Pslami 35

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Kërkesa për ndërhyrjen e Perëndisë kundër njerëzve të këqij

35:1 O Zot, përleshu me ata që përleshen me mua; lufto me ata që luftojnë kundër meje.

35:2 Merr mburojën dhe parzmoren dhe çohu të më ndihmosh.

35:3 Nxirre shtizën dhe zëru rrugën atyre që më përndjekin; thuaji shpirtit tim: “Unë jam shpëtimi yt”.

35:4 Mbetshin të shushatur dhe të turpëruar ata që kërkojnë jetën time; kthefshin kurrizin dhe mbetshin të shushatur ata që kurdisin të keqen kundër meje.

35:5 U shpërndafshin si byku nga era dhe engjëlli i Zotit i dëboftë.

35:6 Qoftë rruga e tyre e errët dhe me shkarje, dhe Engjëlli i Zotit i përndjektë.

35:7 Sepse pa pasur arsye më kanë ngritur fshehurazi rrjetën e tyre; pa pasur arsye ma kanë hapur gropën.

35:8 Një shkatërrim i papritur u rëntë mbi krye, i zëntë rrjeta që kanë fshehur dhe rënçin në gropën që kanë përgatitur për shkatërimin tim.

35:9 Atëherë shpirti im do të ngazëllejë tek Zoti dhe do të gëzohet për shpëtimin e tij.

35:10 Të gjitha kockat e mia do të thonë: “O Zot, kush është si ti, që e çliron të mjerin nga ai që është më i fortë se ai, të mjerin dhe nevojtarin nga ai që plaçkit?”.

35:11 Dëshmitarë të pamëshirshëm ngrihen kundër meje dhe më pyesin për gjëra për të cilat unë nuk di asgjë.

35:12 Të mirën e shpërblejnë me të keqen, duke e lënë kështu të pangushëlluar jetën time.

35:13 Megjithatë, kur ishin të sëmurë, unë vesha grathoren dhe e mundova shpirtin tim me agjerim, dhe lutesha me kokën e përkulur mbi gjoks.

35:14 Shkoja rreth e rrotull, sikur të ishte fjala për një shok o për vëllanë tim; shkoja fort i kërrusur nga dhembja, ashtu si një njeri që mban zi për të ëmën.

35:15 Por kur u pengova, ata u gëzuan dhe u mblodhën bashkë; u mblodhën kundër meje disa shpifës, të cilët nuk i njihja; më kanë shqyer pa pushim.

35:16 Bashkë me disa palaço zemërkatranë kërcëllijnë dhëmbët kundër meje.

35:17 O Zot, deri kur do të vazhdosh të shikosh? Shpëto jetën time nga shkatërrimet e kurdisura prej tyre, të vetmen pasuri që kam nga dhëmbët e luanëve.

35:18 Unë do të të kremtoj në kuvendin e madh, do të lavdëroj në mes të një populli të shumtë.

35:19 Mos u gëzofshin me mua ata që pa hak më janë bërë armiq, mos e shkelshin syrin ata që më urrejnë pa arsye,

35:20 sepse nuk flasin kurrë për paqe, por kurdisin mashtrime kundër njerëzve paqësorë të vendit.

35:21 Po, e hapin gojën e tyre kundër meje dhe thonë: “Ah, ah! E kemi parë me sytë tanë”.

35:22 O Zot, ti i ke parë këto gjëra, mos hesht; o Zot, mos u largo nga unë.

35:23 Zgjohu dhe çohu, për të më siguruar drejtësi dhe për të mbrojtur çështjen time, o Perëndi dhe Zoti im.

35:24 Gjykomë sipas drejtësisë sate, o Zot, Perëndia im, dhe bëj ata të mos kënaqen me mua,

35:25 dhe të mos thonë në zemër të tyre: “Ah, pikërisht ashtu siç e donim”; dhe të mos thonë: “E gëlltitëm”.

35:26 U turpërofshin dhe u pështjellofshin gjihë ata që gezohen nga e keqja ime; u mbulofshin me turp dhe me fyerje ata që ekzaltohen kundër meje.

35:27 Këndofshin dhe gëzofshin ata që kanë në zemër çështjen time të drejtë dhe thënçin vazhdimisht: “Lëvduar qoftë Zoti, që e do paqen e shërbëtorit të tij”.

35:28 Gjuha ime do të kremojë drejtësinë tënde dhe do të këndojë lëvdimin tënd tërë ditën.