Kujtimi i shulamites rreth vizitës nga i dashuri i saj, ndërprerë nga urdhri i vëllezërve të saj për t’u nisur për punë (Kantiku i Kantikëve 2:8-17)

2:8-14 Tani vajza kujton një vizitë të shkuar të të dashurit të saj. Ai erdhi duke kërcyer mbi malet, duke u hedhur mbi kodrat me nxitimin e tij për ta takuar. Ai kishte tërë hirin e një gazele apo një dreri të ri. Menjëherë ai po qëndronte prapa murit duke parë nga dritaret, duke hedhur vështrime nëpërmjet hekurave të tyre. Ajo dëgjoi zërin e tij, që e thërriste për t’u larguar me të. Nata e errët e dimrit kishte kaluar dhe shiu kishte pushuar. Tërë shenjat e pranverës ishin të dukshme: lulet, turtullesha, fiku me fiqtë e tij të papjekur dhe vreshtat në lulëzim. Ai e nxit atë: “Çohu dhe eja“. Mbase kishte pasur një vonesë, sepse ai i kërkon asaj të vijë te dritarja, në mënyrë që të shohë fytyrën dhe të dëgjojë zërin e saj. Deri tani ajo ishte fshehur prej tij si një pëllumbeshë në të çarat e shkëmbinjve apo në strukat e rrëmoreve. 2:15 Çdo mundësi për t’u larguar u bë e pamundur kur vëllezërit e saj u shfaqën dhe e urdhëruan atë dhe shoqet e saj (urdhri është në shumës në origjinal) [11] për të zënë dhelprat e vogla, që prishnin vreshtat në kohën vendimtare, kur ishin në lulëzim [12]. 2:16,17 Ky është një zhgënjim i madh, por ajo ngushëllohet nga fakti se ajo dhe i dashur-bariu i saj i përkasin njëri-tjetrit. Kështu ajo i tha atij, në fakt: “Kthehu përsëri ndonjëherë në flladin e mbrëmjes, kur hijet kanë ikur. Kthehu me shpejtësinë e një drenushe mbi malet që na ndajnë (apo të Betherit).
[previous][next]