[previous][next]
Ruthi në fushat e Boazit (Ruthi 2)
2:1-3 Sipas ligjit, izraelitët nuk lejoheshin të mblidhnin tërë prodhimin e fushës gjatë kohës së korrjes. Në vend të kësaj, ata duhej të linin kallinj nga gruri si qëmtim për nevojtarët, për të huajt, për jetimët dhe për vejushat (Lev. 19:9; 23:22; LiP. 24:19).
Ruthi vendosi të përfitonte nga ky ligj duke shkuar në fushat me elb për të mbledhur disa nga këto qëmtime. Nuk ishte fati i mirë, por plani hyjnor që e çoi atë në arën e Boazit (në të është forca), që i përkiste familjes së vjehrrit të saj.
2:4-12 Kur Boazi mbërriti nga Betlemi, ai kërkoi të dijë identitetin e asaj vajze. Kur mësoi se ajo ishte e reja e Naomit, ai me mirësjellje e ftoi të vazhdonte mbledhjen e kallinjve në arat e tij dhe të merrte nga uji i siguruar për punëtorët e tij. Duke e lavdëruar për hapin besnik dhe joegoist që kishte ndërmarrë, Boazi doli në përfundim me një lutje të vogël për të:
Zoti të shpërbleftë për ato që ke bërë dhe shpërblimi yt të jetë i plotë nga ana e Zotit, Perëndisë së Izraelit, nën krahët e të cilit erdhe të strehohesh! (v. 12).
Lion Morrisi komenton:
Në çastin e duhur, lutja mori përgjigje me anë të atij që e shqiptoi. Ai kuptoi domethënien frymërore të ndryshimit të vendit nga ana e Ruthit duke thënë se ajo kishte besuar (AV) nën krahët e Yahweh-së. Ideja është e një zogu të vogël që struket nën krahët e nënës së tij. Kjo jep një paraqitje të gjallë të besimit dhe të sigurisë… [3].
Ajo u çudit që ai, një jude, po i tregonte një nder të pamerituar një jojudease. Por kishte një arsye! Boazi, sigurisht, kishte dëgjuar për mirësinë që Ruthi i kishte treguar Naomit dhe se si ishte kthyer te besimi i judenjve.
2:13-16 Ai mbeti shumë i prekur nga ajo, saqë e ftoi të hante me punëtorët e tij dhe udhëzoi korrësit e tij të linin me qëllim më tepër kallinj për të.
2:17 Në fund të ditës, ajo shiu atë që kishte mbledhur dhe siguroi pothuaj një efë elbi, që ishte një sasi e konsiderueshme. Ne duhet të bëjmë të njëjtën gjë me studimin tonë të Fjalës; pra, duhet t’i bëjmë tonat të vërtetat e çmuara dhe t’i vëmë në praktikë.
Te Boazi shohim të ilustruar shumë nga shkëlqimet e Krishtit. Boazi ishte një njeri me pasuri të madhe (v. 1). Ai ishte i dhembshur me të huajin që nuk meritoi ndihmën e tij (v. 8,9). Ai dinte gjithçka për Ruthin, edhe para se ta takonte (v. 11), ashtu siç na njeh të gjithëve Zoti edhe para se ta njohim. Ai i shërbeu Ruthit në mënyrë të hirshme dhe tërë nevojat e saj u plotësuan (v. 14). Ai i dha asaj mbrojtje dhe begati për të ardhmen (v. 15,16). Në këto veprime hiri shohim një hije të mëshirave të të Afërmit tonë Shpengues ndaj nesh.
2:18-23 Kur Ruthi e çoi grurin në shtëpi dhe i tregoi Naomit gjithçka që kishte ndodhur, plaka e mençur judease e dinte se programi i Zotit po shpalosej në mënyrë të kënaqshme. Ajo e dinte se Boazi ishte një i afërm i ngushtë i burrit të saj të vdekur dhe ndjeu se Zoti po punonte në mënyrë të mrekullueshme për Ruthin dhe për të. Prandaj ajo i dha zemër Ruthit të vazhdonte të mblidhte kallinj në arën e Boazit.
Këshilla e Naomit për të qëndruar në arat e Boazit ishte e kujdesshme. Meqë ai ishte treguar i hirshëm, pse duhej ta fyente Ruthi, apo të përbuzte mbrojtjen e tij duke shkuar në një arë tjetër? Edhe ne nuk duhet të endemi në arat e kënaqësive të botës, larg parashikimit dhe mbrojtjes së premtuar nga Zoti.