Kohë të vështira dhe Fjala e Perëndisë [Fragment]
«Dhe dije këtë: në ditët e fundit do të vijnë kohë të vështira» (2 Timoteut 3:1)
Këto fjalë të kthjellëta paraqesin mesazhin e fundit të apostullit Pal para martirizimit të tij. Në vend që bota të konvertohet [kthehet] te Krishti dhe të bëhet gjithnjë e më mirë teksa ungjilli përhapet nëpër botë, «njerëzit e këqij dhe mashtrues do të shkojnë keq e më keq, duke gënjyer dhe duke u gënjyer vetë» (2 Timoteut 3:13).
Njëzet karakteristikat e njerëzve në ditët e fundit të renditura në vargjet që vijojnë të pjesës sonë pothuajse përbëjnë një përkufizim të humanizmit – dashuri për vetveten (egoizëm), lakmues parash, mburravecë, krenarë, blasfemues etj. Baza humaniste e këtyre atributeve të ditëve të fundit që sjellin rreziqe është më se e dukshme në dy të fundit: «Të perëndishëm në dukje, por mohues të fuqisë së saj» dhe «të cilat mësojnë gjithnjë dhe kurrë nuk mund të arrijnë në njohjen e së vërtetës» (2 Timoteut 3:5, 7).
Megjithëkëtë, përgjigjja për një mjedis të tillë nuk është as konformizmi, as kompromisi. Këshilla e Palit është thjesht «ti qëndro në ato që mësove dhe u binde plotësisht, […] se që nga fëmijëria i njeh Shkrimet e shenjta, të cilat mund të të bëjnë të ditur për shpëtimin me anë të besimit që është në Krishtin Jezus» (2 Timoteut 3:14-15).
Kështu, përgjigjja bazë për çdo problem, edhe në kohët e vështira të ditëve të fundit, është thjesht të vazhdosh t’i besosh dhe t’i bindesh Fjalës së frymëzuar, të dobishme dhe të përsosur të Perëndisë (2 Timoteut 3:16-17).
(Henry M. Morris, «Ditë lavdërimi», 9/8/09).