Bekimet dhe mallkimet (Levitiku 26)

A. Bekimet për bindjen ndaj Perëndisë (26:1-13)

Paralajmërimit i kushtohet dyfishi i pjesës në krahasim me bekimin në këtë kapitull. Vështirësia, fryti i premtuar i mosbindjes, është një mjet që përdor Perëndia jo për të shkaktuar hakmarrje, por për ta çuar popullin e Tij në pendim (v. 40-42). Ndëshkimi kombëtar do të ishte gjithmonë e në rritje për sa i përket ashpërsisë, derisa populli të rrëfente paudhësinë e tij. Vini re shkallën rritëse te vargjet 14,18, 21, 24 e 28. Pas paralajmërimeve kundër idhujtarisë (v. 1), shkeljes së shabatit dhe mosnderimit (v. 2), Zoti i premtoi bekimet e mëposhtme kombit nëse do të zbatonin urdhërimet e Tij: shiun, pjellorinë (v. 4), prodhimtarinë, sigurinë (v. 5), paqen, rehatinë (v. 6), fitoren mbi armiqtë (v. 7,8), frytshmërinë dhe praninë e Zotit (v. 9-13). Versioni i Knoksit (Knox) i vargut 13 është tejet i gjallë: «A nuk isha Unë që kam thyer zinxhirët e qafës suaj dhe që ju kam dhënë barrën e duhur si njerëz të lirë?».

B. Mallkimet për mosbindjen ndaj Perëndisë (26:14-39)

26:14-33 Mosbindja do të sillte tmerrin, ligështimin, pushtimin nga armiqtë, thatësirën, shterpësinë, bishat e fushës, murtajën dhe robërinë. Vargu 26 përshkruan gjendjen e zisë së bukës. Buka do të jetë aq e pakët, saqë dhjetë gra do të mund të pjekin aq sa u duhet në të njëjtën furrë, zakonisht aq e madhe sa për përdorimin e vetëm të një familjeje. Zia akoma më e ashpër paraqitet në vargun 29, ku mbizotëron kanibalizmi (shikoni 2 i Mbreterve 6:29 dhe Vajtimet 4:10 për një përmbushje historike të këtij paralajmërimi). 26:34-39 Mosbindja e zgjatur nga ana e Izraelit do të shkaktonte zënien rob të tyre nga një fuqi e huaj. Vendi i Izraelit do të gëzonte një periudhë pushimi të barabartë me numrin e viteve të shabatit, që populli nuk e vlerësonte. Kjo është ajo që ndodhi me robërinë babilonase. Gjatë viteve nga Sauli deri te robëria populli nuk i kishte zbatuar vitet e shabatit. Prandaj ata kaluan shtatëdhjetë vjet në mërgim dhe vendi gëzoi pushimin e tij (2 i Kronikave 36:20,21).

C. Ripërtëritja me anë të rrëfimit dhe pendimit (26:40-46)

Pjesa përfundimtare e kapitullit 26 paraqet një mënyrë shërimi përmes rrëfimit dhe pendimit të kombit të pabindur. Perëndia nuk do ta braktiste përgjithmonë popullin e Tij, por do të kujtonte besëlidhjen e Tij premtuar etërve të tyre.