Letra drejtuar Filemonit

Një kryevepër e vogël, por e vërtetë në artin e shkrimit të letrave.Ernest Renan
Ne të gjithë jemi Onesimë [të Zotit].Martin Luter

I. Vendi unik në Kanun

Disa mund të sugjerojnë se do të ishin të aftë t’ia dilnim mbanë pa këtë letër nga Pali. Ata që mendojnë kështu e kanë shumë gabim. Në radhë të parë, është pranuar në mbarë botën si një letër autentike vetjake që del drejtpërdrejtë nga zemra e apostullit. Si e tillë ajo është një margaritar. Ajo është krahasuar kryesisht me një letër zyrtare me të njëjtën temë – një skllav i arratisur – nga autori romak Plini i Riu drejtuar një miku. Përveç anës së retorikës elegante, letra e Palit del në krye.

Kjo letër e shkurtër tregon mirësjellje, takt – me një frymë humori – dhe një zemër të dashur të Palit. Edhe pse nuk mëson në mënyrë të drejtpërdrejtë doktrinën, ajo është një ilustrim i përsosur i doktrinës së “fajësimit “, për shkak të urdhrit të Palit “m’i ngarko mua”. Ashtu si dështimet e Onesimit iu ngarkuan Palit për shkak të gjendjes së pashpresë të Onesimit dhe aftësisë së Palit për të paguar, po kështu mëkatet e të krishterit i ngarkohen Krishtit për shkak të gjendjes së pashpresë së të krishterit dhe aftësisë së Shpëtimtarit për të paguar me anë të meritave shpëtuese të Tij. Reformatori i madh, Martin Luteri, ka shkruar:

Këtu ne shohim Palin të bëhet garant për Onesimin e mjerë dhe me tërë mënyrat e veta shtron çështjen e tij me të zotin e tij: dhe kështu e vë veten si të ishte Onesimi dhe sikur t’i kishte bërë keq Filemonit. Ashtu si Krishti vdiq për ne përballë Perëndisë Atë, po kështu edhe Pali bën për Onesimin me Filemonin . . . Ne të gjithë jemi Onesimët e Tij, sipas mendimit tim [1].

II. Autorësia

Të gjithë, përveç kritikëve negativë, pranojnë autorësinë e Palit të Letrës drejtuar Filemonit. Në fakt, Renan ishte kaq i sigurt për këtë autenticitet saqë vuri në dyshim mospranimin e tij të autenticitetit të letrës të Kolosianëve, një letër që është shumë e lidhur me Filemonin. [Sipas besimit të tij liberal, të dy letrat (Filemoni dhe Kolosianët) nuk u shkruan nga Pali. Megjithatë, duke hetuar më shumë autorësinë e Filemonit, arriti në përfundimin se Pali e shkroi këtë. Pastaj ai e vuri në dyshim mospranimin e tij të autorësisë së Palit dhe për Kolosianët]

Meqë Letra e Filemonit është shumë e shkurtër dhe shumë personale nuk duhet të çuditemi pse kam aq shumë citime të hershme nga kjo letër.

Prova e jashtme

Letra e Filemonit citohet ose hamendësohet në shkrimet e Ignatius-it, Tertulian-it dhe Origen-it. Eusebius-i thotë se ka qenë një nga librat më të pranuar nga tërë të krishterët (homologoumena). Marcion-i e përfshiu atë në “kanunin” e tij dhe pranohet gjithashtu nga Kanuni Muratorian.

Prova e brendshme

Edhe në këtë letër të shkurtër Pali përmend veten me emër tri herë (v. 1,9,19). Vargjet 2,23,24 kanë lidhje të ngushta me Kolosianeve 4:10-17 dhe kështu të dy letrat ndihmojnë autenticitetin e njëra-tjetrës. Prandaj prova e brendshme përputhet me të jashtmen.

III. Data

Letra u dërgua në të njëjtën kohë si Letra e Kolosianëve (rreth vitit 60 pas K.), ose rreth tridhjetë vjet pas Ngjitjes së Zotit tonë.

IV. Sfondi dhe Tema

Ne duhet të bashkojmë historinë e marrë nga kjo letër nga përmbajtja e vetë saj dhe nga Letra e Palit drejtuar Kolosianëve. Duket se Filemoni ishte banor i Kolosit (kr. Kolosianeve 4:17 me Fim. 2) që ishte kthyer në besim përmes apostullit Pal (v. 19). Një nga skllevërit e tij, Onesimi, ishte larguar prej tij (v. 15,16) dhe hamendësohet që Onesimi kishte marrë diçka nga pasuria e të zotit (v. 18).

I arratisuri mbërriti në Romë gjatë kohës që Pali ishte i burgosur atje (v. 9). Ne nuk mund të jemi të sigurt nëse apostulli ishte pas hekurave në atë kohë apo ishte koha kur ishte në liri me kusht në shtëpi (Veprat e Apostujve 28:30). Me anë të një zinxhiri kurioz të rrethanave, Onesimi takon Palin në metropolet e rëndomta dhe u çua te Krishti përmes shërbesës së tij (v. 10). Në ditët që pasuan, u zhvillua një dashuri e ndërsjelltë (v. 12) dhe Onesimi tregoi se ishte një ndihmës i dobishëm për apostullin (v. 13). Por që të dy janë dakort se gjëja e duhur për Onesimin ishte të kthehej te Filemoni dhe të rregullonte gabimet e së shkuarës. Kështu Pali i shkroi këtë letër Filemonit, duke ndërmjetësuar për Onesimin dhe duke paraqitur arsye të fortë se pse duhej të pranohej plot hir nga i zoti i tij (v. 17). Në atë kohë Pali gjithashtu shkroi Letrën drejtuar Kolosianëve. Ai caktoi Tikikun të kryente rolin e postierit dhe dërgoi Onesimin përsëri në Kolos me të (Kolosianeve 4:7-9).

Kjo është letra më vetjake e Palit. Letra drejtuar Timoteut dhe Titit iu shkruan individëve, por ato merren me çështje të praktikës në asamble më tepër se me çështjet vetjake.

PËRMBLEDHJE

I. PËRSHËNDETJE (V. 1-3)
II. FALËNDERIMI DHE LUTJA E PALIT PËR FILEMONIN (V. 4-7)
III. KËRKESA E PALIT PËR ONESIMIN (V. 8-20)
IV. SHËNIME MBYLLËSE (V. 21-25)


Referenca    ( ↵ Kthehu mbrapa returns to text)

  1. (Te Parathënia) Martin Luter, cituar nga J. B. Lightfoot, Saint Paul’s Epistle to the Colossians and to Philemon, f. 317, 318 (përkthim i përshtatur nga një botim i tashëm). ↵ Kthehu mbrapa