A. Për besnikëri (1:6-18)
1:6 Për shkak të sfondit të tij familjar të perëndishëm dhe besimit të vet, Timoteu nxitet të zgjojë dhuntinë e Perëndisë që është në të. Ne nuk na thuhet se cila është dhuntia e Perëndisë. Disa thonë që kjo nënkupton Frymën e Shenjtë. Të tjerë thonë se nënkupton një aftësi të veçantë dhënë nga Zoti për një formë të shërbimit të krishterë, për shembull, dhuntinë e ungjilltarit, bariut apo mësuesit. Duket e qartë se Timoteu ishte thirrur në shërbimin e krishterë dhe i ishte dhënë një fuqi e veçantë. Këtu ai nxitet të ndezë dhuntinë në një flakë të gjallë. Atë nuk duhet ta lëshojë zemra nga dështimet rreth tij. As nuk duhet të bëhej profesional në shërbimin e tij për Zotin dhe të binte në një rutinë të rehatshme. Por më tepër, ai duhet të shqetësohej që ta përdorte dhuntinë e tij gjithnjë e më tepër ndërsa kohët bëheshin gjithnjë e më të errëta.
Kjo dhunti ishte në Timoteun me anë të vënies së duarve të apostullit. Kjo nuk duhet ngatërruar me shërbimin e emërimit [vajosjes zyrtare] praktikuar në rrethin klerik sot. Kjo nënkupton saktësisht atë që shpreh – ajo dhunti iu dha Timoteut në çastin kur Pali vuri duart e tij mbi të. Apostulli ishte mjeti me anë të të cilit u dha dhuntia.
Menjëherë do të dalë pyetja: “A mund të ndodhë një gjë e tillë sot?”. Përgjigjja është jo. Fuqia për të dhënë një dhunti me anë të vendosjes së duarve iu dha Palit si një apostull i Jezu Krishtit. Meqë ne nuk kemi apostuj me tërë kuptimin e fjalës sot, ne nuk kemi më fuqinë të kryejmë mrekulli apostullore.
Ky varg duhet të studiohet në lidhje me 1 Tim 1:18 dhe 4:14. Duke i bashkuar këto tre vargje, ne shohim se më poshtë kemi rendin e ngjarjeve, ashtu siç shprehet nga Vine. Me anë të deklaratës profetike, Pali iu drejtua Timoteut si dikush që ishte caktuar për një shërbim të veçantë. Me anë të veprimit formal nga ana e apostullit, Zoti i përcolli një dhunti Timoteut. Pleqtë njohën atë që Zoti kishte bërë duke vendosur duart e tyre. Veprimi i fundit nuk ishte një vepër emërimi [vajosjeje zyrtare], duke dhënë një dhunti apo pozicion kishtar [6].
Ose, ashtu siç e përmbledh Stock: “Dhuntia erdhi ‘përmes’ duarve të Palit, por edhe bashkë ‘me’ duart e pleqve”.
1:7 Duke u përballur vetë me martirizimin, Pali kërkon pak pushim për të kujtuar Timoteun se Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike apo dridhjeje. Nuk ka vend për frikë apo ndrojtje.
Por Perëndia na ka dhënë një frymë force. Një fuqi e pakufishme është në dispozicionin tonë. Përmes fuqisë së Frymës së Shenjtë besimtari mund të shërbejë me guxim, me durim, të vuajë duke triumfuar dhe, nëse është e nevojshme, të vdesë me lavdi.
Perëndia na ka dhënë gjithashtu një frymë dashurie. Është dashuria jonë për Perëndinë që heq tutje frikën dhe na bën të gatshëm të japim veten tonë për Krishtin, cilido qoftë çmimi. Është dashuria jonë për të afërmit tanë që na bën të gatshëm të durojmë çdo lloj përndjekjeje dhe t’ua kthejmë me mirësi.
Së fundi, Perëndia na ka dhënë një frymë urtësie, apo disipline. Fjala urtësi nuk përcjell plotësisht tërë mendimin. Ajo mund të sugjerojë se një i krishterë duhet të jetë i mençur në çdo kohë, pa shkarje nervore apo ndonjë sëmundje mendore. Ky varg është keqpërdorur gjithashtu për të mësuar se një i krishterë që jeton pranë Zotit nuk mund të mundohet kurrë nga ndonjë sëmundje mendore. Ky nuk është mësimi i Shkrimit. Shumë sëmundje mendore mund të vijnë si pasojë e dobësive të trashëguara. Shumë të tjera mund të jenë rrjedhoja e ndonjë gjendjeje fizike që nuk ka të bëjë fare me jetën frymërore të dikujt.
Ajo që po mëson ky varg është se Perëndia na ka dhënë një frymë vetëkontrolli. Ne duhet të përdorim dallimin dhe të mos veprojmë të nxituar, të ngutur, apo si të marrë. Nuk ka rëndësi se sa të vështira janë rrethanat, ne duhet të ruajmë të baraspeshuar gjykimin dhe të veprojmë me kthjelltësi.
1:8 Timoteut i thuhet se nuk duhet të ketë turp. Në vargun 12 Pali shpall se ai nuk duhet të turpërohet. Së fundi, në vargun 16, lexojmë se Onesifori nuk kishte turp.
Ishte një kohë kur predikimi i ungjillit ishte krim. Ata që guxonin të dëshmonin hapur për Zotin dhe Shpëtimtarin e tyre përndiqeshin. Por kjo nuk duhet ta smbrapste Timoteun. Ai nuk duhej të kishte turp për ungjillin, edhe pse kjo mund të sillte vuajtje. As nuk duhej të kishte turp për apostullin Pal në burg. Tashmë disa nga të krishterët i kishin kthyer shpinën. Pa dyshim që ata patën frikë se po të njëjtësonin vetveten me të kjo gjë do të sillte përndjekje dhe mbase vdekjen.
Timoteu u nxit që të hiqte keq… për ungjillin dhe ta mbante atë sipas fuqisë së Perëndisë. Ai nuk duhej të përpiqej të shmangte ndonjë fatkeqësi që mund të lidhej më të, por të bashkohej me Palin për ta duruar një fatkeqësi të tillë.
1:9 Apostulli e kishte nxitur Timoteun të ishte i zellshëm (v. 6, 7) dhe i guximshëm (v. 8). Tani Pali shpjegon se pse ky është qëndrimi i vetëm i arsyeshëm për t’u marrë sepse gjendet në marrëveshjet e mrekullueshme të Perëndisë me ne në hir. Para së gjithash, Ai na shpëtoi. Kjo do të thotë se Ai na ka çliruar nga ndëshkimi i mëkatit. Ai në mënyrë të vazhdueshme na çliron nga fuqia e mëkatit dhe në një ditë akoma të ardhshme, ai do të na çlirojë nga prania e mëkatit. Gjithashtu, Ai na ka çliruar nga bota dhe Satani.
Përsëri, Perëndia na thirri me një thirrje të shenjtë. Jo vetëm që na ka çliruar nga i ligu, por Ai ka derdhur mbi ne tërë bekimet frymërore në vendet qiellore në Krishtin Jezus. Thirrja e shenjtë e të krishterit përshkruhet me disa hollësi tek Efesianëve 1-3, sidomos te kapitulli 1. Atje ne mësojmë se jemi të zgjedhur, të paracaktuar, të birësuar, të pranuar në Shumë të Dashurin, të shpenguar me anë të gjakut të Tij, të falur, të vulosur me Frymën e Shenjtë dhe na është dhënë kapari i trashëgimisë sonë (bashkëngjitur me këtë thirrje të shenjtë, ne kemi një thirrje më të lartë, Filipianeve 3:14, dhe një thirrje qiellore, Heb. 3:1).
Ky shpëtim dhe kjo thirrje nuk është sipas veprave tona. Me fjalë të tjera, ato na u dhanë me anë të hirit të Perëndisë. Kjo do të thotë se ne nuk i meritojmë ato, por për më tepër meritonim krejt të kundërtën. Ne nuk mund t’i fitonim ato; as nuk i kërkuam ato. Por Perëndia i derdhi ato falas mbi ne pa kushte apo çmim.
Kjo shpjegohet më tej me anë të fjalëve sipas qëllimit të tij dhe sipas hirit. Pse duhet t’i ketë dashur kaq shumë mëkatarët e paperëndishëm saqë ka dashur të dërgojë Birin e Tij të vetëm për të vdekur për ta? Pse duhej të arrinte në këtë çmim për t’i shpëtuar ata nga ferri dhe t’i çonte në qiell që ata të mund të kalojnë përjetësinë me Të? Përgjigjja e vetme e mundshme është: sipas qëllimit të tij dhe sipas hirit. Arsyeja e veprimit të Tij nuk mbështetet te ne. Por, për më tepër, mbështetet në zemrën e Tij të madhe të dashurisë. Ai na deshi sepse na deshi!
Hiri i Tij na u dha në Krishtin Jezus përpara fillimit të kohëve. Kjo do të thotë se që nga përjetësia, Perëndia përcaktoi këtë plan të mrekullueshëm të shpëtimit. Ai përcaktoi të shpëtonte mëkatarët fajtorë përmes veprës zëvendësuese të Birit të Tij të dashur. Ai vendosi t’u jepte jetë të përjetshme atyre që do të pranonin Jezu Krishtin si Zot dhe Shpëtimtar. Metoda me anë të së cilës mund të shpëtohemi u përcaktua jo vetëm para se të lindnim, por përpara fillimit të kohërave.
1:10 I njëjti ungjill që u planifikua në përjetësi u shfaq në kohën e duhur. Ai u shfaq me anë të dukjes së Shpëtimtarit tonë Jezu Krishtit. Gjatë kohës së mishërimit të Tij, Ai shpalli hapur lajmin e mirë të shpëtimit. Ai u mësoi njerëzve se do të vdiste, do të varrosej dhe do të ringjallej në mënyrë që Perëndia t’i shpëtonte me të drejtë mëkatarët e paperëndishëm.
Ai e prishi vdekjen. Por si mund të ndodhë kjo kur dimë se vdekja është shumë e zakonshme në botë? Shpjegimi është se Ai e shfuqizoi vdekjen, ose e nxori si të pafuqishme. Para ringjalljes së Krishtit vdekja mbizotëronte si një tiran mizor mbi njerëzit. Ajo ishte një armik i frikshëm. Frika e vdekjes i mban njerëzit në robëri. Por ringjallja e Zotit Jezus është një siguri që të gjithë ata që do të besojnë në Të do të ringjallen prej së vdekurish për të mos vdekur më. Në këtë kuptim Ai shfuqizoi vdekjen. Ai ka shfuqizuar thumbin e saj. Vdekja tani është lajmëtari i Perëndisë që çon shpirtin e besimtarit në qiell. Ajo është më tepër shërbëtorja jonë sesa sunduesja jonë.
Zoti Jezus jo vetëm shfuqizoi vdekjen, por Ai nxori në dritë jetën dhe pavdekësinë me anë të ungjillit. Në periudhën e DhV, shumë njerëz kishin një ide të mjegullt dhe të pështjelluar të jetës pas vdekjes. Ata flisnin për të dashurit e tyre në Sheol, që thjesht do të thotë gjendja e padukshme e frymëve të larguara nga njerëzit. Megjithëse ata kishin para një shpresë qiellore, në pjesën më të madhe ata nuk e kuptonin qartë.
Që nga ardhja e Krishtit ne kemi një dritë edhe më të fuqishme mbi këtë temë. Për shembull, ne e dimë se kur një besimtar vdes, fryma e tij largohet për të qenë me Krishtin, gjë e cila është shumë më e mirë. Ajo nuk është më në trup, por është në shtëpi me Zotin. Ajo futet në jetën e përjetshme në tërë plotësinë e saj.
Krishti jo vetëm nxori në dritë jetën, por gjithashtu dhe pavdekësinë. Pavdekësia i referohet ringjalljes së trupit. Kur lexojmë 1 e Korintasve 15:53 se “ky trup që prishet duhet të veshë mosprishjen”, ne e dimë se edhe pse trupi vendoset në varr dhe kthehet në pluhur, në ardhjen e Krishtit i njëjti trup do të ringjallet nga varri dhe do të jetë një trup lavdie, i ngjashëm me atë të Vetë Zotit Jezus. Shenjtorët e DhV nuk i dinin këto gjëra. Kjo na u nxor në dritë ne përmes dukjes së Shpëtimtarit tonë Jezu Krishtit.
1:11 Për të shpallur këtë ungjill të lavdishëm Pali u caktua predikues, apostull dhe mësues i johebrenjve. Predikuesi është një lajmëtar, detyra e të cilit është të shpallë hapur një mesazh. Apostulli është ai që është dërguar me anë të zgjedhjes hyjnore, është pajisur nga po ajo zgjedhje dhe ka fuqi hyjnore. Një mësues është ai, detyra e të cilit është të ngulisë te të tjerët doktrinën; ai shpjegon të vërtetën në një mënyrë të kuptueshme, që të tjerët mund t’i përgjigjen me anë të besimit dhe bindjes. I johebrenjve [7] thekson shërbesën e tij të veçantë ndaj kombeve jojudease.
1:12 Për shkak të kryerjes së detyrës besnikërisht Pali po vuante burgosjen dhe vetminë. Ai nuk kishte ngurruar të shpallte të vërtetën e Perëndisë. Pa pasur frikë për sigurinë vetjake nuk e mbylli gojën. Megjithëse Pali ishte arrestuar dhe burgosur, ai nuk ishte penduar fare për shërbesën e tij. Ai nuk kishte turp dhe as Timoteu nuk duhet të kishte. Megjithëse për Palin nuk kishte rëndësi siguria e tij vetjake, ai e dinte se kujt i kishte besuar. Edhe pse Roma ia kishte dalë mbanë ta vriste atë, njerëzit nuk mund ta preknin Zotin e tij. Pali e dinte se Ai në të cilin kishte vënë besimin ishte i zoti. I zoti për çfarë? I zoti ta ruajë visarin tim deri në atë ditë. Komentuesit janë ndarë në dy pjesë për sa i përket referimit që Pali po jep këtu. Disa mendojmë se po flet për shpëtimin e shpirtit të tij. Të tjerë mendojnë se i referohet ungjillit. Me fjalë të tjera, megjithëse apostulli Pal do të vdiste, ungjilli nuk do të pengohej. Sa më tepër njerëzit përpiqen ta kundërshtojnë, aq më tepër do të përparojë ai.
Mbase është më mirë ta shohim shprehjen në kuptimin e saj më të gjerë. Pali ishte i bindur se e gjithë çështja e tij ishte në duart më të sigurta. Edhe sikur të haste vdekjen, ai nuk kishte asnjë dyshim. Jezu Krishti ishte Zoti i tij i Madhërishëm dhe me Të nuk mund të ketë humbje apo dështim. Nuk kishte asgjë për t’u shqetësuar. Shpëtimi i Palit ishte i sigurt dhe kështu ishte dhe suksesi përfundimtar i shërbimit të Tij për Krishtin këtu në tokë.
Atë ditë është një shprehje e pëlqyer prej Palit. Ajo i referohet ardhjes së Zotit Jezus Krisht dhe në mënyrë të veçantë Gjykatës së Krishtit ku do të shqyrtohet shërbimi ndaj Tij dhe kur mirësia e Perëndisë do të shpërblejë tërë njerëzit besnikë.
1:13 Ky varg mund të kuptohet në dy mënyra. Para së gjithash, Timoteu nxitet të ruajë modelin e fjalëve të shëndosha. Nuk është thjesht çështje për t’i qëndruar besnik të vërtetës së fjalës së Perëndisë, por duhet të kapej pas shprehjeve me anë të së cilës përcillet kjo e vërtetë. Mbase një ilustrim i kësaj mund të na vijë në ndihmë. Në kohën tonë hidhet mendimi ndonjëherë se duhet të braktisim një shprehje të tillë të kaluar mode, si “të lindur sërish” apo “gjaku i Jezusit”. Njerëzit duan të përdorin gjuhë më të përparuar. Por ekziston një rrezik i pakapshëm këtu. Duke braktisur mënyrën frymërore të të shprehurit, ata zakonisht braktisin të vërtetat që janë komunikuar me anë të këtyre shprehjeve. Prandaj Timoteu duhet të ruajë modelin e fjalëve të shëndosha.
Por vargu mund të sugjerojë gjithashtu se fjalët e Palit duhet të shërbejnë si një model apo shembull për Timoteun. Çdo gjë që Timoteu mësoi më pas duhej të përkonte me skicën që i ishte dhënë. Për të kryer shërbesën e tij, Timoteu duhet ta bënte këtë me besim dhe dashuri, që janë në Krishtin Jezus. Besim nuk do të thotë vetëm të besosh, por varësi gjithashtu. Dashuri përfshin jo vetëm dashurinë ndaj Perëndisë, por gjithashtu dashuri ndaj besimtarëve dhe botës që humbet përreth nesh.
1:14Visarin e mirë i referohet ungjillit. Lajmi i dashurisë shpenguese i është dhënë apo besuar Timoteut. Atij nuk i thuhet t’i shtojë atij apo ta përmirësojë atë në ndonjë mënyrë. Përgjegjësia e tij është ta ruajë atë përmes Frymës së Shenjtë që rri te ne. Ndërsa Pali shkroi këtë letër ishte i sigurt për largimin shumë të përhapur nga besimi që po kërcënonte kishën. Sulme do të vinin mbi besimin e krishterë nga shumë anë të ndryshme. Timoteu po paralajmërohej t’i qëndronte besnik fjalës së Perëndisë. Ai nuk duhej ta bënte këtë me forcat e tij. Fryma e Shenjtë që banonte në të do t’i jepte çdo gjë që kishte nevojë për këtë detyrë.
1:15 Ndërsa apostulli po mendonte për retë e zeza që ishin mbledhur sipër kishës, ai po kujton se si të krishterët në Azi i kthyen krahët. Në kohën kur u shkrua kjo letër Timoteu mbase ndodhej në Efes. Ai e dinte saktësisht se për çfarë po shkruante apostulli.
Duket sikur të krishterët në Azi prishën lidhjet me Palin kur mësuan se ai ishte arrestuar dhe burgosur. Ata e braktisën atë në kohën kur ai kishte më tepër nevojë për ta. Mbase arsyeja ishte se kishin frikë për sigurinë e tyre. Qeveria romake ishte në kërkim të të gjithë atyre që guxonin të përhapnin besimin e krishterë. Apostulli Pal ishte një ndër përfaqësuesit më të njohur të krishterimit. Ai që guxonte ta takonte atë hapur do të vihej në shënjestër si përkrahës i kësaj çështjeje.
Nuk është pohuar as nënkuptuar nëse këta të krishterë braktisën Zotin apo kishën. Megjithatë, ishte një veprim frike dhe pabesie të braktisje Palin në çastet e tij të krizës.
Mbase Figeli dhe Hermogeni ishin udhëheqës në lëvizjen pro largimit ndaj Palit. Sidoqoftë, ata morën mbi vete një turp të madh dhe përbuzje ngaqë nuk pranuan të duronin qortimin e Krishtit në përbashkësi me shërbëtorin e Tij. Komenti i Guy King-ut është se “ata nuk mund të bënin dot gjë për emrat e tyre, por mund të kishin bërë diçka për karakterin e tyre”.
1:16 Ka dy grupe mendimesh rreth Onesiforit. Disa mendojnë se edhe ai e kishte braktisur Palin dhe kjo është arsyeja pse apostulli lutet që Zoti t’i japë atij mëshirë. Të tjerë mendojnë se përmendet si një përjashtim i lumtur për ata që janë përshkruar tashmë. Ne besojmë se mendimi i dytë është më i saktë.
Pali kërkon që Zoti t’i japë mëshirë familjes së Onesiforit. Mëshira është një shpërblim për ata që kanë qenë të mëshirshëm sipas Mateut 5:7. Ne nuk na tregohet saktësisht se si i dha zemër Onesifori Palit. Mbase i ka çuar ushqim dhe veshje në birucën e lagësht dhe të errët romake. Sidoqoftë, ai nuk pati turp të shkonte te Pali në burg. Duke mos e vrarë mendjen për sigurinë e vet, shkoi t’i japë ndihmë një miku në kohë nevoje.
Jowett-i është shprehur në mënyrë të përkryer:
Është një tipar i mrekullueshëm në karakterin e Onesiforit që jepet në fjalinë e apostullit: “Nuk pati turp nga prangat e mia”… Prangat e një njeriu zakonisht ulin rrethin e miqve të tij. Prangat e varfërisë i mbajnë shumë njerëz larg dhe po kështu edhe prangat e të qenurit i panjohur. Kur një njeri ka një reputacion të mirë ai ka shumë miq. Kur mban pranga, miqtë priren të largohen. Por shërbyesit e flladit të mëngjesit pëlqejnë të vijnë në hijet e natës. Ata pëlqejnë të shërbejnë në zonat e pikëllimit dhe ku prangat rëndojnë shumë mbi shpirtin. “Nuk pati turp nga prangat e mia”. Prangat ishin me të vërtetë një joshje. Kjo i dha shpejtësi këmbëve të Onesiforit dhe ngutje shërbesës së tij [8].
Ky varg është keqpërdorur ndonjëherë për të mbështetur lutjet për të vdekurit. Argumenti është se Onesifori kishte vdekur kur Pali shkroi këtë letër dhe se Pali po i kërkonte Perëndisë të tregonte mëshirë për të. Nuk kemi asnjë provë se Onesifori kishte vdekur. Përkrahësit e këtij mendimi përhapin llomotitje duke u kapur pas fijes së kashtës për të krijuar një praktikë jobiblike.
1:17 Kur Onesifori erdhi në Romë, ai mund të bënte tri zgjedhje. Së pari, ai mund të kishte shmangur çdo lidhje me të krishterët, së dyti, ai mund të takohej me besimtarët në fshehtësi. Së fundi, ai mund të merrte vetë përsipër rrezikun duke vizituar Palin në burg. Kjo do të bënte që të takohej drejtpërdrejt me autoritetet romake. Për shkak të besimit të tij ai zgjodhi të fundit. Ai e kërkoi Palin me shumë zell dhe e gjeti.
1:18 Pali lutet që ky mik besnik të gjejë mëshirë nga ana e Zotit në atë ditë të ardhshme. Mëshira përdoret këtu në kuptimin e shpërblimit. Atë ditë, ashtu siç e përmendëm më parë, i referohet kohës kur do të jepen shpërblimet, fjalë për fjalë Gjykatës së Krishtit.
Duke e mbyllur këtë pjesë, apostulli Pal i kujton Timoteut se si i kishte shërbyer Onesifori Palit në Efes në mënyra të ndryshme.
B. Për durim (2:1-13)
2:1Forcohu në hirin që është në Krishtin Jezus do të thotë të jesh i guximshëm me fuqinë që siguron hiri i Tij, për të vazhduar me besnikëri për Zotin me aftësinë e pamerituar që vjen përmes bashkimit me Të.
2:2 Jo vetëm që Timoteu duhet të forcohet vetë, por ai duhet të sigurojë forca frymërore për të tjerët. Ai është përgjegjës për t’u përcjellë të tjerëve mësimet e frymëzuara që kishte marrë nga apostulli. Pali së shpejti nuk do të ishte më në jetë. Ai kishte mësuar besnikërisht Timoteun në praninë e shumë dëshmitarëve. Dita e shërbesës së Timoteut do të kryhej më së miri dhe ai, gjithashtu, do të kryente shërbesën e tij që të tjerët të përgatiteshin për të vazhduar si mësues.
Ky varg nuk mbështet mendimin e pasueshmërisë apostullore. As nuk i referohet praktikës së sotme të emërimit [vajosjes zyrtare] të shërbyesve. Por, për më tepër, është thjesht udhëzimi i Zotit ndaj kishës për të siguruar një pasueshmëri ndaj mësuesve të zotë.
Është treguar shpesh se ka katër breza besimtarësh në këtë varg, si vijon:
1. Apostulli Pal;
2. Timoteu dhe shumë dëshmitarët;
3. Njerëzit besnikë;
4. Të tjerët.
Kjo pjesë e Shkrimit thekson rëndësinë e ungjillizimit të çdo pjesëtari të kishës. Nëse çdo besimtar do të bënte me të vërtetë pjesën e tij, bota do të ungjillizohej brenda një brezi. Megjithatë, kjo është thjesht hipotezë në dritën e shthurjes së vullnetit të njeriut, “ungjillizimit” rival të feve të rreme dhe kulteve botërore të rremë dhe shumë pengesave të tjera. Megjithatë, një gjë është e sigurt: të krishterët mund të përpiqen më shumë në fushën e ungjillizimit!
Vini re se Timoteu duhej t’ua kalonte detyrën njerëzve besnikë, që do të thotë, njerëzve që janë besimtarë dhe vetë janë besnikë. Këta njerëz duhet të jenë të aftë të mësojnë edhe të tjerë. Kjo hamendëson zotësi për sa i përket shërbesës së mësimit.
2:3 Është treguar shpesh se Pali ka përdorur një numër të madh krahasimesh në këtë kapitull për të përshkruar Timoteun: 1. Bir (v. 1); 2. Ushtar (v. 3,4); 3. Atlet (v. 5); 4. Bujk (v. 6); 5. Punëtor (v. 15); 6. Enë balte (v. 21); 7. Shërbëtor (v. 24).
Si një ushtar i mirë i Jezu Krishtit, Timoteu duhet të duronte [9] vështirësitë dhe pjesën e tij të vuajtjeve. (Shih 2 Kor. 11:23-29 për një listë të shumë vuajtjeve që Pali vetë duroi).
2:4 Ushtari i përshkruar në këtë varg është dikush që është në luftim të vërtetë. Jo vetëm kaq, por është në mes të luftës. Asnjë ushtar në rrethana të tilla të ashpra nuk ngatërrohet me punërat e jetës.
A mos do të thotë kjo se ata që janë në shërbimin e Zotit nuk duhet të përfshihen kurrë në punët e zakonshme të botës? Sigurisht jo! Pali vetë punonte si një çadërbërës ndërsa predikonte ungjillin dhe themelonte kisha. Ai dëshmoi se vetë, me duart e tij, përmbushi nevojat e veta.
Theksi vihet në fjalën ngatërrohet. Ushtari nuk duhet të lejojë që punët e zakonshme të jetës të bëhen objekti kryesor i ekzistencës së tij. Për shembull, ai nuk duhet ta mbajë ushqimin dhe veshjen si qëllimin kryesor në jetë. Por, për më tepër, shërbimi ndaj Krishtit duhet të zërë gjithmonë vendin e parë, ndërsa gjërat e kësaj jete vijnë më pas. Kelly thotë: “Të ngatërrohesh në punërat e jetës do të thotë me të vërtetë t’i japësh fund ndarjes me botën duke u vënë në anën e çështjeve të jashtme si një partner me botën” [10].
Një ushtar në detyrë është gjithmonë gati për të marrë urdhra nga shefat. Dëshira e tij është t’i pëlqejë atij që e mori ushtar. Besimtari, sigurisht, është marrë ushtar nga Zoti dhe dashuria jonë për Të duhet të bëjë që të mos bëjmë gjërat e kësaj bote.
2:5 Figura tani ndryshon duke përdorur atë të një atleti që merr pjesë në gara. Që të marrë një shpërblim, ai duhet t’u bindet rregullave të lojës. E njëjta gjë ndodh në shërbimin e krishterë. Sa vetë lënë garën pa shkuar te mbërritja, skualifikohen sepse nuk ruajtën një bindje të padiskutueshme të fjalës së Perëndisë!
Cilat janë disa nga rregullat në lidhje me shërbimin e krishterë? 1. I krishteri duhet të praktikojë vetëdisiplinën (1 e Korintasve 9:27); 2. Ai nuk duhet të luftojë me armët e mishit, por me ato frymërore (2 Kor. 10:4); 3. Ai duhet ta mbajë veten të pastër; 4. Ai nuk duhet të luftojë, por të jetë i durueshëm.
Dikush ka thënë: “Një i krishterë i kohës së lirë [ai që i shërben Krishtit vetëm kur “ka kohë”] përbën një kontradiktë në vetvete; e tërë jeta e njeriut duhet të jetë një përpjekje e zellshme për të jetuar krishterimin vetjak në çdo çast dhe në çdo fushë të jetës vetjake”.
2:6Bujku që mundohet duhet ta marrë i pari pjesën e fryteve. Sipas tërë parimeve të drejtësisë, ai që punon për të prodhuar fryte ka të drejtë i pari për t’i marrë ato.
Ndërsa Darby pranon se vargu i mësipërm është një përkthim i mundshëm, ai hedh mendimin se kuptimi i pjesës është se bujku duhet të punojë për të shijuar të korrat. Prandaj ai përkthen: “Bujku duhet të punojë para se të marrë frytet”. Kjo ruan idenë e domosdoshmërisë: ushtari duhet të durojë, atleti duhet të zbatojë rregullat, bujku duhet të punojë shumë.
2:7 Por ka diçka më tepër nga ajo që duket në sipërfaqe në këto tre ilustrime të shërbimit të krishterë. Timoteu nxitet t’i marrë ato parasysh dhe të përsiasë mbi to. Ndërsa ai vepron në këtë mënyrë, Pali lutet [11] që Zoti t’i japë mend për të gjitha. Ai do të nënkuptojë se shërbesa e krishterë i ngjan një lufte, atletizmit [garës] dhe punës si bujk. Secila prej këtyre punëve ka përgjegjësitë e veta dhe secila ka shpërblimin e vet.
2:8 Në këtë pikë, apostulli arrin zenitin e serisë së nxitjeve ndaj Timoteut të ri. Ai mbërrin te shembulli i Zotit Jezus dhe nuk mund të ngjitet më lart. Shembulli i Tij është një shembull vuajtjesh pasuar nga lavdia. Kujto që Jezu Krishti, nga fisi i Davidit, u ngjall së vdekuri sipas ungjillit tim. Ideja nuk është se Timoteu duhet të kujtojë disa gjëra rreth Zotit Jezus, por duhet të kujtojë Vetë Personin, të ringjallur së vdekuri.
Nga njëra anë ky varg është një përmbledhje e shkurtër e ungjillit që predikonte Pali. Pika vendimtare në atë ungjill është ringjallja e Shpëtimtarit. Hiebert-i shkruan: “Jo vizioni i Jezusit të kryqëzuar, por vizioni i Zotit të ringjallur po parashtrohet para Timoteut” [12].
Shprehja nga fisi i Davidit është një pohim i thjeshtë që Jezusi është Krishti, pasardhësi i Davidit, në të cilin janë përmbushur premtimet e Perëndisë.
Kujtimi i vazhdueshëm i Personit dhe veprës së Shpëtimtarit është thelbësor për të gjithë ata që duan t’i shërbejnë Atij. Sidomos për ata që hasin vuajtje dhe mbase vdekje, ka një nxitje të madhe duke kujtuar se edhe Vetë Zoti Jezus shkoi në lavdinë e qiellit përmes kryqit dhe varrit.
2:9 Pali ishte prangosur në burgun e Romës për shkak të shpalljes së ungjillit, siç shprehet në vargun 8. Ai ishte trajtuar si keqbërës, si një kriminel i rëndomtë. Kishte shumë arsye që atë ta lëshonte zemra. Jo vetëm që qeveria romake do ta vriste, por disa nga miqtë e tij të krishterë e kishin braktisur.
Dhe pavarësisht nga këto rrethana të hidhura, fryma e lumtur e Palit ngrihet përtej mureve të birucës. Ai harron paraqitjen e tij të ngrysur kur kujton se fjala e Perëndisë nuk lidhet në pranga. Ashtu si Lenski ka thënë: “Zëri i gjallë i apostullit mund të mbytet nga gjaku i tij, por ajo që flet Zoti i tij akoma kumbon në mbarë botën”. Të gjitha armët e botës nuk mund të pengojnë fjalën e Perëndisë për të përparuar. Harvey thotë:
Me energji të papërballueshme dhe hyjnore [ungjilli] po përparon në karrierën e tij triumfale, edhe pse mbrojtësit e tij vuajnë burgosjen dhe vrasjen. Njerëzit vdesin, por Krishti dhe ungjilli i Tij jetojnë dhe triumfojnë në çdo epokë [13].
2:10 Për shkak të natyrës së papërballueshme të ungjillit, Pali ishte gati të duronte të gjitha për shkak të të zgjedhurve. Të zgjedhurve këtu i referohet të gjithë atyre që janë zgjedhur nga Perëndia për shpëtimin e përjetshëm. Ndërsa Bibla mëson se Perëndia i zgjedh njerëzit për t’i shpëtuar, në asnjë vend nuk thotë se Ai zgjedh disa për t’i dënuar. Ata që janë shpëtuar shpëtohen me anë të hirit sovran të Perëndisë. Ata që janë të humbur janë të humbur me anë të zgjedhjes së tyre të paramenduar.
Askush nuk duhet të grindet me Perëndinë për sa i përket doktrinës së zgjedhjes. Kjo doktrinë “lejon” thjesht Perëndinë të jetë Perëndi, Sovrani i gjithësisë, që i trajton gjërat me hir, drejtësi, paanësi dhe dashuri. Ai kurrë nuk bën diçka të padrejtë apo të pakëndshme, por zakonisht tregon hir që është plotësisht i pamerituar.
Apostulli kuptoi se përmes vuajtjes së tij për hir të ungjillit, shpirtrat u shpëtuan dhe po këta shpirtra një ditë do të jenë pjesëmarrës në lavdinë e përjetshme me Krishtin Jezus. Vizioni i mëkatarit fajtor, shpëtuar përmes hirit të Perëndisë dhe i përlëvduar së bashku me Krishtin Jezus, ishte i mjaftueshëm për të frymëzuar Palin të duronte të gjitha gjërat. Me këtë na kujtohen të gjitha fjalët e Rutherfordit të perëndishëm [14]:
Oh, nëse një shpirt nga Anuoth-i
Mund të më takohet në të djathtën e Perëndisë,
Qielli im do të ishte dy qiej
Në tokën e Emanuelit.
2:11 Vargjet 11-13 mendohen se janë një himn i hershëm i krishterë. Qoftë apo jo kështu, ato paraqesin me siguri disa parime të pandryshueshme për sa i përket marrëdhënies së njeriut me Zotin Jezus Krisht. Hiebert-i shkruan: “E vërteta qendrore e këtyre vargjeve thelbësore është se besimi në Krishtin njëjtëson besimtarin me Të në çdo gjë, ndërsa mosbesimi nga ana tjetër ndan njerëzit nga Ai” [15]. Është e pesta herë që përdoret shprehja kjo fjalë është e vërtetë në Letrat e Palit drejtuar Timoteut.
Parimi i parë është se nëse ne vdiqëm me Krishtin, me të edhe do të rrojmë. Kjo është e vërtetë për çdo besimtar. Në kuptimin frymëror, ne vdiqëm me Të në çastin kur i besuam Atij si Shpëtimtarit tonë. Ne u varrosëm me Të dhe u ringjallën përsëri me Të nga të vdekurit. Krishti vdiq si Përfaqësuesi dhe Zëvendësuesi ynë. Ne duhet të kishim vdekur për mëkatet tona, por Krishti vdiq në vendin tonë. Perëndia na llogarit sikur vdiqëm me Të dhe kjo do të thotë se ne do të rrojmë me Të në qiell.
Ky varg vlen gjithashtu edhe për ata që vdiqën si dëshmorë të krishterë. Ata që e ndjekin Atë në vdekje gjithashtu do ta ndjekin Atë në ringjallje.
2:12 Nga njëra anë, është gjithashtu e vërtetë se tërë të krishterët vuajnë dhe do të mbretërojnë bashkë me Krishtin. Besimi i vërtetë ka gjithmonë cilësinë e qëndrueshmërisë dhe në këtë kuptimin të gjithë besimtarët vuajnë.
Megjithatë, duhet të thuhet se jo të gjithë do të mbretërojnë me Krishtin njëlloj. Kur Ai do të kthehet për të mbretëruar mbi tokë, shenjtorët e Tij do të kthehen me Të dhe do të sundojnë së bashku. Por shtrirja e atij sundimi do të përcaktohet nga besnikëria e tij gjatë kësaj jete.
Ata që mohojnë Krishtin do të mohohen nga Ai. Këtu nuk flitet për një mohim të përkohshëm të Shpëtimtarit nga presioni i situatës, ashtu si në rastin e Pjetrit, por për një mohim të përhershëm dhe të vazhdueshëm ndaj Tij. Këto fjalë përshkruajnë një jobesimtar – atë që kurrë nuk e ka pranuar Zotin Jezus me anë të besimit. Një i tillë do të mohohet nga Zoti në atë ditë të ardhshme, pavarësisht se sa i përshpirtshëm do të ketë qenë rrëfimi i tyre.
2:13 Ky varg përshkruan gjithashtu jobesimtarët. Dinsdale Young-u shpjegon: “Perëndia nuk mund të jetë i papërputhshëm me Vetveten. Do të ishte i papërputhshëm me karakterin e Tij të sillej njëlloj me atë që është besnik dhe atë që nuk është besnik. Ai tregohet besnik ndaj drejtësisë dhe na trajton sipas jetës sonë.” [16].
Fjalët nuk duhet të interpretohen për të mësuar se besnikëria e Perëndisë do të tregohet në mbrojtjen e atyre që nuk besojnë. Nuk do të ndodhë një gjë e tillë. Nëse njerëzit nuk besojnë, Ai mbetet besnik në karakterin e Tij dhe duhet t’i trajtojë ata siç duhet. Ashtu siç thotë Van Oosterzee: “Ai është aq besnik në kërcënimet ashtu edhe në premtimet e Tij” [17].