BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Kantik lëvdimi kushtuar Zotit për çlirimet e kaluara
18:1 “Të dua, o Zot, forca ime.
18:2 Zoti është kështjella ime, fortesa ime dhe çliruesi im, Perëndia im, shkëmbi im ku gjej strehë, mburoja ime, fuqia e shpëtimit tim, streha ime e i lartë.
18:3 Unë i kërkoj ndihmë Zotit, që është i denjë për t`u lëvduar, dhe kështu shpëtoj nga armiqtë e mi.
18:4 Dhembje vdekjeje më kishin pushtuar dhe përrenj njerëzish të kobshëm më kishin tmerruar.
18:5 Ankthet e Sheolit më kishin rrethuar dhe leqet e vdekjes më rrinin përpara.
18:6 Në ankthin tim kërkova Zotin dhe i klitha Perëndisë tim; ai e dëgjoi zërin tim nga tempulli i tij dhe zëri im arriti para tij, në veshët e tij.
18:7 Atëherë dheu u trondit dhe u drodh; edhe themelet e maleve luajtën dhe ranë, sepse ai ishte zemëruar shumë.
18:8 Një tym i dilte nga flegrat e tij dhe një zjarr shkatërrimtar dilte nga goja e tij; nga ai shpërthenin thëngjij.
18:9 Ai i uli qiejtë dhe zbriti me një mjegull të dendur poshtë këmbëve të tij;
18:10 i kishte hipur një kerubini dhe fluturonte; fluturonte shpejt mbi krahët e erës.
18:11 Me terrin ai kishte bërë velin e tij dhe si shatorre rreth vetes kishte vënë errësirën e ujërave dhe retë e dendura të qiellit.
18:12 Nga shkëlqimi që e paraprinte dilnin re të dendura, brësher dhe thëngjij.
18:13 Zoti gjëmoi në qiejtë dhe Shumë i Larti bëri që të dëgjohet zëri i tij me breshër dhe me thëngjij.
18:14 Hodhi shigjetat e tij dhe i shpërndau armiqtë; lëshoi një numër të madh rrufesh dhe i bëri të ikin me vrap.
18:15 Në qortimin tënd, o Zot, në shfryrjen e erës nga flegrat e tua, shtretërit e lumenjve u dukën dhe themelet e botës u zbuluan.
18:16 Ai nga lart shtriu dorën, më mori dhe më nxori jashtë ujërave të shumta.
18:17 Më çliroi nga armiku im i fuqishëm dhe nga ata që më urrenin, sepse ishin më të fortë se unë.
18:18 Ata u vërsulën kundër meje ditën e fatkeqësisë sime, por Zoti mbajti anën time,
18:19 dhe më nxori jashtë, larg; më çliroi sepse më do.
18:20 Zoti më ka shpërblyer sipas drejtësisë sime dhe më ka dhënë sipas pastërtisë së duarve të mia,
18:21 sepse kam ndjekur rrugët e Zotit dhe nuk jam larguar pabesisht nga Perëndia im,
18:22 sepse kam mbajtur para meje tërë ligjet e tij dhe nuk u jam shmangur statuteve të tij.
18:23 Kam qenë i ndershëm me të dhe i jam ruajtur paudhësisë.
18:24 Sepse Zoti më ka dhënë sipas drejtësisë sime, sipas pastërtisë së duarve të mia përpara syve të tij.
18:25 Ti tregohesh i dhimbshëm ndaj njeriut besimtar dhe i drejtë me njeriun e drejtë.
18:26 Ti tregohesh i pastër me atë që është i pastër dhe i dinak me të ligun,
18:27 sepse ti je ai që shpëton njerëzit e pikëlluar dhe ul sytë që janë krenarë;
18:28 ti je në fakt je ai që bën të shkëlqejë llambën time; o Zot, Perëndia im, ti ndriçon errësirën time,
18:29 sepse me ty mund të sulmoj një aradhe dhe me Perëndinë tim mund të kërcej mbi një mur.
18:30 Rruga e Perëndisë është e përsosur; fjala e Zotit është pastruar me anë të zjarrit; ai është mburoja e të gjithë atyre që gjejnë strehë tek ai.
18:31 Në fakt kush është Perëndi përveç Zotit? Kush është kështjellë përveç Perëndisë tim?
18:32 Perëndia është ai që më rrethon me forcë dhe që e bën jetën time të përsosur.
18:33 Ai i bën këmbët e mia të ngjashme me ato të sutave dhe më bën të fortë në vendet e mia të larta;
18:34 ai i mëson duart e mia për betejë, dhe me krahët e mi mund të nderë një hark prej bakri.
18:35 Ti më ke dhënë gjithashtu mburojën e shpëtimit tënd; dora jote e djathtë më ka mbajtur dhe mirësia jote më ka bërë të madh.
18:36 Ti ke zgjeruar hapat e mi nën veten time dhe këmbët e mia nuk janë penguar.
18:37 I kam ndjekur armiqtë e mi dhe i kam arritur, nuk jam kthyer prapa para se t`i shkatërroj.
18:38 I kam goditur vazhdimisht dhe ata nuk kanë mundur të ngrihen përsëri; ata kanë rënë nën këmbët e mia.
18:39 Ti më ke dhënë forcë për betejën dhe ke bërë të përulen ata që ngriheshin kundër meje;
18:40 ti ke bërë të kthejnë kurrizin armiqtë e mi, dhe unë kam shkatërruar ata që më urrenin.
18:41 Ata klithën, por nuk pati njeri që t`i shpëtonte; ata i klithën Zotit, por ai nuk u dha përgjigje.
18:42 I kam shkelur deri sa i bëra si pluhuri para erës; i kam fshirë si balta e rrugëve.
18:43 Ti më ke çliruar nga grindjet e popullit; ti më ke bërë udhëheqës të kombeve; një popull që nuk e njihja më ka shërbyer.
18:44 Me të dëgjuar emrin tim, ata më dëgjuan dhe m`u bindën; të huajt m`u nënshtruan.
18:45 Të huajt u ligështuan dhe dolën duke u dridhur nga fortesat e tyre.
18:46 Rroftë Zoti, qoftë e bekuar Kështjella ime dhe lëvduar qoftë Perëndia i shpëtimit tim!
18:47 Ai është Perëndia që hakmerret për mua dhe që më nënshtron popujt;
18:48 ai më çliron nga armiqtë e mi. Ti më larton mbi ata që ngrihen kundër meje dhe më çliron nga njeriu që përdor dhunën.
18:49 Prandaj, o Zot, unë do ta kremtoj midis kombeve emrin tënd me këngë.
18:50 Çlirime të mëdha ai i jep mbretit të tij dhe tregohet dashamirës me Davidin, të vajosurin e tij, dhe me fisin e tij përjetë”.