Pjesa nga Lev. 6:8 deri te Lev. 7:38 paraqet «ligjin e ofertave». Në shumë mënyra është shumë e ngjashme me atë që ishte bërë më parë. Megjithatë u drejtohet priftërinjve, ndërsa udhëzimet e mëparshme ishin për bijtë e Izraelit (Lev. 1:2).
6:8-13 Ligji i olokaustit. Këtu jepen hollësi të mëtejshme rreth rrobave që visheshin nga prifti, mënyrës sipas së cilës sistemonte hirin nga olokausti dhe kujdesin që duhej të ushtronte për të parë që zjarri mbi altar të mos shuhej kurrë. Hiri vendosej në fillim në lindje të altarit dhe pastaj çohej jashtë kampit në një vend të pastër.
6:14-17 Ligji i ofertës së blatimit. Këtu mësojmë se priftërinjtë duhet të hanin pjesën e tyre të ofertës në oborrin e çadrës së mbledhjes dhe ai nuk duhej të ishte gatuar me maja, sepse ishte shumë i shenjtë për Zotin.
6:18 Çdo mashkull ndër bijtë e Aaronit mund të hante nga blatimi, por ata duhej të ishin të shenjtë, pra, të pastruar sipas ceremonive. Këta priftërinj nuk bëheshin të shenjtë duke prekur ofertat. Shenjtëria nuk vinte nga prekja, por ndotja po (Hag. 2:11-13){{8}}.
6:19-23 Këto vargje përshkruajnë një blatim të veçantë që kryeprifti duhej të ofronte në mëngjes dhe në mbrëmje vazhdimisht. Ai tymosej i tëri në zjarr.
6:24-30 Ligji i ofertës për mëkatin. Ashtu siç e kemi shpjeguar më parë, prifti lejohej të hante pjesë të disa ofertave për mëkatin (ato të përshkruara te Lev. 4:22 – Lev. 5:13, ku gjaku nuk çohej në shenjtërore). Ofertat duhej të haheshin në oborrin e çadrës së mbledhjes. Vini re se kjo ofertë ishte shumë e shenjtë. Nëse një njeri (jo një prift) prekte mishin e ofertës, ai duhej të ishte i shenjtë apo i përkushtuar dhe duhej të pastronte veten nga ndotja ceremoniale ashtu siç bënin priftërinjtë, edhe pse nuk mund të ushtronte funksione priftërore. Nëse një pjesë e gjakut binte mbi një rrobë, rroba duhej larë – jo se ishte e papastër, por që gjaku shumë i shenjtë të mos dilte nga shenjtërorja në jetën e përditshme dhe të përdhosej. Një enë prej balte që përdorej për të gatuar mishin e ofertës për mëkatin duhet të thyhej, sepse balturina, duke qenë e gavërt, thithte një sasi të vogël të gjakut dhe mund të përdorej për qëllime profane. Një enë prej bronzi duhej të fërkohej mirë dhe do të shpëlahej me ujë për të shmangur që çdo pjesë e ofertës më të shenjtë të puqej me ndonjë gjë që ishte e zakontë apo e papastër. Flija për mëkatin, ashtu si flija për fajin, duhej të vritej në vendin ku theret olokausti. Kjo ishte ana veriore e altarit (Lev. 1:11), vendi i hijes.
7:1-7 Shtatë vargjet e para të kapitullit 7 përmbledhin ligjin e ofertës për shkeljen, pjesa më e madhe e së cilës është shtjelluar te Lev. 5:14 – Lev. 6:7.
7:8 Vargu 8 i referohet olokaustit dhe siguron që prifti i cili ka shërbesën kishte të drejtën e lëkurës së kafshës.
7:9,10 Vargu 9 tregon pjesën e blatimit që i takonte priftit që ka shërbesën dhe vargu 10 pjesën që i takonte pjesës tjetër të priftërinjve.
7:11-18 Ligji i ofertës së falënderimit jepet te Lev. 7:11-21. Kishte tri lloje flijimesh falënderimi, në varësi të shtysës apo qëllimit të ofertës: për dhënie hiri (v. 12), lavdërimi i Perëndisë për një bekim të veçantë; për një kushtim (pra, një ofertë përkushtimore, v. 16): «në përmbushje të një premtimi apo zotimi bërë Perëndisë për plotësimin e ndonjë kërkese të veçantë në lutje, për shembull, ruajtja gjatë një udhëtimi të rrezikshëm»{{9}}; si ofertë spontane apo vullnetare (v. 16,17): «Kjo duhej të dukej si një shprehje e vetvetishme e lavdërimit të Perëndisë në vlerësimin e zbulimit të Vetes së Tij»{{10}}. Flijimi i falënderimit ishte një kafshë flijuese (kapitulli 3), por këtu mësojmë se ai shoqërohej me disa kuleçë apo bukë. Kuleçët që kërkoheshin në një ofertë falënderimi jepen te vargjet 12 e 13. Ofruesi duhej të sillte çdo ofertë si një blatim dhe kjo duhej t’i jepej priftit që kishte shërbesën (v. 14). Mishi i flijimit të dhënies së hirit i paraqitur si falënderim do të hahej po atë ditë (v. 15), ndërsa oferta e kushtimit dhe ajo spontane duhet të haheshin ditën e parë apo të dytë (v. 16). Çdo gjë që mbetej pas dy ditësh duhej të digjej (v. 17); të ngrënit e një mishi të tillë do të bënte që dikush «të shfarosej», domethënë të nxirrej jashtë përbashkësisë apo t’i hiqeshin privilegjet e popullit të Izraelit. «Kjo tregon» – shkruan Xhon Rid (John Reid) – «se përbashkësia me Perëndinë duhet të jetë e freskët dhe larg nga vepra e altarit»{{11}}.
7:19-21 Mishi që prekej nga çfarëdo gjëje e papastër nuk duhej të hahej, por duhej të digjej me zjarr. Vetëm ata që ishin të pastër nga ana ceremoniale mund të hanin mishin e pastër. Çdokush që ishin i papastër nga ana ceremoniale dhe që hante flijimin e falënderimit do të shfarosej.
Fakti se pjesë të ndryshme të ofertës së falënderimit ishin caktuar për Zotin, priftërinjtë dhe ofruesin tregojnë se ishte një kohë përbashkësie. Por meqë Perëndia nuk mund të ketë përbashkësi me mëkatin apo papastërtinë, ata që merrnin pjesë në këtë ushqim feste duhej të ishin të pastër.
7:22-27 Dhjami, që konsiderohej pjesa më e mirë, i përkiste Zotit. Ai digjej për Të në altar dhe nuk duhej të hahej (v. 22-25). Po ashtu edhe gjaku, duke qenë jeta e mishit, i përkiste Perëndisë dhe nuk duhej hahej (v. 26,27). Sot shumë judenj akoma përpiqen të ndjekin këto ligje dietetike. Që mishi të jetë i konsumueshëm apo «i lejueshëm» [kosher], gjaku duhet të hiqet. Për të shmangur ngrënien e dhjamit, shumë shtëpi judenjsh nuk përdorin sapunë me dhjamëra kafshësh. Ata besojnë se duke larë enët me to do t’i bëjnë ato të palejueshme. Tej arsyes frymërore për mosngrënien e dhjamit, ka gjithashtu një arsye mjekësore, ashtu siç e tregon dr. Mekmilleni (Dr. S. I. MacMillen):
Disa vite me parë shkenca e mjekësisë ka zbuluar faktin se ngrënia e dhjamit të kafshës është një shkak i rëndësishëm i arteriosklerozës. Kjo yndyrë formon tumoret e vogla me dhjamë e kolesterol brenda mureve të arterieve, të cilat pengojnë qarkullimin e gjakut. Tashmë në këtë dhjetëvjeçar, revistat, radiot e televizionet, po transmetojnë lajmin e mirë se mund të zvogëlojmë rrënimin nga vrasësi më i madh i njeriut duke zvogëluar racionin tonë të dhjamit të kafshëve. Të lumtur, siç jemi me faktin që ka arritur shkenca mjekësore, mund të mahnitemi me zbulimin se kërkimi ynë tejet modern ndodh rreth 3500 vjet pas Librit të librave{{12}}.
7:28-34 Ofruesi tundte gjoksin e ofertës së falënderimit përpara Zotit dhe pastaj kjo bëhej pjesë e priftërinjve. Kofsha e djathtë ngrihej para Zotit dhe më pas i jepej priftit që kishte shërbesën si ushqim për veten dhe familjen e tij.
7:35,36 Këto vargje përsërisin se gjoksi dhe kofsha e djathtë ishin pjesa e Aaronit dhe e bijve të tij nga dita që Perëndia i vajosi ata si priftërinj. Ashtu siç është hedhur më parë ideja, gjoksi flet për dashurinë hyjnore dhe kofsha fuqinë hyjnore.
7:37,38 Ky paragraf përfundon pjesën e ligjeve të ofertave, që filluan te 6:8. Perëndia ka zënë shumë vend në Fjalën e Tij për ofertat dhe rregullat e tyre, sepse ato janë të rëndësishme për Të. Këtu, si një figurë letrare e Personit dhe veprës së Birit të Tij, Ai mund të shihet deri në hollësi të vogla. Ashtu si faqet e ndryshme të diamantit, këto simbole pasqyrojnë të gjitha lavdinë e shkëlqyer të Tij, «i cili me anë të Frymës së Shenjtë e dha veten e Tij të papërlyer nga asnjë faj ndaj Perëndisë» (Heb. 9:14). Zonja Uigrem (F. T. Wigram) shpreh lavdërimin e saj në një himn:
Personi i Krishtit,
duke zotëruar çdo hir,
u vra dikur;
por tashmë është gjallë përsëri,
në qiell kërkon lavdërimin tonë.
[[8]](6:18) Kaili (Keil) dhe Deliçi (Delitzsch) interpretojnë pjesën e fundit të këtij vargu në këtë mënyrë: «Çdo profan që prekte këto gjëra shumë të shenjta, bëhej i shenjtë me anë të prekjes, kështu që, që nga ai çast e tutje, ai duhej të ruhej nga ndotja në të njëjtën mënyrë si priftërinjtë e shenjtëruar». C. F. Keil dhe Franz Delitzsch, “Leviticus”, në Biblical Commentary on the Old Testament, II:319.[[8]]
[[9]](7:11-18) A. G. Clarke, Precious Seed Magazine, nr. 2, vëll. 11, mars-prill 1960, f. 49.[[9]]
[[10]](7:11-18) A. G. Clarke, Precious Seed Magazine, nr. 2, vëll. 11, mars-prill 1960, f. 49.[[10]]
[[11]](7:11-18) John Reid, The Chief Meeting of the Church, f. 58.[[11]]
[12] Dr. S. I. McMillen, None of These Disease, f. 84.[[12]]