Paraqitja dhe refuzimi i Mbretit (Mateu 21-23)

A. Hyrja ngadhënjimtare (21:1-11)

21:1-3 Rrugës që vinte nga Jerikoja, Jezusi erdhi nga ana lindore e Malit të Ullinjve ku ndodheshin Betania dhe Betfagia. Prej andej, rruga i vinte përqark pjesës jugore të Malit të Ullinjve, ulej në Luginën e Jehosafatit, kalonte përroin Kidron dhe ngjitej në Jeruzalem. Ai dërgoi dy dishepuj në Betani, duke paraditur se ata do të gjenin një gomare të lidhur dhe një pulishtë me të. Ata duhej t’i zgjidhnin kafshët e t’i sillnin te Jezusi. Nëse do t’i ndalonin, ata duhej të shpjegonin që Zoti kishte nevojë për ato kafshë. Atëherë pronari do të jepte pëlqimin. Ndoshta pronari e njihte Jezusin dhe i ishte ofruar që më parë për ta ndihmuar. Ndryshe, kjo ngjarje mund të tregojë gjithëdijen dhe autoritetin madhor të Zotit. Gjithçka ndodhi pikërisht ashtu siç kishte parathënë Jezusi. 21:4-5 Kërkimi i kafshëve përmbushi parathëniet e bëra nga Isaia dhe Zakaria:
«I thoni bijës së Sionit: ‘Ja po të vjen mbreti yt, zemërbutë, hipur mbi një gomare, madje një pulisht, pjellë e një kafshe barre’
21:6 Pasi dishepujt i kishin shtrirë rrobat e tyre mbi kafshë, Jezusi i hipi pulishtit (Mr. 11:7) dhe udhëtoi përpara drejt Jeruzalemit. Ishte një çast historik. Kishin përfunduar tashmë gjashtëdhjetë e nëntë javët e profecisë së Danielit, sipas z. Robert Anderson (shih llogaritjet e tij në librin The Coming Prince). Shpejt Mesia do të hiqej (Dan. 9:26). Duke udhëtuar për në Jeruzalem në këtë mënyrë, Zoti Jezus bëri hapur një deklarim të qëllimtë se ishte Mesia. Lange shënon:
Ai përmbush qëllimisht një profeci që në kohën e Tij interpretohej njëzëri për Mesian. Nëse më parë, shpalljen e dinjitetit të Tij Ai e kishte konsideruar si të rrezikshme, tani heshtjen Ai e llogarit si të pakonceptueshme…. Tani e tutje ishte e pamundur të thuhej se Ai nuk e kishte shpallur kurrë Vetveten në një mënyrë të plotë e të qartë. Më pas, kur Jeruzalemi të akuzohej për vrasjen e Mesias, ai s’do të ishte në gjendje të thoshte se Mesia kishte lënë pa dhënë një shenjë të kuptueshme për të gjithë njëlloj{{1}}.
21:7-8 Zoti udhëtoi në qytet mbi një qilim me mantele dhe degë palmash, me brohoritjen e njerëzve që kumbonte në veshët e Tij. Për një çast, të paktën, Ai ishte njohur si Mbret. 21:9 Turmat bërtisnin: «Hosana Birit të Davidit! Bekuar qoftë Ai që vjen në emër të Zotit!» Ky citim nga Psalmi 118:25-26 i aplikohet qartë ardhjes së Mesias. ‘Hosana’ donte të thoshte «shpëto tani.» Ndoshta njerëzit donin të thonin: «Shpëtona nga tiranët romakë.» Më vonë termi u bë një thirrje lavdërimi. Frazat «Bir i Davidit» dhe «Bekuar qoftë Ai që vjen në emër të Zotit» tregojnë qartë se Jezusi po përshëndetej si Mesi. Ai është i Bekuari që vjen me autoritetin e Jehovës për të bërë vullnetin e Tij. Tregimi i Markut regjistron si pjesë të britmave të turmës frazën: «E bekuar është mbretëria e Davidit, atit tonë, që vjen në emër të Zotit» (Mr. 11:10). Kjo tregon që turma mendoi se mbretëria ishte duke u themeluar me Krishtin të ulur në fronin e Davidit. Duke bërtitur: «Hosana në vendet shumë të larta!,» turma po i drejtohej qiejve për t’u bashkuar me tokën në lavdërimin e Mesias dhe ndoshta po i drejtohej Atij që t’i shpëtonte nga qiejt më të lartë. Marku 11:11 regjistron se, me të qenë në Jeruzalem, Jezusi shkoi në tempull, jo brenda tij, por në oborr. Thuhej se ishte shtëpia e Perëndisë, por Ai nuk ishte si në shtëpinë e Tij në këtë tempull, sepse priftërinjtë dhe populli nuk kishin pranuar t’i jepnin vendin që i takonte. Pasi hodhi një vështrim të shpejtë përreth, Shpëtimtari u largua për në Betani me të dymbëdhjetët. Ishte mbrëmja e një të diele. 21:10-11 Ndërkaq, brenda në qytet njerëzit ishin të hutuar në lidhje me identitetin e Tij. Atyre që pyetën iu tha vetëm se Ai ishte Jezusi, profeti nga Nazareti i Galilesë. Nga kjo duket se pak veta kuptuan vërtet se Ai ishte Mesia. Në më pak se një javë më vonë, turma e paqëndrueshme do të bërtiste: «Të kryqëzohet! Të kryqëzohet!»

B. Pastrim i tempullit (21:12-13)

21:12 Në fillim të shërbesë së Tij publike, Jezusi kishte dëbuar tregtimin nga rrethinat e tempullit (Gjoni 2:13-16), por fitimi me çmime të tepruara kishte mbirë përsëri në oborrin e jashtëm të tempullit. Silleshin kafshë dhe zogj për flijim dhe shiteshin me çmime shumë të larta. Këmbyesit e parave i kthenin monedhat e tjera në gjysmë-sikla, që judenjtë duhej të paguanin si tarifë (taksë) për tempullin, duke mbajtur kuota shumë të larta. Tani, ndërsa shërbesa e Tij po i afrohej fundit, Jezusi përsëri i dëboi ata që po fitonin nga veprimtaritë e shenjta. 21:13 Duke kombinuar citime nga Isaia dhe Jeremia, Ai e dënoi përdhosjen, tregtimin [komercializmin] dhe monopolizimin. Duke cituar nga Isaia 56:7, Ai u kujtoi atyre se Perëndia kishte ndër mend që tempulli të ishte një shtëpi lutjeje. Ata e kishin bërë një strofull kusarësh (Jer. 7:11). Ky pastrim i tempullit ishte akti i Tij i parë zyrtar pas hyrjes në Jeruzalem. Nëpërmjet tij, Ai pohoi në mënyrë të qartë sundimin e Tij mbi tempullin. Kjo ngjarje ka një mesazh të dyfishtë për sot. Në jetën tonë të Kishës, ne kemi nevojë për fuqinë e Tij pastruese që të dëbojë pazarllëqet, darkat dhe një mori marifetesh të tjera për të bërë para. Në jetët tona, ekziston një nevojë e vazhdueshme për shërbesën pastruese të Zotit në trupat tanë, tempujt e Frymës së Shenjtë.

C. Zemërim i priftërinjve dhe i skribëve (21:14-17)

21:14 Skena vijuese e gjen Zotin tonë duke shëruar të verbër dhe të çalë në oborrin e tempullit. Ai i tërhoqi nevojtarët kudo që shkoi dhe kurrë nuk i nisi pa ua plotësuar nevojën që kishin. 21:15-16 Por sy armiqësorë po vështronin. Dhe kur krerët e priftërinjve dhe skribët dëgjuan fëmijët ta përshëndetnin Jezusin Bir i Davidit, ata u tërbuan. Ata thanë: «A po dëgjon Ti çfarë thonë këta?,» sikur të prisnin që Ai t’i ndalonte fëmijët për t’iu drejtuar Atij si Mesi. Po qe se Jezusi s’do të ishte Mesia, kjo do të kishte qenë koha e duhur për ta thënë një herë e mirë këtë gjë, por përgjigjja e Tij tregoi se fëmijët ishin në rregull. Ai citoi nga Psalmi 8:2 nga Septuaginta: «Nga goja e të vegjëlve dhe e foshnjave në gji Ti ke përgatitur lavdi?» Nëse priftërinjtë dhe skribët, që mendohej të ishin të ditur, s’do ta lavdëronin Atë si të Vajosur, atëherë Zoti do të adhurohej nga fëmijë të vegjël. Shpesh fëmijët kanë mprehtësi frymërore që shkon përtej moshës që kanë dhe fjalët e tyre të besimit e të dashurisë i japin lavdi të jashtëzakonshme emrit të Zotit. 21:17 Duke i lënë udhëheqësit fetarë që ta bluanin në mendje këtë të vërtetë, Jezusi u kthye në Betani dhe kaloi natën atje.

D. Fiku i pafrytshëm (21:18-22)

21:18-19 Në mëngjes, duke u kthyer në Jeruzalem, Zoti pa një fik dhe iu afrua, duke shpresuar që të gjente fiq në të për të shuar urinë. Kur nuk gjeti asgjë në të përveç gjetheve, Ai tha: «Mos u lidhtë më kurrë fryt prej teje përjetëDhe fiku u tha menjëherë. Në tregimin e Markut (Mr. 11:12-14), komentohet se nuk ishte stina e fiqve. Kështu, dënimi i fikut nga ana e Tij do të dukej sikur e paraqiste Shpëtimtarin si të paarsyeshëm dhe të ashpër. Duke e ditur se kjo s’mund të jetë e vërtetë, si shpjegohet kjo vështirësi? Pema e fikut në vendet biblike prodhonte një fryt të hershëm të ngrënshëm para se të dilnin gjethet. Ishte një shenjë paralajmëruese e prodhimit të rregullt. Nëse nuk dilnin fiqtë e hershëm, si në rastin e këtij fiku, kjo tregonte se nuk do të kishte fiq si duhet më vonë. Kjo është e vetmja mrekulli në të cilën Krishti mallkoi në vend të bekimit, shkatërroi në vend të rikthimit të jetës. Kjo ka përbërë një vështirësi. Një kritikë e tillë dëshmon për një padije nga ana e Personit të Krishtit. Ai është Perëndi, Sovrani i gjithësisë. Disa nga qëndrimet e Tij janë misterioze për ne, por ne duhet të nisemi me premisën se ato janë gjithmonë të drejta. Në këtë rast, Zoti e dinte se fiku s’do të prodhonte kurrë fiq. Ai veproi siç do të bënte një bujk duke e hequr një pemë të pafrytshme nga pemishtja e tij. Edhe ata që e kritikojnë Zotin tonë për mallkimin e fikut e pranojnë se ishte një veprim simbolik. Kjo ndodhi është interpretimi nga e ana e Zotit i mirëpritjes së zhurmshme që sapo i ishte bërë në Jeruzalem. Sikurse hardhia dhe ulliri, fiku përfaqëson kombin e Izraelit. Kur Jezusi erdhi te ky komb, kishte gjethe, që flasin për deklarim, por jo fryt për Perëndinë. Jezusi ishte i uritur për fryte nga kombi. Ngaqë nuk kishte fryte të hershme, Ai e dinte se nuk do të kishte fryte të mëvonshme nga ai popull mosbesues dhe kështu Ai e mallkoi fikun. Kjo parapërshkruante gjykimin që do të binte mbi kombin në vitin 70 mK. Duhet të kujtojmë që, ndërsa Izraeli mosbesues do të jetë i pafrytshëm përgjithmonë, një mbetje e kombit do të kthehet te Mesia mbas Rrëmbimit. Ata do të japin fryt për Të gjatë Mundimit dhe gjatë Mbretërimit të Tij Mijëvjeçar. Megjithëse interpretimi parësor i kësaj pjese ka të bëjë me kombin e Izraelit, ai u aplikohet njerëzve të të gjitha epokave që bashkë kanë llafe shumë e punë pak. 21:20-22 Kur dishepujt u shtangën me tharjen e papritur të pemës, Zoti u tha atyre se ata mund të bënin mrekulli më të mëdha sesa kjo, po të kishin besim. Për shembull, ata mund t’i thonin një mali: «Hiqu andej dhe hidhu në det» dhe kjo do të ndodhte. «Dhe gjithçka të kërkoni në lutje, duke patur besim, do të merrni.» Përsëri ne duhet të shpjegojmë se këto premtime në lidhje me lutjen, të pakushtëzuara në dukje, duhen kuptuar nën dritën e të gjithë asaj që Bibla mëson mbi këtë temë. Vargu 22 nuk do të thotë se çdo i krishterë mund të kërkojë gjithçka që do dhe mund të presë që ta marrë atë gjë. Ai duhet të lutet në përputhje me kushtet e vëna në Bibël.

E. Diskutimi i autoritetit të Jezusit (21:23-27)

21:23 Kur Jezusi hyri në oborrin e jashtëm të vetë tempullit, krerët e priftërinjve dhe pleqtë e ndërprenë mësimin e Tij për ta pyetur se kush ia dha Atij këtë pushtet për të mësuar, për të kryer mrekulli e për të pastruar tempullin. Ata shpresuan ta zinin në grackë Atë, pavarësisht nga përgjigjja që do të jepte. Në qoftë se Ai do të deklaronte se kishte pushtet në Vetvete, duke qenë Biri i Perëndisë, ata do ta akuzonin për blasfemi. Në qoftë se do të deklaronte se e kishte autoritetin nga njerëzit, ata do ta diskreditonin. Nëse Ai do të deklaronte se kishte pushtet nga Perëndia, ata do ta sfidonin. Ata e konsideronin vetveten si mbrojtës të besimit, profesionistë që, nëpërmjet përgatitjes zyrtare dhe caktimit njerëzor, ishin të autorizuar për të drejtuar jetën fetare të popullit. Jezusi nuk kishte shkollim zyrtar dhe sigurisht as kredenciale nga sundimtarët e Izraelit. Sfida e tyre pasqyroi zemëratën e lashtë të ndjerë nga fetaristët profesionistë kundër njerëzve që kanë fuqinë e vajosjes hyjnore. 21:24-25 Jezusi ofroi se do ta shpjegonte çështjen e autoritetit të Tij, në qoftë se ata do t’i përgjigjeshin një pyetjeje: «A ishte nga qielli apo nga njerëzit pagëzimi i Gjonit?» Pagëzimi i Gjonit duhet kuptuar se do të thotë shërbesa e Gjonit. Kështu, pyetja ishte: «Kush e autorizoi Gjonin për ta çuar përpara atë shërbesë? A ishte njerëzor apo hyjnor rekomandimi i Tij? Çfarë kredencialesh mori ai nga udhëheqësit e Izraelit?» Përgjigjja ishte e qartë: Gjoni ishte një njeri i dërguar nga Perëndia. Autoriteti i tij erdhi nga vajosja hyjnore, jo nga miratimi njerëzor. Priftërinjtë dhe pleqtë ishin në dilemë. Po të pohonin se Gjoni ishte dërguar nga Perëndia, ata do të ishin zënë në lak. Gjoni i kishte drejtuar njerëzit te Jezusi si Mesi. Nëse pushteti i Gjonit ishte hyjnor, atëherë përse nuk ishin penduar ata dhe pse nuk kishin besuar në Krishtin? 21:26 Nga ana tjetër, po të thonin se Gjoni nuk ishte i ngarkuar nga Perëndia, ata do të zinin një pozicion që do të përqeshej nga njerëzit, shumica e të cilëve ishin të mendimit se Gjoni ishte një profet nga Perëndia. Po të përgjigjeshin në mënyrë korrekte se Gjoni ishte i dërguar hyjnisht, ata do të kishin përgjigjen ndaj vetë pyetjes së tyre: Jezusi ishte Mesia, pararendësi i të cilit kishte qenë Gjoni. 21:27 Por ata refuzuan t’i dilnin përballë fakteve, kështu që bënë sikur nuk dinin. Ata s’mund të thonin se kush ishte burimi i pushtetit dhe i autoritetit të Gjonit. Atëherë Jezusi tha: «As unë nuk do t’ju them me ç’pushtet i bëj këto gjëra.» Pse duhej t’u thoshte atyre diçka që ata tashmë e dinin, por nuk ishin të gatshëm që ta pranonin?

F. Shëmbëlltyra e dy bijve (21:28-32)

21:28-30 Kjo shëmbëlltyrë është një qortim therës ndaj krerëve të priftërinjve dhe pleqve në lidhje me neglizhimin e tyre për t’iu bindur thirrjes së Gjonit për t’u penduar dhe për të besuar. Ajo ka të bëjë me një njeri, dy bijve të të cilit u ishte kërkuar që të punonin në vresht. Njëri nuk pranoi, por pastaj ndryshoi mendim dhe shkoi. Tjetri ishte dakord që të shkonte, por s’e bëri kurrë një gjë të tillë. 21:31-32 Kur u pyetën se cili bir kreu vullnetin e të atit, pa dashje udhëheqësit fetarë dënuan vetveten duke thënë: «I pari.» Zoti e interpretoi shëmbëlltyrën. Tagrambledhësit dhe prostitutat ishin si djali i parë. Ata nuk u hoqën sikur iu bindën menjëherë Gjon pagëzorit, por, me sa duket, shumë prej tyre u penduan dhe besuan në Jezusin. Udhëheqësit fetarë ishin si djali i dytë. Ata deklaruan se e miratonin predikimin e Gjonit, por nuk i rrëfyen kurrë mëkatet e tyre, nuk e vunë kurrë besimin te Shpëtimtari. Si rrjedhim, mëkatarët me nam hynë në mbretërinë e Perëndisë, ndërsa udhëheqësit e vetëkënaqur fetarë qëndruan jashtë. Edhe sot është e njëjta gjë. Mëkatarë që pranojnë pozitën e tyre si të tillë e marrin Ungjillin më me gatishmëri sesa ata që kanë një rimeso perëndishmërie të rremë. Shprehja «Gjoni erdhi tek ju në rrugën e drejtësisë» do të thotë se ai erdhi duke predikuar nevojshmërinë e drejtësisë përmes pendimit dhe besimit.

G. Shëmbëlltyra e vreshtarëve të këqij (21:33-46)

21:33-39 Duke iu përgjigjur më tej pyetjes në lidhje me pushtetin, Jezusi tregoi një shëmbëlltyrë me një pronar shtëpie, i cili mbolli një vresht, e rrethoi me gardh, gërmoi një vend ku të shtrydhte rrushin, ndërtoi një kullë, ua dha me qira disa vreshtarëve dhe u nis për në një vend të largët. Kur erdhi koha e të vjelave, ai dërgoi shërbëtorët e vet te vreshtarët që të merrte pjesën e tij të prodhimit, por vreshtarët…njërin e rrahën, një tjetër e vranë dhe një tjetër e vranë me gurë. Kur ai dërgoi shërbëtorë të tjerë, ata u trajtuan në të njëjtën mënyrë. Herën e tretë ai u dërgoi atyre birin e vet, me mendimin se ata do të kenë respekt për të. Duke e ditur fare mirë që ishte trashëgimtari, ata e vranë atë, duke menduar që të shtinin në dorë trashëgiminë e tij. 21:40-41 Në këtë pikë, Zoti u kërkoi priftërinjve dhe pleqve se çfarë do t’u bënte pronari këtyre vreshtarëve. Ata u përgjigjën: «Ai do t’i vrasë keqas ata faqezinj dhe do t’ua besojë vreshtin vreshtarëve të tjerë, të cilët do t’i japin prodhimet në kohën e vet.» Shëmbëlltyra nuk është e vështirë për t’u interpretuar. Perëndia është pronari i shtëpisë, ndërsa Izraeli është vreshti (Psa. 80:8; Isa. 5:1-7; Jer. 2:21). Gardhi është Ligji i Moisiut, i cili ndante Izraelin nga johebrenjtë dhe e ruante atë si një popull i veçantë për Zotin. Shtrydhësja e rrushit simbolizon domethënien e frytit që Izraeli duhej të kishte prodhuar për Perëndinë. Kulla të jep idenë e kujdesit syhapur të Jehovës për popullin e Tij. Vreshtarët janë kryepriftërinjtë dhe skribët. Perëndia i dërgoi herë pas here shërbëtorët e Tij dhe profetët te populli i Izraelit, duke kërkuar nga vreshti frytet e bashkësisë, të shenjtërisë dhe të dashurisë, por njerëzit i përndoqën profetët dhe disa prej tyre i vranë. Së fundi, Perëndia dërgoi Birin e Tij, duke thënë: «Për Djalin Tim do të kenë respekt!» (v 37). Kryepriftërinjtë dhe skribët thanë: «Ky është trashëgimtari.» Një pohim vendimtar. Veçmas ata ishin të mendimit që Jezusi ishte Biri i Perëndisë (ndonëse publikisht e mohonin këtë) dhe kështu ata iu përgjigjën vetë pyetjes së tyre në lidhje me pushtetin e Tij. Pushteti i Tij erdhi nga fakti se Ai ishte Perëndia Bir. Në shëmbëlltyrë ata citohen duke thënë: «Ky është trashëgimtari; ejani, ta vrasim dhe të marrim si pronë trashëgiminë e tij» (v 38). Në të vërtetë, ata thanë: «Po ta lëmë të vazhdojë kështu, të gjithë do të besojë në Të, do të vijnë romakët dhe do të shkatërrojnë vendin dhe kombin tonë» (Gjoni 11:48). Dhe kështu ata e refuzuan, e flakën dhe e kryqëzuan Atë. 21:42 Kur Shpëtimtari pyeti se çfarë do të kishte bërë pronari i vreshtit, përgjigjja e tyre i dënoi ata, siç e tregon Ai në vargjet 42 dhe 43. Ai citoi fjalët nga Psalmi 118:22: «Guri, që ndërtuesit e nxorën të papërdorshëm, u bë guri i qoshes. Kjo është vepër e Zotit dhe është e mrekullueshme në sytë tonë.» Kur Krishti, Guri, ua paraqiti Veten e Tij ndërtuesve, udhëheqësve të Izraelit, ata nuk kishin asnjë vend për Të në planet e tyre ndërtimore. Ata e hodhën Atë mënjanë si të papërdorshëm, por pas vdekjes, Ai u ngrit nga të vdekurit dhe Atij iu dha posti i epërsisë nga Perëndia. Ai ishte bërë guri i qoshes në ndërtesën e Perëndisë: «Perëndia e lartësoi madhërisht dhe i dha një emër që është përmbi çdo emër» (Filipianeve 2:9). 21:43 Pastaj Jezusi lajmëroi hapur se mbretëria e Perëndisë do të hiqej nga Izraeli e do t’i jepej një kombi që do ta bëjë të japë fryt. Dhe kështu ndodhi. Izraeli është lënë mënjanë si popull i zgjedhur i Perëndisë dhe është verbuar nga gjykimi hyjnor. Një ngurtësim ka rënë mbi racën që refuzoi Mesian e saj. Profecia se mbretëria e Perëndisë do t’i jepej një kombi që do ta bëjë të japë fryt është kuptuar se i referohet: (1) Kishës, që përbëhet nga judenj dhe johebrenj besimtarë, «një komb i shenjtë, një popull i fituar» (1 Pjetrit 2:9); ose (2) pjesës besimtare të Izraelit që do të jetojë në Ardhjen e Dytë. Izraeli i shpenguar do të japë fryt për Perëndinë. 21:44 «Dhe ai që do të bjerë mbi këtë gur do të bëhet copë-copë; dhe ai mbi të cilin do të bjerë ai do të jetë i thërrmuar.» Në pjesën e parë të vargut, guri është mbi tokë, ndërsa në pjesën e dytë është duke zbritur prej lart. Kjo sugjeron dy Ardhjet e Krishtit. Kur erdhi herën e parë, udhëheqësit judenj u penguan në Të e u bënë copë e çikë. Kur të vijë sërish, Ai do të zbresë me gjykim, duke i shpërndarë armiqtë e Tij si pluhur. 21:45-46 Krerët e priftërinjve dhe farisenjtë e morën vesh se këto shëmbëlltyra u drejtoheshin drejtpërdrejt atyre, në përgjigje të pyetjes që kishin bërë në lidhje me pushtetin e Krishtit. Ata do të kishin dashur ta arrestonin Atë aty për aty, por kishin frikë nga turmat, që ende e konsideronin Jezusin se ishte një profet.

H. Shëmbëlltyra e gostisë së dasmës (22:1-14)

22:1-6 Jezusi nuk kishte mbaruar me krerët e priftërinjve dhe me farisenjtë. Në një shëmbëlltyrë të një dasme, Ai përshkroi sërish Izraelin e favorizuar si të vënë mënjanë dhe johebrenjtë e përçmuar si të ftuar në tryezë. Ai e krahasoi mbretërinë e qiejve me një farë mbreti, i cili përgatiti gostinë e dasmës së të birit. Ftesa ishte në dy faza. E para ishte një ftesë e përparme, e njoftuar nga vetë shërbëtorët, që ndeshi në një refuzim kategorik, ndërsa ftesa e dytë përmbante lajmin se gostia ishte shtruar. Kjo u trajtua me përbuzje nga disa, që ishin tepër të zënë me fermat dhe punët e tyre dhe dhunshëm nga disa të tjerë, të cilët i kapën shërbëtorët, i keqtrajtuan dhe i vranë. 22:7-10 Mbreti u zemërua shumë aq sa i shfarosi ata gjakësorë dhe e dogji qytetin e tyre. Duke e grisur listën e të ftuarve të parë, ai u bëri një ftesë të përgjithshme të gjithë atyre që do të vinin. Këtë radhë nuk mbeti as edhe një vend bosh aty ku bëhej dasma. 22:11-13 Megjithatë, midis të ftuarve ishte një që nuk kishte veshur rrobë dasme. I sfiduar për mënyrën e tij të pavend për të marrë pjesë, ai mbylli gojën. Mbreti urdhëroi që ai të nxirrej jashtë natën, ku do të kishte të qara dhe kërcëllim dhëmbësh. Pjesëmarrësit në vargun 13 nuk janë të njëjtët shërbëtorë të vargut 3. 22:14 Zoti ynë e mbylli shëmbëlltyrën me fjalët: «Sepse shumë janë të thirrur, por pak janë të zgjedhur.» Në lidhje me kuptimin e shëmbëlltyrës, mbreti është Perëndia, ndërsa Biri i Tij është Zoti Jezus. Gostia e dasmës është një përshkrim i përshtatshëm i gëzimit festiv që karakterizon mbretërinë e qiejve. Futja e Kishës si nuse e Krishtit në këtë shëmbëlltyrë e ndërlikon kuadrin pa qenë e nevojshme. Ideja kryesore është vënia mënjanë e Izraelit e jo thirrja dhe fati i veçantë i Kishës. Faza e parë e ftesës përshkruan Gjon pagëzorin dhe të dymbëdhjetë dishepujt tek e ftojnë plot hir Izraelin në gostinë e dasmës, por kombi refuzoi të pranonte. Fjalët «ata nuk deshën të vijnë» (v 3) ishin dramatizuar në kulm te kryqëzimi. Faza e dytë e ftesës sugjeron shpalljen e Ungjillit që u bëhet judenjve në librin e Veprave. Disa e trajtuan mesazhin me përbuzje. Disa i trajtuan dhunshëm lajmëtarët. Shumica e apostujve ishin martirizuar. Mbreti, me të drejtë i zemëruar me Izraelin, dërgoi «ushtritë e veta,» domethënë Titusin dhe legjionet romake të tij, për ta shkatërruar Jeruzalemin dhe shumicën e popullit të tij në vitin 70 mK. Ato ishin «ushtritë e veta» në kuptimin që Ai i përdori si vegla të Tij për ta ndëshkuar Izraelin. Ishin të Tijat zyrtarisht megjithëse ato nuk e njihnin Atë personalisht. Tani Izraeli është lënë mënjanë si komb dhe Ungjilli kalon te johebrenjtë, të mirë e të këqij, domethënë, të të gjitha niveleve të shoqërisë (Veprat e Apostujve 13:45-46; 28:28), por realiteti i çdo individi që vjen provohet. Njeriu pa rrobë dasme është ai që deklaron se është gati për mbretërinë, por që nuk është veshur kurrë me drejtësinë e Perëndisë përmes Zotit Jezus Krisht (2 e Korintasve 5:21). Në të vërtetë nuk kishte (dhe nuk ka) justifikim për njeriun që ishte pa rrobë dasme. Ryrie shënon se ishte zakon atëherë që t’i merrej një rrobë miqve nëse ata nuk kishin. Me sa duket njeriu nuk e shfrytëzoi rastin që të merrte nga çfarë iu ofrua. Pa Krishtin ai është pa gojë atëherë kur sfidohet në lidhje me të drejtën e tij për të hyrë në mbretëri (Rom. 3:19). Dënimi i tij është errësira e jashtme ku ka qarje dhe kërcëllim dhëmbësh. Qarja sugjeron vuajtjet e ferrit. Disa sugjerojnë se kërcëllima e dhëmbëve do të thotë urrejtje dhe rebelim i vazhdueshëm kundër Perëndisë. Nëse është kështu, kjo hedh poshtë mendimin se flakët e ferrit ushtrojnë një efekt pastrues. Vargu 14 i referohet tërë shëmbëlltyrës e jo vetëm ngjarjes lidhur me njeriun pa rrobë dasme. Shumë janë të thirrur, që do të thotë se ftesa e Ungjillit shkon te shumë veta, por pak janë të zgjedhur. Disa e refuzojnë ftesën. Madje edhe nga ata që përgjigjen në mënyrë të favorshme, disa dalin se janë besimtarë të rremë. Të gjithë ata që i përgjigjen lajmit të mirë janë të zgjedhur. E vetmja mënyrë se si një person mund të thotë nëse ai është i zgjedhur është nëpërmjet asaj që ai bën me Zotin Jezus Krisht. Siç e thotë Jennings: «Të gjithë janë të thirrur që të kënaqen në gosti, por jo të gjithë janë të gatshëm t’i besojnë Dhuruesit lidhur me sigurimin e rrobës së duhur për gostinë [drejtësi nëpërmjet besimit].»

I. T’i japësh Cezarit dhe jo Perëndisë (22:15-22)

Kapitulli 22 është një kapitull pyetjesh, që shënon përpjekje të bëra nga tre delegacione të ndryshme për ta zënë në kurth Birin e Perëndisë. 22:15-16 Këtu kemi një përpjekje nga farisenjtë dhe herodianët. Këto dy parti ishin armike deri në fund të bëra bashkë përkohësisht nga një urrejtje e përbashkët kundër Shpëtimtarit. Qëllimi i tyre ishte që ta joshnin Krishtin për të bërë një shpallje politike me pasoja të rrezikshme. Ata shfrytëzuan ndarjen e judenjve në lidhje me besnikërinë ndaj Cezarit. Disa iu kundërvunë flakët nënshtrimit ndaj perandorit johebre. Disa të tjerë, si herodianët, adoptuan një këndvështrim më tolerant. 22:17 Në radhë të parë, ata përshëndetën në mënyrë të pasinqertë pastërtinë e Tij si karakter, vërtetësinë dhe guximin që kishte. Pastaj ata shkarkuan pyetjen e rëndë: «A është e ligjshme t’i paguhet taksa Cezarit apo jo?» Po të përgjigjej: «Jo,» Jezusi jo vetëm që do t’i kundërvihej herodianëve, por do të akuzohej për kryengritje kundër qeverisë romake. Farisenjtë do ta kishin larguar Atë me ngut dhe do të kishin hapur padi kundër Tij. Po të thoshte: «Po,» Ai do të ishte përplasur me frymën intensive nacionaliste të judenjve. Do të kishte humbur aq mbështetje nga njerëzit e zakonshëm, mbështetje që aq shumë i pengonte udhëheqësit në përpjekjet e tyre për ta hequr qafe. 22:18-19 Jezusi i denoncoi hapur ata si hipokritë, që po përpiqeshin ta zinin Atë në kurth. Pastaj Ai u kërkoi atyre që t’i tregonin një denar, monedhën që përdorej për t’i paguar taksat qeverisë romake. Sa herë që judenjtë shikonin pamjen dhe emrin e Cezarit në monedhë, kjo gjë përbënte një kujtim ngacmues për faktin që ata ishin nën pushtetin dhe tatimin johebre. Denari duhet t’u ketë kujtuar se skllavëria e tyre ndaj Romës ishte një rrjedhojë e mëkatit të tyre. Po të ishin të vërtetë me Jehovën, çështja e pagimit të taksave Cezarit nuk do të ishte ngritur kurrë. 22:20-21 Jezusi i pyeti ata: «E kujt është kjo fytyrë dhe ky mbishkrim?» Ata ishin të detyruar të përgjigjeshin: «E Cezarit.» Atëherë Zoti u tha atyre: «I jepni, pra, Cezarit atë që i përket Cezarit dhe Perëndisë atë që i përket Perëndisë.» Pyetja e tyre kishte patur efektin e bumerangut. Ata kishin shpresuar ta zinin në grackë Jezusin me pyetjen në lidhje me haraçin për Cezarin. Ai zbuloi neglizhimin e tyre për t’i dhënë nderimin Perëndisë. E hidhur siç ishte, ata i jepnin Cezarit atë që i takonte, por ata kishin shpërfillur atë që kërkonte Perëndia në jetët e tyre. Përpara tyre qëndronte Një që është shëmbëlltyra e shprehur e Personit të Perëndisë (Heb. 1:3) dhe ata nuk arritën t’i jepnin Atij vendin e duhur. Përgjigjja e Jezusit tregon se besimtari ka qytetari të dyfishtë. Ai është përgjegjës për t’iu bindur dhe për ta mbështetur financiarisht qeverinë njerëzore. Ai nuk duhet të flasë keq për sundimtarët e tij dhe as të punojë për ta përmbysur qeverinë e tij. Ai duhet të lutet për ata që janë në pushtet. Si një qytetar i qiellit, ai është përgjegjës për t’iu bindur Perëndisë. Nëse ndodh të ketë ndonjë konflikt midis të dyve, ai duhet të jetë besnik në radhë të parë ndaj Perëndisë (Veprat e Apostujve 5:29). Duke cituar vargun 21, shumica prej nesh thekson pjesën që ka të bëjë me Cezarin dhe kapërcen lehtë pjesën që ka të bëjë me Perëndinë, pikërisht gabimi për të cilin i qortoi Jezusi farisenjtë! 22:22 Kur farisenjtë dëgjuan përgjigjen e Tij, ata e morën vesh se ishin të mundur. Ajo çfarë mundën të bënin ishte të mbeteshin të mrekulluar e pastaj të largoheshin.

J. Saducenjtë dhe gjëegjëza e tyre e ringjalljes (22:23-33)

22:23-24 Siç është përmendur më parë, saducenjtë ishin teologët liberal të asaj kohe, që mohonin ringjalljen e trupit, ekzistencën e engjëjve dhe mrekullitë. Në fakt, mohimet e tyre ishin më të shumta sesa pohimet e tyre. Një grup prej tyre shkoi te Jezusi me një histori që kishte për synim ta bënte që të dukej qesharake idenë e ringjalljes. Ata i kujtuan Atij ligjin në lidhje me martesën levirate [d.m.th. në rastin e vdekjes, vëllai i burrit merr për grua nusen e të vëllait] (Ligji i Perterire 25:5). Nën ligj, në qoftë se një izraelit vdiste pa lënë fëmijë, ishte menduar që i vëllai të martohej me të vejën, në mënyrë që të ruante emrin e familjes në Izrael dhe të kishte trashëgimtarë brenda familjes. 22:25-28 Gjëegjëza kishte të bënte me një grua që humbi të shoqin dhe pastaj u martua me njërin prej vëllezërve të tij. Vëllai i dytë vdiq, kështu që ajo u martua me të tretin e kështu me radhë deri tek i shtati. Së fundi, vdiq edhe gruaja. Pastaj erdhi pyetja që synonte ta poshtëronte Atë i cili është vet ringjallja (Gjoni 11:25): «Në ringjallje, pra, e kujt nga këta të shtatë do të jetë grua? Sepse të gjithë e patën grua22:29 Në thelb, ata po tregonin se ideja e ringjalljes parashtronte vështirësi të pakapërcyeshme, kështu që nuk ishte e arsyeshme, prandaj nuk ishte e vërtetë. Jezusi u përgjigj se vështirësia nuk qëndronte te doktrina, por në mendjet e tyre. Ata ishin të paditur në lidhje me Shkrimin dhe pushtetin e Perëndisë. Në radhë të parë, ata ishin të paditur në lidhje me Shkrimin. Bibla nuk thotë asnjëherë se marrëdhënia burrë-grua do të vazhdojë në qiell. Ndërsa do të njihen burrat se janë burra dhe gratë se janë gra, të gjithë këta do të jenë si engjëj në kuptimin që as nuk martohen dhe as nuk japin për të martuar. Së dyti, ata ishin të paditur në lidhje me pushtetin e Perëndisë. Nëse Ai mundi t’i krijonte njerëzit nga pluhuri, a nuk mundte po aq lehtë Ai të ngrinte pluhurin e atyre që kishin vdekur dhe ta riformonte atë në trupa lavdie? 22:30-32 Atëherë Zoti Jezus solli një argument nga Shkrimi për të treguar se ringjallja është një nevojshmëri absolute. Tek Eksodi 3:6, Perëndia foli për Veten e Tij si Perëndia i Abrahamit,…i Isakut dhe i Jakobit. Sidoqoftë Jezusi vuri në pah: «Perëndia nuk është Perëndia i të vdekurve, por i të gjallëve.» Perëndia bëri besëlidhje me këta njerëz, por ata vdiqën përpara se besëlidhjet të përmbusheshin plotësisht. Si mund të flasë Perëndia për Veten e Tij si Perëndia i tre njerëzve, trupat e të cilëve janë në varr? Ai që nuk rri pa i mbajtur premtimet e Tij, si mundet t’i përmbushë ato që ua ka bërë njerëzve që tashmë kanë vdekur? Ka vetëm një përgjigje: ringjallje. 22:33 Pa dyshim që turmat…habiteshin nga doktrina e Tij. Edhe ne gjithashtu!

K. Urdhërimi i madh (22:34-40)

22:34-36 Farisenjtë, kur dëgjuan se Jezusi ua kishte zënë gojën saducenjve, antagonistëve të tyre, shkuan tek Ai për një takim. Zëdhënësi i tyre, mësues i ligjit, i kërkoi Jezusit që të veçonte atë që ishte urdhërimi i madh i ligjit. 22:37-38 Në një mënyrë mjeshtërore, Zoti Jezus përmblodhi detyrimin e njeriut ndaj Perëndisë si urdhërimi i parë dhe i madhi: «Duaje Zotin, Perëndinë tënd me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.» Tregimi i Markut shton frazën: «e me gjithë forcën tënde» (Mr. 12:30). Kjo do të thotë se detyra e parë e njeriut është ta dojë Perëndinë me tërësinë e qenies së tij. Siç është treguar tashmë: zemra flet për natyrën emocionale, shpirti për natyrën e vullnetshme, mendja për natyrën intelektuale dhe forca për natyrën fizike. 22:39-40 Pastaj Jezusi shtoi se përgjegjësia e dytë e njeriut është që ta dojë të afërmin e tij porsi vetveten. Barnes thotë: «Dashuria ndaj Perëndisë dhe ndaj njeriut përfshin tërësinë e fesë; zgjimi i kësaj ka qenë synimi i Moisiut, i profetëve, i Shpëtimtarit dhe i apostujve.» Ne duhet t’i peshojmë shpesh fjalët: «Duaje të afërmin tënd porsi vetveten.» Ne duhet të mendojmë se sa shumë e duam vetveten, se sa shumë veprimtaria jonë përqendrohet rreth kujdesit dhe rehatisë së vetes sonë. Pastaj duhet të përpiqemi të mendojmë se si do të ishte vallë po ta tregonin atë dashuri ndaj të afërmve tanë. Atëherë ne duhej ta bënim atë gjë. Një sjellje e tillë nuk është e natyrshme; është e mbinatyrshme. Vetëm ata që kanë lindur sërish mund ta bëjnë atë e pastaj vetëm duke lejuar Krishtin ta bëjë atë përmes tyre.

I. Biri i Davidit është Zoti i Davidit (22:41-46)

22:41-42 Ndërsa farisenjtë ishin ende të shtangur nga përgjigjja që Jezusi i kishte dhënë mësuesit të ligjit, Ai i përballi ata me një problem provokues. «Ç’u dukej atyre për Krishtin? Biri i kujt është?» Shumica e farisenjve nuk besonin se Jezusi ishte Krishti. Ata ishin ende në pritje të Mesias. Kështu Jezusi nuk po u kërkonte atyre: «Çfarë mendoni për Mua?» (megjithëse kjo ishte e përfshirë, sigurisht). Ai po pyeste në një mënyrë të përgjithshme se Biri i kujt do të ishte Mesia kur të shfaqej. Ata u përgjigjën drejt se Mesia do të ishte një pasardhës i Davidit. 22:43-44 Atëherë Zoti Jezus citoi Psalmin 110:1 ku Davidi ka thënë: «ZOTI i ka thënë Zotit tim: ‘Ulu në të djathtën Time, deri sa Unë t’i vë armiqtë e Tu si stol të këmbëve të Tua’.» Përdorimi i parë i fjalës «ZOT» i referohet Perëndisë Atë, ndërsa i dyti Mesias. Kështu Davidi foli për Mesian si për Zotin e tij. 22:45 Tani Jezusi bëri pyetjen: «Në qoftë se Davidi e quan Zot, si mund të jetë Ai Biri i tij?» Përgjigjja është se Mesia është edhe Zoti i Davidit edhe Biri i Davidit, Perëndi edhe Njeri. Si Perëndi, Ai është Zoti i Davidit; si Njeri, Ai është Biri i Davidit. Sikur farisenjtë të kishin qenë vetëm të aftë për shkollë, ata do ta kishin marrë vesh se Jezusi ishte Mesia, Biri i Davidit përmes linjës së Marisë dhe Biri i Perëndisë siç zbulohej nga fjalët, veprat dhe rrugët e Tij. 22:46 Por ata nuk pranuan të shohin. Krejtësisht të hutuar nga urtësia e Tij, ata i dhanë fund përpjekjeve për t’i bërë Atij dredhi me pyetje. Këtej e tutje ata do të përdorin një metodë tjetër, dhunën.

M. Paralajmërime në lidhje me ‘Fjalë shumë – jetë kërkund’ (Fjalëmadh-punëpak) (23:1-12)

23:1-4 Në vargjet hapëse të këtij kapitulli, Shpëtimtari i paralajmëron turmat dhe dishepujt e Tij në lidhje me skribët dhe farisenjtë. Këta udhëheqës uleshin mbi katedrën e Moisiut ose u mësonin të tjerëve Ligjin e Moisiut. Në përgjithësi, mësimet e tyre ishin për t’u besuar, por jo praktika e tyre. Besojma e tyre ishte më e mirë sesa sjellja e tyre. Ishte një çështje ‘fjalë shumë e jetë kërkund’. Kështu Jezusi tha: «Zbatoni, pra, dhe bëni gjithçka t’ju thonë të zbatoni; por mos bëni si bëjnë ata, sepse thonë, por nuk e bëjnë.» Kërkesat e tyre ndaj njerëzve ishin të rënda (ka mundësi, interpretime të skajshme të shkronjës së ligjit), por as që bëhej fjalë të ndihmonin ndokënd për t’i çuar këto barrë të padurueshme. 23:5 Ata kryenin rite fetare në mënyrë që të shiheshin nga njerëzit e jo nga sinqeriteti i brendshëm. Përdorimi i filaterive nga ana e tyre ishte një shembull. Duke e urdhëruar Izraelin që t’i lidhte fjalët e Tij si një shenjë mbi duar dhe si ballore midis syve (Eksodi 13:9, 16; Ligji i Perterire 6:8; 11:18), Perëndia donte të thoshte se ligji duhej të ishte vazhdimisht përpara tyre, duke drejtuar veprimtaritë që kryenin. Ata e kufizuan këtë urdhërim frymëror në një kuptim të mirëfilltë fizik. Duke futur pjesë të Shkrimit në kapsula lëkure, ata i lidhnin ato në ballë ose ndër krahë. Ata nuk ishin të merakosur në lidhje me bindjen ndaj ligjit për sa kohë që, duke veshur filateri të shumta qesharake, ata dukeshin super-frymëror. Gjithashtu ligji i urdhëronte judenjtë të vinin tufëza me kordonë blu në cepat e rrobave të tyre (Num. 15:37-41; Ligji i Perterire 22:12). Këto shenja dalluese ishin me qëllim që t’u kujtonin atyre se ishin një popull i veçantë dhe se ata duhej të ecnin të ndarë nga kombet. Farisenjtë e lanë pas dore mësimin frymëror dhe e kënaqën veten e tyre duke bërë thekë më të gjata. 23:6-8 Ata shfaqnin vetë-rëndësinë e tyre duke u zënë për vendet e nderit në gosti dhe në sinagoga. Ata e ushqenin krenarinë e tyre me përshëndetjet në sheshe dhe u pëlqente sidomos që të thirreshin rabbi, që do të thotë «i madhi im» ose «mësues.» 23:9-10 Këtu Zoti i paralajmëroi dishepujt e Tij që të mos përdoreshin tituj dallues që duhen rezervuar për Hyjninë. Ne nuk duhet të quhemi rabbi, duke qenë ky si një titull dallues, për arsye se një është Mësuesi…: Krishti. Ne s’duhet të quajmë askënd at; Perëndia është Ati ynë. Weston shkruan me mprehtësi:
Është një deklarim i marrëdhënieve thelbësore të njeriut me Perëndinë. Tri gjëra përbëjnë një të krishterë: çfarë ai është, çfarë beson, çfarë bën; doktrinë, përvojë, praktikë. Për qenien e tij frymërore njeriu ka nevojë për tri gjëra: jetë, udhëzim, drejtim; pikërisht çfarë Zoti ynë deklaron në shtatë fjalët e Ungjillit: «Unë jam udha, e vërteta dhe jeta»…. Mos njih asnjë njeri si Atë, sepse asnjë njeri s’mund të japë apo të mbështesë jetën frymërore. Mos cakto asnjë njeri si mësues të pagabueshëm. Mos lejo askënd që të zërë vendin e drejtuesit frymëror. Marrëdhënia jote me Perëndinë dhe me Krishtin është aq intime sa ç’është ajo me çdo person tjetër{{2}}.
Kuptimi i qartë i fjalëve të Shpëtimtarit është që, në mbretërinë e qiejve, të gjithë besimtarët formojnë një vëllazëri të barabartë ku s’ka vend për tituj dallues që një person e vënë më lart se një tjetër. Sidoqoftë mendo për titujt e fryrë që ndeshen në krishterimin e sotëm: Imzot, Hirësi, Atë, Papa e një mori titujsh të tjerë. Edhe titulli «Doktor,» në dukje pa asgjë të keqe, do të thotë «Mësues» në latinisht (Kjo vërejtje u aplikohet në mënyrë të qartë marrëdhënieve frymërore më tepër se sa marrëdhënieve të natyrshme, profesionale apo akademike. Për shembull, nuk është se e ndalon një fëmijë që ta thërrasë prindin e tij «atë» ose «baba» apo që një pacient t’i drejtohet mjekut të tij me fjalën «doktor»). Për sa u përket marrëdhënieve tokësore, rregulli është: «Druajtje atij që është për t’u druajtur, nderimin atij që është për nderim» (Rom. 13:7). 23:11-12 Edhe një herë karakteri revolucionar i mbretërisë së qiejve është parë në faktin që të jesh i madh në të vërtetë është pikërisht e kundërta e asaj që njerëzit mendojnë. Jezusi tha: «Dhe më i madhi prej jush le të jetë shërbëtori juaj. Sepse kush do të lartësojë veten, do të poshtërohet; dhe kush do të përulë veten, do të lartësohet.» Madhështia e vërtetë e ul veten që të shërbejë. Farisenjtë që e lartësojnë veten e tyre do të poshtërohen. Dishepuj të vërtetë që e përulin vetveten do të lartësohen në kohën e duhur.

N. Mjerë ju skrib dhe farisenj (23:13-36)

Më pas Zoti Jezus shprehu tetë mjerime mbi hipokritët fetarë krenarë të kohës së Tij. Këto nuk janë «mallkime,» por më tepër janë shprehje pikëllimi për fatin e tyre, të ngjashme me shprehjen «Të shkretët ju!» 23:13 E para ‘mjerë ju’ është drejtuar kundër shpirtngurtësisë dhe kundërshtimit të tyre. Ata refuzonin të hynin vetë në mbretërinë e qiejve dhe në mënyrë agresive i pengonin të tjerët që të mos hynin. Çuditërisht, udhëheqësit fetarë janë shpesh kundërshtarët më aktivë të Ungjillit të hirit. Ata mund të jenë me ëmbëlsi tolerantë për çdo gjë me përjashtim të lajmit të mirë të shpëtimit. Njeriu i natyrshëm nuk do që të jetë objekti i hirit të Perëndisë dhe nuk do që Perëndia t’u demonstrojë hir të tjerëve. 23:14 E dyta ‘mjerë ju’{{3}} kritikon rëndë përvetësimin nga ana e tyre të shtëpive të të vejave dhe mbulimin e kësaj duke bërë lutje të gjata. Disa kulte moderne përdorin një teknikë të ngjashme duke i bërë të vejat, nganjëherë besimtarë jo të mprehtë, që t’ia lëshojnë me dokument pronën e tyre «Kishës.» Shtinjakë të tillë të perëndishmërisë do të marrin një dënim më të rreptë. 23:15 Padia e tretë kundër tyre është zelli i keqorientuar. Ata shkonin në largësi që s’merren me mend për të bërë që një person të kthehej; dhe me t’u bërë ai i tillë, ata e bënin atë dy herë më të lig se veten e tyre. Një analogji moderne është zelli i kulteve të rreme. Një grup është i gatshëm të trokasë në 700 dyer që të fitojë një person për kauzën e tij, por rezultati përfundimtar është i dëmshëm. «Shpesh më të kthyerit bëhen më të çoroditurit»- siç ka thënë dikush. 23:16-22 Së katërti, Zoti i paditi ata për arsyetim të pandershëm të bërë me qëllim. Gradualisht ata kishin formuar një sistem të rremë të arsyetuari për të shmangur pagimin e zotimeve. Për shembull, ata mësonin që në qoftë se betoheshe për tempullin, ti nuk ishte i detyruar të paguaje, por në qoftë se ti betoheshe për arin e tempullit, atëherë ti duhej ta kryeje zotimin. Ata thonin se betimi për dhurimin mbi altar ishte detyrues, ndërsa betimi për altarin e zbrazët nuk ishte. Kështu ata vlerësonin arin më shumë se Perëndinë (tempulli ishte shtëpia e Perëndisë) dhe dhurimin mbi altar (pasuri e ndonjë forme) më shumë sesa vetë altarin. Ata ishin më të interesuar për materialen sesa për frymëroren. Ata ishin më të interesuar që të merrnin (dhurimin) se sa që të jepnin (altari ishte vendi ku jepej). Duke iu drejtuar atyre si udhëheqës të verbër, Jezusi nxori në shesh mendimet e tyre të gabuara. Ari i tempullit mori vlerë të veçantë vetëm ngaqë ishte lidhur me banesën e Perëndisë. Ishte altari ai që i jepte vlerë dhurimit që ishte mbi të. Njerëz që mendojnë se ari ka vlerë të brendshme janë të verbër. Ai merr vlerë vetëm kur përdoret për lavdinë e Perëndisë. Dhurimet e bëra për arsye mishërore janë të pavlefshme. Ato që i jepen Zotit ose që jepen në Emrin e Zotit kanë vlerë të përjetshme. Fakti është që për çfarëdo që këta farisenj të ishin betuar, Perëndia ishte i përfshirë dhe ata ishin të detyruar që ta përmbushnin zotimin. Njeriu s’mund t’u bëjë dredha detyrimeve të tij duke bërë arsyetime mashtruese. Zotimet janë detyruese. Premtimet duhen mbajtur. Është e kotë t’u drejtohesh çështjeve teknike për të shmangur detyrimet. 23:23-24 E pesta ‘mjerë ju’ është kundër ritualizmit që s’ka një realitet. Skribët dhe farisenjtë ishin tepër të përpiktë për sa i përket t’i japësh Zotit një të dhjetën e barërave më të parëndësishëm që ata rritnin. Jezusi nuk i dënoi ata për këtë kujdes në lidhje me hollësitë e vogla të bindjes, por Ai i kritikoi ata për faktin që ishin tejet të pandershëm kur bëhej fjalë për të treguar drejtësi, mëshirë dhe besnikëri ndaj të tjerëve. Duke përdorur një figurë letrare të paarritshme si shprehje, Jezusi i përshkroi ata si persona që kullojnë mushkonjën (harrjen) e gëlltisin devenë. Mushkonja, një insekt i vockël që shpesh binte në një gotë me verë të ëmbël, kullohej duke e thithur verën përmes dhëmbëve. Sa qesharake t’i kushtosh aq kujdes një gjëje të parëndësishme e pastaj të kapërdish kafshën më të madhe të papastër në Palestinë! Farisenjtë ishin jashtë mase të interesuar për imtësirat, por ishin tërësisht të verbër në lidhje me mëkatet skandaloze si hipokrizia, pandershmëria, mizoria dhe lakmia. Ata kishin humbur idenë e përpjesëtimit të gjërave. 23:25-26 E gjashta ‘mjerë ju’ ka të bëjë me jashtësizmin (eksternalizmit=devotshmëri ndaj së jashtmes). Farisenjtë, të kujdesshëm për të mbajtur një shfaqje të jashtme të fetarisë e të moralitetit, kishin zemra të mbushura me grabitje dhe teprime{{4}}. Ata duhej që të pastronin më parë përbrenda kupën dhe pjatën, që do të thotë të siguroheshin se zemrat e tyre ishin pastruar përmes pendimit dhe besimit. Atëherë dhe vetëm atëherë do të ishte e pranueshme sjellja e tyre e jashtme. Ekziston një dallim midis personit tonë dhe personalitetit tonë. Ne priremi të theksojmë personalitetin, atë çfarë ne duam që të tjerët të mendojmë se jemi. Perëndia e vë theksin te personi, tek ai çfarë vërtet ne jemi. Ai dëshiron të vërtetën në qenien e brendshme (Psa. 51:6). 23:27-28 Edhe e shtata ‘mjerë ju’ godet kundër jashtësizmit. Ndryshimi është se e gjashta ‘mjerë ju’ qorton fshehjen e koprracisë, ndërsa e shtata dënon fshehjen e hipokrizisë dhe të paudhësisë. Varret ishin të lyera me gëlqere në mënyrë që judenjtë të mos i preknin ato pa dashje dhe kështu të ndoteshin ceremonialisht. Jezusi i krahasoi skribët dhe farisenjtë me varret e zbardhuara, që dukeshin të pastra nga ana e jashtme, por ishin plot prishje nga brenda. Njerëzit mendonin se kontakti me këta njerëz do të ishte shenjtërues, por në të vërtetë ishte një përvojë ndotëse, për arsye se ata ishin plot shtirje dhe papastërti. 23:29-30 E fundit ‘mjerë ju’ ishte kundër asaj që ne mund ta emërojmë homazh nga jashtë, vrasje nga brenda. Skribët dhe farisenjtë shtireshin sikur i nderonin profetët e DhV duke i ndërtuar dhe/ose duke i riparuar varrezat e tyre si dhe duke vendosur kurora në përmendoret e tyre. Në fjalime përkujtimore, ata thonin se nuk do të ishin bërë bashkë me paraardhësit e tyre në vrasjen e profetëve. 23:31 Jezusi u tha atyre: «Ju dëshmoni kundër vetes suaj, se jeni bijtë e atyre që vranë profetët.» Po si e dëshmonin ata këtë? Kjo pothuajse duket nga vargu i mëparshëm që ata e ndanin vetveten nga etërit e tyre që i vranë profetët. Në radhë të parë, ata pranonin se etërit e tyre, bijtë fizikë të të cilëve ata ishin, derdhën gjakun e profetëve. Por Jezusi e përdori fjalën «bij» në kuptimin e njerëzve me të njëjtat karakteristika. Ai e dinte se megjithëse ishin duke ua zbukuruar varret profetëve, ata ishin duke komplotuar vdekjen e Tij. Së dyti, duke treguar një respekt të tillë për profetët e vdekur, ata po thonin: «Të vetmit profetë që ne duam janë ata që kanë vdekur.» Edhe në këtë kuptim ata ishin bij të etërve të tyre. 23:32 Pastaj Zoti ynë shtoi: «Ju e kaloni masën e etërve tuaj!» Etërit e kishin mbushur deri diku kupën e vrasjeve duke i vrarë profetët. Shpejt skribët dhe farisenjtë do ta mbushnin atë plot e përplot pasi të vrisnin Zotin Jezus dhe ndjekësit e Tij, duke e çuar kështu në një pikë kulmore të jashtëzakonshme atë që etërit e tyre kishin filluar. 23:33 Në këtë pikë, Krishti i Perëndisë shpreh ato fjalë gjëmuese: «O gjarpërinj, o pjellë nëpërkash! Si do t’i shpëtoni gjykimit të Gehenas?» A mund të thotë Dashuria e Mishëruar fjalë kaq të ashpra? Po, sepse dashuria e vërtetë duhet të jetë e drejtë dhe e shenjtë gjithashtu. Koncepti popullor i Jezusit si një reformues i parrezikshëm, që s’është në gjendje të ketë emocion tjetër veç dashurisë, nuk është biblik. Dashuria mund të jetë e vendosur dhe duhet të jetë gjithmonë e drejtë. Është solemne të kujtohet se këto fjalë dënuese ishin hedhur ndaj udhëheqësve fetarë e jo ndaj pijanecëve dhe maskarenjve. Në një epokë ekumenike kur disa të krishterë ungjillorë janë duke i bashkuar forcat me armiq të shpallur të kryqit të Krishtit, është mirë që të bluajmë në mendje shembullin e Jezusit dhe të kujtojmë fjalët që Jehu i tha Jozueuafatit: «A duhet të ndihmoje ti një të pafe dhe të doje ata që e urrenin Zotin?» (2 i Kronikave 19:2). 23:34-35 Jezusi jo vetëm parashikoi vdekjen e Tij. Ai u tha shkoqur skribëve dhe farisenjve se ata do të vrisnin disa nga lajmëtarët që Ai do të dërgonte: profetë, dijetarë dhe skribë. Disa që i shpëtuan martirizimit do të fshikulloheshin nëpër sinagoga e do të përndiqeshin nga një qytet në tjetrin. Kështu udhëheqësit fetarë të Izraelit do të mblidhnin mbi veten e tyre fajin e grumbulluar të historisë së martirizimit. Mbi ta do të binte gjithë gjaku i drejtë i derdhur mbi dhe, nga… Abeli deri te… Zakaria, vrasja e të cilit është regjistruar te 2 i Kronikave 24:20-21, libri i fundit në renditjen hebraike të Biblës (Ky nuk është Zakaria, autori i librit të DhV). 23:36 Faji i tërë së kaluarës do të binte mbi brezin ose racën [hebrenjtë] së cilës Krishti po i fliste, sikur e gjithë derdhja e mëparshme e gjakut të pafajshëm, në një farë mënyre, të ishte ndërthurur dhe të kishte arritur kulmin në vdekjen e Shpëtimtarit të pamëkatë. Një lumë ndëshkimi do të derdhej mbi kombin që e urreu pa shkak Mesian e tij dhe që e kryqëzoi Atë mbi një kryq kriminelësh.

O. Jezusi vajton mbi Jeruzalem (23:37-39)

23:37 Është tepër domethënës fakti që kapitulli, i cili, pothuajse më shumë se çdo tjetër, përmban mjerimet e shprehura nga Zoti Jezus, mbyllet me lotët e Tij! Pas kallëzimit të hidhur që bën ndaj farisenjve, Ai lëshon një vajtim therës mbi qytetin e rastit të humbur. Përsëritja e emrit «Jeruzalem, Jeruzalem» është e mbushur me një emocion të patregueshëm. Jeruzalemi kishte vrarë profetët dhe kishte mbytur me gurë lajmëtarët e Perëndisë e prapë se prapë Zoti e deshi atë. Ai do t’i kishte mbledhur, duke i mbrojtur dhe duke i dashur, bijtë e tij te Vetja, ashtu si i mbledh klloçka zogjtë e vet…, por ai nuk deshi. 23:38 Në mbyllje të vajtimit të Tij, Zoti Jezus tha: «Ja, shtëpia juaj po ju lihet e shkretë.» Në radhë të parë, shtëpia këtu është tempulli, por gjithashtu mund të përfshijë qytetin e Jeruzalemit dhe vetë kombin. Do të kishte një interval midis vdekjes së Tij dhe Ardhjes së Dytë, gjatë së cilës Izraeli mosbesues nuk do ta shikonte Atë (pas ringjalljes së Tij, Ai ishte parë vetëm nga besimtarë). 23:39 Vargu 39 mezi pret Ardhjen e Dytë kur një pjesë besuese e Izraelit do ta pranojë Atë si Mesian Mbret të saj. Pranimi vetëkuptohet në fjalët: «I bekuar qoftë Ai që vjen në emër të Zotit!» Nuk sugjerohet se ata që e vranë Krishtin do të kenë një mundësi të dytë. Ai po fliste për Jeruzalemin dhe kështu, për metonimi, për banorët e tij dhe për Izraelin në përgjithësi. Hera tjetër që banorët e Jeruzalemit do ta shikojnë Atë mbas vdekjes së Tij do të jetë atëherë kur ata do të vështrojnë nga Ai që ata kanë therur dhe do të pikëllohen për Të siç pikëllohet dikush për një bir të vetëm (Zakaria 12:10). Për judenjtë, nuk ka pikëllim më të hidhur se sa pikëllimi për një bir të vetëm. [1] J.P. Lang, A Commentary on the Holy Scriptures, 25 Vëllime[[1]] [2] H.G. Weston, Matthew, the Genesis of the New Testament, fq. 110[[2]] [3] «Mjerë» e dytë është lënë jashtë nga Teksti NU.[[3]] [4] Teksti M lexohet «padrejtësi» (adikia) në vendin e «teprime.»[[4]]
[previous][next]