Përshkrimi i rrethimit të Ninives (Nahumi 2:1-12)

2:1 Dhjetë vargjet e para shtjellojnë rrethimin e Ninives nga babilonasit. “Një shkatërrues” mund të interpretohet si referim ndaj Zotit apo babilonasve. Banorëve të tërbuar të qytetit u thuhet në mënyrë tallëse të përgatiten për betejë me katër urdhra: “Ruaje mirë fortesën!“, Mbikëqyr rrugën!“, Forco ijët e tua!“, Mblidh tërë forcat e tua!“. 2:2Zoti do të rivendosë popullin e Tij. Do të ketë një përtëritje të lavdisë së Izraelit, por nuk do të jetë me patjetër afër. Mbretëria Jugore nuk ishte mërguar ende, por po paguante haraçe. Një domethënie tjetër krejtësisht e ndryshme për këtë tekst është e mundur nga një përkthim tjetër. Në komentarin e tij afërsisht 400-faqësh mbi profecinë e shkurtër të Nahumit, Uolltër Majeri (Walter A. Maier) e përkthen fjalën “të rivendosë” me një fjalë që ka një domethënie tjetër, “të heqë”, dhe e përkthen “lavdinë” me përkthimin e saj të zakonshëm “krenari”. Ai shkruan: Pohimi “Jehovahu (Zoti) ka hequr krenarinë e Jakobit” përshkruan një ndëshkim të lashtë historik, që Jehovahu ka ndeshur në Judë, në vendin e profetit, për shkak të refuzimit të tij kryelartë të Shumë të Lartit. Nahumi mund të ketë menduar për shkretimin e sjellë nga Senasheribi, i cili mburrej se ishte hakmarrë ndaj Judës [2]. Referimi për Izraelin, si një vresht i plaçkitur dhe i shkatërruar, përputhet me disa shëmbëlltyra të DhV (Psa. 80:8 e në vazhdim; Is. 5:5,6; Jer. 12:10; Os. 10:1). 2:3-6 Ushtarët e Babilonisë janë përfytyruar në vargjet 3 e 4 të veshur me ngjyrat e tyre të pëlqyera: babilonasit me të kuqe dhe aleatët e tyre, medët, me tunikat e tyre të kuqe flakë (ngjyra ushtarake e Asirisë ishte bluja). Oficerët pengues të vargut 5 janë kuptuar si mbrojtësit e Asirisë, por konteksti tregon më tepër pushtuesit babilonas. Lumenjtë derdhen në qytet, duke shkatërruar themelet në mënyrë që pallati të shembet. 2:7-10 Mbretëreshën e kanë marrë. Populli ikën nga qyteti, duke mos e përfillur urdhrin për të ndaluar. Thesaret dhe pasuritë e Ninives janë plaçkitur: argjendi dhe ari. Qyteti tashmë është i shkretë. Frika mbretëron në çdo fytyrë. 2:11,12 Këto vargje vlerësohen shumë më mirë kur kujtojmë se, ashtu si Britania e Madhe ka luanin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shqiponjën si emblemat e tyre, asirianët ishin të çmendur pas luanëve. Kokat e njerëzve me trupat e luanëve (apo anasjelltas) shfaqen rregullisht në artin dhe skulpturat asire. Pa dyshim që ata mendonin për veten e tyre si luanë dhe përpiqeshin ta luanin këtë rol. Duke e krahasuar Niniven me strofullin e një luani, Nahumi e ngul thikën e tij ironike thellë për të goditur arrogancën ninivease, duke përdorur fjalët luanë, luanët e vegjël, luanesha, strofka e luanëve, shtatë herë në këto dy vargje!
[previous][next]