Jeremia

Më mbresëlënëse nga të gjitha… është mënyra në të cilën Jezu Krishti lidhet në mendjen popullore me Jeremian. Në një rast, kur Krishti mori një mendim të opinionit publik nga dishepujt e Tij (Mt. 16:13 e më pas), disa thoshin se Ai njëjtësohej me figurën e spikatshme profetike të shekullit të shtatë para K. Është vërtet për t’u habitur se disa e morën Njeriun e vuajtjes për profetin me zemër të thyer, sepse si Jeremia ashtu edhe Krishti vajtuan dhe qanë për bashkëkohësit e tyre (krahasoni Jeremia 9:1 dhe Luka 19:41).R. K. Harrison

I. Vendi unik në Kanun

Jeremia është i njohur më mirë si “profeti vajtues”. Ky është çelësi i shkrimeve të tij, sepse, nëse kujtojmë këtë dhe arsyen e vajtimit të tij, do të arrijmë të kuptojmë këtë mesazh.

Ky profet është unik në atë që zbulon zemrën dhe personalitetin e tij më tepër se çdo profet tjetër në DhV [1]. Nga natyra ai ishte i ndjeshëm dhe i mbyllur, edhe pse u thirr nga Zoti për të paditur ashpër besimmohimin e kohës së tij. Tensioni ndërkombëtar midis Babilonisë, Egjiptit dhe Asirisë për epërsinë botërore, rënia e fortë frymërore në Izrael pas gjallërimit të fundit të Judës nën Josian, po ashtu edhe njerëzit që ishin larguar nga Fjala e Perëndisë dhe feja e vërtetë që ishte kthyer në kultet pagane, na kujtojnë për krishterimin perëndimor sot.

II. Autorësia

Profecia u shkrua nga Jeremia (hebraisht Yirmeyahu ose Yirmeyah). Mbase emri do të thotë Jahveja [Jehovahu] flak apo hedh, mbase në kuptimin e hedhjes së themelit, prej nga rrjedh Jahveja vendos. Një domethënie tjetër e mundshme është përlëvdimi i Jehovahut. Profeti ishte biri i Hilkiahut, një prift nga Anathothi, një qytet që ndodhej më pak se pesë kilometra nga Jerusalemi, në territorin e Beniaminit.

Ashtu si shumë predikues që janë besnikë ndaj Perëndisë dhe që vënë në rrezik pozicionin e tyre dhe sigurinë financiare duke predikuar një mesazh që njerëzit nuk duan ta dëgjojnë, edhe për Jeremian është shpifur dhe ai është keqparaqitur nga armiqtë e tij. Nuk ka provë që vetë Jeremia të ketë bërë pjesë në priftëri.

III. Data

Jeremia jep shumë shënime kronologjike të shpërndara në librin e tij. Ai e filloi shërbesën e tij rreth vitit 627 para K. (vitin e trembëdhjetë të Josias, Jer. 1:2). Shërbesa e Jeremias ishte e gjatë, duke përfshirë vitin e njëmbëdhjetë të Sedekias. Ai profetizoi gjatë dyzet vjetëve të fundit të Judës, deri në kohën kur Jerusalemi ra dhe judenjtë u çan në Babiloni (586 para K.) [2]. Pas rënies së Jerusalemit Jeremia ishte nën mbrojtjen e Gedaliahut, qeveritarit. Kur Gedaliahu u vra nga fanatikët, profeti zbriti në Egjipt me disa judenj. Atje ai kaloi pjesën tjetër të jetës së tij. Në pamje të parë ai vazhdoi të shërbente deri në fund të vitit 582 para K. (kapitujt 40-44).

Duke e studiuar Jeremian, është e udhës të kujtojmë se profecitë nuk janë dhënë sipas datës së ndodhjes [rendit kronologjik].

IV. Sfondi dhe tema

Jeremia e filloi shërbesën e tij në Judë pasi Mbretëria Veriore e Izraelit kishte rënë në duart e asirëve dhe jo shumë vjet para fundit të Mbretërisë së Judës. Në kohën e kësaj profecie kishte një betejë të fuqishme të treanshme nga Asiria, Egjipti dhe Babilonia. Të paralajmëruar nga Perëndia se Juda do të shkonte në robëri në Babiloni, Jeremia foli kundër çdo aleance me Egjiptin, vend i cili do të humbte. Asiria e kishte detyruar Judën të paguante haraçe, por brenda njëzet vjetësh Ninive, kryeqyteti i saj, ra pas një rrethimi të tmerrshëm. Nekoja i Egjiptit marshoi në veri përmes Palestinës për në Haran, duke vrarë mbretin Josia (609 para K.). Ai dhe mbetja asire takuan homologun e tyre Nebukadnetsarin, që drejtoi forcat e tij në betejën e famshme të Karkemishit. Juda kaloi automatikisht në duart e babilonasve. Nekoja kishte rrëzuar më parë nga froni pasuesin e Josias, Jozueuafatin, dhe e zëvendësoi atë me Jehojakimin, me shpresë se ai do të ishte më i favorshëm ndaj Egjiptit. Nebukadnetsari e injoroi Judën për pak kohë, duke i dhënë Jehojakimit një rast që të përpiqej të merrte ndihmën egjiptiane për të sjellë pavarësinë për Judën. Më 598 para K. Nebukadnetsari sulmoi Jerusalemin, duke e kapur Jehojakimin, djalin dhe pasuesin rebel, dhe mori disa njerëz robër. Ai vuri Sedekian në fron.

Ishte mbase Psamtiku II, pasuesi i Nekos, që u përpoq të thurte një aleancë kundër Babilonisë. Jeremia luftoi fort kundër pjesëmarrjes së Judës në këtë gjë (për shembull, kapitulli 28). Jeremia tha se ata që e kishin propozuar këtë ishin profetë të rremë.

Me anë të komplotit egjiptian, Sedekia prishi marrëdhëniet me Babiloninë, duke e sjellë atë sundimtar që të rrethonte Jerusalemin. Kjo ndodhi më 588 dhe Egjipti e ndaloi rrethimin me ushtrinë e tij. Megjithatë, rrethimi nga Babilonia u rikthye shpejt dhe u pa se Jeremia kishte folur drejt në pikëpamjen e tij për Egjiptin si “kallam i thyer” për t’u mbështetur në të. Pjesa më e madhe e brengës së tij vetjake ishte se Jeremia pa të përmbushen profecitë e tij të shkatërrimit dhe të robërisë.

Perëndia i zbuloi profetit se mëkatet e Judës do të bënin që kombi të çohej në robëri nga babilonasit dhe do të mërgohej për shtatëdhjetë vjet. Misioni jo i mirëpritur i Jeremias ishte t’ua shpallte këtë fakt bashkëkombësve të tij dhe t’i këshillonte ata që t’i nënshtroheshin fuqisë babilonase. Ata e paditën atë si tradhtar dhe sulmuan jetën e tij.

Kur Jerusalemi ra më në fund në duart e pushtuesve të huaj, Jeremia ishte një ndër ata të cilëve iu lejua që të qëndronin në vendin e vet të lindjes, ndërsa shumica e kombit u dëbua. Tashmë ai e këshillon popullin që kishte ngelur që të mos i drejtohej Egjiptit për ndihmë, por ata nuk ia vunë veshin këshillës së tij dhe e morën atë me vete. Atje profeti vdiq.

Përveç parashikimit të robërisë babilonase, Jeremia parashikoi gjithashtu shkatërrimin e asaj perandorie në fund të shtatëdhjetë viteve dhe kthimin e judenjve në vendin e tyre.

PARAQITJE E PËRGJITHSHME

I. HYRJE: CAKTIMI DHE DETYRA E PROFETIT JEREMIA (kapitulli 1)
II. SHËRBESA PUBLIKE E JEREMIAS (kapitujt 2-10)
A. Predikimi kundër pabesisë së ligë të Judës (2:1-3:5)
B. Kushtëzimi i ardhshëm i Judës për pendim (3:6-6:30)
1. Mëkati i shkuar dhe lavdia e ardhshme (3:6-18)
2. Nevoja për pendim (3:19-4:4)
3. Mjerimet e gjykimit nga veriu (4:5-31)
4. Gjykimi i mëkateve të Judës (kapitulli 5)
5. Parashikimi i rënies së Jerusalemit (kapitulli 6)
C. Shërbesa e Jeremias te dera e tempullit (kapitujt 7-10)
1. Feja hipokrite e Judës (kapitulli 7)
2. Pandjeshmëria e Judës ndaj mëkatit (kapitulli 8)
3. Vajtimi i profetit ngashërues (kapitulli 9)
4. Një satirë në idhujtari (10:1-8)
5. Lutja e profetit ngashërues (10:19-25)
III. PËRVOJAT VETJAKE TË JEREMIAS (kapitujt 11-19)
A. Jeremia dhe njerëzit e Anathothit (kapitujt 11,12)
B. Jeremia dhe brezi i kalbur (kapitulli 13)
C. Ndërmjetësimi i Jeremias për thatësirën (kapitujt 14,15)
D. Shërbesa vetmitare e Jeremias (16:1-18)
E. Zemra e fortë e Jeremias (16:19-17:18)
F. Predikimi i së shtunës nga Jeremia (17:19-27)
G. Jeremia në shtëpinë e poçarit (kapitulli 18)
H. Jeremia dhe poçi prej balte (kapitulli 19)
IV. PROFECITË KUNDËR UDHËHEQËSVE CIVILË DHE FETARË TË JUDËS (kapitujt 20-23)
A. Profecia kundër Pashhurit (20:1-6)
B. Ankimi i Jeremias ndaj Perëndisë (20:7-18)
C. Profecia kundër mbretit Sedekia (21:1-22:9)
D. Profecia kundër mbretit Shalum (22:10-12)
E. Profecia kundër mbretit Jehojakim (22:13-23)
F. Profecia kundër mbretit Jehojakin (22:24-30)
G. Profecia e Mbretit të drejtë (23:1-8)
H. Profecia kundër profetëve të rremë të Judës (23:9-40)
V. PROFECITË RRETH SHKATËRRIMIT TË JERUSALEMIT DHE ROBËRISË BABILONASE (kapitujt 24-29)
A. Shenja e fiqve (kapitulli 24)
B. Parashikimi i robërisë shtatëdhjetëvjeçare në Babiloni (25:1-11)
C. Gjykimi i sunduesve babilonas (25:12-38)
D. Paralajmërimi i Jeremias drejtuar popullit (kapitulli 26)
E. Shenja e zgjedhës (kapitulli 27)
F. Profecia e rreme e Hananiahut dhe vdekja e tij (kapitulli 28)
G. Mesazhi i Jeremias drejtuar robërve judenj në Babiloni (kapitulli 29)
VI. PROFECITË RRETH PËRTËRITJES (kapitujt 30-33)
A. Mbledhja përsëri e robërve (kapitulli 30)
B. Përtëritja e vendit (31:1-30)
C. Zbulimi i besëlidhjes së re (31:31-40)
D. Rindërtimi i qytetit (kapitulli 32)
E. Njohja e besëlidhjes (kapitulli 33)
VII. NDARJA HISTORIKE (kapitujt 34-45)
A. Rënia e Judës dhe e Jerusalemit (kapitujt 34-39)
1. Parashikimi i robërisë së Sedekias (kapitulli 34)
2. Shpërblimi i bindjes së rekabitëve (kapitulli 35)
3. Mbreti Jehojakim djeg pergamenën e Jeremias (kapitulli 36)
4. Burgosja e Jeremias dhe intervista nga Sedekia (kapitujt 37,38)
5. Rënia e Jerusalemit (kapitulli 39)
B. Ngjarjet në Judë pas rënies së Jerusalemit (kapitujt 40-42)
1. Banimi i Jeremias me qeveritarin Gedaliah (kapitulli 40)
2. Vrasja e qeveritarit Gedaliah (kapitulli 41)
3. Perëndia ndalon largimin në Egjipt (kapitulli 42)
C. Jeremia dhe mbetja në Egjipt (kapitujt 43,44)
D. Mesazhi i Zotit ndaj Barukut (kapitulli 45)
VIII. PROFECITË KUNDËR KOMBEVE PAGANE (kapitujt 46-51)
A. Profecitë kundër Egjiptit (kapitulli 46)
B. Profecitë kundër Filistisë (kapitulli 47)
C. Profecitë kundër Moabit (kapitulli 48)
D. Profecitë kundër Amonit (49:1-6)
E. Profecitë kundër Edomit (49:7-22)
F. Profecitë kundër Damaskut (49:22-27)
G. Profecitë kundër Kedarit dhe Hazorit (49:28-33)
H. Profecitë kundër Elamit (49:34-39)
I. Profecitë kundër Babilonisë (kapitujt 50,51)
IX. PËRFUNDIM: RËNIA E JERUSALEMIT (kapitulli 52)
[1] Shikoni për shembull: 10:23,24; 11:18-12:6; 15:10-21; 17: 9-11, 14-18; 18:18-23; 20:7-18.[[1]]
[2] Kjo do të thotë se ai e ka kryer shërbesën e tij gjatë mbretërive të pesë mbretërve: Josias, Jehoahazit, Jehojakimit, Jehojakinit (quajtur gjithashtu Jekoniah dhe Konjah) dhe mbretit kukull, Sedekias.[[2]]




Referenca    ( ↵ Kthehu mbrapa returns to text)
  1. ↵ Kthehu mbrapa
  2. ↵ Kthehu mbrapa