1:1 Themeli doktrinor i çdo përbashkësie të vërtetë është Personi i Zotit Jezu Krisht. Nuk mund të ketë përbashkësi të vërtetë me ata që kanë pikëpamje të rreme mbi Të. Dy vargjet e para mësojnë për përjetësinë e Tij dhe realitetin e mishërimit të Tij. Ai që ekziston që nga përjetësia me Perëndinë Atë erdhi në këtë botë si një njeri i vërtetë. Realiteti i mishërimit të Tij tregohet nga fakti se apostujt e dëgjuan Atë, e panë me sytë e tyre, i ngulën sytë mbi Të me një meditim të thellë dhe e prekën Atë. Fjala e jetës nuk ishte një iluzion i thjeshtë kalimtar, por ishte një Person i vërtetë në trup të mishtë.
1:2 Vargu 2 miraton se Ai që ishte me Atin dhe të cilin Gjoni e quan jeta e përjetshme, u bë mish dhe banoi ndër ne dhe u pa nga apostujt.
Vargjet e mëposhtme të shkruara nga një autor i panjohur tregojnë zbatimet për jetët tona të këtyre dy vargjeve të para:
Jam i gëzuar se njohja ime e jetës së përjetshme nuk është ndërtuar mbi spekullimet e filozofëve apo teologëve, por në dëshminë e padyshimtë të atyre që e dëgjuan, panë, vështruan dhe e prekën Atë që u mishërua. Nuk është një ëndërr e thjeshtë dashurie, por një fakt i fortë, i vëzhguar me kujdes dhe i ruajtur me përpikmëri.
1:3 Apostujt nuk e mbajtën këtë lajm të mrekullueshëm të fshehur dhe as ne nuk duhet ta mbajmë kështu. Ata kuptuan se baza e çdo përbashkësie gjendet këtu dhe kështu ata e shpallën lirshëm dhe plotësisht. Të gjithë ata që pranojnë dëshminë e apostujve kanë përbashkësi me Atin, me Birin e Tij Jezu Krisht dhe gjithashtu me apostujt dhe me të gjithë besimtarët e tjerë. Sa e mrekullueshme është që mëkatarët fajtorë të çohen në përbashkësi me Perëndinë Atë dhe me Birin e Tij Jezu Krisht! Dhe kjo është e vërteta që kemi këtu.
Biri i Tij Jezu Krisht. Jezusi dhe Krishti janë një dhe janë i njëjti Person dhe ai Person është Biri i Perëndisë. Jezus është një emër që i është dhënë Atij kur lindi dhe flet për anën e Tij njerëzore. Krisht është emri që flet për Të si i Vajosuri i Perëndisë, Mesia. Prandaj, në emrin Jezu Krisht kemi një dëshmi të anës së Tij njerëzore dhe asaj hyjnore. Jezu Krishti është plotësisht Perëndi dhe plotësisht njeri.
1:4 Por pse Gjoni shkruan për sa i përket temës së përbashkësisë? Arsyeja është që gëzimi ynë të jetë i plotë. Gjoni e dinte se bota nuk është e aftë të sigurojë gëzim të vërtetë dhe të përhershëm për zemrën njerëzore. Ky gëzim mund të vijë vetëm me anë të marrëdhënies me Zotin. Kur një njeri është në përbashkësi me Perëndinë dhe me Zotin Jezus, ai ka një gëzim të thellë që nuk mund të ngacmohet nga rrethanat tokësore. Ashtu siç ka thënë poeti: “Burimi i çdo kënge e tij është lart në qiell.”