Sprovat dhe tundimet (Jakobi 1:2-17)

1:2 Në këtë pjesë Jakobi merret me temën e tundimit. Ai e përdor fjalën në dy kuptime të ndryshme. Në vargjet 2-12, tundimet janë ato që ne mund t’i quajmë sprova të shenjta ose probleme që janë dërguar nga Perëndia, që provojnë realitetin e besimit tonë dhe prodhojnë ngjashmëri me Krishtin. Nga ana tjetër, në vargjet 13-17, subjekti është tundimet jo të shenjta, që vijnë nga brenda dhe që çojnë në mëkat. Jeta e krishterë është plot me probleme. Ato vijnë paftuar dhe papritur. Disa herë ato vijnë veçmas dhe disa herë vijnë shumë njëkohësisht. Ato janë të pashmangshme. Jakobi nuk po thotë “nëse” ndodheni përballë sprovash nga më të ndryshmet, por kur. Ne asnjëherë nuk mund të shpëtojmë prej tyre. Pyetja është: “Çfarë do të bëjmë ne me provat?”

Ekzistojnë disa qëndrime të ndryshme të mundshme që ne mund të marrim përballë këtyre provave dhe sprovave të jetës. Ne mund të ngremë krye kundër tyre (Heb. 12:5) duke u sjelluar me një frymë mosbindjeje, duke u mburrur që ne luftojmë derisa të fitojmë me anë të fuqisë sonë. Nga ana tjetër, ne mund të humbasim kurajon ose mund të dorëzohemi nën shtypjen e tyre (Heb. 12:5). Kjo nuk është gjë tjetër veçse një fatalizëm. Kjo na çon të dyshojmë edhe për kujdesin e Perëndisë për ne. Përsëri ne mund të murmurisim dhe të ankohemi për shqetësimet tona. Kjo është ajo që Pali paralajmëron te 1 Korintasve 10:10. Një tjetër qëndrim është që ne mund të kënaqemi duke pasur keqardhje për veten tonë, duke mos menduar për askënd por vetëm për veten tonë, dhe duke u përpjekur të marrim keqardhje nga të tjerët. Ose ne mund të ushtrohemi nga vështirësitë dhe ndërlikimet e jetës (Heb. 12:11). Në fakt, ne mund të themi: “Perëndia e ka lejuar këtë provë që të vijë tek unë. Ai ka disa qëllime të mira në të për mua. Unë nuk e di se kush është ky qëllim, por unë do të përpiqem ta zbuloj. Unë dëshiroj që qëllimi i Tij të gjejë përgjigje në jetën time.”. Kjo është ajo që Jakobi përkrah: “Ta konsideroni një gëzim të madh, o vëllezër të mi, kur ndodheni përballë sprovash nga më të ndryshmet.” Mos u rebelo! Mos u ligështo! Gëzohu! Këto probleme nuk janë armiq, të prirur për të të shkatërruar. Ato janë miq që kanë ardhur për të të ndihmuar të zhvillosh një karakter të krishterë.

Perëndia është duke u përpjekur të prodhojë ngjashmëri me Krishtin në secilin prej bijve të Tij. Ky proces detyrimisht përfshin vuajtje, mërzi dhe hutim. Fryti i Frymës nuk mund të japë fryte kur gjithçka është dritë me diell; duhet të ekzistojë shiu dhe retë e zymta. Sprovat asnjëherë nuk duken të pëlqyeshme; ato duken shumë të vështira dhe jo të këndshme. Por më vonë ato japin fryte paqedashëse drejtësie për ata që janë ushtruar prej tyre (Heb. 12:11). Sa shpesh ne dëgjojmë një të krishterë, që pasi ka kaluar nëpërmjet disa krizave të mëdha, thotë: “Nuk ishte e lehtë për t’u kaluar, por unë nuk do hiqja dorë nga kjo përvojë për asgjë tjetër.

1:3 Jakobi flet për sprovën e besimit. Ai e përshkruan besimin si një metal të çmuar e cila është provuar nga Shqyrtuesi (Perëndia) për të parë nëse ky metal është i vërtetë. Metali i nënshtrohet zjarreve të përndjekjes, të sëmundjes, të vuajtjes ose të hidhërimeve. Pa probleme ne asnjëherë nuk do të zhvillojmë qëndrueshmërinë. Edhe njerëzit e botës e kuptojnë që problemet forcojnë karakterin. Charles Kettering, një industrialist i njohur, tha njëherë: “Problemet janë çmimi i përparimit. Mos më sillni asgjë përveçse problemeve. Lajmet e mira më dobësojnë.”

1:4Dhe qëndrueshmëria të kryejë në ju një vepër të përsosur,” thotë Jakobi. Shpeshherë kur vijnë problemet ne dëshpërohemi dhe përdorim mjete të egra për t’i dhënë fund provës. Për shembull, pa u këshilluar me Zotin për sa i përket qëllimeve të Tij për një çështje, ne nxitojmë te doktori dhe gëlltisim doza të mëdha ilaçesh me qëllim që të shkurtojmë provën. Duke bërë këtë ne mund të prishim programin e Perëndisë në jetët tona. Për këtë shkak, në të ardhmen është e mundur që ne mund të kalojmë një provë të gjatë përpara se qëllimi i Tij i veçantë të përmbushet te ne. Ne nuk duhet t’i biem shkurt zhvillimit të qëndrueshmërisë në jetët tona. Duke bashkëpunuar me Perëndinë ne do të bëhemi të pjekur, të krishterë plot me harmoni dhe pa asnjë të metë në mirësitë e Frymës.

Ne asnjëherë nuk duhet të dëshpërohemi ose të shkurajohemi kur kalojmë nëpërmjet provave. Asnjë problem nuk është shumë i madh për Atin tonë. Disa probleme në jetë asnjëherë nuk largohen. Ne duhet të mësojmë t’i pranojmë ato dhe të provojmë hirin e Tij të mjaftueshëm. Pali i kërkoi Zotit tri herë që të largonte një sëmundje fizike. Zoti nuk ia largoi sëmundjen, por i dha Palit hirin për ta mbajtur atë (2 Kor. 12:8-10).

Kur ne i bëjmë ballë problemeve në jetë që Perëndia me sa duket nuk do t’i largojë, ne duhet t’i nënshtrohemi vullnetit të Tij. Shkrimtarja e verbër dhe e talentuar e himneve shkroi këto rreshta kur ishte një vajzë tetëvjeçare:

Oh, çfarë njeriu i lumtur jam

edhe pse nuk shoh;

kam vendosur që në këtë botë

e lumtur të jem!

Sa shumë bekime shijoj

që njerëzit e tjerë nuk i kanë!

Të qaj, sepse e verbër sot unë jam,

unë nuk mundem dhe nuk dua.

Fanny Crosby

Disa probleme në jetë largohen kur ne i kemi mësuar mësimet prej tyre. Sapo Rafinuesi sheh imazhin e Tij në metalin e shkrirë, Ai e shuan nxehtësinë. Shumë prej nesh na mungon dituria për të shqyrtuar shtrëngimet e jetës nga pikëpamja e Perëndisë. Ne përvetësojmë një vizion të shkurtër duke u marrë me shqetësimet e çastit. Ne harrojmë që qëllimi i durueshëm i Perëndisë është të na rrisë nëpërmjet shtrëngesës (Psa. 4:1 JND).

1:5 Ne nuk duhet t’i përballojmë problemet e jetës me anë të diturisë sonë. Por në qoftë se, në çastin e provës, ne na mungon mprehtësia frymërore, ne duhet të shkojmë te Perëndia dhe t’i tregojmë Atij gjithçka rreth shqetësimeve dhe paditurisë sonë. Pra, të gjithë ata që janë ushtruar për të gjetur qëllimet e Perëndisë në prova do të shpërblehen pa kursim. Për më tepër, ata nuk duhet të shqetësohen që Perëndia do t’i qortojë sepse Ai kënaqet kur ne mësojmë dhe përmirësohemi. Të gjithëve ne na mungon urtia. Bibla nuk na jep përgjigje të veçanta për problemet e panumërta që rrjedhin në jetë. Bibla nuk i zgjidh të gjitha problemet duke përdorur fjalë të sakta për çdo situatë, por fjala e Perëndisë na jep parime të përgjithshme. Ne duhet t’i zbatojmë këto parime në problemet që ngrihen ditë pas dite. Kjo është arsyeja pse na nevojitet urtia. Urtia frymërore është zbatimi praktik i mësimeve të Zotit tonë për çdo situatë të përditshme.

1:6-8 Ne duhet t’i afrohemi Perëndisë me besim, dhe pa dyshuar. Ne duhet të besojmë që Ai na do dhe kujdeset për ne, dhe që asgjë nuk është e pamundur për Të. Nëse ne dyshojmë në mirësinë dhe fuqinë e Tij, ne nuk do të kemi qëndrueshmëri në kohë mundimi. Një minutë ne mund të pushojmë të qetë në premtimet e Tij, por në minutën tjetër ne do të ndiejmë që Perëndia ka harruar të jetë i dashur. Ne do të jemi si vala e detit, që ngrihet në lartësi të mëdha, dhe më pas zbret në shkëmbinj – të trazuar dhe të përplasur. Perëndia nuk nderohet nga lloji i besimit që është një kërcim ndërmjet optimizmit dhe pesimizmit. Ai nuk u jep një shikim hyjnor njerëzve të tillë që janë të lëkundur dhe të paqëndrueshëm (vargjet 7,8). Në vargjet 5-8, burimi i urtisë është Perëndia; urtia fitohet me anë të lutjes; ajo është e mundshme për cilindo; ajo jepet pa kursim dhe pa qortim; kushti vendimtar është që ne të kërkojmë me besim, pa dyshuar.

1:9 Në shikim të parë, vargjet 9-11 duken sikur paraqesin një subjekt krejt të ri, ose të paktën një parantezë. Megjithatë, Jakobi është duke vazhduar me subjektin e provave të shenjta duke dhënë shembuj të veçantë. N.q.s. një njeri është i varfër apo i pasur, ai mund të trashëgojë të mira frymërore të pafundme nga fatkeqësitë dhe krizat e jetës. Për shembull, kur vëllai më i poshtëm e gjen veten të pakënaqur dhe zemërlëshuar, ai përherë mund të gëzohet që është një trashëgimtar i Perëndisë, dhe një bashkëtrashëgimtar me Jezus Krishtin. Ai mund të gjejë ngushëllim në të vërtetën që të gjitha gjërat janë të tijat, që ai është i Krishtit dhe Krishti është i Perëndisë. Vëllai më i poshtëm me sa duket nuk ka kontroll mbi rrethanat e tij modeste. Nuk ka asnjë arsye për të besuar që ai është dembel dhe i pakujdesshëm. Por Perëndia e ka parë të përshtatshme ta vendosë atë në një grup me të ardhura më të ulëta dhe qysh atëherë ai ka qenë në këtë grup. Ndoshta, nëse ai do të kishte qenë i pasur, ai asnjëherë nuk do ta kishte pranuar Krishtin. Tani që ai është në Krishtin, është i bekuar me të gjitha bekimet frymërore në vendet qiellore. Çfarë duhet të bëjë ai? A duhet të ngrejë krye kundër pozitës së tij në jetë? A duhet të jetë i hidhëruar apo ziliqar? Jo, ai duhet të pranojë prej Perëndisë rrethanat në të cilat ai nuk ka kontroll dhe të gëzohet në bekimet e tij frymërore.

Shumë të krishterë e jetojnë jetën duke ngritur krye kundër gjinisë së tyre, kundër moshës së tyre, kundër peshës së tyre dhe madje kundër vetë jetës. Vajzat me një dhunti për basketbollin do të dëshironin të ishin djem. Të rinjtë do të dëshironin që të ishin të moshuar, dhe të moshuarit do të dëshironin të ishin të rinj. Njerëzit me shtat të shkurtër kanë zili ata që janë të gjatë, dhe njerëzit me shtat të gjatë do të dëshironin që të mos ishin kaq të dukshëm. Madje disa njerëz thonë: “Do të doja të vdisja!”. E gjithë kjo është absurde!

Përqendrimi i besimtarit është të pranojë nga Perëndia gjërat që ne nuk mund t’i ndryshojmë. Ato janë gjërat që Perëndia ka paracaktuar për ne, dhe ne duhet të bëjmë shumicën prej tyre për lavdinë e tij dhe për të mirën e të tjerëve. Ne duhet të themi me apostullin Pal “Me hirin e Perëndisë jam ai që jam” (1 e Korintasve 15:10). Për shembull, ndërsa ne harrojmë paaftësitë tona dhe harrojmë vetveten për t’u shërbyer të tjerëve, ne do të arrijmë të kuptojmë që njerëzit frymërorë na duan për atë çfarë jemi dhe jo për pamjen e jashtme.

1:10,11 Pastaj Jakobi i drejtohet të pasurit. Por në mënyrë të habitshme ai nuk thotë: “I pasuri le të gëzohet në pasuritë e tij.”. Por, për më tepër, ai thotë që i pasuri mund të gëzohet në uljen e tij. Ai është dakort me Jeremian 9:23,24:

I dituri të mos lavdërohet me diturinë e tij, njeriu i fortë të mos lavdërohet me forcën e tij, i pasuri të lavdërohet me pasurinë e tij. Por kush lavdërohet të lavdërohet me këtë: të ketë gjykim dhe të më njohë mua, që jam Zoti, që bëj mirësinë, ushtroj të drejtën dhe drejtësinë mbi tokë; sepse kënaqem me këto gjëra”, thotë Zoti.

Në fakt, i pasuri mund të gjejë arsye të vërteta për t’u gëzuar nëse humb gjithë pasurinë. Ndoshta, dështimet e biznesit do ta çojnë atë te Zoti. Ose nëse ai tashmë është një i krishterë, atëherë, ai mund ta marrë me gëzim dëmtimin e të mirave të tij duke ditur që ai ka një pasuri më të mirë dhe më të qëndrueshme në qiell (Heb. 10:34). Pasuritë tokësore janë të paracaktuara të humbasin, ashtu si një lule bari (Isa. 40:6,7). Nëse një njeri nuk ka asgjë tjetër, përveçse pasurive materiale, atëherë planet e tij do të mbarojnë në varr. Jakobi ndalet në përkohshmërinë e barit si një ilustrim i jetës së shkurtër të të pasurit dhe vlerës së shkurtër të pasurive të tij. Ai do fishket në mes të udhëve të tij.

Sigurisht, kuptimi është që as dielli dhe as shpejtësia e erës nuk mund të ndikojnë vlerat frymërore. Çdo provë që na largon nga dashuria e gjërave kalimtare dhe e drejton dashurinë tonë në gjërat që janë lart është një bekim i fshehur. Pra, i njëjti hir që lartëson të përulurit, përul të pasurit. Të dy janë një arsye për t’u gëzuar.

1:12 Në përfundim të diskutimit të tij për sa i përket provave të shenjta, Jakobi shqipton një bekim mbi njeriun që qëndron i patundur në vuajtje. Kur një njeri i tillë i ka qëndruar provës dhe kur del i aprovuar, ai do të marrë kurorën e jetës. Këtu kurora nuk është diadema e mbretit por një kurorë fitoreje, për të qenë i shpërblyer në fronin e gjykatës së Krishtit. Sigurisht, pa diskutim, jeta e përjetshme është një shpërblim për ata që u kanë qëndruar provave, por ata që kanë qëndruar me guxim do të nderohen për atë lloj jetese, dhe do të shijojnë një vlerësim më të thellë të jetës së përjetshme në qiell. Kupa e secilit do të jetë e mbushur plot në qiell, por njerëzit do të kenë kupa të masave të ndryshme – aftësi të ndryshme për të shijuar parajsën. Kjo ndoshta është qëllimi i shprehjes kurora e jetës; ajo i referohet kënaqësisë së plotë të lavdive të qiellit.

Tani në këtë pjesë le të merremi me provat e shenjta praktike në jetët tona. Si reagojmë ne kur format e ndryshme të provave vijnë në jetët tona? A ankohemi me hidhërim kundër fatkeqësive të jetës, apo gëzohemi dhe falënderojmë Zotin për to? A i bëjmë të njohura publikisht provat tona apo i mbajmë ato pa zhurmë? A jetojmë ne në të ardhmen, duke pritur që rrethanat tona të përmirësohen, apo jetojmë në të tashmen, duke u përpjekur të shohim dorën e Perëndisë në gjithçka arrin te ne? A kënaqemi në keqardhjen për veten tonë dhe kërkojmë ngushëllim apo përfshihemi në shërbim të të tjerëve?

1:13 Tani subjekti zhvendoset te tundimet jo të shenjta (v.13-17). Ashtu siç provat e shenjta janë përcaktuar të zbulojnë më të mirën në ne, ashtu edhe tundimet jo të shenjta janë përcaktuar të zbulojnë më të keqen në ne. Një gjë duhet kuptuar shumë qartë. Kur ne jemi të tunduar për të mëkatuar, tundimi nuk vjen nga Perëndia. Perëndia e analizon ose e provon njeriun, në lidhje me besimin e tij, por Ai asnjëherë nuk tundon një njeri që të kryejë ndonjë formë të së keqes. Ai vetë nuk ka lidhje me të keqen, dhe Ai nuk joshet për të mëkatuar.

1:14 Njeriu është gjithmonë i gatshëm të mohojë përgjegjësinë për mëkatet e tij. Nëse ai nuk mund t’ia hedhë fajin Perëndisë, ai do të miratojë një mënyrë të psikologjisë moderne duke thënë që mëkati është një sëmundje. Në këtë mënyrë ai shpreson t’i shpëtojë gjykimit. Por mëkati nuk është një sëmundje. Ai është një dështim moral. Prandaj çdo njëri duhet të japë llogari. Disa përpiqen t’ua hedhin fajin gjërave pa jetë për mëkatin. Por “gjërat” materiale nuk janë një mëkat në vetvete. Mëkati nuk buron nga gjërat materiale. Jakobi e ndjek luanin në strofkën e tij kur ai thotë: “Secili tundohet i udhëhequr dhe i mashtruar nga lakmia e vet.”. Mëkati buron brenda nesh, nga natyra jonë e vjetër, e keqe, e ulët, dhe jo e ripërtërirë. Jezusi tha: “Sepse nga zemra dalim mendimet e mbrapshta, vrasjet, shkeljet e kurorës, kurvëria, vjedhjet, dëshmitë e rreme dhe blasfemitë” (Mt. 15:19).

Fjala që Jezusi përdor për lakmi [1] në vargun 14 mund t’i referohet çdo lloj forme dëshire, qoftë kjo e mirë ose e keqe. Fjala në vetvete nga ana morale është asnjanëse. Por me disa përjashtime të vogla është përdorur në DhV për të përshkruar dëshirat e këqija dhe me siguri në këtë pjesë bëhet fjalë për këtë rast. Lakmia këtu është e ngjashme me një grua të keqe që është duke ekspozuar magjepsjet e saj dhe duke joshur viktimën e saj. Secili prej nesh është i tunduar. Ne kemi lakmi të këqija dhe dëshira të papastra të cilat na nxisin vazhdimisht për të mëkatuar. Atëherë, a jemi ne viktima të pambrojtura, kur jemi të udhëhequr dhe të mashtruar nga lakmitë tona?

Jo, ne mund t’i largojmë të gjitha mendimet e mëkatit nga mendja jonë dhe të përqendrohemi në gjërat që janë të pastra dhe të shenjta (Filipianeve 4:8). Gjithashtu në çastin e tundimit të fortë, ne mund t’i thërrasim Perëndisë, duke kujtuar që “Emri i Zotit është një kala e fortë, tek ai turret i drejti dhe gjen siguri” (Fja. 18:10).

1:15 Nëse është kështu, përse atëherë mëkatojmë? Përgjigjja është kjo? Pastaj lakmia mbarset, pjell mëkatin. Në vend që ta largojmë mendimin e keq, ne e nxisim, e ushqejmë dhe e kënaqim atë. Ky veprim i heshtur është i ngjashëm me marrëdhënien seksuale. Lakmia mbarset dhe lind një fëmijë i neveritshëm i quajtur MËKAT. Shkurt, nëse ne mendojmë herë pas here për kryerjen e një mëkati, me kalimin e kohës do ta bëjmë. Procesi i plotë i lakmisë që mbars dhe pastaj sjell mëkatin është ilustruar saktësisht në incidentin e Davidit dhe Bathshebës (2 Sam. 11:1-27).

Dhe mëkati si të kryhet, ngjiz vdekjen, thotë Jakobi. Mëkati nuk është një gjë e pavlerë dhe shterpë; ajo prodhon një pasardhës të llojit të tij. Shpallja që mëkati prodhon vdekjen mund të kuptohet në mënyra të ndryshme. Përpara së gjithash, mëkati i Adamit solli në vetveten, dhe në të gjithë brezat e ardhshëm vdekjen fizike (Zanafilla 6:23). Gjithashtu ka një kuptim sipas të cilit mëkati shkakton vdekjen te një besimtar. Për shembull, ne lexojmë që një vejushë besimtare që jeton në kënaqësi është e vdekur ndërsa ajo jeton. Kjo do të thotë që ajo është duke harxhuar kot jetën e saj dhe duke dështuar plotësisht për të përmbushur qëllimin për të cilën Zoti e shpëtoi atë. Për një të krishterë të jesh jashtë përbashkësisë me Perëndinë është një formë e jetës së vdekur.

1:16,17 Për njerëzit të cilët bien në mëkat është e zakonshme të fajësojnë Perëndinë në vend të vetes së tyre. Në fakt, ata thonë për Krijuesin e tyre: “Përse më ke krijuar në këtë mënyrë?”. Por kjo është një formë e vetëmashtrimit. Perëndia sjell vetëm gjëra të mira. Në fakt, ai është burimi i çdo gjëje të mirë dhe e çdo dhurate të përsosur.

Jakobi e përshkruan Perëndinë si Atin e dritave. Në Bibël fjala Atë disa herë ka kuptimin e Krijuesit ose të Burimit (shih Jobi 38:28). Prandaj Perëndia është Krijuesi ose Burimi i dritave. Por çfarë nënkupton fjala i dritave? Sigurisht ajo përfshin trupat qiellorë – diellin, hënën dhe yjet (Zanafilla 1:14-18; Ps. 136:7). Por Perëndia është gjithashtu Burimi i të gjitha dritave frymërore. Kështu ne duhet të mendojmë për Të si Burimin e çdo forme të dritës në univers pranë të cilit nuk ka ndërrim dhe as hije ndryshimi. Perëndia është i ndryshëm nga trupat qiellorë që Ai ka krijuar. Ato janë duke pësuar ndryshime të vazhdueshme. Ai asnjëherë nuk ndryshon. Ndoshta Jakobi është duke menduar jo vetëm për prishjen e ngadalshme të shkëlqimit të diellit dhe të yjeve, por gjithashtu për ndryshimin e tyre në lidhje me tokën si planetin tonë rrotullues. Dielli, hëna dhe yjet karakterizohen nga ndryshueshmëria. Shprehja hije ndryshimi mund të nënkuptojë hijen e shkaktuar nga ndryshimi. Kjo mund t’i referohet hijeve të formuara në tokë nga rrotullimi i tokës rreth diellit. Ose mund t’i referohet eklipseve. Për shembull, një eklips diellor prodhohet kur hija e hënës bie në Tokë. Me Perëndinë është shumë ndryshe; në Të nuk ka ndryshime, ose hije që shkaktohen nga ndryshimi. Dhuratat e Tij janë të përsosura si Ai vetë. Prandaj është e pamendueshme që Ai të joshë njeriun për të mëkatuar. Tundimi vjen nga natyra mëkatare e njeriut.

Le të provojmë besimin tonë për sa i përket subjektit të tundimeve jo të shenjta. A i nxisim mendimet e këqija të mbeten në mendjet tona, apo i nxjerrim jashtë shpejt? Kur mëkatojmë, a themi ne që ishim të detyruar të mëkatojmë? A e fajësojmë Perëndinë kur ne tundohemi prej mëkatit?


[previous][next]