Psalmi 6

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Lutje për të pasur mëshirë

6:1 O Zot, mos më ndreq në zemërimin tënd dhe mos më dëno në zjarrin e indinjatës sate.

6:2 Ki mëshirë për mua, o Zot; sepse jam i sfilitur nga e keqja; shëromë, o Zot, sepse kockat e mia po vuajnë.

6:3 Edhe shpirti im po vuan shumë; po ti, o Zot, deri kur?

6:4 Sillu nga unë, o Zot, çliroje shpirtin tim; shpëtomë, për hir të mirësisë sate.

6:5 Sepse në vdekje nuk do të kujtoj njeri; kush do të të kremtojë në Sheol?

6:6 Unë jam sfilitur duke psherëtirë; çdo natë e lag shtratin me vajin tim dhe bëj që të rrjedhin lotë mbi shtrojen time.

6:7 Syri im ligështohet nga dhembja dhe plaket për shkak të tërë armiqve të mi.

6:8 Largohuni nga unë, ju të gjithë shkaktarë të padrejtësisë, sepse Zoti ka dëgjuar zërin e vajit tim.

6:9 Zoti ka dëgjuar lutjen time; Zoti e ka pranuar lutjen time.

6:10 Tërë armiqtë e mi do të shushaten dhe do të hutohen; do të kthejnë krahët dhe do të shushaten në çast.

[previous][next]