ZOT, MË THYEJ

Mësimi 18 | Karakteri i Krishterë

Zoti qëndron afër atyre që e kanë zemrën të thyer dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërrmuar (Psa. 34:18).

Flijimet e Perëndisë janë frymë e thyer; o Perëndi, ti nuk e përçmon zemrën e thyer dhe të penduar (Psa. 51:17).

Perëndia u kundërvihet mendjemëdhenjve, por u jep hir të përulurve (Jak. 4:6).

Nuk do të ishte e drejtë të thoshim se Bibla është plot me referime për një zemër të thyer, megjithatë gjenden përmendje të mjaftueshme që na bëjnë të besojmë që kjo është një temë e rëndësishme në jetën e krishterë. Le të shohim disa prej tyre:

  • Forca fizike e Jakobit duhej thyer para se ai të mund të vishej me fuqi frymërore (Zan. 32:22-32).
  • Enët argjilore u thyen dhe drita ndriçoi, gjë që u solli tmerrin armiqve (Gjy. 7:18-19).
  • Shtatë copa bukë dhe dy peshq u thyen dhe turma hëngri (Mt. 14:19).
  • Çatia u thye dhe një paralitik qe falur dhe shëruar (Mr. 2:1-12).
  • Poçja u thye, vaji u derdh dhe shtëpia u mbush me erën e tij (Gjo. 12:3-5).
  • Trupi i Shpëtimtarit u thye dhe turma të shumta u shpenguan (1 Kor. 11:24).

«Kur trupi i Jezusit u thye nga ferrat, gozhdët dhe shtiza, shpengimi u derdh si një përrua prej kristali, që pastron mëkatarin dhe jep jetë».

Vetëm pasi trupat tanë të jenë thyer mund të jemi një burim bekimi për të tjerët (2 Kor. 4:7). «Perëndia përdor për lavdinë e Tij ata njerëz dhe ato gjëra që janë në mënyrë të përkryer të thyer dhe të thyera përkatësisht».

FILLIMI I NJË ZEMRE TË THYER

Kthimi i vërtetë në besim është një formë e të paturit një zemër të thyer. Nga natyra ne jemi mëza të egër, të papërshtatshëm për shërbim. Fryma e Shenjtë na bind për mëkat, na sjell deri në pikën e pendimit derisa ne themi:

Jo, por dorëzohem, dorëzohem,

nuk mund të rezistoj më;

Nay, but I yield, I yield,

I can hold out no more;

I sink by dying love compelled,

And own Thee conqueror.

Më pas Jezusi na fton të marrim mbi vete zgjedhën e Tij (Mt. 11:29). Ashtu sikurse zgjedha në një fermë është është për kafshët e zbutura, po ashtu zgjedha e Jezusit është për njerëz të thyer. Por zgjedha e Tij nuk na acaron, sepse është e veshur me dashuri.

Kur Zoti thotë: «Unë jam zemërbutë», në spanjisht është fjala manso. Është e njëjta fjalë që përdoret për zbutjen e një kali – monsado.

DISA ELEMENTË TË NJË ZEMRE TË THYER

Rrëfimi. Thyerja e vërtetë e zemrës shihet në gatishmërinë për të rrëfyer mëkatet tona para Perëndisë dhe te cilido ndaj të cilit kemi gabuar. Rrëfimet e Davidit në Psalmi 32 dhe Psalmi 51 janë shembuj të goditur që na tregojnë se si është rrëfimi i vërtetë. Ishte viti më i keq i jetës së tij.

1. Rrëfimi duhet të jetë i menjëhershëm. Rrëfimi i vërtetë nuk i fsheh gjërat poshtë tavolinës, duke pritur që t’i rregullojë koha. Davidi priti një vit.

Shumë vite më parë, profesori i krishterë Stjuart Blleki në Universitetin e Edinburgut po dëgjonte studentët e tij ndërsa ata po lexonin shkrimet e tyre. Kur një i ri u ngrit për të paraqitur recitimin e tij, ai e mbajti librin në dorën e gabuar. Profesori bërtiti me të madhe: «Mbaje librin në dorën e djathtë dhe ulu!» Pas këtij qortimi të ashpër, studenti ngriti krahun e tij të djathtë. Ai nuk e kishte dorën e djathtë. Studentët e tjerë lëvizën të shqetësuar në bankat e tyre. Për një çast profesori ngeli i shtangur. Pastaj ai shkoi tek ai student, ia hodhi krahun dhe me lotët që i kullonin në fytyrë i tha: «Nuk e kam ditur këtë më parë. Të lutem, do të më falësh?» Pranimi i përulur i fajit nga ana e tij i la përshtypje shumë të mëdha të riut.

Kjo histori u tregua pas disa kohësh në një mbledhje të madhe besimtarësh. Në fund të takimit një burrë doli përpara, u kthye nga grumbulli i njerëzve dhe ngriti krahun e tij të djathtë. Krahu mbaronte te kyçi i dorës. Ai tha: «Unë isha ai studenti. Profesor Blleki më drejtoi te Krishti. Por këtë gjë ai nuk do ta bënte kurrë nëse nuk do t’i kishte rregulluar gjërat» [1].

2. Rrëfimi duhet të jetë individual. Unë, jo ne. Nuk është e sinqertë nëse themi: «Atë, nëse ne kemi bërë ndonjë gabim».

3. Rrëfimi i vërtetë është i plotë dhe i drejtpërdrejtë. Senatori D’Amato i Nju Jorkut e kishte tallur gjykatësin Ito gjoja duke shqiptuar një theks japonez. Më vonë ai tha publikisht: «Ishte një episod për të ardhur keq. Ishte krejtësisht gabim. Ishte një përpjekje e dobët për të bërë humor. Më vjen keq për çdo ofendim që i kam shkaktuar gjyqtarit Ito. I kërkoj ndjesë sinqerisht».

4. Ai duhet të jetë specifik. Quaje mëkatin ashtu siç e ka emrin. Thashetheme. Inat. Kam bërë një gjykim para se të dëgjoj të dyja palët. I jam qepur keq të rinjve duke pasur një frymë kritike.

5. Ai duhet të jetë pa kushte. Nuk duhet të themi: «Nëse kam bërë ndonjë gabim, jam gati të kërkoj falje» apo «Nëse ti do të më falësh, edhe unë do të të fal».

6. Ai nuk duhet të zbutë mëkatin. «Sjellja ime ishte e papërshtatshme». Ose «Sjellja ime ishte e pavend». Ose «Sjellja ime ishte e gabuar». Disa e quajnë mëkatin e tyre cen ose mungesë takti.

7. Ai duhet të shoqërohet me synimin për të braktisur mëkatin. Njëri u bind nga ndërgjegjja (sepse ishte në faj) për t’i dërguar një letër zyrës së të ardhurave tatimore. Në letër ai shkruante: «S’kam qenë në gjendje të fle pasi vitin e kaluar kur plotësova raportin për taksat mbi të ardhurat, me qëllim dhashë një shumë jo të saktë të të ardhurave të mia. Po ju bashkëmbyll edhe një çek për 150 $. Nëse përsëri nuk më zë gjumi, do t’ju dërgoj kusurin» [2].

Kur plaku Xho po vdiste, atij iu kujtua që ishte zënë me Xhimin dhe donte që ta zgjidhte këtë çështje. Kështu që ai e thirri Xhimin pranë krevatit, i tha atij që kishte frikë të hynte në përjetësi pa rrëfyer gabimin e tij dhe donte që t’i rregullonte gjërat. Çdo gjë dukej shkëlqyeshëm, por ndërsa Xhimi po largohej, Xhoi tha: «Por, mbaje mend, nëse përmirësohem, kjo s’pi ujë» [3].

8. Ai nuk duhet të ketë justifikime. «Djalli më detyroi ta bëj këtë». «Ishte natyra ime e vjetër». Dr. Ironside tregoi këtë histori për veten:

Më kujtohet kur isha një predikues i ri, s’kisha shumë që isha martuar dhe e kisha idenë që një predikues lejohej të gëzohej në luksin e «nervave». Kisha parë edhe të tjerët që e bënin këtë. Isha i mendimit që kjo ishte diçka që iu përkiste predikuesve. Një herë mora një mësim dhe nganjëherë duhet gruaja që të ta mësojë! Kisha predikuar në San Françisko dhe kisha një ditë mjaft të ngjeshur. Dola herët në mëngjes dhe kisha një takim në 9 të mëngjesit, pastaj mora pjesë në një mbledhje të krishterësh për të përkujtuar Zotin në orën 11; pastaj një takim pasdite dhe një tjetër më vonë dhe pastaj një takim në rrugë dhe pastaj një tjetër brenda dhe kështu predikova pesë herë. Gjatë rrugës për në shtëpi isha jashtë mase i lodhur. U mblodha në një cep të tramvajit […] dhe po kënaqesha me «nervat». Ime shoqe më dha diçka: nuk më kujtohet se çfarë. Iu përgjigja asaj në atë mënyrën siç e kemi zakon ne burrat!

Ajo m’u kthye dhe më tha: «Çfarë do të thotë kjo që të më flasësh në këtë mënyrë dhe pikërisht pas një takimi? Ti ngrihesh atje në platformë dhe dukesh kaq i shenjtë, me një pamje më tepër se engjëllore dhe pastaj më flet me inat rrugës për në shtëpi. S’kam bërë asgjë që ta meritoj këtë. Vetëm sa të bëra një pyetje të thjeshtë. Çfarë do të mendojë kisha për ty tani?»

Ah, medet, isha njëkohësisht edhe i nxehur edhe i përulur. I thashë: «E dashur, më vjen kaq keq, nuk doja të të flisja me inat, por ti e di që jam tepër i rraskapitur. Kam predikuar pesë herë sot dhe s’kam nerva».

Gruaja më tha: «Shiko, të kam dëgjuar ty pesë herë. Edhe unë jam po aq e lodhur sa ty. Nëse unë jam në gjendje të mirë, sigurisht që edhe ti je».

Më duhej të kërkoja falje. Mësova atëherë që të mos e justifikoja zemërimin duke e quajtur «nerva» [4].

9. Ne nuk duhet të mbrojmë veten. Presidenti Klinton rrëfeu mëkatin e tij: «Po, ishte gabim», por pastaj, pasi mori frymë, tha: «Ne kemi në plan të realizojmë një mbrojtje të fuqishme».

10. Ai nuk duhet të sulmojë atë që vuri në dukje mëkatin. Znj. Klinton e mbrojti burrin e saj duke thënë: «Po, ishte e pavend, por hetimi ishte pasojë e një komploti bërë nga të djathtët».

Është më mirë që situata të trajtohet ashtu siç bëri Xhorxh Uajtfilld. «Dikur në shërbesën e tij ai mori një letër të mbrapshtë, që e akuzonte atë për aktivitet të paligjshëm. Përgjigjja e tij ishte e shkurtër dhe e njerëzishme: “Të falënderoj përzemërsisht për letrën. Sa për atë që ti dhe armiqtë e mi thonë kundër meje, unë di për gjëra akoma më të këqija se këto për veten time, që ti kurrë nuk do arrish të m’i thuash. Me dashuri në Krishtin, Xhorxh Uajtfilld”» [5].

SHEMBUJ TË NJË ZEMRE TË THYER NË RRËFIM

Apostulli Pal gaboi kur e quajti kryepriftin një mur të bardhë, por pasi ishte qortuar për këtë, ai tha: «Nuk e dija, o vëllezër, se është kryeprift, sepse është shkruar: “Ti nuk do të flasësh keq për princin e popullit tënd”» (Vep. 23:3-5).

Një natë, ndërsa po mbyllte një takim, Dr. Donald Grej Barnhauzi tha: «Ndërsa këndojmë himnin e fundit, a mund të ngrihen të gjithë njerëzit egoistë për të bërë një hap përpara turmës dhe a mund të qëndrojnë njerëzit jo egoistë derisa të mbarojë bekimi pas disa minutash». S’kaloi shumë që kishte filluar kënga kur një grup njerëzish nga rreshti i parë filluan të ecin. Dr. Barnhauzi e kuptoi menjëherë që edhe pse kishte predikuar me anë të Frymës, e kishte bërë atë koment të fundit në mish. Ai iu lut me të shpejtë Zotit për ta pastruar nga mëkati i kësaj sjelljeje të pamenduar. Pastaj ai ia bëri me shenjë organistit në fund të strofës dhe i kërkoi falje auditorit, duke shpresuar që dikush do t’jua përcillte këtë edhe atyre që ishin larguar.

Kur Kenën Bill Batleri u dërgua në Ruanda nga Kisha e Anglisë për të mësuar vendasit që po trajnoheshin për t’u bërë pastor, ai filloi të mësojë teologji liberale, të krijojë dyshime, mohime dhe të këputë gjepura. Duke marrë vesh që një grup «të rilindurish» (abalokele) kishte një takim lutjesh në godinën e universitetit çdo ditë në orën 4 të mëngjesit dhe që ata po luteshin për të, ai u zemërua. Një ditë ai vendosi që ta diskreditojë drejtuesin e grupit dhe kështu që ai u takua me të dhe nxori tërë arsenalin e argumenteve kundër tij. Vendasi u tregua shumë me mirësjellje duke thënë vetëm: «Po ti me të vërtetë ke nevojë për ndihmë».

Perëndia filloi të punojë në jetën e Billit. Ai kuptoi që çfarë kishte mësuar ishte e rreme. Kur shkoi te peshkopi dhe i tha që nuk mund ta bënte dot këtë punë, Peshkopi vuri duart në kokë dhe tha: «Billi, tani ti nuk mund të bëhesh kurrë një peshkop». Billi tha: «Lavdi Zotit».

Më pas ai kuptoi që duhet të shkonte te ruandezi dhe t’i kërkonte të falur. Sa përulëse për një klerik të Kishës së Anglisë! Ai hipi në makinë dhe përsëriti me veten gjithçka që kishte për të thënë. Kur vendasi hapi derën dhe pa Bill Batlerin, ai tha: «Aleluja!»

Pastaj të rilindurit e ftuan Billin në takimin e tyre të orës 4 të mëngjesit. Ai kishte justifikime, justifikime. Ata i thanë: «Mirë, atëherë, a do ta provosh për një javë». Ai e bëri dhe u përfshi shumë.

Kur autoritetet dëgjuan për këtë, ato e transferuan Billin në një shkollë tjetër dhe nuk lejuan që takimet të bëheshin para orës 7 të mëngjesit. Vendasit menduan se duhet t’i bindeshin Perëndisë. Për këtë ata u përjashtuan pikërisht para se të diplomoheshin.

Më vonë ata i dërguan fjalë Billit duke i thënë që duhet të shkonte te peshkopi dhe t’i kërkonte falje për fyerjen dhe qëndrimin e keq.

Një ditë një anëtar i kishës që drejtohej nga Dr. Aleksandër Uajti hyri në zyrë me një lajm që një predikues që kishte vizituar qytetin kishte thënë publikisht që një nga shërbenjësit baritorë të Dr. Uajtit nuk ishte i krishterë. Dr. Uajti u mbush me indinjatë, duke qenë i inatosur që një akuzë e tillë të mund të bëhej kundër një shërbëtori besnik të Zotit. Me disa fjalë tepër të zgjedhura, ai shprehu zemërimin e tij kundër atij që ishte fajtor për këtë mëkat.

«Po kjo s’është e gjitha», vazhdoi anëtari i kishës. «Ai madje tha që ti nuk je një besimtar i vërtetë».

Duke dëgjuar këtë, Dr. Uajti u mbështet mbi tavolinë, pastaj tha: «Të lutem largohu nga zyra që të mund të jem vetëm dhe të analizoj zemrën time para Zotit».

KJO është një zemër e thyer!

Festo Kivengere pranoi që nuk i pëlqente njerëzit e bardhë dhe nuk pëlqente as britanikët që po administronin vendin e tij. Zoti i tha atij të shkonte te një misionar britanik dhe t’i rregullonte punët. «Ai është vëllai yt, i bardhë, anglez dhe gjithçka». Ai udhëtoi me biçikletë për tetëdhjetë kilometra për t’i kërkuar falje. «E pashë vëllanë tim. Ja ku rrinte një burrë që Jezusi e donte dhe me të vërtetë ne patën një kohë të mrekullueshme. E përshëndeta atë në mënyrën e zakonshme afrikane duke e përqafuar. Ai s’e kuptoi se çfarë kishte ndodhur. Dhe ishim atje dhe i kërkova të më falte. Në qëndruam atje, vetëm dy veta në prani të bustit të Çlirimtarit, duke i pasur zemrat në një mendje – jo ai anglez e unë afrikan, por si besimtarë të rilindur, të çliruar nga Biri i Perëndisë. Ne ecën, u lutëm, kënduam dhe më pas u ndamë. Sot kanë kaluar tridhjetë e tre vjet dhe ende e dua atë shumë».

«Kur dashuria pushon së derdhuri gjak, ajo pushon së bekuari».

ÇFARË NDODH KUR NE REFUZOJMË TË RRËFEJMË

1. Bashkësia me Perëndinë është prishur. Perëndia është akoma Ati ynë, por miqësia me Të është ndërprerë.

2. Bashkësia me besimtarët e tjerë është prishur.

3. Ne humbim gëzimin e shpëtimit të Perëndisë.

4. Ne humbasim fuqinë tonë.

5. Ne humbim çdo dëshmi efektive. Buzët i kemi të mbyllura. Ne ende jemi të shpëtuar përmes meritave të Jezusit, por nuk jemi të përshtatshëm për t’i shërbyer këtu në tokë.

6. Nëse mëkati është bërë publikisht, në hedhim turp mbi emrin e Zotit Jezus dhe i japim shkak armiqve të Shpëtimtarit që të blasfemojnë.

7. Ne jemi duke jetuar një gënjeshtër. Veprimet tona hedhin dyshim mbi realitetin e shpëtimit tonë. Është si ai rasti «fjalë shumë, punë pak». E folura jonë është ajkë, por jeta është qumësht i rrahur.

8. Ne humbim hyrjen te Perëndia për t’u lutur.

9. Veprat tona do të digjen, edhe pse jo shpirtrat tanë.

10. Ne jemi në rrezik për të shkatërruar jetët tona. Qoftë dhe një vendim i vetëm nga një i larguar dhe kjo mund ta vendosë atë në raft për gjithë jetën që i ka mbetur për sa i përket shërbesës në Zotin.

11. Ne mund të humbasim jetën tonë fizike këtu mbi tokë.

12. Ne mund të humbasim shpërblime në Gjyqin e Krishtit.

13. Ne jetojmë nën një ndjenjë të tmerrshme faji.

Në librin e tij, «Të përfundosh i fortë», Steve Farrari thotë:

Disa prej nesh e kanë gjetur veten të lidhur me të kaluarën tonë ashtu si është elefanti i cirkut i lidhur pas shtyllës. Kjo është një nga mjetet dhe skemat kryesore të armikut për të goditur të krishterët dhe për të mos na lejuar të përfundojmë të fortë. Po çfarë bën armiku? Ai thjesht minon thellësitë e errëta të kujtesës sonë. Ai na e shfaq të kaluarën përpara syve. Mund të jetë një mëkat i madh nga vitet e kaluara dhe ne akoma vrerosemi kur e kujtojmë dhe na vjen shumë për të ardhur keq. Është e vërtetë që jemi falur. Është e vërtetë që i përkasim Jezus Krishtit, por ai dështim kthehet mbrapa në mendjet tona si një mjegull e errët dhe paralizuese sa herë që ne lëvizim dhe kërkojmë të bëjmë diçka domethënëse për Zotin. Jemi si ai elefanti i lidhur pas shtyllës. Nuk është se krijesa e madhe dhe e vjetër është e kufizuar fizikisht nga shtylla. Ai ka forcën dhe burimet për ta shkulur atë nga toka si të ishte një kruese dhëmbësh. Sidoqoftë elefanti mbetet i lidhur pas kujtesës së tij. Dhe kështu janë shumë prej nesh.

Ndoshta ka qenë ndonjë mëkat seksual. Ose ndonjë gënjeshtër për të patur vendin e punës. Ose vrazhdësia. Ose mospërfillja. Ose ndonjë premtim a zotim i shkelur para Perëndisë. Çfarëdo qoftë, armiku na e hedh vazhdimisht atë mëkat të vetëm para syve. Armiku e përdor atë për të të paralizuar dhe për të të neutralizuar. Jo, Satani nuk mund të ta heqë shpëtimin. Por ai mund të të zhvatë gëzimin që ke. Dhe gjithçka që i duhet të bëjë është të të paraqesë atë një mëkat të së kaluarës [6].

Në lidhje me vargonjtë e fajit, Robert Heffler shkruan:

Ishte një djalë i vogël që shkoi të vizitojë gjyshërit në fermë dhe atij iu dhanë një palë llastikë për të luajtur në pemët e pyllit. Ai praktikoi në pemët e pyllit, por nuk mund të gjuante objektin. Dhe duke qenë pak i dekurajuar ai mori rrugën për t’u kthyer që të hante drekë. Ndërsa po kthehej ai pa rosën e gjyshes. I shtyrë thjesht nga impulsi, ai gjuajti, e goditi rosën në kokë dhe e vrau. Ai ishte i tronditur dhe i lënduar. Duke qenë në panik, ai e fshehu rosën e ngordhur në turrën e druve […], por e motra e pa këtë gjë. Selli i pa të gjitha, por nuk tha asgjë.

Pas dreke atë ditë gjyshja tha: «Selli, le të lajmë enët». Por Selli tha: «Gjyshe, Xhoni më tha që donte të të ndihmonte në kuzhinë sonte, apo jo Xhoni?» Dhe pastaj ajo i pëshpëriti duke i thënë: «Mos harro rosën».

Dhe kështu Xhoni lau enët.

Më vonë gjyshi pyeti nëse fëmijët donin të shkonin me të për të peshkuar, por gjyshja tha: «Më vjen keq, por kam nevojë për Sellin për të bërë darkën gati». Por Selli qeshi dhe tha: «Mirë, kjo punë është rregulluar pasi Xhoni më tha se dëshironte të të ndihmonte». Dhe ajo i pëshpëriti atij përsëri: «Mos harro rosën». Dhe kështu Selli shkoi të peshkonte ndërsa Xhoni qëndroi.

Pasi kishin kaluar disa ditë dhe Xhoni kishte bërë jo vetëm punët e tij, por edhe ato të Sellit, ai s’mund të duronte më. Ai erdhi te gjyshja dhe rrëfeu që kishte vrarë rosën. Ajo u përkul, e përqafoi dhe i tha: «Zemër, unë e di këtë. Unë po rrija në dritare dhe pashë gjithçka që ndodhi. Duke qenë se të dua, unë të fal. Por po vrisja mendjen se për sa kohë do t’ia lejoje vetes të ishe skllavi i Sellit» [7].

Zoti i sheh të gjitha rastet kur ne mëkatojmë. Por Ai pret për të parë se sa kohë do të kalojë kur ne të ndalojmë së qeni skllevër të fajit para se ta rrëfejmë mëkatin.

Rrethi i rrëfimit duhet të jetë po aq i gjerë sa rrethi i mëkatit.

Një plak kishe më shkroi:

Dje në takimin e lutjeve një motër filloi të flasë në mënyrë të pasjellshme për një motër tjetër që nuk ishte në takim. E këshillova duke i thënë që këto gjëra ajo mund t’ia thoshte vetë motrës në fjalë. Por këtë e bëra pa dashuri mu përpara gjithë të tjerëve. Ajo filloi të qajë dhe doli jashtë. Tani e kisha radhën unë që të më jepnin këshillë. Të tjerët më thanë që nuk duhet të kisha folur në atë mënyrë të ashpër dhe në prani të të tjerëve. Duke u ndier i turpëruar shkova atje ku ajo ishte dhe i kërkova të më falte. Më pas në takim nuk mund të lutesha derisa t’ia kisha rrëfyer mëkatin tim Zotit në prani të gjithë të tjerëve. Diçka e tillë nuk më ka ndodhur kurrë më përpara. Gjysmë ore më vonë unë dhe ajo ishim plotësisht të pajtuar dhe marrëdhënia ishte restauruar.

Shenjtori F. B. Mejër na tregon si e humbi durimin me një zyrtar të kishës natën e një së diele dhe pikërisht pesëmbëdhjetë minuta para se Mejëri të predikonte. Disa nga ndihmësit e tij po hynin brenda për t’u lutur me të përpara se ai të dilte në katedër. Ai e dinte që nuk ishte në përbashkësi dhe që nuk mund të predikonte ungjillin derisa çështja të rregullohej. Kështu që ai u takua me zyrtarin e kishës dhe i kërkoi të falur për zemërimin e tij. «Burri dukej më tepër i befasuar sesa i gëzuar, por kjo s’prishte punë. Bëra atë që ishte e drejtë dhe shpirti im u drejtua përsëri në ngjyrën e kaltër të qiellit të Perëndisë. Perëndia më kishte sjellë në pikën e rrëfimit» [8].

DËMSHPËRBLIMI

Zakeu është shembulli i madh i Dhiatës së Re i një mëkatari të shpëtuar që kreu dëmshpërblim për gabimet e së kaluarës (Lu. 19:8). Kjo duhet bërë gjithmonë në emër të Zotit që të jetë Ai që ta marrë lavdinë.

W. P. Nikolsoni ishte një predikues i zjarrtë dhe i jashtëzakonshëm në Irlandën e Veriut para disa vitesh. Njëherë ai predikoi me një të tillë që me qindra njerëz u shpëtuan. Shpëtimi i shtyu ata të kthenin veglat që kishin vjedhur në të kaluarën. Në fakt, ishin kthyer aq shumë vegla, saqë dyqaneve të aparateve iu duhej të ndërtonin depo për të vendosur veglat. Përfundimisht, firmave iu desh që të jepnin një njoftim për shtyp, duke kërkuar që më mos ktheheshin më vegla. Nuk kishte më vend për të tjera.

Ka raste kur dëmshpërblimi është i pamundur. Më e mira që i krishteri mund të bëjë është të rrëfejë mëkatet e tij dhe kusurin t’ia lërë Zotit.

FALJA

Zemra e thyer përfshin jo vetëm të kërkuarit falje, por gjithashtu të falësh kur dikush të kërkon falje. Korri Ten Bum na jep një ilustrim tipik për këtë. Pas Luftës së Dytë Botërore, kur po fliste për faljen në takimin e një kishe në Gjermani, ajo pa një burrë që ishte i pranishëm i cili kishte qenë një nga rojet më mizorë të kampit të përqendrimit ku motra e saj kishte vdekur dhe ku ajo vetë kishte pësuar vuajtje dhe poshtërim të paparë.

Në fund të takimit, ai iu afrua asaj dhe i tha: «Jam bërë i krishterë. Perëndia më ka falur. Po ti, do të më falësh?»

Pastaj Korri përjetoi të kaluarën. Ajo u përpoq që të mos e nxirrte dorën nga xhepi. Përfundimisht, hiri triumfoi. Ajo i zgjati dorën rojes së penduar.

«Të kam falur, vëlla!» tha ajo. «Me gjithë zemrën time».

Kemi një rregull të caktuar për sa i përket faljes:

1. Para së gjithash, nëse tjetri ka mëkatuar kundër teje, ti duhet ta falësh atë në zemër (Efe. 4:32). Ky veprim e heq barrën nga ty, por në këtë pikë t’i nuk ia bën të ditur fyesit që ai është falur.

2. Nëse pendohet, ti duhet ta falësh atë gojarisht dhe pa numëruar (Lu. 17:4). Thuaji që e ke falur. Mos e ul rëndësinë e asaj që ai ka bërë. Ai dëshiron të dëgjojë nga ty që është falur.

Perëndia e urren frymën që nuk fal. Një e çarë serioze kishte ndodhur midis J. N. Darbit dhe Xhorxh Myllerit dhe kjo vazhdoi për vite me radhë. Më në fund Darbi shkoi te jetimorja që drejtohej nga Mylleri dhe kërkoi të takohej me të. Personi te dera tha që z. Myller ishte lart dhe që ajo do të shkonte ta thërriste. Kur Mylleri zbriti poshtë ai i tha Darbit: «Kam vetëm dhjetë minuta kohë të lirë […] ti ke vepruar kaq keq në të gjithë këtë çështje, që shumë gjëra duhet të sqarohen përpara se ne të bashkohemi përsëri në të vërtetë» [9]. Darbi u ngrit dhe iku. Ai shfrim i pashpirt nga ana e Myllerit ishte fundi i çdo shprese pajtimi. Ishte hera e fundit që këta dy burra u takuan ndonjëherë – mbi tokë.

Në ditët e hershme të kishës një burrë u dënua me vdekje për besimin e tij. Ndërsa rojet po e çonin për ta ekzekutuar, një i krishterë tjetër që kishte mëkatuar kundër të dënuarit u gjunjëzua përpara tij dhe iu përgjërua që ta falte. I burgosuri e largoi anash dhe vazhdoi rrugën për t’u djegur në furrën e druve. Emri i atij burri nuk është gjendur kurrë në ndonjë nga të dhënat e martirëve të krishterë. «Dhe sikur ta jepja trupin tim që të digjej, e të mos kisha dashuri, nuk do të më vlente asgjë» (1 Kor. 13:3).

TË DUROJMË PADREJTËSITË PA SHPAGUAR

A e keni vënë re që Zoti Jezus nuk shpagoi kurrë (1 Pje. 2:23)? Për ne mëkatarët e vdekshëm është gjëja më natyrale për të bërë. Ne dëshirojmë t’ia kthejmë tjetrit me të njëjtën monedhë. Por hiri na aftëson të pranojmë padrejtësitë pa u përpjekur për të larë hesapet (1 Pje. 2:19-20).

SHPËRBLEJE TË KEQEN ME TË MIRËN

Besimtarët janë thirrur për të shpërblyer çdo të keqe me mirësi (Rom. 12:17; 20-21). Një indian ishte duke shpuar elefantin e tij për të ecur më shpejt nëpër rrugët e Bombeit. Ai po përdorte një hosten të mprehtë metalik. Papritmas hosteni ra mbi kalldrëm duke bërë një zhurmë të madhe. Elefanti u kthye, shtrëngoi hostenin me feçkën e tij dhe ia zgjati atë zotërisë.

Kur bota sheh dikë që shfaq një zemër kaq të thyer, ajo ngelet kryekëput me gojë të hapur.

TË NDEROJMË TË TJERËT MBI VETVETEN

Një provë tjetër e një zemre të thyer është kur ne i vlerësojmë të tjerët më mirë se vetveten (Fil. 2:3). Kjo s’do të thotë që ata kanë një karakter më të mirë se tonin. Ne i vlerësojmë ata më mirë kur i vendosim interesat e tyre më lart se tonat. Kur Abrahami dhe Loti dolën nga Egjipti dhe ndaluan në afërsi të Bethelit, atje nuk kishte mjaft kullota për të ushqyer tufat e të dyve. Kështu që Abrahami i tha Lotit të zgjidhte atë që dëshironte dhe ai (Abrahami) do të merrte çfarëdo që do të ngelej (Zan. 13:1-13). Ai e vlerësoi Lotin më mirë se veten.

Kur dikush do të përpiqej të kritikonte H. A. Ajrënsajdin mbi disa çështje të paqëndrueshme, ai do t’i thoshte: «E di çfarë, vëlla, kur të jemi në qiell njëri prej nesh do ta ketë gabim dhe ndoshta do të jem unë». Ai e vendosi tjetrin para vetvetes.

Disa predikues po prisnin në një paradhomë për të dalë në platformë në kohën e caktuar. Kur njëri prej tyre, i cili ishte shumë i vlerësuar dhe i respektuar, doli nga dhoma, auditori shpërtheu me duartrokitje për të, ai menjëherë u kthye mbrapa në paradhomë në mënyrë që duartrokitjet të dukeshin sikur ishin për të të tjerët. Ai nuk donte që ata të ndjeheshin më pak të respektuar.

BINDJE E MENJËHERSHME

Zemra e thyer është e dukshme tek ai që është i shpejtë për të pranuar dhe për t’iu bindur vullnetit të Perëndisë (Psa. 32:9). Ky është një mësim që Jonas i duhej ta mësonte pas shumë peripecish. Kërriçi me anë të të cilit Jezusi hyri në Jerusalem është një tablo e llojit të zemrës së thyer që Perëndia mund të përdorë (Lu. 19:29-35).

Kur ne jemi si balta në duart e Poçarit hyjnor, Ai mund të na mbrujë dhe formojë sipas vullnetit të Tij.

VDEKJE OPINIONIT PUBLIK!

Ne duhet të arrijmë atje ku të jemi të vdekur ndaj duartrokitjeve të botës apo ngërdheshjeve të saj. Kur W. P. Nikolsoni ishte një besimtar i ri, ai kërkoi të shërbente ne organizatën Ushtria e Shpëtimit. Ata që ishin përgjegjës i dërguan një reklamë me dy anë ku thuhej: «Vdekje opinionit publik». Ai tha që mësoi një mësim të madh atë ditë. Ai duhet ta kishte aq pak frikë njeriun pasi e druante shumë Perëndinë.

TË JESH I QETË NE KOHË KRIZE

Ai që ka një zemër të thyer tregon vetëpërmbajtje dhe gjakftohtësi gjatë krizave të jetës. Vonesat, ndërprerjet, avaritë mekanike dhe aksidentet, ndryshimet e programit dhe zhgënjimet janë të gjitha pjesë të planit të Perëndisë për të. Për të nuk ka pse të ketë furi, panik, histeri apo qime të ngritura përpjetë. Qëllimi është që të reagojmë menjëherë me qetësi dhe jo me padurim. Një gomë e shpuar mund të jetë një bekim i fshehur (shiko Rom. 8:28).

Më poshtë jepen disa sugjerime se si t’u bëjmë ballë ndërprerjeve. I pari është marrë nga «Doracaku i lexuesit»:

Kur ndërprerjet ta kanë sjellë në majë të hundës, përpiqu të mbash mend faktin që vetë shpeshtia e tyre mund të tregojë vlerën e jetës tënde. Vetëm ata njerëz që janë ndihmues dhe plot forcë rëndohen nga nevojat e të tjerëve. Ndërprerjet për të cilat ne mërzitemi janë pikërisht provat e dobishmërisë sonë. Dënimi më i madh që dikush mund t’ia bëjë vetes – dhe që është e rrezikshme edhe të shmanget – është të jesh kaq i pavarur, kaq i padobishëm, që askush nuk na ndërpret ndonjëherë dhe ne kemi ngelur vetëm fare [10].

Këshilla e dytë e dobishme na tregon se si një burrë i moshuar që ishte shumë i zënë me punë e shtiu në dorë këtë problem:

«Deri para disa kohësh», ai dëshmoi, «gjithmonë mërzitesha nga ndërprerjet, gjë e cila ishte vërtet një formë egoizmi nga unë. Njerëzit e kishin zakon të më ndërhynin duke thënë: “Po ja, s’kisha si t’i vrisja këto dy orë dhe mendova të vij njëherë këtej nga ty për vizitë”. Kjo më mërziste. Pastaj Zoti më bindi që Perëndia i dërgon njerëzit në jetën tonë. Ai dërgoi Filipin tek eunuku etiopas. Ai dërgoi Barnabën për të vizituar Saulin nga Tarsi. E njëjta gjë zbatohet edhe sot; Perëndia dërgon njerëz gjatë rrugës sonë.

Kështu që kur dikush vjen për vizitë, i them: «Zoti duhet të të ketë sjellë këtu. Le të mësojmë përse të ka dërguar. Le të lutemi për këtë».

Pra, kjo kryen dy gjëra. Kjo e vendos bisedën në një tjetër nivel pasi Perëndia përfshihet në të. Gjithashtu në përgjithësi kjo e shkurton bisedën. Nëse dikush e di që je duke kërkuar arsyen e vizitës së tij, sipas Perëndisë, nëse ai s’ka një arsye, shumë shpejt ai largohet për të gjetur kullota me bar të njomë. Kështu që pranoi ndërprerjet si të jenë nga Zoti. Kështu ato i përkasin programit tënd, sepse Perëndia është thjesht duke ndryshuar modelin tënd të përditshëm që të jetë në përputhje me Të. Për të krishterin vigjilent, ndërprerjet janë thjesht mundësi të ndërmjetësuara në mënyrë hyjnore» [11].

TË JETOJMË SI SKLLEVËR (Luka 17:7-10)

Në librin e tij «Rruga e Kalvarit», Roi Hezhën përshkruan qëndrimin e duhur që një skllav duhet të ketë gjatë gjendjes së tij si skllav. Ai duhet të jetë i gatshëm që mbi të të ngarkohen një gjë pas një tjetre pa e pyetur fare. Duke bërë këtë, ai duhet të jetë i gatshëm të mos falënderohet. Pasi ka bërë gjithë këtë, ai nuk duhet ta akuzojë tjetrin për egoizëm. Pasi ka bërë gjithë këtë, nuk ka vend për mburrje ose përgëzim të vetvetes, por ne duhet të rrëfejmë që jemi shërbëtorë të padobishëm, domethënë, nuk jemi vërtet të dobishëm për Perëndinë apo për njerëzit në vetvete. Fundi i vetes hidhet poshtë plotësisht nga hapi i pestë dhe i fundit – pohimi që pasi të kemi bërë dhe mbartur atë që kishin për të bërë me një frymë butësie dhe përulësie, ne nuk kemi bërë as edhe një syth më shumë, sesa ishte detyra jonë që të bënim [12].

ÇFARË NUK DO TË THOTË NJË ZEMËR E THYER

Njeriu që ka një zemër të thyer nuk është një ngordhësirë e shpëlarë dhe frikacak, apo ndonjë askush i pafuqishëm, që nuk arrin dot të ndikojë ata që janë rreth tij. Përkundrazi, njerëzit që kanë një zemër të thyer janë njerëzit me ndikim më të madh.

Butësi s’do të thotë dobësi. Ajo është forcë e nënshtruar.

Një njeri i butë është dikush që e pranon vullnetin e Perëndisë pa u mërzitur, dikush që është në gjendje të jetë i qetë dhe i butë për shkak të forcës së brendshme dhe dikush që është nën kontrollin e përsosur të Perëndisë.

Një zemër e thyer nuk do të thotë që dikush nuk zemërohet asnjëherë. Jezusi u zemërua me këmbyesit e parave në oborrin e tempullit. Ne duhet të jemi luanë për kauzën e Perëndisë dhe qengja për kauzën tonë.

HAPA PËR TË PATUR NJË ZEMËR TË THYER

Pyetja është: «Si mund të jem unë një njeri vërtet me një zemër të thyer?» Përgjigja përmban katër hapa:

1. Lutu «Zot, më thyej» dhe ji me të vërtetë i sinqertë.

2. Heto të kaluarën tënde për faje që nuk i ke rrëfyer, për fjalë të ashpra, për fjalë të folura nga mishi.

3. Më parë rrëfeji ato para Perëndisë, pastaj te personi ndaj të cilit ke gabuar.

4. Ndaji këto përvoja përulëse me të tjerët.

Bashkëshortët e pabesë dhe bashkëshortet e pabesa duhet t’i kërkojnë njëri-tjetrit të falur. Një plak kishe i cili e kishte lënë gruan e tij për një grua tjetër shkroi këtë letër keqardhjeje.

Pas njëzet e dy vjet duke bërë një «jetesë të tërbuar», për të cilën ndiej keqardhje të thellë, jam kthyer te Perëndia, duke kërkuar faljen e Tij për ato vite mëkati dhe turpi. Në mëshirën dhe dashurinë e Tij Ai më ka kthyer në përbashkësi me Veten dhe me Birin e Tij, Jezus Krishtin. Tani jam duke gëzuar një paqe dhe ndjenjë mirëqenie në nuk e kam përjetuar për shumë vite. Lavdi emrit të Tij! Fjalët e Davidit në Psalmet 32 dhe 51 kanë një kuptim të ri dhe gëzim për mua: «Lum ai të cilit i kanë falur shkeljen, ai të cilit i kanë mbuluar mëkatin. Lum ai njeri të cilin Zoti nuk e padit për paudhësi». «Para teje pranova mëkatin tim, nuk e fsheha paudhësinë time. Thashë: “Do t’ia rrëfej shkeljet e mia Zotit” dhe ti e ke falur paudhësinë e mëkatit tim (Sela)». Dhe në fjalët e Psalmit 51 Ai më «ka kthyer gëzimin e shpëtimit». Vështirë se mund ta kuptoj hirin e Tij.

Dëshiroj të të kërkoj të falur ty si dhe shumë vëllezërve dhe motrave në Krishtin për turpin dhe lëndimin që i kam shkaktuar. Më vjen keq për mëkatin tim dhe do të doja të ekzistonte ndonjë mënyrë për ta larguar atë, por këtë s’mund ta bëj dot dhe mendoj se kujtimi i atyre viteve të fishkura do të më ndjekë në vitet që do të vijnë. E di që shumë prej jush jeni lutur për mua dhe, duke perifrazuar Fil. 1:18b-19: «E di se me anë të lutjeve tuaja dhe ndihmës që vjen nga Fryma e Shenjtë, jam i lirë».

I kam shkruar tërë familjes sime duke u kërkuar falje dhe duke u gëzuar me të gjithë ata për përgjigjet e lutjeve nga Perëndia.

Tani frekuentoj një bashkësi të krishtere dhe kam filluar të shkoj çdo javë në një studim biblik. Ndiej nevojën e përbashkësisë së krishterë dhe jam mirënjohës për këto mundësi.

Mendo se çfarë do të ndodhte nëse zemërthyerja do të zbatohej në rrethin e biznesit. Një punëdhënës i krishterë i shkroi letrën që vijon punonjësve të tij:

Harxhoj pothuajse të gjithë energjinë time dhe çdo përparësi për ta çuar përpara biznesin që kam dhe për kërkimin e kënaqësive vetjake. Pothuaj nuk e kam lexuar Biblën fare. Mëkatet e mia si në mendime ashtu dhe në veprime janë me të vërtet të rënda. Ai 10% që e jap për veprën e Zotit është një tallje për sa i përket dhënies sakrifikuese. Jam kërkues dhe kritikues si pronar. Shpesh jam i ashpër dhe pa dashuri si bashkëshort. Nuk e frekuentoj kishën pa mungesa siç bëja kur isha fëmijë.

Kur njerëzit më lavdërojnë, ju mund ta shihni përse ndihem si një mashtrues i tillë. Ja përse ndjehem i detyruar të nxjerr në shesh, me turp, se çfarë shembulli i mjerë i krishteri që unë jam. Mos lavdëro askënd përveç NJËRIN.

Kjo letër iu dërgua 15 milion njerëzve që morën katalogun e tij.

PUNËTORËT E KRISHTERË ME KOHË TË PLOTË DUHET TË PRAKTIKOJNË ZEMRËN E THYER.

Bob Young, një misionar në Afrikë, i prishi marrëdhëniet me disa nga bashkëpunëtorët e tij. Më pas ai bashkë me gruan u kthyen në Shtetet e Bashkuara për arsimimin e fëmijëve. Më vonë ata menduan që Zoti i drejtoi ata për të shkuar përsëri në Afrikë. Por gruaja i sugjeroi që para se të niseshin ata t’i shkruanin misionarëve të tjerë dhe të kërkonin të falur për mënyrën se si e kishin trajtuar problemin doktrinor. Ai shkroi një letër ku me të vërtetë kërkoi falje. Misionarët iu përgjigjën: «Ky është tipi i njeriut me të cilin dëshirojmë që të punojmë». Çifti misionar u kthye në Afrikë, u vu re një aftësi më e madhe me zotërimin e gjuhës se më parë dhe patën bekime kudo që shkuan.

Osvald Sendërsi sapo kishte mbaruar predikimin kur një dhjak u ngrit dhe i kërkoi nëse mund të fliste:

«Perëndia ka folur me mua këtë mbrëmje», tha ai. «Shumë prej jush këtu më njohin dhe dua të rrëfej diçka. Kur jam me ju në publik jam gjithnjë gazmor dhe i qeshur, sikur jam në festë, por në shtëpi jam njeri tjetër. Kam qenë engjëll në rrugë dhe djall në shtëpi. Kam qenë gjaknxehtë dhe kam qenë shkak për marrëdhënie jo të mira me gruan dhe familjen. I kam kërkuar Perëndisë të më falë dhe që të më bëj që të ngjaj privatisht më shumë ashtu sikurse përpiqem të dukem në publik» [13].

Mendo se çfarë do të ndodhte në asambletë tona nëse çdo faj do të pranohet, nëse do të kërkohet ndjesë kudo që nevojitet, nëse mëritë do merrnin fund.

Fëmijët duhet t’u kërkojnë prindërve të falur për vjedhjet nga çanta e mamit, për gënjeshtrat kur janë kapur në mosbindje dhe për rastet kur u kanë kthyer fjalën prindërve.

Ndonjëherë prindërit duhet t’u kërkojnë fëmijëve falje për disiplinë të padrejtë ose të tepruar, për të qenit një shembull i dobët dhe për shpërthime të zemëruara. Do të ketë një gëzim, fuqi dhe sukses të ri. Do të jetë një peshë e pamasë e hequr nga shpina. Do të ketë marrëdhënie shumë më të mira se ç’kanë qenë ndonjëherë më parë.

[previous][next]



Referenca    ( ↵ Kthehu mbrapa returns to text)
  1. Our Daily Bread, Radio Bible Class, Grand Rapids, MI, 18 tetor. ↵ Kthehu mbrapa
  2. Po aty, 16 shtator. ↵ Kthehu mbrapa
  3. Po aty, 12 prill, 1988. ↵ Kthehu mbrapa
  4. Ironside, H. A., The Keswick Convention, London: Pickering & Inglis, 1939, fq. 119. ↵ Kthehu mbrapa
  5. Our Daily Brad, Radio Bible Class, Grand Rapids, MI, 18 gusht, 1992. ↵ Kthehu mbrapa
  6. Farrar, Steve, Finishing Strong, Sisters, OR: Multnomah Books, 1995, fq. 158. ↵ Kthehu mbrapa
  7. Po aty, fq. 162-163. ↵ Kthehu mbrapa
  8. Meyer, F. B., The Christ Life for Your Life, Chicago: Moody Press, n.d., fq. 70-72. ↵ Kthehu mbrapa
  9. Roger Steer, George Mueller: Delighted in God, Wheaton, IL: Harold Shaw Publishers, 1981, fq. 136. ↵ Kthehu mbrapa
  10. Nga Points to Ponder, Anglican Digest, Cituar në National Enquirer, cituar në Reader’s Digest, Nëntor, 1977, fq. 229. ↵ Kthehu mbrapa
  11. Sanders, J. O., Spiritual Leadership, Chicago: Moody Press, 1975, fq. 90-91. ↵ Kthehu mbrapa
  12. Hession, Roy, The Calvary Road, Fort Washington, PA: Christian Literature, Crusade, n.d., fq. 58-59. ↵ Kthehu mbrapa
  13. Sanders, J. Oswald, Shoe-Leather Commitment, Chicago, IL: Moody Press, 1990, fq. 139. ↵ Kthehu mbrapa