Vargjet 4-15 parathonë gjykimin mbi kombet fqinje në perëndim, lindje, jug e veri. Së pari janë filistenjtë, që njëjtësohen gjithashtu nga emri i tyre: kerethenjtë. Qytetet e tyre, Gaza, Ashkeloni dhe Ashdodi, do të braktisen dhe do të lihen një shkreti. Ato do të shkatërrohen dhe vendi i tyre do të përdoret nga Juda për kullotë.
B. Moabitët dhe amonitët (2:8-11)
Më pas vjen Moabi dhe Amoni. Perëndia kishte dëgjuar fjalët dhe mburrjet e tyre të pacipa kundër popullit të Tij. Ata do të lihen të shkretë dhe kusuri i popullit të Perëndisë do të banojë atje. Vargu 11 pararend kushtet mijëvjeçare, kur Zoti… do t’i përkulë tërë perënditë e tokës.
C. Etiopasit (2:12)
Etiopia do të ndëshkohet nga shpata e Perëndisë (mbreti i Babilonisë). Disa, ashtu si Feinbergu, e lidhin fjalën “etiopas” këtu me Egjiptin:
Pasuritë e Etiopisë lidheshin me ato të Egjiptit, që i ishte nënshtruar dinastive të Etiopisë. Vini re Jeremian 46:9 dhe Ezekielin 30:5,9. Ka arsye për të besuar se nënkuptohet vetë Egjipti nën termin etiopas [5].
D. Asirët dhe në mënyrë të veçantë qyteti i Ninives (2:13-15)
Nebukadnetsari, gjithashtu, do të shkatërrojë Asirinë. Ninive do të jetë një strehë për kafshët dhe zogjtë dhe kushdo që do t’i kalojë afër, do të fërshëllejë dhe do të tundë dorën.