhë Rrëmbimi [i Kishës] në një datë të caktuar. Sigurisht, data vjen dhe shkon dhe asgjë nuk ndodh. Këta caktues datash i bëjnë dëm të madh Trupit të Krishtit dhe janë dëshmitarë të dobët para botës se për çfarë është në të vërtetë krishterimi. Dhe ata përfundimisht duken si loço, ndërsa janë duke i dhënë armikut shumë tagji.
William Miller, një pastor baptist, parashikoi që Jezusi do të kthehej më 1844. Asgjë nuk ndodhi. Por ndjekësit e tij sot njihen si Adventistët e Ditës së Shtatë. Charles Rusell parashikoi fundin e botës më 1914. Asgjë nuk ndodhi, por ndjekësit e tij sot njihen si Dëshmitarët e Jehovait. Në kohët e fundit, në vitet 1970, Kisha Radio Jugperëndimore botoi një artikull rreth “Efektit të Jupiterit”. Ata deklaruan se një radhitje e caktuar, dikur në përjetësi, e planetëve do të shkaktonte gravitet në rritje duke bërë që toka të goditej me tërmete, stuhi dhe katastrofa të tjera, e si rrjedhim do të sillte [atë që njihet si] Mundimin. Dhe asgjë nuk ndodhi.
Gjithashtu në vitet 1970, Joseph Calhoon nga Kalifornia tërhoqi shumë vëmendje në media, sepse ai kishte studiuar gjerësisht Piramidat Egjiptiane dhe nxori përfundimin se kalimet e brendshme ishin një shenjë kohore nga Perëndia që Zoti do të kthehej më 1979. Dhe asgjë nuk ndodhi. Në vitet 1980 u botua libri “88 arsye që Jezusi do të kthehet më 1988”, shkruar nga Edgar Whisenant. Ai ishte kaq i bindur se ishte 100% i saktë, që tha në televizion kombëtar: “Nëse Zoti nuk kthehet më 1988, Bibla është e gabuar”. Dhe asgjë nuk ndodhi. Whisenanti vdiq më 2001.
Më pas kishim [atë që njihet si] Y2K…. Dhe, sikurse më parë, asgjë nuk ndodhi. Më pas ishte Harold Camping, një prezantues radioje i cili parashikoi fillimisht që Jezusi do të kthehej më 1994, më pas e ndryshoi atë në maj të 2011 dhe përfundimisht e ndryshoi atë në tetor të 2011. Dhe asgjë nuk ndodhi. Camping mësoi të vërteta të mëdha këtë dhjetor që kaloi kur ai vdiq (siç do të ndodhë me ne të gjithë). Kjo na sjell në teorinë më të fundit që supozohet se hedh dritë mbi Biblën që është njohur si Hënat e Përgjakshme.
Mark Biltz, një pastor në Shtetin e Uashingtonit, filloi i pari t’ua reklamonte këto gjepura besimtarëve që besojnë çdo gjë disa vjet më parë. Biltzi me sa duket nuk është një dispensacionalist dhe si rrjedhim i zbatoi keq disa pjesë biblike të Dhiatës së Vjetër për ta bërë bindëse teorinë e tij. John Hagee, i cili ka disa sfida doktrinore të vetat, e ka marrë banderolën e Hënave të Përgjakshme me një libër “best-selling” mbi këtë temë, “Katër Hëna të Përgjakshme”.
Teoria e caktimit të datave e Biltzit mbështetet në Joeli 2:31, “Dielli do të shndërrohet në terr dhe hëna në gjak, para se të vijë dita e madhe dhe e tmerrshme e ZOTIT”. Biltzi e merr Joelin 2:31 sikur t’i referohej eklipseve diellore dhe hënore. Kur ai krahasoi eklipse të mëparshme nga uebfaqja e NASA-s (ajo rendit të gjitha eklipset hënore nga 2000 p.K. deri më 3000 m.K.), ai u përqendrua mbi tetradet hënore, një seri e rrallë prej katër eklipsesh hënore në një periudhë kohore rreth dy vjetësh.
Biltzi vuri re se disa nga këto tetrade binin në ditë të Festave Judaike të kaluara dhe gjithashtu rreth kohës së disa ngjarjeve historike domethënëse judaike. Biltzi më pas vuri re se tetradet që shfaqen në vitet 1493-1494 ishin të lidhura me kohën e përndjekjes së madhe të judenjve nga Inkuizicioni Spanjoll midis viteve 1478 dhe 1534.
Ai besoi se tetradet e shfaqura në vitet 1949-1950 ishin të lidhura me rilindjen e Izraelit si një komb më 1948. Dhe përfundimisht ai nxori konkluzionin se tetradi i shfaqur në vitet 1967-1968 ishte i lidhur me rimarrjen nga Izraeli të Qytetit të Vjetër të Jerusalemit dhe të Malit të Tempullit më 1967. Nga këto ngjarje të kaluara, Biltzi nxori më pas konkluzionin se tetradi i ardhshëm i viteve 2014-2015 do të sjellë ngjarje biblike kryesore që përmbushin Joelin 2:31.
Sigurisht, ka shumë probleme me këtë konkluzion të çmendur dhe nuk po ndodh. [Ja disa arsye].
Problemi #1: Joeli 2 i referohet Ardhjes së Dytë të Jezusit. Dhe kjo ngjarje ndodh shtatë vjet mbas Rrëmbimit. Prandaj, ne jemi të paktën shtatë vjet dhe gjysmë sekonde larg Ardhjes së Dytë, prandaj është e pamundur që kjo të ndodhë më 2014-2015.
Problemi #2: Kur krahason vargje të tjera që gjithashtu shqyrtojnë diellin, hënën dhe yjet në fund të epokës, kemi ngjarje të tjera që përputhen me kthimin e hënës në gjak.
Dhe pashë, kur ai hapi vulën e gjashtë; dhe ja, u bë një tërmet i madh, dhe dielli u bë i zi si një thes prej leshi, dhe hëna u bë si gjak; dhe yjet e qiellit ranë mbi dheun…”, Zbulesa 6:12-13
“Tani, fill pas pikëllimit të atyre ditëve, DIELLI DO TË ERRET DHE HËNA NUK DO TË JAPË DRITËN E VET, YJET DO TË BIEN nga qielli dhe fuqitë e qiejve do të tronditen”, Mateu 24:29
Problemi #3: Rreth 40% e tetradeve të mëparshëm NUK kanë përkuar me ditë të Festave Judaike apo me ngjarje kryesore në histori. Kështu që si mund dish që tetradi i ardhshëm ka ndonjë rëndësi?
Problemi #4: Tetradet që VËRTET përkuan (Inkuizicioni, Pavarësia e Judenjve dhe rimarrja e kontrollit e Qytetit të Vjetër të Jerusalemit) ndodhën në fakt muaj ose vite mbas ngjarjeve. Kështu që nuk kemi ndonjë paralajmërim të madh këtu!
A duhet të presim që Perëndia të jetë duke “parashikuar me afërsi” të ardhmen? Kur konsideron që Perëndia i tha Izraelit DITËN E SAKTË që Mesia do të hynte në Jerusalem, me shkrim, 173,880 ditë më parë, kjo teori e Hënës së Përgjaktë duket mjaft e çalë.
KA shumë shenja profetike që po përmbushen gjatë jetës sonë. Por nuk ka asnjë bazë biblike që të lidhim Hënat e Përgjakshme me parashikimin e kthimit të Jezusit – ato janë pesë me hiç!
(Bill Perkins, Compass eNews, 10 shkurt, 2014)