Letra e dytë drejtuar Timoteut

Letra e dytë drejtuar Timoteut… është shprehja e zemrës së Palit, i cili jashtë Palestinës, nën urdhrin e Perëndisë, themeloi dhe ndërtoi asamblenë e Perëndisë në tokë dhe u shkrua duke pasur parasysh dështimet e saj dhe largimin nga parimet mbi të cilat ai kishte themeluar kishën.J. N. Darby

I. Vendi unik në Kanun

Fjalët e fundit të njerëzve të famshëm zakonisht çmohen nga ata që i duan këta njerëz. Letra e 2 drejtuar Timoteut nuk përbën fjalët e fundit të Palit, por me sa dihet është shkrimi i tij i fundit drejtuar të krishterëve, dërguar ushtarakut të tij të ri të dashur, Timoteut.

I ulur në burgun e tij me lagështirë në Romë, duke pasur vetëm një të çarë nga hynte drita dhe duke pritur ekzekutimin me heqje koke, apostulli frymëror, i zgjuar dhe zemërbutë, tashmë i plakur dhe i lodhur nga garat e tij të gjata dhe të zjarrta të bëra për Perëndinë, shkruan një thirrje përfundimtare për t’u mbajtur fort pas të vërtetës dhe jetës që Timoteu kishte mësuar.

Ashtu si shumë letra “të dyta”, 2 Timoteut merret me mësuesit e rremë dhe femohuesit në kohën e fundit. Menjëherë bindemi që sulmi ballor mbi autenticitetin e 2 Timoteut (dhe aq më tepër atë të 2 Pjetrit) vjen nga udhëheqësit skeptikë fetarë, që shkruajnë teori doktrinale negative e të cilët vetë janë fajtorë për përdorimin e fesë si petk, krimin e vërtetë rreth së cilës na e paralajmëron Pali (2 Tim. 3:1-9).

Pavarësisht se çfarë mund të thonë disa, 2 Timoteut është tepër e nevojshme dhe shumë autentike!

II. Autorësia

Shikoni hyrjen e Letrave Baritore për një shtjellim të autorësisë së 2 Timoteut.

III. Data

E Dyta e Timoteut u shkrua nga burgu (sipas traditës burgu Mamertime në Romë, i cili sot është i hapur për vizitorë). Një qytetar romak si Pali nuk mund të hidhej te luanët apo të kryqëzohej, por “meritonte” ekzekutimin me prerje të kokës me shpatë. Meqë ai u vra nga Neroni, i cili vdiq më 8 qershor 68, data për shkrimin e Letrës së 2 drejtuar Timoteut ka gjasa t’i përkasë vjeshtës së vitit 67 ose pranverës së vitit 68.

IV. Tema

Tema e 2 Timoteut shprehet mirë te 2:15: “Mundohu të dalësh përpara Perëndisë si i sprovuar, si punëtor që nuk ka pse të turpërohet, që thotë drejt fjalën e së vërtetës.”. Në dallim me 1 Timoteut, ku theksohet sjellja e përbashkët dhe në bashkësi, këtu dalin në plan të parë përgjegjësia dhe sjellja individuale. Kjo temë duhet të shprehet si “Përgjegjësia individuale në kohën e dështimit të përbashkët”.

Ka shumë dështim të përbashkët në kishën për të cilën flitet në këtë letër. Kishte pasur shumë largim nga besimi dhe nga e vërteta. Si mund të prekë kjo besimtarin individual? A përjashtohet ai nga kërkimi për t’u kapur pas të vërtetës dhe të bëjë një jetë në perëndishmëri? Përgjigjja e 2 Timoteut është një Jo e vendosur! “Mundohu të dalësh përpara Perëndisë si i sprovuar…”.

Situata e Danielit të ri në oborrin mbretëror të Babilonisë (Dan. 1) e ilustron këtë gjë. Për shkak të paudhësisë së zgjatur të izraelitëve, ai dhe të tjerë ishin zënë robër dhe ishin dërguar në Babiloni nga Nebukadnetsari. Atyre nuk u lejohej asnjë formë e jashtme praktikimi e fesë së tyre judaike – flijimet, shërbesa priftërore, adhurimi në tempull etj. Në të vërtetë, këto do të pezulloheshin plotësisht kur disa vjet më vonë Jerusalemi u shkatërrua dhe tërë kombi u çua në mërgim. A mos tha Danieli me vete: “Duhet të harroj Ligjin dhe Profetët dhe të rehatohem me praktikat, standardet dhe moralin këtu në Babiloni?”. Historia tregon përgjigjen e ndritur dhe të zjarrtë në jetën e tij të paharrueshme të besimit në rrethana që dukeshin aq të vështira.

Prandaj, gjithashtu, mesazhi i Letrës së 2 drejtuar Timoteut u flet bijve individualë të Perëndisë që e shohin dëshminë e kishës në tërësi në këtë ditë shumë larg nga thjeshtësia dhe shenjtëria e DhR në fillimet e saj. Ai ose ajo është akoma përgjegjës “të rrojnë me perëndishmëri në Krishtin Jezus” (2 Tim. 3:12).

PËRMBLEDHJE

I. PËRSHËNDETJE HYRËSE PËR TIMOTEUN (1:1-5)
II. NXITJE PËR TIMOTEUN (1:6-2:13)
A. Për besnikëri (1:6-18)
B. Për durim (2:1-13)
III. BESNIKËRIA KUNDËR APOSTAZISË (2:14-4:8)
A. Besnikëria e krishterimit të vërtetë (2:14-26)
B. Apostazia e ardhshme (3:1-13)
C. Njeriu i Perëndisë përballë apostazisë (3:14-4:8)
IV. KËRKESA DHE SHËNIME VETJAKE (4:9-22)

[previous][next]