V. 21 Apostulli kishte besim se Filemoni do të bënte edhe më shumë nga sa kishte kërkuar. Ai vetë ishte falur falas nga Krishti. Ai nuk do të bënte më pak, sigurisht, për Onesimin. Kemi, pra, një ilustrim të gjallë të Efesianëve 4:32: “Jini të mirë dhe të mëshirshëm njëri me tjetrin, duke e falur njëri-tjetrin, sikurse edhe Perëndia ju ka falur në Krishtin”.
V. 22 Por si do ta dinte Pali se si do të sillej Filemoni me Onesimin? Ai shpresonte të vizitonte Kolosin dhe do të ishte mysafir në shtëpinë e Filemonit. Ai kishte shpresë se do të lirohej nga autoritetet civile si përgjigje e lutjeve të të krishterëve. Dhe kështu ai i kërkon Filemonit t’i përgatiste njëkohësisht një vend për të ndenjur. Mbase kjo mund të kishte qenë një ndër detyrat e para të caktuara për Onesimin: “Rregullo dhomën e pritjes së miqve për vëllanë tonë Pal!”. Ne nuk e dimë nëse Pali shkoi në Kolos. E gjitha që mund të bëjmë është të hamendësojmë se vendi për të ndenjur ishte gati për të dhe se tërë pjesëtarët e shtëpisë mezi prisnin ta shikonin atë, zemrat e tyre do të shkriheshin në një të vetme në dashuri.
V. 23Epafra mund të ketë qenë ai që themeloi asamblenë në Kolos (Kol. 1:7,8; 4:12,13). Tani një i burgosurbashkë me Palin në Romë, bashkohet në dërgimin e përshëndetjeve ndaj Filemonit.
V. 24 Me Palin në atë kohë ishin Marku, Aristarku, Dema dhe Luka. Këta emra përmenden gjithashtu edhe te Kolosianëve 4:10,14. Jezusi, i quajtur Justus, përmendet te Kolosianëve 4, edhe pse këtu mungon. Marku ishte shkrimtari i Ungjillit të Dytë. Ai kishte treguar se ishte një shërbëtor besnik ndaj Zotit pas dështimit të tij të hershëm (2 Tim. 4:11, kr. Veprat. 13:13; 15:36-39). Aristarku, një besimtar nga Thesalonika, shoqëroi Palin në disa udhëtime, përfshirë dhe udhëtimin në Romë. Te Kolosianëve 4:10, Pali e quan atë “i burgosur me mua”. Dema më vonë braktisi Palin, duke dashur botën (2 Tim. 4:10). Luka, doktori i dashur, tregoi se ishte një shok dhe ndihmues i dobishëm deri në fund (2 Tim. 4:11).
V. 25 Letra mbyllet me bekimin karakteristik të Palit. Ai uron që hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me frymën e Filemonit. Jeta nuk mund të marrë bekim më të madh sesa nderin e pamerituar të Shpëtimtarit si një përvojë e atypëratyshme: të ecësh në përmbushje dhe gëzim të qëndrueshëm të Personit të Tij dhe të punosh në gjithçka që mund të dëshirojë zemra.
Pali la penën e tij dhe ia dorëzoi letrën Tikikut për t’ia çuar Filemonit. Ai kuptoi vetëm pak për hapësirën e atij mesazhi të asaj letre që do të ndikonte sjelljen e krishterë për shekuj me radhë. Letra është një vepër klasike e dashurisë dhe mirësjelljes që duhet të praktikohen sot njësoj si në kohën kur u shkruan”. Amen.
SHËNIME
[1] (Te Parathënia) Martin Luter, cituar nga J. B. Lightfoot, Saint Paul’s Epistle to the Colossians and to Philemon, f. 317, 318 (përkthim i përshtatur nga një botim i tashëm). [2] (V. 2) Nëse dikush krahason statusin e gruas së krishterë me gratë pagane dhe myslimane, ajo (apo ai) duhet të pranojnë se “Çlirimtari i vërtetë i grave” është Zoti Jezu Krisht. [3] (V. 7) Në pjesën më të madhe të dorëshkrimeve lexojmë falënderime (charin) në vend të gëzim (charan). [4] (V. 9) Fjalët greke “plak” (presbutes) dhe lajmëtar (presbeutes) janë aq të ngjashme saqë Bentley hamendësonte se Pali shkroi “lajmëtar”. Dorëshkrimet tradicionale janë plotësisht kundër këtij hamendësimi, megjithatë ky mund t’i shkojë përshtat shumë mirë. [5] (V. 12) Aleksandër Maclaren, “Colossians and Philemon”, The Expositor’s Bible, f. 461.BIBLIOGRAFI
Shikoni Bibliografinë në fund të Letrës drejtuar Kolosianëve.