Nuk ka libër, në tërë rrethin e Vëllimit të frymëzuar që na ka thënë Fryma e Shenjtë, që të përmbajë më tepër nga fjalët e Perëndisë sesa Levitiku. Perëndia që është folësi i drejtpërdrejtë i çdo faqeje, fjalët e Tij të hirshme ruhen në formën në të cilën u shqiptuan. Ky vlerësim nuk mund të rrijë pa na çuar në studimin e tij me interesin dhe vëmendjen e njëjtë.Andrew Bonar
I. Vendi unik në Kanun
Darbi (J. N. Darby) ka paralajmëruar një herë për rrjedhojat e tmerrshme nëse besimtari mërzitej me shenjtërinë. Shenjtëria është tema kryesore e Levitikut dhe ky libër me siguri është më i vështiri për t’u lexuar për shumë të krishterë. Sigurisht, nëse udhëzimet merren thjesht si hollësi të riteve dhe ligjeve të lashta të flijimeve judaike për të ruajtur shenjtërinë në jetën e përditshme dhe ndarjen nga popujt paganë, bekimi do të jetë i kufizuar. Megjithatë, kur do ta shikoni se çdo hollësi e flijimeve simbolizon përsosmërinë e personit dhe veprës së Krishtit, ka shumë gjëra për t’u menduar thellë. Bekimi i mëtejshëm vjen duke lidhur Levitikun me Levitikun e DhR, Letrën drejtuar Hebrenjve.
II. Autorësia
Njëzet nga njëzet e shtatë kapitujt e Levitikut dhe rreth tridhjetë e pesë paragrafë të tjerë fillojnë me: «Pastaj Zoti i foli Moisiut, duke thënë», ose me një shprehje të ngjashme a të barasvlershme. Deri në kohët e sotme shumë njerëz, që kanë rrëfyer judaizmin apo krishterimin, i kanë pranuar këto fjalë drejtpërdrejt [që Moisiu ishte autori nëpërmjet Frymës së Shenjtë]. Vetë Zoti ynë i referohet Levitiku 13:49 – një lebroz që shkon te prifti për t’u parë dhe për të bërë një ofertë – duke thënë: «sa ka urdhëruar Moisiu» (Marku 1:44). Sidoqoftë, sot është habi në shumë rrethe nëse mohohet apo hidhet në dyshim autorësia e Moisiut, jo vetëm e Levitikut, por e tërë Pentateukut.
Meqë ne besojmë që paraqitja tradicionale nuk është vetëm e vërtetë, por edhe e rëndësishme, çështja shtjellohet në disa hollësi në hyrjen tonë të Pentateukut, që duhet lexuar me kujdes.
III. Data
Duke pranuar autorësinë e Moisiut të Levitikut dhe provën brenda Pentateukut, hedhim idenë se libri iu zbulua Moisiut gjatë periudhës pesëdhjetëditëshe pas ngritjes së tabernakullit (Eksodi 40:17) dhe para se izraelitët të largoheshin nga Sinai (Num. 10:11). Viti i saktë i shkrimit është i panjohur, por mendohet të jetën diku midis viteve 1450 dhe 1410 para K.
IV. Sfondi dhe tema
Një mënyrë e lehtë për të kujtuar përmbajtjen e Levitikut është ta lidhim emrin me fjalën «levitë» apo «priftërinj» dhe më pas të kuptojmë se libri është një udhëzues për priftërinjtë. Eksodi mbyllet me ngritjen e tabernakullit në shkretëtirë. Tashmë priftërinjtë dhe levitët kanë nevojë për udhëzime se si të kryejnë flijimet lidhur me atë strukturë dhe me disa rite të tjera në të njëjtën kohë (për shembull, pastrimi i shtëpive «me lebër»).
Tek Eksodi pamë Izraelin të largohej nga Egjipti dhe të veçohej si prona e veçantë e Perëndisë. Te Levitiku shohim se si duhet të ndahen nga mëkati dhe papastërtitë për t’iu afruar Perëndisë në shenjtërore. Shenjtëria bëhet rregulli i kampit. Si në DhV ashtu edhe në DhR Perëndia kërkon që populli i Tij të jetë i shenjtë, sepse Ai është i shenjtë. Kjo paraqet një problem serioz, meqë njeriu nga natyra dhe praktika nuk është i shenjtë. Zgjidhja qëndron në shlyerjen me anë të gjakut (Lev. 17:11). Në DhV gjejmë flijimet e kafshëve që pararendin flijimin njëherë e përgjithmonë të Qengjit të Perëndisë, ashtu siç zbulohet në DhR, sidomos te Letra drejtuar Hebrenjve.
PARAQITJE E PËRGJITHSHME
I. SIMBOLET E OFERTAVE (1:1-6:7)
A. Olokausti (kapitulli 1)
B. Blatimi (kapitulli 2)
C. Oferta e falënderimit (kapitulli 3)
D. Oferta për mëkatin (4:1-5:13)
E. Oferta për shkeljet (5:14-6:7)
II. LIGJET E OFERTAVE (6:8-7:38)
III. SHUGURIMI I PRIFTËRINJVE (kapitujt 8-10)
A. Veshja e priftërinjve nga Moisiu (kapitulli 8)
B. Ofertat e paraqitura Aaronit (kapitulli 9)
C. Sakrilegji i Nadabit dhe i Abihut (kapitulli 10)
IV. GJËRAT E PASTRA DHE TË PAPASTRA (kapitujt 11-15)
A. Ushqimet e pastra dhe të papastra (kapitulli 11)
B. Pastrimi pas lindjes (kapitulli 12)
C. Diagnoza e lebrës (kapitulli 13)
D. Pastrimi i lebrës (kapitulli 14)
E. Pastrimi pas sekretimit trupor (kapitulli 15)
V. DITA E SHLYERJES (kapitulli 16)
VI. LIGJET RRETH FLIJIMIT (kapitulli 17)
VII. LIGJET RRETH SJELLJES VETJAKE (kapitujt 18-22)
A. Ligjet rreth pastërtisë seksuale (kapitulli 18)
B. Ligjet rreth jetës së përditshme (kapitulli 19)
C. Ndëshkimi për fyerjet e rënda (kapitulli 20)
D. Sjellja e priftërinjve (kapitujt 21,22)
VIII. FESTAT E ZOTIT (kapitulli 23)
A. Shabati (23:1-3)
B. Pashka (23:4,5)
C. Festa e të Ndormëve (23:6-8)
D. Festa e Prodhimit të Parë (23:9-14)
E. Festa e Javëve (23:15-22)
F. Festa e Borive (23:23-25)
G. Dita e Shlyerjes (23:26-32)
H. Festa e Kasolleve (23:33-44)
IX. LIGJET CEREMONIALE DHE MORALE (kapitulli 24)
X. VITI I SHABATIT DHE I JUBILEUT (kapitulli 25)
XI. BEKIMET DHE MALLKIMET (kapitulli 26)
A. Bekimet për bindjen ndaj Perëndisë (26:1-13)
B. Mallkimet për mosbindjen ndaj Perëndisë (26:14-39)
C. Ripërtëritja me anë të rrëfimit dhe pendimit (26:40-46)
XII. KUSHTIMET DHE E DHJETA (kapitulli 27)