Gjërat e pastra dhe të papastra (Levitiku 11 – 15)

Pesë kapitujt që vijojnë shtjellojnë çështje të pastërtisë dhe papastërtisë ceremoniale. Për judenjtë ishin veprime që nuk ishin të gabuara moralisht, por megjithatë i pengonin të merrnin pjesë në ritet e judaizmit. Ata që ndoteshin ishin të papërshtatshëm nga ana rituale, derisa të pastroheshin. Një popull i shenjtë duhet të jetë i shenjtë në çdo fushë të jetës. Perëndia përdori edhe ushqimin për të ilustruar ndryshimin midis asaj që është e pastër dhe e papastër.

A. Ushqimet e pastra dhe të papastra (kapitulli 11)

11:1-8 E pastër quhej kafsha dythundrake dhe që ripërtypet. Shprehja: «çdo kafshë dythundrake që e ka këmbën të ndarë» duket se thotë të njëjtën gjë në dy mënyra të ndryshme. Por fjalët nënkuptojnë se thundra duhet të jetë plotësisht e ndarë. Kafshët e pastra ishin viçat, gjedhët, delet, dhitë, drerët etj. Kafshët e papastra ishin derrat, devetë, vjedullat e shkëmbinjve (hirakset), lepujt etj. Zbatimi frymëror është se të krishterët duhet të mendojnë thellë mbi Fjalën e Perëndisë (të ripërtypin) dhe të kenë një ecje të veçantë (me thundra të ndara). Por Perëndia gjithashtu po mbronte shëndetin e popullit të Tij, duke ndaluar ngrënien e mishit që kishte gjasa të përcillte sëmundje në ditët kur nuk kishte ftohje artificiale dhe përdorimi i antibiotikëve në blegtorinë e kafshëve ishte i panjohur. 11:9-12 I pastër quhej peshku që kishte pendë e luspa. Peshqit si skumbri, ngjala dhe butakët ishin të papastër. Luspat zakonisht simbolizojnë armaturën e krishterë, që e mbron një besimtar në një botë armiqësore, ndërsa pendët simbolizojnë fuqinë hyjnore që i jep forcë për të lundruar në tërë botën, pa u mundur prej saj. 11:13-19 Zogjtë që ushqehen duke zënë pre krijesa të tjera ishin të papastra – për shembull, shqiponjat, fajkojtë, korbat, lakuriqët e natës (lakuriqët e natës nuk janë zogj, por fjala hebraike e përkthyer zogj është më e gjerë në kuptim {«fluturak»} se fjala në gjuhën tonë). 11:20-23 Vargjet 20-23 shtjellojnë disa forma të insekteve me krahë. Vetëm ata që kishin këmbë e nyje mbi kërcinjtë e tyre ishin të pastër – pra, karkalecat, karkalecat shkatërrues, bulku dhe arkidi. 11:24-28 Prekja e një trupi të pajetë të një krijese të papastër të përmendur më lart e bënte një njeri të papastër deri në mbrëmje. Përmenden në mënyrë të veçantë kafshët që ecin mbi shputën e këmbëve, siç janë macet, qentë, luanët, tigrat, arinjtë etj. 11:29-38 Më pas përshkruhen kafshët rrëshqanore – urithi, miu dhe çdo lloj hardhje, gekoja (hardhuca tropikale), varani, hardhuca, kërmilli dhe kameleoni. Dikush që prekte trupat e tyre pa jetë bëhej i papastër deri në mbrëmje. Nëse trupi i ngordhur i njërës prej këtyre krijesave binte në një enë, ajo duhej të lahej në ujë dhe ishte e papastër deri në mbrëmje, përveç rastit të një ene prej argjile qëduhej të thuhej. Çdo ushqim që hahej në atë enë bëhej i papastër dhe nuk mund të hahej. Këtu jepen dy përjashtime – një burim i ujit të rrjedhshëm nuk bëhej i papastër me anë të prekjes me trup të këtyre kafshëve, dhe as çfarëdolloj fare që përdorej për mbjellje, nëse nuk ishte lagur në ujë. 11:39,40 Nëse një njeri prekte kufomën e një kafshe të pastër që kishte ngordhur (duke mos qenë e therur), apo hante mishin e saj pa e ditur, e bënte atë të papastër deri në mbrëmje. Rrobat e tij duheshin larë. 11:41-47 Vargjet 41-43 flasin për krimbat, gjarpërinjtë, brejtësit dhe insektet. Ai që hante prej tyre bëhej ritualisht i papastër. Me dhënien e këtij ligji rreth krijesave të pastra e të papastra, Perëndia po u jepte një mësim rreth shenjtërisë dhe domosdoshmërisë së popullit të Tij për të qenë gjithashtu i shenjtë (v. 4-47). Te Marku 7:18,19 Zoti Jezus shpalli se tërë ushqimet ishin të pastra. Dhe Pali mësoi se asnjë ushqim nuk duhet mohuar nëse merret me falënderim (1 Tim. 4:1-5). Megjithatë, kjo nuk mund të përfshijë ushqimet e ndotura, të papranueshme nga ana kulturore, apo të papranueshme nga ana e tretjes për dikë [p.sh. i sjell alergji].

B. Pastrimi pas lindjes (kapitulli 12)

12:1-4 Kapitulli 12 shtjellon papastërtinë lidhur me lindjen e fëmijëve. Një grua që lindte një djalë ishte e papastër për shtatë ditë, ashtu si ditët e zakoneve të saj. Ditën e tetë djali rrethpritej (v. 3). Dita e tetë ishte dita më e sigurt për sa i përket mpiksjes së gjakut. Sot problemi i mpiksjes së gjakut zgjidhet nga injektimet e vitaminës K. Ajo rrinte në shtëpi edhe për tridhjetë e tri ditë, duke mos prekur asnjë send të shenjtë,apo të hynte në shenjtëroren – pra, në oborrin që rrethonte tabernakullin. 12:5 Në rastin e lindjes së një vajze, nëna ishte e papastër për dy javë dhe pastaj qëndronte në shtëpi edhe për gjashtëdhjetë ditë. 12:6-8 Në fund të ditëve të pastrimit, nëna urdhërohej të çontenjë qengj si olokaust dhe një pëllumb të ri ose një turtull si flijim për mëkatin. Nëse ishte shumë e varfër për të çuar qengjin, ajo mund të çonte dy turtuj ose dy pëllumba të rinj – njërin si olokaust dhe tjetrin si flijimin e mëkatit. Nëna e Zotit tonë çoi dy zogj (Luka 2:22-24), një tregues i varfërisë në të cilën lindi Jezusi. Mund të duket e çuditshme që papastërtia lidhet me lindjen e një foshnjeje, meqë martesa u vendos para se mëkati të hynte në botë, ngaqë Shkrimi mëson se martesa është e shenjtë dhe ngaqë Perëndia i urdhëroi njerëzit të shumoheshin. Papastërtia mbase është një kujtesë që, duke përjashtuar Zotin tonë, të gjithë ne kemi lindur në paudhësi dhe jemi ngjizur në mëkat (Psa. 51:5). Zgjatja kohore e papastërtisë në rastin e lindjes së një foshnjeje femër ishte mbase një kujtesë e qëllimshme se burri u krijua para gruas, se gruaja u krijua për burrin, se gruas i është dhënë një vend nënshtrimi pozicional (jo inferioritet vetjak) ndaj burrit dhe se gruaja ishte e para që mëkatoi. Uilliamsi (Williams) shikon në këtë ligj kujdesin e ëmbël të Perëndisë në mbrojtjen e nënave nga vizitorët gjatë kohës kur dobësia e saj dhe rreziku i infeksioneve janë më të mëdha [14].

C. Diagnoza e lebrës (kapitulli 13)

Kapitulli 13 ka të bëjë me diagnozën e lebrës dhe kapitulli 14 me pastrimin e saj. Njerëzit kanë mendime të ndryshme për sa i përket natyrës së lebrës biblike. Lebrozët e Biblës ishin zakonisht të lëvizshëm, nuk ishin të shformuar, ishin të parrezikshëm kur ishin plotësisht lebrozë dhe ndonjëherë shëroheshin. Në disa mënyra prifti kryente rolin e doktorit, mbase si një kujtesë e vazhdueshme e lidhjes së ngushtë midis anës frymërore dhe anës fizike. Njeriu është një qenie e trefishtë dhe ajo që prek një pjesë prek të gjitha. Pranohet që kapitulli 13 është i vështirë, kapitull i cili shtjellon përshkrimet teknike të sëmundjeve me lebër ose jo dhe me «lebrën» në shtëpi dhe rroba. Dr. Herrisoni (R. K. Harrison), i cili ka një përgatitje mjekësore e në të njëjtën kohë është edhe studiues hebre, tregon se «nuk ka përkthim që të jetë i kënaqshëm për tërë gjendjet e përshkruara nga fjala hebraike, por se kuptimi i saj duhet të jetë tepër i gjerë, sa përfshin edhe sëmundjen që ne e quajmë sëmundja Hansen» [15]. Ai përmbledh faktet e njohura të termit hebraik dhe përkthimin e tij në greqisht (nga të cilët rrjedhin fjalët tona në anglisht e në shqip: lebër, i lebrosur, lebroz): Termi hebraik s_ra’at rrjedh nga një rrënjë që do të thotë «të sëmuresh në lëkurë» dhe është më shumë një përshkrim i përgjithshëm sesa i veçantë. Në përdorimin e Dhiatës së Vjetër kishte një shtrirje të gjerë, duke përfshirë mykun apo vrugun e pëlhurave, po ashtu edhe plasaritjen minerale në muret e ndërtesave dhe mbase kalbjen e pëlhurave e strukturave të tilla. Te versioni LXX fjala hebraike u përkthye nga fjala greke lepra, që vetë duket se ka qenë e pacaktuar në natyrë dhe domethënie. Autorët e mjekësisë greke e përdornin fjalën për të përshkruar një sëmundje që e bënte sipërfaqen e lëkurës të rrjepur apo luspore, ndërsa Herodoti e përmend në lidhje me një mundim të njohur si leuk_, një lloj plasjeje lëkurore, që duket se ka qenë e njëjta me fjalën greke elephantiasis, dhe kjo e ngjashme me lebrën klinike moderne (sëmundja Hansen) [16]. 13:1-3 Paragrafi i parë përshkruan priftin që shqyrton një njeri për simptomat e lebrës biblike. 13:4-8 Më pas tregohet me hollësi procedura e duhur për rastet në fjalë. Ai njeri rrinte mbyllur për shtatë ditë. Në qoftë se plaga ishte ndalur, atëherë ai rrinte mbyllur edhe shtatë ditë të tjera. Më pas nëse sëmundja dukej se ishte kontrolluar, prifti e shpallte atë njeri të pastër. Nëse gërryerja në lëkurë ishte përhapur pas shqyrtimit të dytë, atëherë prifti e shpallte atë të papastër. 13:9-11 Kur lebra ishte kronike apo e vjetër, prifti e shpallte lebrozin të papastër. 13:12,13 Në mënyrë të çuditshme, kur një njeri ishte bërë i bardhë në tërë trupin, sëmundja nuk ishte më vepruese dhe prifti e shpallte lebrozin të pastër. 13:14,15 Kur shfaqej te një njeri mish i gjallë, prifti e shpallte atë të papastër. Ishte lebër. 13:16,17 Në rastin e lebrës kur mishi i gjallë shërohej dhe bëhej i bardhë, përsëri njeriu ishte i pastër. 13:18-23 Tani paraqiten tri diagnoza të mundshme në rastin e një ulcere. Kur ishte e qartë për priftin se ulcera ishte më e thellë se lëkura dhe qimja e saj ishte bërë e bardhë, ai duhet ta shpallte pacientin të papastër (v. 18-20). Kur në karantinë plaga zgjerohej gjatë një periudhe prove shtatëditore, ishte lebër (v. 21,22). Kur nuk përhapej, njeriu shpallej i pastër (v. 23). 13:24-28 Tani përshkruhet rasti i një djegie të mundshme lebre. Kur nga simptomat e saj dukej qartë lebra, priftido ta shpallte njeriun të papastër (v. 24,25). Një periudhë prove prej shtatë ditësh do të zbulonte nëse gjendja do të përhapej, gjë që do të thoshte se ishte lebër (v. 26,27). Atje ku ishte thjesht një enjtje shkaktuar nga djegia nuk ishte lebër (v. 28). 13:29-37 Më pas merret në konsideratë një plagë në kokë apo në mjekër. Kur një burrë apo një grua dilte me lebër nga simptomat e tij apo të saj, ai njeri duhej të shpallej i papastër (v. 29,30). Kur nuk njihej me siguri (v. 31-37), ai njeri mbyllej për shtatë ditë. Nëse gjendja ishte ndaluar, ai njeri rruante kokën e tij dhe priste edhe shtatë ditë të tjera. Nëse plagaishte përhapur, ai njeri ishte i papastër. Nëse plaga ishte kontrolluar, ai njeri ishte i pastër. 13:38,39 Në rast se një burrë apo një grua kishte mbi lëkurën e trupit njolla të shndritshme shpallej i pastër. Sipas përkthimit gjysmëteknik të Herrisonit, ishte «një njollë që kishte dalë në lëkurë» [17]. 13:40-44 Zakonisht tullacllëku (alopecia) dallohej nga ajo që shkaktohej nga lebra. 13:45,46 Lebrozi ishte një njeri i mjerueshëm. Ai lihej jashtë kampit të Izraelit dhe duhej të vishte rroba të grisura dhe duhej ta mbante kokën të zbuluar. Sa herë afroheshin njerëzit, ai duhej të mbulohej deri te buza e sipërme apo mbulonte mjekrën e tij dhe bërtiste: «i papastër, i papastër». Përsëri kemi një shembull të hershëm të mjekësisë parandaluese. Veçimi është një procedurë mjekësore për të parandaluar përhapjen e infeksionit. 13:47-59 Rasti i «lebrës» në një rrobë mbase i referohet ndonjë lloj mole apo myku në një rrobë leshi apo një rrobë liri apo lëkurë. Herrisoni shpjegon dukurinë e prishjes së rrobave me njolla të tilla:
Myqet janë kërpudha që rriten në kafshë apo bimë të ngordhura apo të kalbura dhe shfaqen në njolla me hije të ndryshme [18].
Ai vazhdon duke dhënë një zbatim frymëror:
Rritja e kërpudhave ndikon tërë gjësendin nga prania e tyre, ashtu si njolla e mëkatit të parë përshkon tërë zonat e personalitetit njerëzor [19].
Populli i Jehovait duhet të jetë i pastër dhe i panjollë nga ana e jashtme, po ashtu edhe nga brenda: Oh, një zemër për të lavdëruar Perëndinë tim, një zemër të çliruar nga mëkati; një zemër që beson në gjakun për mua falas të derdhur. Një zemër e përulur, e ulët, e thyer, besuese, e vërtetë dhe e pastër, që as vdekja, as jeta nuk mund ta ndajë nga Ai që banon brenda saj. Çarls Uesllej (Charles Wesley)

D. Pastrimi i lebrës (kapitulli 14)

14:1-7 Këtu jepet riti për pastrimin nga lebra pasi është shëruar. Në fillim ai kontrollohet nga prifti jashtë kampit. Nëse ishte shëruar, ai ofronte dy zogj të gjallë dhe të pastër me dru kedri, nga skarlati dhe hisopi. Druri i kedrit dhe i hisopit, ku i pari është pemë e lartë dhe e dyta bimë e ulët, simbolizojnë gjykimin e Perëndisë mbi tërë njerëzit dhe mbi gjithçka që përmban bota, nga gjëja më e lartë te më e ulëta. Skarlati shoqërohet me mëkatet te Isaia 1:18, kështu mendimi këtu mund të jetë i gjykimit të Perëndisë mbi mëkatet. Një nga zogjtë therej me ujë të rrjedhshëm dhe tjetri, bashkë me drurin e kedrit, skarlatin dhe hisopin, zhytej në gjakun e zogut të therur. Lebrozi i pastruar spërkatej me gjak shtatë herë dhe shpallej i pastër. Më pas zogu i gjallë lihej i lirë. Në shumë aspekte lebra është një simbol i mëkatit. Ajo e bënte një njeri të papastër, e përjashtonte atë nga populli i Perëndisë, e bënte viktimën të mjerueshme etj. Kjo është arsyeja pse duhet të ishte një zbatim i gjakut (gjaku i Krishtit) dhe ujit të rrjedhshëm (vepra ripërtëritëse e Frymës së Shenjtë) në pastrimin e lebrës. Kur një mëkatar kthehet te Zoti në pendim dhe besim sot, vdekja dhe ringjallja e Krishtit (e simbolizuar nga dy zogjtë) hyn në llogarinë e tij. Gjaku zbatohet me anë të fuqisë së Frymës dhe, në sytë e Perëndisë, ai njeri është i pastër. Shkëmb i Epokave, i çarë për mua, Më lejo të fsheh veten time në Ty; Uji dhe gjaku, Që nga brinja e Tij e çarë rrodhën, Mëkatin tim shëron dyfish, Më pastron nga faji dhe fuqia e tij. Shkëmb epokash, hapu Ti dhe më fshih në siguri. Ujë e gjak i rrjedhur prej brinjës i derdhur. Prej fajit të rëndë, o Zot, o shpëtomë, Ti i Fort. Agustus Topledi (Augustus M. Toplady) 14:8-20 Lebrozi që duhet të pastrohej lante rrobat e tij, rruante tërë qimet e tij dhe lante trupin e tij (v. 8). Më pas i lejohej të futej në kamp, por ai nuk mund të hynte në çadrën e tij edhe për shtatë ditë të tjera. Shtatë ditë më vonë ai lahej dhe rruhej përsëri dhe shpallej i pastër (v. 9). Ditën e tetë ai i çonte oferta Zotit (v. 10,11): një flijim riparimi (v. 12-18), një flijim për mëkatin (v. 19), një olokaust (v. 20). Prifti vinte gjakunveshin, dorën dhe këmbën e lebrozit (v. 14). Kjo flet për dëgjimin e Fjalës së Perëndisë, kryerjen e vullnetit të Perëndisë dhe ecjen në rrugët e Perëndisë. 14:21-32 Nëse lebrozi i pastruar ishte shumë i varfër për të sjellë tërë kafshët e kërkuara, atëherë ai lejohej të sillte dy turtuj apo dy pëllumba të rinj, njëri për flijimin për mëkatin dhe tjetri për olokaustin, por gjithashtu duhej të sillte qengjin e flijimit për shkeljen. Blatimi i ushqimit shoqëronte shkeljen, mëkatin dhe olokaustin në çdo çast. 14:33-53 Së fundi, jepen ligjet mbi zbulimin e lebrës në një shtëpi. Këto do të vlenin kur populli do të shkonte në Kanaan dhe do të banonte në shtëpitë e përhershme dhe jo në çadra. «Lebra» në një shtëpi ishte mbase ndonjë lloj kërpudhe, myku apo ndryshku. Zoti urdhëroi që shtëpia të boshatisej para se prifti të hyntebrenda, në mënyrë që gjërat brenda saj të mos bëheshin të papastra apo të viheshin në karantinë (v. 36,38). Në fillim vetëm gurët e prekur në një shtëpi hiqeshin. Por nëse lebra vazhdonte të shpërthente, shtëpia duhej të shembej (v. 39-45). Në rast se lebra ndalej në shtëpi, prifti ndiqte një rit pastrimi të ngjashëm për një të lebrosur (v. 48-53). 14:54-57 Ky paragraf është një përmbledhje e kapitujve 13 e 14.

E. Pastrimi pas sekretimit trupor (kapitulli 15)

15:1-18 Kapitulli 15 shtjellon papastërtinë që vjen si shkak i rrjedhjeve të trupit njerëzor, qoftë natyrore qoftë nga sëmundjet. Vargjet 1-12 duken se i referohen një fluksi nga një burrë, si shkak i sëmundjeve, siç është gonorrea. Riti i pastrimit jepet te vargjet 13-15. Vargjet 16-18 i referohen lëshimit farës, në mënyrë të pavullnetshme (v. 16,17) dhe të vullnetshme (v. 18). 15:19-33 Vargjet 19-24 shtjellojnë ciklin normal të zakoneve të grave. Ky cikël nuk kërkonte oferta. Vargjet 25-30 përshkruajnë një fluks gjaku nga një grua, por që nuk ka lidhje me zakonet – pra, jo normale. Vargjet 31-33 përmbledhin kapitullin. [19] Harrison, Leviticus, f. 146.[[19]]

Referenca    ( ↵ Kthehu mbrapa returns to text)
  1. (Kapitulli 12) George Williams, The Student’s Commentary on the Holy Scriptures, f. 71. ↵ Kthehu mbrapa
  2. (13: Hyrje) Harrison, Leviticus, f. 137. Te Shtojca A, f. 241, e komentarit të tij ai jep një përkthim gjysmëteknik të kapitullit 13, që duket i dobishëm për ata që janë të interesuar mbi aspektet mjekësore të kushteve të përmendura. ↵ Kthehu mbrapa
  3. (13: Hyrje) Harrison, Leviticus, f. 136,137. ↵ Kthehu mbrapa
  4. (13:38,39) Harrison, Leviticus, f. 245. ↵ Kthehu mbrapa
  5. (13:47-59) Harrison, Leviticus, f. 146. ↵ Kthehu mbrapa
  6. ↵ Kthehu mbrapa