Shërbimi dhe vuajtja e besimtarit (1 Pjetrit 4:7-5:14)

A. Urdhërimet e ngutshme për ditët e fundit (4:7-11)

4:7 Një seri paralajmërimesh paraqiten tani nga shprehja: “Tashmë fundi i të gjithave u afrua“. Kjo është menduar se nënkupton ose 1. shkatërrimin e Jerusalemit; 2. Rrëmbimin; 3. kthimin e Krishtit për të mbretëruar, ose 4. shkatërrimin e qiejve dhe tokës në fund të Mijëvjeçarit. Ne mendojmë se mbase i referohet kësaj të fundit.

Paralajmërimi i parë është të jemi të përkorë dhe të rrimë zgjuar për t’iu kushtuar lutjeve. Kjo është shkruar në një kohë përndjekjeje dhe do të thotë se jeta e lutjes së besimtarëve duhet të jetë pa panik dhe paqëndrueshmëri emocionale sjellë nga stresi: përbashkësia me Perëndinë duhet të mos bezdiset nga rrethana të papërshtatshme.

4:8 Besimtari duhet t’i kushtojë vëmendje përbashkësisë së tij me besimtarët e tjerë (v. 8,9) dhe të ketë një dashuri të madhe për tërë pjesëtarët e familjes së besimit. Një dashuri e tillë nuk do të zbulojë gabimet dhe dështimet e besimtarëve të tjerë, por do t’i mbrojë ata nga një zbulim i hapur. Dikush ka thënë: “Urrejtja bën më të ligën e çdo gjëje. Dashuria mund të fshehë gjërat ndaj të parit.”.

Shprehja “dashuria do të mbulojë një shumicë mëkatesh” (Fja. 10:12) nuk duhet të merret si një shpjegim doktrinor i heqjes së mëkateve. Faji dhe dënimi i mëkateve mund të hiqet vetëm me anë të gjakut të Krishtit. Shprehja nuk duhet të përdoret as si anashkalim i mëkatit apo shmangie të asamblesë nga përgjegjësia e saj për të disiplinuar një fyes. Ajo do të thotë se dashuria e vërtetë është e aftë të anashkalojë fajet dhe dështimet e vogla te besimtarët e tjerë.

4:9 Një mënyrë për të shfaqur dashurinë ndaj vëllezërve është duke praktikuar mikpritjen me dashje. Kjo këshillë duhet sidomos gjatë kohërave të përndjekjes kur kërkesa për ushqim është e madhe dhe ata që strehojnë të krishterët arrestohen dhe burgosen, për të mos folur për vdekje.

Mikpritja është një privilegj i jashtëzakonshëm. Disa duke e praktikuar pritën pa ditur engjëj (Heb. 13:2). Çdo mirësi treguar ndaj një biri të Perëndisë pranohet sikur t’i tregohej Vetë Zotit (Mt. 25:40). Nuk ka rëndësi sesa e vogël është, ajo do të shpërblehet madhërisht; madje edhe një gotë ujë dhënë në emër të Zotit do të shpërblehet (Mt. 10:42). Ata që pranojnë një profet ngaqë është profet do të marrin shpërblimin e një profeti (Mt. 10:41), që sipas masës judaike, ishte shumë e lartë. Shumë të krishterë dëshmojnë për bekimet që kanë marrë në shtëpitë dhe për fëmijët e tyre me anë të mikpritjes së treguar si shërbëtorë të Zotit.

Jezusi mësoi se nuk duhet të ftojmë ata që na e kthejnë ftesën (Luka 14:12). Kjo nuk do të thotë se ne nuk duhet të ftojmë kurrë të afërm, miq, apo komshinj, që mund të na e kthejnë ftesën. Por qëllimi ynë duhet të jetë për të treguar mirësi në emër të Zotit Jezus, duke mos menduar për kthimin. Me siguri është për t’u diskutuar fakti që besimtarë vazhdojnë të organizojnë gosti dhe mbrëmje me rrethin e tyre të miqve, ndërsa një pjesë e mirë e botës është akoma e paungjillizuar.

4:10 Gjithsecili besimtar ka marrë një dhunti nga Zoti, një funksion të veçantë për të kryer si një gjymtyrë e Trupit të Krishtit (1 e Korintasve 12:4-11, 29-31; Rom. 12:6-8). Këto dhunti janë një dhuratë nga Perëndia. Ato nuk duhet të përdoren për përfitim vetjak por për lavdinë e Tij dhe për dobinë e të tjerëve. Ne nuk jemi për të qenë stacionet e fundit të dhuntive të Perëndisë; hiri i Tij tepron në ne, por nuk duhet të shterojë tek ne. Për ne është caktuar që të jemi kanalet me anë të të cilëve mund të rrjedhin bekimet te të tjerët.

Ne duhet të jemi kujdestarë të mirë të hirit të shumëfarshëm të Perëndisë. Hiri i Perëndisë këtu i referohet nderit të pamerituar që Ai i bën njeriut. Të shumëfarshëm fjalë për fjalë do të thotë të shumëngjyrshëm apo të larmishëm. Filips-i e përkthen atë si “të larmishëm në mënyrë të mrekullueshme”.

4:11 Edhe nëse një njeri ka dhuntinë e të predikuarit apo mësuarit, ai duhet të jetë i sigurt se fjalët që thotë janë fjalët që Perëndia do të thoshte vetë në atë rast të veçantë. Kjo është ajo që nënkuptohet me fjalët orakujt të Perëndisë. Nuk është kurrë e mjaftueshme për një njeri të predikojë thjesht nga Bibla. Ai duhet të ketë gjithashtu sigurinë se po paraqet lajmin e veçantë të caktuar nga Perëndia për atë publik në atë kohë.

Dikush që kryen ndonjë lloj shërbese duhet ta bëjë me pranim të përulur se është Perëndia që e fuqizon. Pastaj lavdia do t’i jepet Perëndisë – Atij të cilit i përket.

Një njeri nuk duhet të bëhet krenar pavarësisht sesa dhunti ka në shërbesën e krishterë. Dhuntia nuk erdhi përmes përpjekjeve të tij, por iu dha atij prej së larti. Në fakt, ai nuk ka asgjë që nuk e ka marrë. Të gjitha shërbesat duhet të kryhen që Perëndia të marrë nderin.

Ashtu siç tregon Pjetri, ky nder i jepet Atit nëpërmjet Jezu Krishtit, si Ndërmjetës dhe për shkak të asaj që Perëndia ka bërë për ne përmes Tij. Këtij Shpëtimtari të bekuar i takon lavdia dhe pushteti për shekuj të shekujve. Amen.

B. Nxitjet dhe shpjegimet që kanë të bëjnë me vuajtjet (4:12-19)

4:12 Pjesa tjetër e kapitullit 4 përmban nxitje dhe shpjegime për sa u përket vuajtjeve që vijnë për shkakun e emrit të Krishtit. Fjala “vuajtje” dhe rrjedhimet e saj përdoren njëzet e një herë në këtë letër.

Qëndrimi i natyrshëm për një të krishterë është ta shikojë përndjekjen si çudi dhe jonormale. Ne çuditemi kur na duhet të vuajmë. Por Pjetri na thotë se duhet ta vlerësojmë atë si një përvojë të krishterë normale. Ne nuk kemi asnjë të drejtë të presim trajtim më të mirë nga bota në dallim me Shpëtimtarin. Ata që dëshirojnë të jetojnë një jetë të perëndishme në Krishtin Jezus do të përndiqen (2 Tim. 3:12). Është një gjë shumë e vërtetë se ata që marrim një qëndrim të drejtë për Krishtin bëhen shënjestër e një sulmi të egër. Satani nuk e harxhon kot municionin e tij kundër të krishterëve që janë vetëm me emër të tillë. Ai i kthen armët e tij të rënda kundër atyre që sulmojnë portat e Hadesit.

4:13 Privilegji i durimit të mundimeve të Krishtit duhet të nxisë në ne një gëzim të madh. Ne me siguri nuk mund të durojmë vuajtjet e tij të mëdha; Ai është i vetmi Mbartës i mëkatit të njeriut. Por ne mund të durojmë të njëjtat lloje mundimesh që duroi Ai si njeri. Ne mund të durojmë refuzimin dhe qortimin që iu bë Atij. Ne mund të marrim plagët dhe shenjat në trupat tanë, të cilat jobesimtarët dëshirojnë t’i bëjnë akoma mbi Të.

Nëse një bir i Perëndisë mund të gëzohet sot në mes të vuajtjeve, sa më tepër do të gëzohet dhe ngazëllohet kur të shfaqet Krishti në zbulesën e lavdisë. Kur Shpëtimtari të kthehet në tokë si Luani i fisit të Judës, Ai do të zbulohet si Biri i Lartë i Perëndisë. Ata që vuajnë tani për emrin e Tij do të nderohen atëherë me Të.

4:14 Të krishterët e hershëm u gëzuan sepse qenë çmuar të denjë të fyhen për emrin e Krishtit (Veprat e Apostujve 5:41). Kështu duhet të ndihet çdo i krishterë që ka privilegjin të shahet për emrin e Krishtit. Një vuajtje e tillë është një tregues i vërtetë se Fryma e lavdisë dhe Fryma e Perëndisë prehet mbi ne. Ky është Fryma e Shenjtë që prehet mbi të krishterët që përndiqen ashtu si reja e lavdisë prehej mbi tabernakullin në DhV, duke treguar praninë e Perëndisë.

Ne e dimë se Fryma banon në çdo bir të vërtetë të Perëndisë, por Ai prehet në mënyrë të veçantë mbi ata që i janë dhënë plotësisht çështjes së Krishtit. Ata njohin praninë dhe fuqinë e Frymës së Perëndisë në një mënyrë që të tjerët nuk e njohin. Zoti Jezus, i cili blasfemohet nga përndjekësit përlëvdohet nga shenjtorët e Tij që vuajnë [27].

4:15 I krishteri nuk duhet të bëjë që mbi të të bien vuajtje për vepra të këqija. Ai nuk duhet të jetë kurrë fajtor apo vrasës, hajdut, i lig në përgjithësi apo të përzihet në punët e të tjerëve. Perëndia nuk përlëvdohet në këtë mënyrë – kjo sjell vetëm turp për dëshminë e Krishtit.

4:16 Por nuk duhet të ketë turp nëse dikush vuan si i krishterë. F. B. Meyer-i thotë se kjo është e vërtetë edhe nëse përfshin “humbjen e punës, reputacionin dhe shtëpinë; braktisje nga prindërit, fëmijët dhe miqtë; paraqitje e keqe, urrejtje dhe madje deri në vdekje”[28]. Nën emrin e të krishterit është e mundur që dikush të përlëvdojë Perëndinë në gjithë këto prova. G. Campbell Morgan paralajmëron si vijon:

Kjo është më tepër se të përlëvdohesh në atë emër. Do të thotë të jetosh denjësisht për çfarë do të thotë të përlëvdosh Perëndinë. Nëse një njeri njihet si i krishterë dhe nuk jeton si i tillë, ai çnderon Perëndinë. Të mbash emrin do të thotë të marrësh përgjegjësinë, një përgjegjësi të madhe dhe të lavdishme, por mbi të gjitha një përgjegjësi solemne [29].

4:17 Pjetri vë në dallim vuajtjet e njerëzve të Perëndisë në këtë jetë me vuajtjet e të ligjve në përjetësi. Erdhi koha që të fillojë gjyqi nga shtëpia e Perëndisë. Koha për të cilën flitet është periudha e kishës, duke filluar nga dita e Rrëshajave dhe do të zgjasë deri në Rrëmbim. Shtëpia e Perëndisë i referohet kishës. Gjatë kësaj kohe, kisha po merr gjyqin nga bota jobesimtare. Besimtarët po përjetojnë vuajtjet e tyre tani, ashtu si Jezusi vuajti kur ishte në tokë.

Nëse është kështu, cili do të jetë fundi i atyre që nuk i binden ungjillit të Perëndisë? Nëse të krishterët vuajnë tani ngaqë bëjnë mirë, si do të vuajnë të pashpëtuarit në përjetësi për të gjitha veprat e tyre të paperëndishme?

4:18 I njëjti argument jepet edhe në këtë varg, cituar nga Fja 11:31: “Nëse i drejti do të shpërblehet në tokë, sa më tepër do të ndodhë për atë që quhet i pabesi dhe mëkatari.”

I drejti mezi shpëton ose shpëton me vështirësi. Nga pikëvështrimi hyjnor shpëtimi i tij u ble me një çmim të lartë. Nga pikëvështrimi njerëzor, për njerëzit thuhet: “Përpiquni të hyni nëpër derën e ngushtë” (Llu. 13:24). Besimtarët mësohen se “me shumë pikëllime duhet të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë” (Veprat e Apostujve 14:22). Është vetëm një mrekulli e hirit hyjnor që i krishteri ruhet për mbretërinë qiellore me gjithë rreziqet dhe tundimet që bien mbi të.

Duke qenë kështu, cili do të jetë fundi i atyre që vdiqën në mëkatet e tyre të papenduar dhe të pashpëtuar? Një ilustrim i gjallë i kësaj të vërtete gjendet në anekdotën e shkëputur nga shkrimet e F. B. Meyer-it:

Ka qenë dëshira më serioze e një njeriu të shenjtë që vdekja e tij të ishte triumfuese në mënyrë që bijtë e tij të pakthyer te Zoti të bindeshin dhe të tërhiqeshin nga fuqia e dukshme e Ungjillit për të qëndruar dhe për të qenë i gëzuar në pjesën e errët të luginës. Në vend të kësaj, për fat të keq, fryma e tij u preh nën një re; atë e mbuloi frika dhe dyshimi; dhe armikut të tij iu dha leja ta mundonte deri në pikën e fundit. Por këto fakte qenë ato që prekën më tepër bijë e tij. “Sepse” – tha më i madhi prej tyre – “të gjithë e dimë se sa i mirë ka qenë ati ynë; dhe shikoni tani se sa vuajtje të thella frymërore po kalon. Çfarë duhet të presim ne që nuk kemi menduar fare për shpirtrat tanë [30]?

4:19 Pjetri ngul këmbë se vuajtjet duhet të jenë sipas vullnetit të Perëndisë. Zelotët fetarë mund të nxisin vuajtjet duke vepruar duke u nisur nga shtysat e çastit pa drejtimin hyjnor. Ata që kanë një kompleks për të qenë dëshmor tundojnë Perëndinë në një mënyrë që çon në çnderim. Por udha e vërtetë e vuajtjeve për të krishterët çon në lavdinë e përjetshme. Duke pasur këtë parasysh, ata duhet të vazhdojnë të bëjnë gjëra të drejta, pavarësisht nga çmimi, dhe t’i besojnë shpirtrat e tyre te Krijuesi besnik.

Duket pak a shumë e çuditshme fakti që Pjetri paraqet Zotin si Krijues këtu më tepër se Shpëtimtar, Kryeprift, apo Bari. Krishti është Krijuesi ynë në një kuptim të dyfishtë – ne jemi të Tijtë si pjesë e krijimit të parë dhe krijimit të ri (Efes. 4:24; Kol. 3:10). Në çdo rast, ne jemi objekti i dashurisë dhe kujdesit të Tij. Është e arsyeshme që ne t’i besojmë shpirtrat tanë Atij që i bëri dhe i shpëtoi.

C. Nxitjet dhe përshëndetjet (5:1-14).

5:1 Ky kapitull i fundit i Letrës 1 të Pjetrit përmban nxitje dhe përshëndetje. Së pari ka një fjalë për pleqtë. Për shkak të pushtetit për caktimin e një detyre të tillë, Pjetri e paraqet veten si unë që jam plak bashkë me ta dhe dëshmitar i vuajtjeve të Krishtit dhe që jam gjithashtu pjesëmarrës i lavdisë. Plak bashkë me ta – jo një shpallje që ishte “peshkopi më i lartë” [Papa i Romës] i kishës [siç pretendon kisha katolike]! Dëshmitar – Pjetri pa Bariun të vdiste për delet dhe kujtesa e një dashurie të tillë e shtrëngon të kujdeset për ta si një nënbari besnik. Pjesëmarrës – së shpejti lavdia do të agojë, Krishti do të shfaqet dhe ne do të shfaqemi me Të në lavdi (Kol. 3:4). Deri atëherë detyra e Shpëtimtarit mbetet: “Kulloti qengjat e mi!… Ki kujdes për delet e mia” (Gjo. 21:15-17).

5:2 Pleqtë janë burra të pjekur me karakter të krishterë që janë të pajisur me cilësi nga Fryma e Shenjtë për drejtim frymëror në asamble. DhR presupozon një shumësi të pleqve – jo një plak mbi tërë kishën, apo një grup kishash, por dy a më tepër pleq në një asamble (Filipianeve 1:1). Për sa u përket cilësive të pleqve shikoni 1 Tim. 3:1-7 dhe Tit. 1:6-9. Në kishat e hershme para se DhR të ishte shkruar plotësisht, pleqtë (pas një kohe prove kur cilësitë e tyre u dukën) caktoheshin nga apostujt dhe përfaqësuesit e tyre. Sot, të krishterët duhet të njohin dhe t’u binden atyre që kanë cilësitë dhe bëjnë punën e plakut.

Ruani tufën e Perëndisë që është midis jush. Tufa i përket Perëndisë, por pleqve u është dhënë përgjegjësia për të shërbyer si nënbarinj. Jo me detyrim, por me dëshirë [31]. Mbikëqyrja e tufës nuk është një punë në të cilën njerëzit janë të shtrënguar nga zgjedhja apo detyra. Fryma e Shenjtë siguron përgjegjësinë dhe aftësinë dhe pleqtë duhet të përgjigjen me një zemër me dëshirë. Kështu lexojmë te 1 Tim. 3:1: “Në qoftë se dikush dëshiron të bëhet peshkop, dëshiron një punë të mirë.”. Së bashku me pajisjen hyjnore duhet të jetë edhe dëshira njerëzore.

Jo për përfitim të pandershëm, po me vullnet të mirë. Shpërblimet në para nuk duhet të jenë shtysë për të qenë një plak. Kjo nuk do të thotë se një plak nuk duhet të mbështetet nga kisha lokale; ekzistenca e “pleqve të tillë në kohë të plotë” tregohet te 1 Tim. 5:17,18. Por nënkupton se një frymë mercenare nuk përkon me shërbesën e vërtetë të krishterë.

5:3 Faza e tretë e nxitjes së Pjetrit është kjo: dhe jo si zotëronjës mbi ata që ju janë besuar, por duke u bërë shembull për tufën. Pleqtë duhet të jenë shembull, jo diktatorë. Ata duhet të ecin në ballë të tufës, jo t’i drejtojnë nga pas. Ata nuk duhet të sillen me tufën sikur ta kishin pronë. Kjo çon në autoritarizëm të plotë!

Shumë nga keqpërdorimet në drejtimin e krishterë do të zhdukeshin vetëm duke iu bindur tre udhëzimeve në vargjet 2 e 3. I pari ka të bëjë me heqjen e mosdashjes. Të dytin mund ta quajmë komercializëm. I treti do të jetë vekja e zyrtarizmit në kishë.

5:4 Puna e një plaku përfshin një harxhim shumë të madh të energjive fizike dhe emocionale. Ai duhet të ndihmojë, këshillojë, qortojë, nxisë, disiplinojë dhe paralajmërojë. Tani mund të duket si një punë që nuk do të marrë falënderime. Por një shpërblim i veçantë u premtohet pleqve besnikë. Kur të shfaqet kryebariu, ata do të marrin kurorën e lavdisë që nuk fishket. Sinqerisht, ne nuk dimë shumë për sa u përket kurorave të premtuara në Shkrim: është kurora e gëzimit (1 Thes. 2:19), kurora e drejtësisë (2 Tim. 4:8), kurora e jetës (Jak. 1:12; Zbulesa 2:10) dhe kurora e lavdisë. Ne nuk e dimë nëse do të jenë këto që do të hidhen në këmbët e Shpëtimtarit, a nëse tregojnë thjesht masën e përgjegjësisë që do të na jepet gjatë mbretërimit të Krishtit (Luka 19:17-19) apo janë faqet e karakterit të krishterë që do të mbahen në përjetësi. Por dimë se do të kenë shpërblime të mëdha për çdo lot, provë dhe vuajtje që kemi përjetuar këtu poshtë.

5:5 Ata që janë më të rinj, qoftë në moshë apo në besim, duhet t’u nënshtrohen pleqve. Pse? Sepse këta mbikëqyrës kanë urtësi që rrjedh nga vitet e përvojës në gjërat e Perëndisë. Ata kanë një njohuri të thellë, të sprovuar të fjalës së Perëndisë. Dhe atyre Perëndia u ka dhënë përgjegjësi për t’u kujdesur për delet e Tij.

Të gjithë besimtarëve u thuhet vishuni me përulje; ky është një virtyt i madh. Moffatt-i ka thënë: “Vish përparësen e përulësisë.”. Në mënyrë të ngjashme – përparësja është veshja e shërbëtorit. Një misionar nga India ka thënë: “Nëse do të më duhej të përmendja dy shprehje të domosdoshme për rritjen frymërore, do të ishin këto: ‘Nuk e di’ dhe ‘Më fal’. Që të dyja këto shprehje janë prova të një përulësie të thellë.”. Imagjinoni një asamble ku të gjithë pjesëtarët kanë këtë frymë të përulur, ku çmojnë të tjerët me tepër se veten e tyre; ku ndihmojnë njëri-tjetrin të bëjnë punët e zakonshme. Një kishë e tillë nuk duhet të jetë vetëm imagjinare; ajo mund dhe duhet të jetë diçka aktuale.

Nëse nuk ka arsye tjetër për përulësi, kjo do të jetë e mjaftueshme: Perëndia i kundërshton krenarët, por u jep hir të përulurve (Pjetri po citon nga versioni grek i Fja. 3:34). Mendo pak për këtë – Perëndia i madhërishëm kundërshton krenarinë tonë dhe përpiqet ta thyejë atë që bie në kundërshtim me Perëndinë e madhërishëm të pafuqishëm për t’i qëndruar një zemre të thyer dhe të penduar.

5:6 Kjo përulësi duhet të tregohet jo vetëm në lidhje me të tjerët, por edhe para Perëndisë. Në kohën e Pjetrit shenjtorët po kalonin përmes zjarreve të pikëllimeve. Këto prova, edhe pse nuk vinin nga Perëndia, lejoheshin nga Ai. Siguria më e mirë, thotë Pjetri, është t’i pranojmë përulësisht si nga dora e Zotit. Ai do të mbështetë njerëzit e Tij dhe do t’i lartësojë ata në kohën e duhur.

5:7 Besimtarët kanë privilegjin që të hedhin të gjitha ankthet tyre në Zotin me besimin e fortë se Ai merakoset. Përsëri Pjetri po citon nga versioni grek i DhV (Ps. 55:22).

J. Sidlow Baxter-i tregon se ka dy lloj merakosjesh këtu:

Ka një merakosje të ankthshme në fjalët: “Gjithë merakun tuaj hidheni mbi të”; dhe është një merakosje e dashur në fjalët: “Ai merakoset për ju”. Kundër çdo merakosjeje të ankthshme tonën është merakosja e dashur e Shpëtimtarit tonë që nuk dështon” [32].

Shqetësimi është i panevojshëm; ne nuk duhet të mbajmë peshat e rënda kur Ai dëshiron dhe është i zoti t’i mbajë për ne. Shqetësimi është i kotë; deri tani ai nuk ka zgjidhur asnjë problem. Shqetësimi është mëkat. Një predikues ka thënë një herë: “Shqetësimi është mëkat, sepse mohon urtësinë e Perëndisë; shqetësimi thotë se Ai nuk e di se çfarë po bën. Ai mohon dashurinë e Perëndisë; shqetësimi thotë se Ai nuk merakoset. Shqetësimi mohon edhe fuqinë e Perëndisë; shqetësimi thotë se Ai nuk është i zoti të më çlirojë nga çfarëdolloj gjëje që më shqetëson.”. Kjo është diçka për t’u menduar!

5:8 Edhe pse nuk duhet të merakosemi, ne duhet të jemi të përmbajtur dhe të rrimë zgjuar; sepse ne kemi një kundërshtar të fuqishëm, djallin. Të jesh i përmbajtur do të thotë të jesh serioz, të kesh një mendim real për jetën, të jesh i zgjuar për sa u përket taktikave të Satanit. Pentekost-i ka thënë më të drejtë:

Një njeri që nuk merr parasysh natyrën apo karakterin e botës, dikush që nuk merr parasysh qëllimet dhe sulmet e kundërshtarit, Djallit, do të jetojë në mënyrë të pakujdesshme. Por ai që e shikon jetën ashtu siç e shikon Jezu Krishti, duhet të ketë një qëndrim krejt tjetër, një këndvështrim krejt tjetër të karakterizuar nga përmbajtja [33].

Duhet të ketë gjithashtu një vigjilencë të qëndrueshme, një parapërgatitje për të ndeshur çdo sulm të të ligut. Këtu kundërshtari përshkruhet si luan vrumbullues, duke kërkuar dikë që mund ta përpijë. Djalli ka sjellje të ndryshme të shtirura. Ndonjëherë ai vjen si një gjarpër, duke u përpjekur për të futur njerëzit në prishje morale. Ndonjëherë ai ndryshon veten si engjëll drite, duke u përpjekur për të mashtruar njerëzit në mbretërinë frymërore. Këtu, si luan vrumbullues, ai priret të frikësojë njerëzit e Perëndisë me anë të përndjekjes.

5:9 Ne nuk duhet të biem në zemërimin e tij. Për më tepër ne duhet ta kundërshtojmë me anë të lutjes dhe fjalës së Perëndisë. Ne nuk kemi fuqi në vetvete për ta kundërshtuar, por ndërsa jemi të qëndrueshëm në besimin tonë, në varësinë tonë ndaj Zotit, ne mund ta kundërshtojmë atë.

Një nga veçoritë e Satanit është të na shkurajojë me mendimin se ne jemi të vetmit që vuajmë. Ndërsa kalojmë përmes zjarrit të pikëllimit, është e lehtë të ligështohemi nën idenë e gabuar se asnjë tjetër nuk ka aq probleme sa ne. Pjetri na kujton se të njëjtat vuajtje po i heqin të krishterët e tjerë shpërndarë nëpër botë.

5:10 Fitorja e vërtetë në përndjekje është të shohim Perëndinë pas skenave të ndryshme duke përmbushur qëllimet e Tij të mrekullueshme. Pavarësisht nga provat tona, ne duhet të kujtojmë para së gjithash se Ai është Perëndia i çdo hiri. Ky titull i dashur i Perëndisë sonë na kujton se marrëveshjet e Tij me ne nuk mbështeten në atë që ne meritojmë, por në dashurinë e Tij për ne. Pavarësisht nga provat tona të egra, ne gjithmonë mund të falënderojmë se nuk jemi në ferr, ku duhet të ishim.

Një vlerësim tjetër i fortë është se Ai na thirri në lavdinë e tij të përjetshme. Kjo na bën të aftë të shohim pas vuajtjeve të kësaj jete, në kohën kur do të jemi me Shpëtimtarin dhe do të jemi si Ai përgjithmonë. Vetëm mendoni pak për këtë! Jemi marrë nga llumi dhe jemi thirrur në lavdinë e tij të përjetshme!

Një ngushëllim i tretë është se vuajtja është vetëm për pak kohë. Krahasuar me lavdinë e përjetshme, pikëllimet e jetës janë tepër të përkohshme.

Nxitja e fundit është se Perëndia përdor vuajtjen për të na ndrequr dhe gdhendur karakterin tonë të krishterë. Ai po na përgatit për mbretërimin. Më poshtë janë renditur katër aspekte të proçesit tonë përgatitor.

Të përsosur – Provat e bëjnë besimtarin të përshtatshëm; ato japin elementë të nevojshëm në karakterin e tij për ta bërë atë të pjekur frymërisht.

Të patundur – Vuajtja e bën të krishterin më të qëndrueshëm, të aftë të ruajë një rrëfim të mirë dhe të durojë nën shtypje. Kjo është e njëjta fjalë e Zotit Jezus e përdorur nga Pjetri: “…forco [apo bëji të patundur] vëllezërit e tu” (Lluk. 22:32).

Forcimi – Përndjekja përdoret nga Satani për të dobësuar dhe përçarë besimtarët, por ka pasojë të kundërt. Ajo i forcon ata për të qenë më të qëndrueshëm.

Vënia në themel – Këto fjalë lidhen me fjalën “themel” në origjinal. Perëndia dëshiron që çdo besimtar të vendoset qëndrueshëm në një vend të sigurt në Birin dhe fjalën e Tij.

Lacey ka thënë:

Vuajtja e pashmangshme e jetës së të krishterit gjithmonë prodhon të njëjtin rezultat bekimi në karakterin e besimtarit; ajo do të rafinojë besimin, rregullojë karakterin, bëjë të patundur, të forcojë dhe të vendosë në themel njerëzit e Perëndisë [34].

5:11 Duke pasur parasysh mënyrën e mrekullueshme me anë të së cilës Perëndia e kthen përndjekjen dhe vuajtjen për lavdinë e Tij dhe për të mirën tonë, nuk është për t’u çuditur që Pjetri del në këtë formë lavdërimi ndaj Perëndisë: “Atij i qoftë lavdia dhe pushteti për shekuj të shekujve. Amen.”. Vetëm Atij i takon lavdia; vetëm në duart e Tij është i sigurt pushteti!

5:12 Silvani (mbase është i njëjti i quajtur Silas, forma e shkurtër e emrit), ishte vëllai besnik të cilit Pjetri ia kushton këtë letër dhe mbase lajmëtari që e çoi. Qëllimi i Pjetrit në këtë letër ishte të siguronte besimtarët në diasporë që besimi i krishterë, të cilin ata e mbanin, ishte besimi i vërtetë – ose, ashtu siç e quan ai, hiri i vërtetë i Perëndisë. Mbase në mes të përndjekjes, ata mund të tundoheshin prej mendimit nëse kishin pasur të drejtë që pranuan krishterimin. Pjetri shpall se kishin të drejtë. Ata kishin gjetur të vërtetën e Perëndisë dhe duhej të qëndronin në të.

5:13 Kisha që është në Babiloni, që është zgjedhur bashkë me ju, ju përshëndet. Edhe Marku, biri im, ju përshëndet.

Është e pamundur të pohojmë me siguri se kush apo çfarë nënkuptohet me “Kisha që është në Babiloni, që është zgjedhur bashkë me ju“. Disa nga interpretimet më kryesore janë: 1. “Vëllazëria” (2:17; 5:9). Në greqisht ky emër abstrakt duket se është në gjininë femërore. 2. Gruaja e Pjetrit. 3. Ndonjë zonjë që banonte aty përreth. Është gjithashtu e pamundur të dimë se për kë Babiloni bëhet fjalë. Mund të jetë: 1. Qyteti i famshëm në Eufrat, ku kishte shumë judenj; 2. Garnizoni ushtarak me të njëjtin emër në Nil (jo shumë e mundshme); 3. Roma. Te Zbulesa qyteti i Babilonit kuptohet përgjithësisht si Roma (17:1-9; 18:10,21).

Një pyetje e tretë del për sa i përket përmendjes së Markut. A është ai biri i Pjetrit në mish, apo po i referohet Gjon Markut, shkrimtarit të Ungjillit? Kjo e fundit është më e mundshme. Nëse është kështu, atëherë na lihet të vendosim se Marku ishte biri i Pjetrit sepse Pjetri e kishte çuar te Krishti [bir frymëror], ose fjala bir paraqet thjesht marrëdhënien e ngushtë frymërore midis një plaku dhe një të krishteri të ri. Fjala që Pjetri përdor bir [35] nuk është e njëjta fjalë që Pali përdor për të përshkruar marrëdhënien frymërore me Timoteun dhe Titin, dhe i përshtatet traditës së lashtë që Ungjilli i gjallë i Markut mbështetet në rrëfimet okulare të Pjetrit.

5:14 Plaku përfundon me një detyrë dhe bekim. Detyra është: “Përshëndetni njëri-tjetrin me një të puthur dashurie.”. Detyra e dashurisë vëllazërore është një urdhër për qëndrueshmërinë e kishës, edhe pse mënyra e të shprehurit mund të ndryshojë sipas kulturave dhe kohës.

Bekimi është: “Paqja mbi ju të gjithë që jeni në Krishtin Jezus“. Është një fjalë e qetë për t’u përdorur ndaj shenjtorëve stuhipritës, që po durojnë mundime për emrin e Jezusit. Jezusi sjell paqe ndaj tufës së tij të blerë me gjak ndërsa ata vuajnë për Të në mes të një shoqërie të shthurur.

Paqen, paqen e përsosur, vdekje a na e ke errësuar?

Vdekjen dhe tërë fuqinë e saj Jezusi mposhti.

Edward H. Bickersteth

SHËNIME

[1] (1:2) Ka edhe forma të tjera shenjtërimi që ndodhin më vonë. Kur një njeri lind sërish, ai në pozicion bëhet i shenjtëruar, sepse është “në Krishtin” (Heb. 10:10,14). Përmes jetës së tij të krishterë ai duhet të praktikojë shenjtërimin praktik, që do të thotë, procesi i bërjes më tepër në ngjashmëri me Krishtin (1 Pjetrit 1:15). Në qiell ai do të marrë shenjtërim të përsosur, sepse nuk do të mëkatojë më (Kol. 1:22). Shikoni hollësitë mbi shenjtërimin pas Hebrenjve 2:11.

[2] (1:8) Pjesa më e madhe e versioneve në greqisht (M) shkruajnë “njohur” (eidotes) në vend të “parë” (idontes). Domethënia përfundimtare është e njëjta, që është: nuk u takuan personalisht me Jezusi në tokë.

[3] (1:8) William Lincoln, Lectures on the First and Second Epistles of Peter, f. 21.

[4] (1:12) Njësoj me shënimin më sipër, f. 23.

[5] (1:13) J. H. Jowett, The Redeemed Family of God, f. 34.

[6] (1:17) Lincoln, Lectures, f. 30.

[7] (1:20) Njësoj me shënimin më sipër, f. 33.

[8] (1:21) W. T. P. Wolston, Simon Peter: His Life and Letters, f. 270.

[9] (1:22) Te teksti kritik (NU) mungon “përmes Frymës”.

[10] (1:23) Shënim në F. W. Grant, “1 Peter”, The Numerical Bible, Hebrenjve te Zbulesa, f. 149.

[11] (1:23) Në tekstin NU mungon “përgjithmonë”.

[12] (2:2) Teksti Aleksandrian (NU në shënimet) shkruan “të rriteni për shpëtim.” Megjithatë, ky lexim mund të hedhë dyshime për sa i përket sigurisë së shpëtimit.

[13] (2:6) Fjala biblike greke lithon (gur) akro- (majë) gསྩniaion (i qoshes), nga kjo rrjedh guri i qoshes.

[14] (2:7) Në tekstin NU lexojmë “nuk besojnë” për shprehjen “nuk binden”, por meqë të besosh në ungjill quhet gjithashtu bindje ndaj ungjillit, domethënia është e njëjtë.

[15] (2:12) Një kuptim fjalë për fjalë është i fisshëm apo i dashur (gr., kalos, kr. kaligrafinë në anglisht, shkrimet e bukura).

[16] (2:12) Charles R. Erdman, The General Epistles, f. 66.

[17] (2:12) Jowett, Redeemed Family, f. 88,89.

[18] (2:13) Leslie T. Lyall, Red sky at Night, f. 81.

[19] (2:16) F. B. Meyer, Tried by Fire, f. 91.

[20] (2:25) Fjala greke është episkopos, “mbikëqyrës” apo “peshkop.”

[21] (3:2) George Müller, në një botim periodik titulluar The Word, botuar nga Richard Burson, data e panjohur, f. 33-35.

[22] (3:4) Meyer, Tried, f. 117.

[23] (3:7) Charles Bigg, A Critical and Exegetical Commentary on the Epistles of St. Peter and St. Jude (ICC), f. 155.

[24] (3:8) Në vend të “dashamirës” (philophrones), teksti NU shkruan “i përulur” (tapeinophrones). Që të dyja janë virtyte të mira që shkojnë me kontekstin; ajo që është zgjedhur si origjinale varet nga pikëpamja e kritikëve të tekstit të DhR. Ne këtu kemi përdorur traditën KJ.

[25] (3:15) Në tekstin NU lexojmë “Krishti si Zot” për “Zotin Perëndinë”. Kjo sugjeron se Krishti i DhR është Jehovah Shabat-it të DhV.

[26] (4:6) Albert Barnes, Notes on the New Testament: James, Peter, John and Jude, f. 191.

[27] (4:14) Te teksti NU mungon fjalia e fundit e vargut 14. Meqë “prehet mbi ju” dhe “përlëvdohet”, të dyja mbarojnë me të njëjtat shkronja në greqisht (-etai) do të ishte e lehtë të jenë pranuar në mënyrë të rastësishme. Kjo quhet në gjuhën teknike “homoeoteleuton” (me një fund të njëjtë).

[28] (4:16) F. B. Meyer, Tried by Fire, f. 27.

[29] (4:16) G. Campbell Morgan, Searchlights from the Word, f. 366.

[30] (4:18) Meyer, Tried, f. 180,181.

[31] (5:2) Te teksti NU lexojmë: “sipas Perëndisë” për fjalën “me dëshirë”. Ajo që lexojmë te versioni tradicional KJ dhe NKJV (gjendet në versionin TR dhe M) përshtatet me kontekstin më tepër si një kontrast i detyrimit.

[32] (5:7) J. Sidlow Baxter, Awake, My Heart, f. 294. Qasja e bukur e fjalëve në traditën e KJ nuk gjendet në atë origjinale greke, ku të dy “merakosjet” janë fjalë të palidhura me njëra-tjetrën. Kjo ndodhi në gjuhën angleze të shtypur të DhR (1526), punë e përkthyesve të palodhur dhe dëshmorëve të Inkuizicionit, William Tyndale (1484-1536). Në tekstin e tij lexojmë “hidhni çdo merak tek ai: sepse ai merakoset për ju.”

[33] (5:8) J. Dwight Pentecost, Your Adversary the Devil, f. 94.

[34] (5:10) Harry Lacey, God and the Nations, f. 92.

[35] (5:13) Fjala e zakontë greke huios; Pali përdor teknon, fjalë për fjalë “i lindur” (në gjuhën e vjetër skoceze bairn) apo fëmijë.

BIBLIOGRAFIA

(Për Letrën I dhe II e Pjetrit)

Barbieri, Louis A., First and Second Peter, Chicago: Moody Press, 1975.

Bigg, Charles., A Critical and Exegetical Commentary on the Epistles of St. Peter and St. Jude (ICC). Edinburgh: T. & T. Clark, 1901.

Grant, F. W., “I and II Peter”, The Numerical Bible, vëll. 7, New York: Loizeaux Bros., 1903.

Ironside, H. A., Notes on James and Peter. New York: Loizeaux Brothers, 1947.

Jowett, J. H., The Redeemed Family of God. Londër: Hodder & Stoughton, n. d.

Lenski, R. C. H., The Interpretation of the Epistles of St. Peter, St. John & St. Jude, Columbus: Wartburg Press, 1945.

Lincoln, William, Lectures on the First and Second Epistles of Peter, Kilmarnock: John Ritchie Publ., n.d.

Meyer, F. B., Tried by Fire, Fort Washington, PA: Christian Literature Crusade, 1983.

Stibbs, Alan M, The First Epistle General of Peter, Grand Rapids: Wm. B. Eerdmans Publishing Co., 1959.

Thomas, W. H. Griffith, The Apostle Peter: His Life and Writings, Grand Rapids: Kregel Publications, 1984.

Westwood, Tom, The Epistle of Peter. Glendale, California: The Bible Treasury Hour, Inc., 1953.

Wolston, W. T. P, Simon Peter: His Life and Letter, London: James Nisbet & Co., 1913.


[previous][next]