Në këtë pjesë Jeremia shpall paralajmërime shkatërrimi dhe gjykimi; poetike dhe shumë të bukura. Ai profetizon kundër nëntë kombeve: Egjiptit, Filistisë, Moabit, Amonit, Edomit, Damaskut, Arabisë (Kedarit dhe Hatsorit), Elamit dhe Babilonisë. Kombet janë renditur gjeografikisht, pra, nga perëndimi në lindje. Për nga përmbajtja e temës këto profeci vijnë pas 25:13. Ato u përmbushën pas shkatërrimit të Jerusalemit. Babilonia do të shkatërrohet dhe do të shkretohet, ndërsa Izraeli do të shpengohet. Kjo profeci e Babilonisë mbase është përmbushur tashmë, edhe pse disa studiues parashikojnë një rindërtim [39] dhe një përmbysje të mëpasme. Ngritja e medëve merret te 51:1-24.
A. Profecitë kundër Egjiptit (kapitulli 46)
46:1-12 Kapitulli 46, një këngë që merret me Egjiptin, fillon një seri profecish rreth kombeve pagane. Një ushtri shihet se po përgatitet për betejë, më pas bën një tërheqje të shpejtë. Ushtria është e Egjiptit, por përbëhet kryesisht nga mercenarë, ata të Etiopisë…, të Putit dhe ata të Ludit. Shpartallimi i saj ndodhi në Karkemish më 605 para K. 46:13-19 Më pas Egjipti paralajmërohet të përgatitet për pushtim dhe mërgim. Kur Nebukadnetsari do të pushtojë vendin, ushtarët trima mercenarë do të bien kundër njëri-tjetrit, më pas do të vendosin të kthehen në shtëpi. Faraoni do të quhet me nofkën “zë bosh”, ngaqë do të jetë si një zhurmë. Prania komanduese kaldease, si Tabori dhe Karmeli, do të nënkuptojë robëri për egjiptianët. 46:20-24 Murrjela [zekthi] babilonase do të pickojë mëshqerrën shumë të bukur egjiptiane; mercenarët e tij që janë në mes të tij … si viça për majmëri do të tërhiqen në pështjellim. Zhurma e Egjiptit që “largohet nga armiku është si fëshfërima e një gjarpri që arratiset” (versioni i zgjeruar). Pushtuesit aviten me sëpata. Ata do të rrëzojnë egjiptianët sikur të ishin pyll i dendur. Ata janë më të shumtë se karkalecat, nuk numërohen dot. Egjiptin e ka zënë plotësisht fatkeqësia. 46:25-28 Zoti do të ndëshkojë Amonin e Nosë (perëndinë diell të Tebës së lashtë), faraonin dhe Egjiptin, perënditë e tij dhe mbretërit e tij. Por mbas kësaj do të banohet si në të kaluarën. Izraeli, gjithashtu, do të përtërihet në vendin e vet dhe do të shijojë qetësinë dhe paqen.B. Profecitë kundër Filistisë (kapitulli 47)
Filistenjtë do të shtypen prej pushtimit babilonas nga veriu. Ata do të eliminohen nga Tiro dhe Sidoni dhe qytetet e tyre të mëdha, Gaza dhe Ashkeloni, të zhytura në zi, do të goditen nga shpata e Zotit.C. Profecitë kundër Moabit (kapitulli 48)
48:1-10 Moabi, gjithashtu, është vënë në listë për pushtim nga Babilonia. Qytetet e tij do të shkatërrohen. Në tërë vendin dëgjohet zëri plot ankth i disfatës. Populli këshillohet të shpëtojë nga shkatërruesi. Ata kanë pasur më kot besim në veprat dhe në thesaret e tyre; tashmë perëndia i tyre kombëtar, Kemoshi, do të shkojë në robëri me ta. Vargu 10 është një mallkim ndaj pushtuesit nëse nuk e kryen punën e vet plotësisht. Ai është gjithashtu një paralajmërim për ne kundër kryerjes së punës së Zotit me moskokëçarje dhe dështimit të shpalljes së tërë këshillës së Perëndisë, pavarësisht se sa e rëndë është. 48:11-27 Moabi ka pasur një histori të pashqetësuar dhe kjo nuk të zhvillon një karakter të fortë. Ishte njësoj si vera e re që kurrë nuk ka kaluar nga një enë në enën tjetër për të lëshuar në fund llumin e vet dhe, për këtë arsye, është bërë e pashijshme. Tashmë kaldeasit do të shkatërrojnë tërë atë që ka besuar kombi. Moabi do të turpërohet për shkak të Kemoshit, ashtu si Izraeli për shkak të viçave të artë të Bethelit. Mburrjet e zbrazëta janë kthyer në vaje. Burrat e fortë janë shkatërruar, populli është arratisur, vendi është përtokë. Qytetet e fushës janë të rrënuara. Ngaqë Moabi ka tallur Izraelin, do të dehet nga zemërimi i Perëndisë. 48:28-39 Populli që një herë e një kohë ishte krenar, nxitet të arratiset për t’u fshehur në vende të largëta. Krenaria dhe arroganca e tyre janë të mirënjohura, por tashmë Perëndia mban zi me sinqeritet për të korrat e tyre të shkatërruara dhe humbjen e tyre të gëzimit dhe haresë. Një britmë dëshpërimi ngrihet nga Moabi ndërsa Perëndia kërcënon për t’i dhënë fund kombit të tij idhujtar. Përsëri Zoti mban zi për burrat e Kir-Heresit, që kanë humbur pasurinë e tyre. Për popullin e Moabit nuk ka veçse vajtim. 48:40-47 Babilonia do të lëshohet si një shqiponjë, duke shkaktuar tmerr dhe shkatërrim. Shpëtimi do të jetë i pamundur. Edhe pse populli do të shkojë në mërgim, ata do të përtërihen gjatë ditëve të fundit.D. Profecitë kundër Amonit (49:1-6)
Bijtë e Amonit zotëruan terrenin e Rubenit dhe të Gadit pasi këto fise shkuan në robëri. Ata do të ndëshkohen për krenarinë dhe vetëmjaftueshmërinë e tyre, por kombi nuk do të shfaroset.E. Profecitë kundër Edomit (49:7-22)
Edomi mburret në diturinë e tij dhe pozitën e tij të pathyeshme (në majat e kodrave), por Perëndia ka shpallur se do të jetë pa banorë. Uilliamsi komenton: “Pjesa e parë e vargut 12 ka të bëjë me Izraelin; pjesa e dytë me Edomin. Nëse bijtë e Perëndisë do të ndëshkohen për mëkat, sa më tepër ata që nuk janë bijtë e Tij!” [40]. Për Edomin nuk shpallet asnjë premtim për përtëritje.F. Profecitë kundër Damaskut (49:22-27)
Damasku (Siria) vihet në listë për shkatërrim; të rinjtë e tij do të rrëzohen në sheshet e tij, tërë ushtarët e tij do të shfarosen dhe Damasku do të digjet. Vargu 25 mund të jenë më fort fjalët e një qytetari brenda citimit të Zotit, sesa fjalë të thëna nga Ai Vetë, ashtu siç tregon versioni NKJ.G. Profecitë kundër Kedarit dhe Hazorit (49:28-33)
49:28,29 Populli nomad Kedar (arabët) do të munden nga babilonasit. 49:30-33 Hatsori i pambrojtur do të pushtohet nga Nebukadnetsari, do të plaçkitet nga thesaret e tij dhe do të ngelet një shkreti.H. Profecitë kundër Elamit (49:34-39)
Elamitët (persët) do të shpërndahen në tërë tokën, por Zoti në ditët e fundit… do ta kthejë. Perëndia do të vendosë fronin e Tij në Elam, në kuptimin se Ai do të sundojë atje në gjykim.I. Profecitë kundër Babilonisë (kapitujt 50,51)
50:1-16 Ky dhe kapitulli që vijon trajtojnë gjykimin e Perëndisë kundër Babilonisë. Profecitë janë një referim i pjesshëm i pushtimit të Babilonisë nga medët. Por përmbushja e tyre e plotë është ende në të ardhmen. Babilonia përmendet 164 herë te Jeremia, më tepër se në pjesën tjetër të Fjalës së Perëndisë marrë së bashku. Ai vend do të pushtohet nga veriu. Gjashtë herë, pasi profeti flet për gjykimin në Babiloni, ai parashikon bekimin për Izraelin dhe Judën; vargjet 4-7 formojnë të parin. Judenjve në mërgim u thuhet të drejtojnë kthimin e robërve në vendet e tyre, sepse Babilonia do të plaçkitet. Do të ketë elementë të disa kombeve në ushtrinë pushtuese. Vargu 11 i drejtohet ushtrisë kaldease. “Nëna juaj” është vetë kombi. Shikoni këtë komentar tek Isaia 13:14-22 për një shtjellim të disa problemeve lidhur me shkatërrimin e Babilonisë. 50:17-34 Delja e humbur e Izraelit do të përtërihet në një vend pjellor dhe do të marrë faljen. Zemërimi i Perëndisë kundër Babilonisë përshkruhet në vargjet 21-32 dhe më pas kujtimi i Tij për Izraelin dhe Judën. 50:35-46 Popullin e Babilonisë e pret shkatërrimi me anë të shpatës. Pushtuesi do ta lërë qytetin të thatë dhe lajmi i rënies së tij do të dëgjohet midis kombeve. Vargjet 41-43 dhe 44-46, më parë kishin të bënin me Judën dhe Edomin përkatësisht (6:22-24; 49:19-21), tani kanë të bëjnë me Babiloninë. 51:1-19 Perëndia do të dërgojë një shkatërrues kundër Babilonisë (Leb Kamai është një fjalë e shifruar që do të thotë: “Zemra [apo qendra] e atyre që u ngritën kundër meje”), i cili nuk do ta kursejë; kjo do të jetë prova se Izraeli dhe Juda nuk kanë qenë braktisur nga Perëndia i tyre. Perëndia e përdori Babiloninë si një kupë të artë gjykimi për t’i bërë kombet të lëkunden; tashmë do të përjetojë hakmarrjen e Zotit. Për të mërguarit judenj në Babiloni flitet në vargjet 9 e 10 në emër të tërë kombeve që ishin pushtuar nga Babilonia. Madhështia e Perëndisë përqaset me idhujt; Perëndia i vërtetë është Perëndia i Izraelit dhe i Judës. 51:20-37 Vargjet 20-23 i drejtohen medëve; vargu 24 mbase i drejtohet Judës. Atëherë vargu 25 kthehet përsëri te Babilonia (“mali i shkatërrimit“). Do të jetë një shkretim i përjetshëm, pa banorë, një grumbull gërmadhash, pre e kafshëve të egra. Për banorët e Judës dhe të Jerusalemit flitet në vargjet 34 e 35. 51:38-44 Këto vargje kanë pasur një përmbushje të pjesshme më 539 para K. Medët pushtuan Babiloninë ndërsa Belshatsari dhe princat i vet po festonin dhe pinin (Dan. 5). Megjithatë, qyteti nuk u plaçkit në atë kohë. Deti u referohet pushtuesve të ardhshëm. 51:45-51 Robërit judenj u paralajmëruan të linin qytetin para sulmit dhe të ktheheshin në Jerusalem sa më shpejt që të ishte e mundur. 51:52-58 Qyteti krenar do të bjerë, figurat e tij të gdhendura do të shkatërrohen, mburrjet e tij do të heshtin, udhëheqësit e tij do të vriten dhe muret e tij do të sheshohen. 51:59-64 Jeremia e urdhëron Serajahun t’i mbajë këto profeci të shkruara kundër Babilonisë në robëri. Pasi t’i lexojë, do t’i hedhë në mes të Eufratit, një simbol i rrënimit të Babilonisë. Kronologjikisht këto vargje i përkasin kapitullit 29.[previous][next]