Kundërvënie dhe refuzim në rritje (Mateu 11-12)

A. Gjon Pagëzori në burg (11:1-19)

11:1 Pasi i dërgoi të dymbëdhjetët në misionin e veçantë e të përkohshëm për te shtëpia e Izraelit, Jezusi u largua nga ai vend për të mësuar dhe për të predikuar në qytetet e Galilesë, ku dishepujt kishin jetuar më parë. 11:2-3 Tashmë Gjoni ishte burgosur nga Herodi. I dekurajuar dhe i vetëm, ai filloi të pyeste veten. Po qe se Jezusi ishte Mesia i vërtetë, pse lejoi Ai që pararendësi i Tij të vuante në burg? Si shumë njerëz të mëdhenj të Perëndisë, Gjoni pësoi një rënie të përkohshme besimi. Kështu, ai dërgoi dy nga dishepujt e vet për të pyetur nëse, me të vërtetë, Jezusi ishte Ai që profetët kishin premtuar apo ata duhej të prisnin akoma për të Vajosurin. 11:4-5 Jezusi u përgjigj duke i kujtuar Gjonit se Ai po kryente mrekullitë e parathëna për Mesian: Të verbërit po shohin (Isaia 35:5); të çalët po ecin (Isaia 35:6); lebrozët janë pastruar (Isaia 53:4; Mateu 8:16-17); të shurdhërit po dëgjojnë (Isaia 35:5); të vdekurit po ngjallen (jo e profetizuar për Mesian; kjo ishte më e madhe sesa mrekullitë e parathëna). Gjithashtu, Jezusi i kujtoi Gjonit se Ungjilli po u predikohet të varfërve në përmbushje të profecisë mesianike tek Isaia 61:1. Shpesh, udhëheqësit e zakonshëm fetarë e përqëndrojnë vëmendjen e tyre te të pasurit dhe tek aristokratët. Mesia ua solli lajmin e mirë të varfërve. 11:6 Pastaj Shpëtimtari shtoi: «Lum ai që nuk do të skandalizohet nga unë.» Në gojën e një tjetri, kjo do të ishte mburrja e një egoisti që s’ka ku shkon më. Në gojën e Jezusit, ajo është shprehja që bazohet në përsosmërinë e tij vetjake. Në vend që të shfaqej si një gjeneral ushtarak plot shkëlqim, Mesia kishte ardhur si një marangoz i përulur. Butësia, thjeshtësia dhe përulësia e Tij ishin jashtë natyrës së imazhit të kohës mbi Mesian luftarak. Njerëz që udhëhiqeshin nga dëshira të mishta mund ta vinin në dyshim pretendimin e Tij për mbretërim, por bekimi i Perëndisë do të pushonte mbi ata që, me mprehtësi frymërore, do të njihnin Jezusin e Nazaretit si Mesian e premtuar. Vargu 6 nuk duhet interpretuar si një qortim ndaj Gjon Pagëzorit. Besimi i gjithsecilit ka nevojë që hera-herës të përforcohet e të fuqizohet. Një gjë është të kesh një rënie të përkohshme besimi dhe krejt tjetër gjë është të ngecesh përherë në lidhje me identitetin e vërtetë të Zotit Jezus. Një kapitull i vetëm nuk mund të jetë historia e jetës së një njeriu. Duke e marrë jetën e Gjonit në tërësinë e saj, ne gjejmë një dokumentim të besnikërisë e të ngulmimit të tij. 11:7-8 Sapo dishepujt e Gjonit po largoheshin me fjalët siguruese të Jezusit, Zoti iu kthye turmave me fjalë të flakta lavdërimi për Pagëzorin. Po këto turma ishin grumbulluar në shkretëtirë kur Gjoni po predikonte atje. Pse? Që të shikonin ndonjë njeri që është si ai kallami i dobët dhe i lëkundshëm, që tundet nga çdo erë kalimtare e opinioneve njerëzore? Sigurisht që jo. Gjoni ishte një predikues i patrembur, një ndërgjegje e mishëruar, që ishte më mirë të vuante sesa të rrinte i heshtur, më mirë të vdiste sesa të gënjente. Mos kishin dalë ata të shikonin një oborrtar pallati të veshur mirë e të prehur në rehati? Sigurisht që jo! Gjoni ishte një njeri i thjeshtë i Perëndisë, jeta e rreptë e të cilit ishte një qortim ndaj karakterit të tepruar botëdashës të njerëzve. 11:9 Mos kishin dalë ata të shikonin një profet? Po, Gjoni ishte një profet – në të vërtetë më i madhi i profetëve. Zoti nuk nënkuptonte këtu se ai ishte më i madh përsa i përket personalitetit të tij, gojëtarisë apo aftësisë bindëse. Ai ishte më i madh për shkak të pozicionit të tij si pararendës i Mesias-Mbret. 11:10 Kjo bëhet e qartë në vargun 10. Gjoni ishte përmbushja e profecisë së Malakias (Malakia 3:1), lajmëtari që do t’i paraprinte Zotit e që do të bënte gati njerëzit për ardhjen e Tij. Edhe njerëz të tjerë kishin profetizuar për Ardhjen e Krishtit, por Gjoni ishte ai që ishte zgjedhur për të njoftuar mbërritjen aktuale të Tij. Mirë është thënë: «Gjoni hapi rrugën për Krishtin; pastaj i hapi rrugë Krishtit.» 11:11 Pohimi që «më i vogli në mbretërinë e qiejve është më i madh se ai» vërteton se Jezusi po fliste për privilegjin e Gjonit e jo për personalitetin e tij. Një person që është më i vogli në mbretërinë e qiejve nuk është se, medoemos, ka një personalitet më të mirë sesa Gjoni, por privilegji i tij është më i madh. Të jesh një qytetar i mbretërisë është diçka më e madhe sesa të njoftosh mbërritjen e saj. Privilegji i Gjonit ishte i madh ndërsa përgatiste udhën për Zotin, por ai nuk jetoi për të gëzuar bekimet e mbretërisë. 11:12 Që nga hapja e shërbesës së Gjonit e deri në burgosjen aktuale të tij, mbretëria e qiejve kishte pësuar dhunë. Farisenjtë dhe skribët i ishin kundërvënë fuqishëm asaj. Mbreti Herod kishte bërë pjesën e tij, duke e qëlluar mbretërinë me kapjen e lajmëtarit të saj. «… dhe të dhunshmit e grabitën.» Ky pohim të lejon dy interpretime. Në radhë të parë, armiqtë e mbretërisë bënë çfarë mundën për ta marrë mbretërinë, me qëllim që ta shkatërronin atë. Refuzimi që ata i bënë Gjonit paralajmëroi refuzimin e Vetë Mbretit, kështu edhe të mbretërisë. Por kjo, gjithashtu, mund të thotë se ata që ishin gati për ardhjen e Mbretit iu përgjigjën energjikisht këtij lajmërimi dhe tendosën çdo muskul për të hyrë. Ky është kuptimi te Luka 16:16: «Ligji dhe profetët arrijnë deri në kohën e Gjonit; që atëherë shpallet mbretëria e Perëndisë dhe gjithkush përpiqet të hyjë aty.» Këtu mbretëria është paraqitur si një qytet i rrethuar, me të gjitha kategoritë e njerëzve që e godasin atë nga jashtë, duke u përpjekur që të hyjnë brenda. Një farë dhune frymërore është e nevojshme. Cilindo kuptim që një njeri të pranojë, mendimi është që predikimi i Gjonit shkaktoi një reagim të dhunshëm, me efekte të shtrira dhe të thella. 11:13 «Sepse të gjithë profetët dhe ligji kanë profetizuar deri te Gjoni.» I gjithë vëllimi nga Zanafilla deri te Malakia paratha ardhjen e Mesias. Kur Gjoni doli në periudhën e historisë, roli i tij i veçantë nuk ishte thjesht profecia, por ishte shpallja e përmbushjes së të gjitha profecive në lidhje me Ardhjen e Parë të Krishtit. 11:14 Malakia kishte parathënë se përpara shfaqjes së Mesias do të vinte Elia si një pararendës (Malakia 4:5-6). Në qoftë se njerëzit do të kishin qenë të gatshëm ta pranonin Jezusin si Mesi, Gjoni do të kishte përmbushur rolin e Elias. Gjoni nuk ishte Elia i rimishëruar. Ai pohoi se nuk ishte Elia te Gjoni 1:21, por ai eci përpara Krishtit në frymën dhe në pushtetin e Elias (Luka 1:17). 11:15 Jo të gjithë e çmuan Gjon Pagëzorin apo kuptuan domethënien e thellë të shërbesës së tij. Prandaj Zoti shtoi: «Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!» Me fjalë të tjera, dëgjo me vëmendje. Kap domethënien e asaj që po dëgjon. Në qoftë se Gjoni përmbushi profecinë në lidhje me Elian, atëherë Jezusi ishte Mesia i premtuar! Në këtë mënyrë, duke akredituar Gjon Pagëzorin, Jezusi po ripohonte pretendimin e Tij se ishte Krishti i Perëndisë. Pranimi i njërit do të çonte në pranimin e tjetrit. 11:16-17 Por brezi me të cilin Jezusi po fliste nuk ishte i interesuar të pranonte asnjërin. Judenjtë, që ishin të privilegjuar të shihnin Ardhjen e Mesias-Mbret të tyre, nuk e pëlqyen as Atë dhe as paraardhësin e Tij. Ata ishin një enigmë. Jezusi i krahasoi ata me fëmijët tekanjozë, që rrinë në sheshe, të cilët nuk kënaqen me asnjëlloj propozimi. Në qoftë se shokët e tyre deshën t’i binin fyellit që ata të kërcenin, ata nuk pranuan. Në qoftë se shokët e tyre deshën të bënin gjoja një funeral, ata nuk pranuan të brengoseshin. 11:18-19 Gjoni erdhi si një vetëmohues dhe judenjtë e paditën se ishte i pushtuar nga një demon. Biri i njeriut, nga ana tjetër, hëngri dhe piu në një mënyrë normale. Në qoftë se vetmohimi i Gjonit i bëri që të mos ndihen rehat, atëherë me siguri që ata do të ishin të kënaqur me mënyrat më të zakonshme të ngrënies që kishte Jezusi. Por jo! Ata e quajtën atë një grykës dhe një pijanec, miku i tagrambledhësve dhe i mëkatarëve. Sigurisht që Jezusi nuk hëngri dhe nuk piu asnjëherë me tepri. Padia e tyre ishte këmbë e krye një trillim. Është e vërtetë që ai ishte miku i tagrambledhësve dhe i mëkatarëve, por jo në mënyrën se si e kishin fjalën ata. Ai bëhej shok me mëkatarët për t’i shpëtuar nga mëkatet e tyre, por Ai nuk mori pjesë ose nuk i miratoi asnjëherë mëkatet e tyre. «Por dituria është justifikuar nga bijtë e vet.» Sigurisht, Zoti Jezus është dituria e personifikuar (1 e Korintasve 1:30). Megjithëse njerëz jobesimtarë mund ta marrin nëpër gojë, Ai është i përligjur nga veprat e Tij dhe nga jeta e ndjekësve të Tij. Megjithëse shumica e judenjve mund të refuzojë që ta njohë Atë si Mesi-Mbret, deklarimet e Tij u vërtetuan plotësisht nga mrekullitë që bëri dhe nga shndërrimi frymëror i dishepujve të Tij të devotshëm.

B. Fatkeqësi mbi qytetet e Galilesë që nuk pendohen (11:20-24)

11:20 Privilegji i madh sjell përgjegjësi të madhe. Asnjë qytet nuk ishte ndonjëherë më i privilegjuar sesa Korazini, Betsaida dhe Kapernaumi. Biri i mishëruar i Perëndisë kishte ecur shtigjeve të tyre me pluhur, kishte mësuar njerëzit e tyre të privilegjuar dhe shumicën e veprave të fuqishme të Tij i kishte kryer brenda mureve të tyre. Përballë kësaj dëshmie të fuqishme, ata, me kokëfortësi, kishin refuzuar të pendoheshin. S’është për t’u çuditur atëherë që Zotit do t’i duhet të shpallë gjykimin më solemn mbi ta. 11:21 Ai filloi me Korazinin dhe me Betsaidën. Këto qytete kishin dëgjuar përgjërimet plot hir të Perëndisë-Shpëtimtar të tyre e megjithatë e kishin përzënë Atë me dashje. Mendja e Tij kthehet nga qytetet e Tiros dhe të Sidonit, që kishin rënë nën gjykimin e Perëndisë për shkak të idhujtarisë e të ligësisë së tyre. Po të kishin qenë të privilegjuara për të parë mrekullitë e Jezusit, ata do ta kishin përulur vetveten në pendim të thellë. Prandaj, në ditën e gjyqit, Tiro dhe Sidoni do të trajtohen më mirë sesa Korazini dhe Betsaida. 11:22 Fjalët se «ditën e gjyqit… do të trajtohen me më shumë tolerancë» tregojnë se do të ketë shkallë ndëshkimi në liqenin e zjarrit, po ashtu sikurse do të ketë shkallë shpërblimi në qiell (1 e Korintasve 3:12-15). I vetmi mëkat që i ndan njerëzit për liqenin e zjarrit është refuzimi për t’iu nënshtruar Jezus Krishtit (Gjoni 3:36b), por thellësia e vuajtjes në ferr kushtëzohet nga privilegjet e refuzuara dhe nga mëkatet pas të cilëve je dhënë. 11:23-24 Pak qytete kishin qenë aq të favorizuara sa Kapernaumi. Ai u bë qyteti ku Jezusi banoi pas refuzimit të Tij në Nazaret (Mateu 9:1, Marku 2:1-12). Disa nga mrekullitë më të jashtëzakonshme të Tij, dëshmi të pakundërshtueshme të mesianitetit të Tij, u kryen atje. Po qe se Sodoma e ndyrë, kryeqyteti i homoseksualitetit, do të kishte qenë kaq e privilegjuar, do të ishte penduar e do të ishte kursyer. Por privilegji i Kapernaumit ishte më i madh. Njerëzit e tij do të ishin penduar e do ta kishin njohur Zotin me gëzim. Por Kapernaumi kishte humbur ditën e rastit të tij. Mëkati i çoroditjes nga ana e Sodomës ishte i madh, por s’ka mëkat më të madh sesa refuzimi i Birit të shenjtë të Perëndisë nga ana e Kapernaumit. Për këtë arsye Sodoma nuk do të ndëshkohet aq rreptë sa Kapernaumi në ditën e gjykimit. I ngritur deri në qiell në privilegj, Kapernaumi do të fundoset deri në ferr në gjykim. Nëse kjo është e vërtetë për Kapernaumin, aq më e vërtetë do të jetë për ato vende ku ka Bibla me bollëk, ku Ungjilli është transmetuar dhe ku pak veta, nëse ka, janë pa justifikim. Në ditët e Zotit tonë, në Galile ekzistonin katër qytete të rëndësishme: Korazini, Betsaida, Kapernaumi dhe Tiberiada. Ai shpalli fatkeqësi kundër tre të parëve, por jo kundër Tiberiadës. Cili ka qenë përfundimi? Shkatërrimi i Korazinit dhe i Betsaidës është kaq i plotë saqë vendndodhjet e sakta të tyre janë të panjohura. Vendosja e Kapernaumit nuk është pozitive. Tiberiada qëndron akoma. Kjo përmbushje e rëndësishme e profecisë është edhe një dëshmi më shumë e gjithëdijes së Shpëtimtarit dhe e frymëzimit të Biblës.

C. Reagimi i Shpëtimtarit ndaj refuzimit (11:25-30)

11:25, 26 Tre qytetet e Galilesë nuk kishin as sy për të parë dhe as zemër për të dashur Krishtin e Perëndisë. Ai e dinte se qëndrimi i tyre s’ishte tjetër veçse një parashijim i refuzimit në një shkallë më të gjerë. Si reagoi Ai ndaj mospendesës së tyre? Jo me zemërim, cinizëm apo me hakmarrje. Në vend të kësaj, Ai e ngriti zërin e Tij në falënderim ndaj Perëndisë, qëllimet sovrane të të cilit nuk mund t’i prishë askush. «Unë të lavdëroj, o Atë, Zot i qiellit dhe i dheut, sepse ua fshehe këto gjëra të urtit dhe të mençurit dhe ua zbulove fëmijëve të vegjël.» Ne duhet të shmangim dy keqkuptime të ndryshme. Në radhë të parë, Jezusi nuk po shprehte kënaqësi në gjykimin e pashmangshëm të qyteteve galilease. Në radhë të dytë, Ai nuk po nënkuptonte se Perëndia, në mënyrë autoritare, ua kishte fshehur dritën të urtit dhe të mençurit. Qytetet kishin çdo mundësi për ta mirëpritur Zotin Jezus. Ata refuzuan me qëllim që t’i nënshtroheshin Atij. Kur ata e refuzuan dritën, Perëndia ua fshehu dritën. Por planet e Perëndisë nuk do të dështojnë. Në qoftë se intelektualët nuk do të besojë, atëherë Perëndia do t’ua zbulojë Vetveten zemrave të përulura. Ai i mbush të uriturit me gjëra të mira dhe i nis të pasurit bosh (Luka 1:53). Ata që e konsiderojnë vetveten tepër të urtë dhe të zgjuar, aq sa të mos kenë nevojë për Krishtin, pikëllohen me verbëri gjykimi, por ata që pranojnë se sa janë të mangët në dituri marrin një zbulim të Atij, tek i cili «janë fshehur të gjitha thesaret e diturisë dhe të njohjes» (Kolosianeve 2:3). Jezusi e falënderoi Atin që ka caktuar që nëse disa nuk do ta pranojnë Atë, disa të tjerë do ta pranojnë. Përballë mosbesimit titanik, Ai gjeti ngushëllim në planin dhe në qëllimin mbisundues të Perëndisë. 11:27 Çdo gjë i ishte dhënë në dorë Krishtit nga Ati i Tij. Ky do të ishte një pohim fodull nga kushdo tjetër, por nga Zoti Jezus është thjesht një shpallje e së vërtetës. Në atë çast, ndërsa kundërvënia sa vinte e rritej, nuk dukej të ishte Ai në komandim. Megjithatë kjo ishte e vërtetë. Programi i jetës së Tij po ecte në mënyrë të papërmbajtshme drejt ngadhënjimit të lavdishëm përfundimtar. «Asnjëri nuk e njeh Birin, përveç Atit.» Ka një mister të pakuptueshëm rreth Personit të Krishtit. Bashkimi i hyjnisë dhe i njerëzisë në një Person ngre probleme që e alarmojnë mendjen njerëzore. Për shembull është problemi i vdekjes. Perëndia s’mund të vdesë. Megjithatë, Jezusi është Perëndi, por Ai edhe vdiq. Sidoqoftë, natyrat e Tij hyjnore dhe njerëzore janë të pandashme. Kështu, megjithëse ne mund ta njohim Atë, mund ta duam dhe mund të mbështetemi tek Ai, ekziston një kuptim në të cilin vetëm Ati mund ta kuptojë vërtet Atë.
Misteret e larta të Emrit që ke Shkojnë tutje asaj që kuptojmë ne; Vetëm Ati (ç’pohim plot lavdi!) Mund ta kuptojë Birin e Tij. I denjë, o Qengj i Perëndisë, Ti je, Përpara Teje çdo gju do të bjerë! – Josiah Conder
«Asnjëri nuk e njeh Atin, përveç Birit dhe atij të cilit Biri dëshiron t’ia zbulojë.» Edhe Ati është i padepërtueshëm. Tek e fundit, vetëm Perëndia është i madh aq sa duhet të kuptojë Perëndinë. Njeriu s’mund ta njohë Atë me forcën apo zgjuarsinë e tij, por Zoti Jezus mundet dhe ua zbulon Atin atyre që Ai zgjedh. Kushdo që vjen në njohjen e Birit, vjen edhe në njohjen e Atit gjithashtu (Gjoni 14:7). Sidoqoftë, mbasi kemi thënë gjithë këtë, ne duhet të rrëfejmë se duke kërkuar të shpjegojmë vargun 27, ne po trajtojmë të vërteta shumë të larta për ne. Ne shohim paksa në një pasqyrë. Madje as në përjetësi mendjet tona s’do të jenë në gjendje të çmojnë plotësisht madhështinë e Perëndisë apo të kuptojnë misterin e Mishërimit. Kur ne lexojmë se Ati u zbulohet vetëm atyre që Biri zgjedh, ne mund të tundohemi të mendojmë për një përzgjedhje arbitrare të pak vetave të favorizuar. Vargu vijues të mbron nga një interpretim i tillë. Zoti Jezus u bëri një ftesë të përbotshme të gjithë atyre që janë të lodhur e të rënduar, që të vinin tek Ai për prehje. Me fjalë të tjera, personat të cilëve Ai zgjedh që t’u zbulojë Atin janë ata që i besojnë Atij si Zot dhe Shpëtimtar. Ndërsa ne shqyrtojmë këtë ftesë që përmban një ëmbëlsi të pafund, le të kujtojmë se ajo ishte bërë mbas refuzimit zhurmëmadh të Jezusit nga qytetet e favorizuara të Galilesë. Urrejtja dhe kryeneçësia e njeriut nuk mund ta shuajnë dashurinë dhe hirin e Tij. A. J. McClain ka thënë:
Megjithëse kombi i Izraelit është duke ecur drejt rrezikut të gjykimit hyjnor, Mbreti, në fjalën e Tij të fundit, hap derën e shpëtimit vetjak. Kështu vërteton se Ai është një Perëndi i hirit, edhe në prag të gjykimit [1].
11:28 Ejani. Të vish do të thotë të besosh (Veprat e Apostujve 16:31); të pranosh (Gjoni 1:12); të hash (Gjoni 6:35); të pish (Gjoni 7:37); të kthehesh (Isaia 45:22); të rrëfesh (1 Gjonit 4:2); të dëgjosh (Gjoni 5:24-25); të hysh në një derë (Gjoni 10:9); të hapesh një derë (Zbulesa 3:20); të prekësh cepin e rrobës së Tij (Mateu 9:20-21) dhe të pranosh dhuratën e jetës së përjetshme përmes Krishtit, Zotit tonë (Romakeve 6:23). tek unë. Objekti i besimit nuk është një kishë, një listë e doktrinave apo një klerik, por Krishti i gjallë. Shpëtimi është në një Person. Ata që e kanë pranuar Jezusin janë të shpëtuar ashtu sikurse vetëm Perëndia shpëton. o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar. Në mënyrë që të shkojë vërtet te Jezusi, një person duhet të pranojë se ai është i ngarkuar me barrën e mëkatit. Vetëm ata që pohojnë se janë të humbur mund të shpëtohen. Besimi në Zotin Jezus Krisht paraprihet nga pendimi para Perëndisë. dhe unë do t’ju jap çlodhje. Vini re se çlodhje këtu është një dhuratë. Është e pamerituar. Kjo është çlodhja e shpëtimit që vjen ngaqë është kuptuar se Krishti ka përfunduar veprën e shpengimit në kryq të Kalvarit. Është çlodhja e ndërgjegjes që vijon pasi kuptohet se ndëshkimi i mëkateve të personit është paguar një herë e përgjithmonë dhe që Perëndia nuk do të kërkojë dy herë pagim. 11:29 Në vargjet 29 dhe 30, ftesa kthehet nga shpëtimi te shërbesa. Merrni mbi vete zgjedhën time. Kjo do të thotë t’i nënshtrohesh vullnetit të Tij, t’ia dorëzosh Atij kontrollin e jetës tënde (Romakeve 12:1-2). dhe mësoni nga unë. Ndërsa ne njohim sundimin e Tij në çdo fushë të jetës sonë, Ai na përgatit në rrugët e Tij. sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra. Ndryshe nga farisenjtë, që ishin të vrazhdë dhe krenarë, Mësuesi i vërtetë është i butë dhe i përulur. Ata që marrin zgjedhën e Tij do të mësojnë të zënë vendin më të ulët. dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj. Këtu nuk është prehja e ndërgjegjes, por prehja që gjen zemra kur zihet vendi më i ulët përpara Perëndisë dhe njeriut. Gjithashtu është prehja që personi përjeton në shërbim të Krishtit, kur ai pushon së përpjekuri për të qenë i madh. 11:30 «Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë»! Përsëri kemi një kontrast të madh me farisenjtë. Jezusi tha për ta: «Por lidhin barrë të rënda që barten me vështirësi, dhe i vënë mbi kurrizin e njerëzve; Por ata nuk duan t’i luajnë vetë as me gisht» (Mateu 23:4). Zgjedha e Jezusit është e ëmbël. Ajo nuk të acaron. Dikush ka sugjeruar që, nëse Jezusi do të kishte patur një tabelë jashtë punishtes së Tij si marangoz, ajo do të kishte të shkruara këto fjalë: «Zgjedha ime rri shkëlqyeshëm.» Barra e Tij është e lehtë. Kjo nuk do të thotë se s’ka probleme, sprova, mundime apo dhimbje në jetën e krishterë, por do të thotë se ne nuk do t’i mbartim të vetëm ato. Ne jemi të mbrehur me Një që jep hir të mjaftueshëm në çdo rast nevoje. T’i shërbesh Atij nuk është skllavëri, por liri e përsosur. J. H. Jowett thotë:
Gabimi shkatërrimtar që bën besimtari është përpjekja për ta mbajtur peshën e jetës në një zgjedhë të vetme. Perëndia s’e ka patur kurrë ndër mend që një njeri ta mbajë i vetëm peshën e tij. Prandaj Krishti flet vetëm për zgjedha! Një zgjedhë është një pajim që vendoset në qafë e që shërben për dy. Vetë Zoti kërkon të jetë Njëri prej të dyve. Ai do që ta ndajë mundin e çdo pune poshtëruese. E fshehta e paqes dhe e fitores në jetën e krishterë gjendet në heqjen e zgjedhës stërmunduese të «vetes» dhe në pranimin e «zgjedhës» çlodhëse të Mësuesit [2].

D. Jezusi është Zoti i Shabatit (12:1-8)

12:1 Ky kapitull shënon krizën në rritje të refuzimit. Ligësia dhe armiqësia e farisenjve, që sa vijnë e rriten, tani janë gati të derdhen. Çështja që hap portat është ajo e Shabatit. Në këtë Shabat të veçantë, Jezusi dhe dishepujt e Tij po kalonin nëpër arat me grurë; dhe dishepujt e Tij filluan të këpusin kallinj dhe t’i hanë. Ligji u lejonte atyre që të merrnin grurë nga ara e komshisë, por duke mos përdorur drapër (Ligji i Perterire 23:25). 12:2 Por farisenjtë, kritikët ligjor, akuzuan se Shabati ishte shkelur. Megjithëse paditë e tyre të sakta nuk janë deklaruar, ka të ngjarë që ata t’i kenë akuzuar dishepujt për: (1) korrje (këputje të grurit); (2) shirje (fërkim të tij me duar); (3) shoshitje (ndarje të grurit nga kashta). 12:3-4 Jezusi iu përgjigj ankimit të tyre qesharak duke u kujtuar një ngjarje nga jeta e Davidit. Një herë, kur ishin në mërgim, ai dhe njerëzit e tij shkuan në shkretëtirë dhe hëngrën bukët e paraqitjes, dymbëdhjetë çyrekë përkujtimor [bukë rrumbullake], që ishin të ndaluar si ushqim për këdo tjetër, përveç priftërinjve. As Davidi dhe as njerëzit e tij nuk ishin priftërinj. Megjithatë Perëndia nuk i konsideroi asnjëherë fajtorë ata për këtë gjë. Pse jo? Arsyeja është sepse ligji i Perëndisë nuk ishte menduar asnjëherë që të shkaktonte vështirësi mbi njerëzit e Tij besnikë. Nuk ishte faji i Davidit që ai ishte në mërgim. Një komb mëkatar e kishte refuzuar atë. Në qoftë se atij do t’i ishte dhënë vendi i duhur, ai dhe ndjekësit e tij nuk duhej t’i kishin ngrënë bukët e paraqitjes. Ngaqë në Izrael kishte mëkat, Perëndia lejoi një akt që, përndryshe, do të kishte qenë i ndaluar. Analogjia është e qartë. Zoti Jezus ishte Mbreti i ligjshëm i Izraelit, por kombi nuk do ta njihte Atë si Sovran. Në qoftë se Atij do t’i ishte dhënë vendi që i takon, ndjekësit e Tij nuk do të katandiseshin të hanin në këtë mënyrë ditën e Shabatit apo në ndonjë ditë tjetër të javës. Historia po përsëriste vetveten. Zoti nuk i qortoi dishepujt e Tij, sepse ata nuk kishin vepruar gabim. 12:5 Jezusi u kujtoi farisenjve se priftërinjtë e shkelin Shabatin duke therur e flijuar bagëti si dhe duke kryer shumë punë të tjera të nënshtruara (Numrat 28:9-10). Megjithatë, ata janë të pafajshëm, sepse janë të përfshirë në shërbimin e Perëndisë. 12:6 Farisenjtë e dinin se priftërinjtë punonin çdo Shabat në tempull pa e përdhosur atë. Atëherë, pse duhej t’i kritikonin dishepujt për veprimin që ata bënë në praninë e Njërit që është më i madh se tempulli? Fjala kursive Njëri, ndoshta më mirë mund të lexohet «diçka më e madhe se tempulli është këtu.» Kjo «diçka» është mbretëria e Perëndisë, e pranishme në Personin e Mbretit. 12:7 Farisenjtë nuk e kishin kuptuar kurrë zemrën e Perëndisë. Tek Osea 6:6, Ai kishte thënë: «Unë dua mëshirë dhe jo flijime.» Perëndia vë dhëmbshurinë përpara ritualit. Ai më tepër do të donte t’i shikonte njerëzit e Tij duke këputur grurë ditën e Shabatit, për të shuar urinë e tyre, sesa duke iu përmbajtur asaj dite me aq rreptësi sa të shkaktohen vuajtje fizike. Sikur farisenjtë të kishin kuptuar vetëm këtë, ata nuk do t’i kishin dënuar dishepujt. Por ata vlerësuan përpikmërinë e jashtme më tepër sesa mirëqenien njerëzore. 12:8 Pastaj Shpëtimtari shtoi: «Sepse Biri i njeriut është zot edhe i Shabatit.» Vetë Ai e kishte themeluar ligjin në radhë të parë, prandaj Ai ishte Personi më i kualifikuar për të interpretuar kuptimin e vërtetë të tij. E. W. Rogers thotë:
Duket sikur Mateu, i mësuar këtu nga Fryma, u hedh një shikim të shpejtë emrave dhe shërbesave të shumta të Zotit Jezus: Ai është Bir i Njeriut; Zot i Shabatit; shërbëtori Im; i dashuri Im; Bir i Davidit; më i madh se tempulli; më i madh se Jona; më i madh se Salomoni. Ai vepron kështu, në mënyrë që të tregojë shkallën që ka mëkati i refuzimit të pranimit të Tij dhe i dhënies së të drejtave që i takojnë. [3]
Para se të shkojmë te ngjarja tjetër – shërimi që i bën Jezusi dorës së tharë ditën e Shabatit – po ndalemi që t’i hedhim një rishikim të shkurtër mësimit shkrimor në lidhje me Shabatin. [box title=”SHABATI”] Dita e Shabatit ka qenë dhe do të jetë gjithmonë dita e shtatë e javës (e shtuna). Perëndia pushoi në ditën e shtatë, pas gjashtë ditëve të krijimit (Zanafilla 2:2). Ai nuk e urdhëroi njeriun që t’i përmbahej ditës së Shabatit në atë kohë, megjithëse Ai mund ta ketë nënkuptuar ndjekjen e këtij parimi (një ditë pushimi për çdo javë). Kombi i Izraelit u urdhërua që ta zbatonte Shabatin atëherë kur u dhanë Dhjetë Urdhërimet (Eksodi 20:8-11). Ligji i Shabatit ishte ndryshe nga nëntë urdhërimet e tjera. Ishte një ligj ceremonial, ndërsa të tjerët ishin moral. E vetmja arsye pse ishte gabim që të punohej në ditën e Shabatit ishte sepse Perëndia kishte thënë ashtu. Urdhërimet e tjera kishin të bënin me gjëra që në thelb ishin gabim. Nuk ishte menduar kurrë që ndalimi i punës në ditën e Shabatit t’i zbatohej: shërbesës së Perëndisë (Mateu 12:5), veprave të nevojës (Mateu 12:3-4) apo veprave të mëshirës (Mateu 12:11-12). Nga të Dhjetë Urdhërimet, në DhR përsëriten nëntë prej tyre, por jo si ligj por si udhëzime për të krishterët që jetojnë nën hir. I vetmi urdhërim që të krishterëve nuk u është thënë kurrë që ta zbatojnë është ai i Shabatit. Madje Pali mëson se i krishteri s’mund të dënohet për moszbatimin e tij (Kolosianeve 2:16). Dita e veçantë e Krishterimit është dita e parë e javës (e diela). Zoti Jezus u ngjall nga të vdekurit atë ditë (Gjoni 20:21), provë kjo se vepra e shpengimit ishte përmbushur dhe ishte miratuar hyjnisht. Në dy të dielat e mëvonshme, Ai u takua me dishepujt e Tij (Gjoni 20:19, 26). Fryma e Shenjtë u dha në ditën e parë të javës (Veprat e Apostujve 2:1; shih Levitiku 23:15-16). Dishepujt e hershëm u takuan atë ditë për të thyer bukën, duke treguar vdekjen e Zotit (Veprat e Apostujve 20:7). Është dita e caktuar nga Perëndia, në të cilën të krishterët duhet të ndajnë mënjanë fonde për veprën e Zotit (1 e Korintasve 16:1-2). Shabati ose dita e shtatë erdhi në fund të një jave pune të rëndë; E diela fillon një javë me dijen qetësuese se vepra e shpengimit ka qenë përfunduar. Shabati përkujtoi krijimin e parë; e diela është e lidhur me krijimin e ri. Dita e Shabatit ishte një ditë përgjegjësie; e diela është një ditë privilegji. Të krishterët nuk e «mbajnë» të dielën si një mënyrë për të fituar shpëtimin apo për të arritur shenjtërinë dhe as nga frika e ndëshkimit. Ata e veçojnë atë për shkak të devotshmërisë së përzemërt ndaj Atij që dha Vetveten për ta. Meqenëse, atë ditë, jemi të lirë nga rutina dhe punët shekullore të jetës, ne mund ta veçojmë atë në një mënyrë të veçantë për adhurimin dhe shërbimin e Krishtit. Nuk është e drejtë të thuhet se Shabati u ndërrua dhe u bë e diela. Shabati është e shtunë, kurse e diela është e dielë. Shabati ishte një hije; thelbi është Krishti (Kolosianeve 2:16-17). Ringjallja e Krishtit shënoi një fillim të ri. E diela tregon atë fillim. Si një jude besnik, duke jetuar nën ligj, Jezusi e zbatoi Shabatin (pavarësisht nga paditjet e farisenjve për të kundërtën). Si Zot i Shabatit, Ai e liroi atë nga rregullat dhe rregulloret e rreme me të cilat ajo ishte mbuluar. [/box]

E. Jezusi shëron në ditën Shabatit (12:9-14)

12:9 Nga arat me grurë, Jezusi hyri në sinagogë. Luka na thotë ne se skribët dhe farisenjtë ishin atje që ta ruanin Atë se mos gjenin ndonjë akuzë kundër Tij (Luka 6:6-7). 12:10 Brenda sinagogës ishte një burrë të cilit i ishte tharë dora, dëshmi pa zë e pafuqisë së farisenjve për ta ndihmuar atë. Deri atëherë, ata e kishin trajtuar atë me një mospërfillje të ftohtë, por papritmas ai u bë i vlefshëm për ta si një mjet për të zënë në kurth Jezusin. Ata e dinin se Shpëtimtari ishte i gatshëm për ta lehtësuar mjerimin njerëzor. Në qoftë se Ai do të shëronte në ditën e Shabatit, atëherë ata do ta zinin në një shkelje të ndëshkueshme, siç mendonin. Kështu ata filluan të ngrejnë një ngacmim ligjor: «A është e lejueshme që dikush të shërojë ditën e Shabatit12:11 Shpëtimtari u përgjigj duke i pyetur nëse ata do ta nxirrnin një dele të tyren nga një gropë ditën e Shabatit. Sigurisht që po! Po pse? Ndoshta për pretekst ata thonin se ishte një vepër mëshire, por një faktor tjetër mund të jetë që delja kushtonte para dhe ata nuk do të donin të pësonin humbje financiare as në ditën e Shabatit. 12:12 Zoti ynë ua kujtoi atyre se njeriu është shumë më i vlefshëm se delja. Nëse është e drejtë të tregohet mëshirë ndaj një kafshe, sa më e justifikueshme është t’i bësh mirë një njeriu ditën e Shabatit! 12:13-14 Pasi i ka zënë udhëheqësit judenj në gropën e lakmisë së tyre, Jezusi shëroi dorën e tharë. Duke i thënë atij burri: «Shtrije dorën tënde!,» besimi dhe vullneti njerëzor u thirrën në veprim. Pastaj bindja u shpërblye me shërim. Dora iu shëndosh si tjetra nga Krijuesi i mrekullueshëm. Ju mund të mendoni se farisenjtë do të jenë gëzuar që njeriu, për të cilin ata as nuk kishin patur fuqi dhe as nuk kishin qenë të prirur për ta ndihmuar, ishte shëruar. Përkundrazi, ata u ndezën në zemërim kundër Jezusit dhe bënin këshill si ta vrisnin. Po qe se ata do të kishin patur një dorë të tharë, ata do të kishin qenë të gëzuar që të shëroheshin në cilëndo ditë të javës.

F. Shërim për të gjithë (12:15-21)

12:15-16 Kur Jezusi njohu mendimet e armiqve të Tij, Ai u largua. Por ngado që shkonte, grumbulloheshin turma. Kudo që grumbulloheshin të sëmurë, Ai i shëronte të gjithë. Por Ai i porositi ata që të mos i publikonin shërimet e Tij të mbinatyrshme, kjo jo për të ruajtur Vetveten nga rreziku, por për të shmangur çdo lëvizje të ndryshme për ta bërë Atë një Hero popullor revolucionar. Programi hyjnor duhet zbatuar. Revolucioni i Tij s’do të vijë duke derdhur gjakun e romakëve, por duke derdhur vetë gjakun e Tij. 12:17-18 Shërbesa e Tij e mëshirplotë ishte në përmbushje të profecisë së profetit Isaia 41:9; 42:1-4. Ai e parashikoi Mesian si një Pushtues të butë. Ai e paraqet Jezusin si Shërbëtorin që Jehovah ka zgjedhur, i Dashuri i Tij, në të cilin shpirti i Perëndisë ishte i kënaqur. Perëndia do të vinte Frymën e Tij mbi Të, një profeci e përmbushur në pagëzimin e Jezusit. Shërbesa e Tij do të shtrihej përtej kufinjve të Izraelit. Ai do t’u shpallte drejtësinë popujve. Kjo notë e fundit bëhet më dominuese ndërkohë që «JO-ja» e Izraelit sa vjen e bëhet më e fortë. 12:19 Më tej Isaia paratha se Mesia nuk do të grindet apo të bërtasë. Zëri i Tij nuk do të dëgjohet nëpër sheshe. Me fjalë të tjera, Ai nuk do të jetë një element turbullues, që e ndez masën. McClain shkruan:
Ky Mbret, që është ‘shërbëtori’ i Perëndisë, nuk do ta arrijë pozicionin e lartë e të ligjshëm të Tij, duke përdorur ndonjë mënyrë të zakonshme force fizike apo demagogjie politike; kjo as me anë të forcave të mbinatyrshme nën urdhër të Tij [4].
12:20 Ai nuk do ta copëtojë kallamin e thyer dhe nuk do ta shuajë kandilin që bën tym. Ai nuk do të shkelë mbi të privuarit dhe të varfërit që të arrijë qëllimet e Tij. Ai do t’i japë zemër dhe do ta forcojë njeriun e dëshpëruar e të shtypur. Ai do t’i fryjë edhe një shkëndije besimi për ta ndezur flakë. Shërbesa e Tij do të vazhdojë derisa Ai të ketë bërë të triumfojë drejtësinë. Kujdesi i Tij plot dashuri dhe përulësi për të tjerët nuk do të shuhet nga urrejtja dhe mosmirënjohja e njerëzve. 12:21 Dhe njerëzit do të shpresojnë në emrin e Tij. Tek Isaia, kjo shprehje është formuluar kështu: «Dhe ishujt do të presin ligjin e Tij.» Kuptimi është i njëjtë. «Ishujt» u referohet kombeve johebre. Ata janë paraqitur ndërsa presin mbretërimin e Tij për të qenë shtetasit e Tij besnik. Kleist dhe Lilly e vlerësojnë këtë citim nga Isaia si:
…një nga perlat e Ungjillit, një paraqitje e bukurisë së përkryer të Krishtit… Isaia paraqet njësimin e Krishtit me Atin, misionin e Tij për t’i udhëzuar kombet, mirësinë e Tij duke u marrë me njerëzimin e vuajtur dhe fitoren e Tij përfundimtare: nuk ka shpresë për botën, përveçse në Emrin e Tij; Krishti, Shpëtimtari i botës, jo i shprehur në terma të thatë, shkollorë, por i veshur në gjuhë të figurshme të pasur lindore [5].

G. Mëkati i pafalshëm (12:22-32)

12:22-24 Kur Jezusi shëroi një të demonizuar, që ishte i verbër dhe memec, njerëzit e zakonshëm filluan të mendonin seriozisht se Ai mund të ishte Biri i Davidit, Mesia i Izraelit. Kjo i zemëroi farisenjtë. Duke mos qenë në gjendje të toleronin asnjë shenjë miratimi të Jezusit, ata shpërthyen me akuzën se mrekullia ishte kryer me fuqinë e Beelzebubit, princit të demonëve. Kjo padi kërcënuese ishte akuzimi i parë i hapur që i bëhej Zoti Jezus për fuqizim nga demonët. 12:25-26 Pasi Ai i kishte lexuar mendimet e tyre, Jezusi vazhdoi të shtjellonte marrëzinë e tyre. Ai tregoi se asnjë mbretëri, …qytet ose shtëpi, që përçahet në vetvete, s’mund të ketë sukses. Në qoftë se Ai ishte duke dëbuar demonët e Satanit me fuqinë e Satanit, atëherë Satani ishte duke vepruar kundër vetvetes. Kjo do të ishte absurde. 12:27 Zoti ynë pati edhe një përgjigje të dytë shkatërrimtare për farisenjtë. Disa nga kolegët e tyre judenj, të njohur si yshtës, pretendonin të kishin fuqinë për të dëbuar demonë. Jezusi as nuk e pranoi dhe as nuk e mohoi këtë pretendim, por e përdori atë për të treguar që në qoftë se Ai i dëboi djajtë me ndihmën e Beelzebubit, atëherë edhe bijtë e farisenjve (d.m.th. këta yshtës) bënë të njëjtën gjë. Farisenjtë nuk do ta pranonin kurrë këtë, por nuk mund t’i shpëtonin logjikës së argumentit. Vetë kolegët e tyre do t’i dënonin ata për të nënkuptuarit se ata yshtën si agjentë të Satanit. Scofield ka thënë:
Farisenjtë ishin tepër të shpejtë për t’u fyer në lidhje me ndonjë përzierje në fuqinë satanike përsa u përkiste vetvetes dhe bijve të tyre, por mbi çfarë po merrnin për bazë, d.m.th. që Krishti dëbon demonë me anë të Beelzebubit, vetë bijtë e tyre do t’i gjykonin si kontradiktorë, sepse në qoftë se fuqia për t’i dëbuar demonët është satanike, atëherë kushdo që e ushtron atë fuqi ka lidhje me burimin e asaj fuqie [6].
Ata nuk po tregoheshin logjik ndërsa po u atribuonin efekte të ngjashme shkaqeve të ndryshme. 12:28 E vërteta, sigurisht, ishte se Jezusi i dëbonte djajtë me ndihmën e Frymës së Perëndisë. Gjithë jetën e Tij si Njeri mbi tokë, Ai e jetoi me fuqinë e Frymës së Shenjtë. Ai ishte Mesia i mbushur me Frymën e Shenjtë, për të cilin kishte parafolur Isaia (Isaia 11:2; 42:1; 61:1-3). Prandaj Ai u tha farisenjve: «…në qoftë se unë i dëboj djajtë me ndihmën e Frymës së Perëndisë, atëherë mbretëria e Perëndisë ka ardhur në mesin tuaj.» Kjo shpallje duhet të ketë qenë një goditje dërrmuese. Ata mburreshin për njohuritë e tyre teologjike, ndërkohë që mbretëria e Perëndisë kishte ardhur në mes tyre, sepse Mbreti ishte midis tyre dhe ata as që e kishin kuptuar që Ai ishte aty! 12:29 Duke mos qenë në asnjë mënyrë në aleancë me Satanin, Zoti Jezus ishte Pushtuesi i Satanit. Ai e ilustron këtë me historinë e të fuqishmit. Njeriu i fuqishëm është Satani. Shtëpia e tij është sfera në të cilën ai dominon. Pasuria e tij janë demonët që ka. Jezusi është Ai që e lidh më parë të fuqishmin, hyn në shtëpinë e tij dhe i plaçkit pasurinë. Faktikisht lidhja e Satanit ndodh me faza. Ajo filloi gjatë shërbesës publike të Jezusit. Pastaj u dorëzua në mënyrë vendimtare me vdekjen dhe ringjalljen e Krishtit. Ajo do të vërtetohet në një mënyrë më të dukshme gjatë mbretërimit një mijë vjeçar të Mbretit (Zbulesa 20:2). Përfundimisht ajo do të vërtetohet përjetësisht kur ai të jetë plandosur në liqenin e zjarrit (Zbulesa 20:10). Në kohën e sotme, djalli nuk duket se është i lidhur. Ai ushtron akoma një pushtet të konsiderueshëm, por fundi i tij është caktuar. Koha e tij është e shkurtër. 12:30 Pastaj Jezusi tha: «Kush nuk është me mua, është kundër meje dhe kush nuk mbledh me mua, shkapërderdh.» Qëndrimi i tyre blasfemues tregoi se farisenjtë nuk ishin me Zotin, por ishin kundër Tij. Duke mos pranuar të korrnin me Të, ata ishin duke e derdhur grurin. Ata e kishin paditur Jezusin për dëbim të demonëve me fuqinë e Satanit, ndërsa, në të vërtetë, vetë ata ishin shërbëtorët e Satanit, që përpiqeshin të pengonin veprën e Perëndisë. Te Marku 9:40, Jezusi tha: «Kush nuk është kundër nesh, është me ne.» Kjo shprehje duket si një përmbysje kategorike e fjalëve të Tij të thëna këtu te Mateu 12:30. Vështirësia zgjidhet kur ne shohim se te Mateu është një çështje shpëtimi. Një njeri është ose me Krishtin ose kundër Tij. Nuk ka asnjanësi. Te Marku, subjekti është shërbimi. Ka dallime në shkallë të gjerë midis dishepujve të Jezusit: ndryshime në bashkësinë e kishës lokale, në metoda dhe në interpretimin e doktrinave. Por këtu rregulli është që nëse një njeri nuk është kundër Zotit, ai është me Të dhe për këtë arsye duhet respektuar. 12:31-32 Këto vargje shënojnë një kulm në qëndrimin e Krishtit ndaj udhëheqësve të Izraelit. Ai i akuzon ata se kanë bërë mëkatin e pafalshëm, duke blasfemuar kundër Frymës së Shenjtë, që do të thotë, duke akuzuar se Jezusi i ka kryer mrekullitë e Tij me fuqinë e Satanit dhe jo me fuqinë e Frymës së Shenjtë. Në të vërtetë, kjo do të thoshte që Fryma e Shenjtë të quhej Beelzebub, sundimtar i demonëve. Për trajta të tjera mëkati dhe blasfemie ekziston falja. Një njeri mund të flasë edhe kundër Birit të njeriut e të falet, por të blasfemosh Frymën e Shenjtë është një mëkat për të cilin nuk ka falje as në këtë botë as në atë të ardhme të mijëvjeçarit. Kur Jezusi tha në këtë botë, Ai po fliste për ditët e shërbesës së Tij publike në tokë. Ekziston një dyshim i arsyeshëm nëse mëkati i pafalshëm mund të kryhet sot, sepse Ai nuk është i pranishëm me trup duke kryer mrekulli. Mëkati i pafalshëm nuk është njëlloj si të mos pranosh Ungjillin; një njeri mund ta përbuzë Shpëtimtarin për disa vite e pastaj të pendohet, të besojë e të shpëtohet. Sigurisht që, nëse vdes në mosbesim, ai mbetet i pafalur. Gjithashtu, mëkati i pafalshëm nuk është e njëjta gjë me rënie; një besimtar mund të endet larg nga Zoti e megjithatë t’i rikthehet bashkësisë në familjen e Perëndisë. Shumë njerëz janë të shqetësuar se mos kanë kryer mëkatin e pafalshëm. Edhe sikur ky mëkat të mund të bëhej sot, fakti që personi është i shqetësuar tregon se ai nuk është fajtor në lidhje me të. Ata që e kishin kryer atë ishin të sertë dhe të pamëshirshëm në kundërvënien e tyre ndaj Krishtit. Ata nuk kishin as ndruajtje se po fyenin Frymën e Shenjtë dhe as ngurrim në komplotimin e vdekjes së Birit. Ata nuk treguan as brejtje të ndërgjegjes dhe as pendim.

H. Një pemë njihet nga frytet e saj (12:33-37)

12:33 Edhe farisenjtë duhet ta kishin pranuar se Zoti kishte bërë mirë duke i dëbuar demonët. Megjithatë ata e akuzuan Atë si të lig. Këtu Ai parashtron kontradiktën e tyre dhe në të vërtetë thotë: «Mblidheni mendjen! Në qoftë se një pemë është e mirë, fryti i saj është i mirë dhe anasjelltas.» Fryti pasqyron cilësinë e pemës që e prodhoi atë. Fryti i shërbesës së Tij ka qenë i mirë. Ai kishte shëruar të sëmurët, të verbërit, të shurdhët dhe memecët. Kishte dëbuar demonë dhe kishte ringjallur të vdekur. A mund të kishte prodhuar kaq fryte të mira një pemë e kalbur? Krejtësisht e pamundur! Atëherë pse nuk pranuan me kaq kokëfortësi ata që ta njihnin Atë? 12:34-35 Arsyeja ishte se ata ishin një pjellë nepërkash. Keqdashja e tyre kundër Birit të Njeriut, e treguar me anë të fjalëve të tyre tërë vrer, ishte derdhja e zemrave të tyre të liga [7]. Një zemër e mbushur me mirësi do të shfaqet me fjalë hiri dhe drejtësie. Një zemër e ligë e shpreh veten e saj me blasfemi, zemërim dhe sharje. 12:36 Me solemnitet, Jezusi i paralajmëroi ata (dhe ne) se njerëzit do të japin llogari për çdo fjalë të kotë që shprehin. Meqenëse fjalët që njerëzit kanë thënë janë një masë e përpiktë e jetëve të tyre, ato do të përbëjnë një bazë të përshtatshme për dënim ose për shfajësim. Sa i madh do të jetë dënimi i farisenjve për fjalët e ulta dhe përçmuese që kanë thënë kundër Birit të Shenjtë të Perëndisë! 12:37 «Sepse në bazë të fjalëve të tua do të justifikohesh dhe në bazë të fjalëve të tua do të dënohesh.» Në rastin e besimtarëve, ndëshkimi për të folurit e pakujdesshëm ka qenë paguar nëpërmjet vdekjes së Krishtit. Megjithatë, të folurit i pakujdesshëm, i parrëfyer dhe i pafalur nga ana jonë do të përfundojë në humbje të shpërblimit në Gjykatën e Krishtit.

I. Shenja e profetit Jona (12:38-42)

12:38 Pavarësisht nga të gjitha mrekullitë që Jezusi kishte kryer, disa skribë dhe farisenj patën guxim t’i kërkonin një shenjë, duke nënkuptuar se ata do të besonin në qoftë se Ai do ta vërtetonte se ishte Mesia! Por hipokrizia e tyre ishte e tejdukshme. Në qoftë se ata nuk kishin besuar si rezultat i aq shumë mrekullive, pse do të bindeshin ata nga një mrekulli më shumë? Qëndrimi që kërkon shenja të jashtëzakonshme si kusht për të besuar nuk i pëlqen Perëndisë. Sikurse Jezusi i tha Thomait: «Lum ata që nuk kanë parë dhe kanë besuar» (Gjoni 20:29). Në ekonominë e Perëndisë, të shikuarit vjen pas të besuarit. 12:39 Zoti u drejtohet atyre si brez i mbrapshtë dhe kurorëshkelës; i mbrapshtë sepse ata ishin të verbër me paramendim ndaj Mesias së tyre, kurorëshkelës sepse frymërisht ishin jobesnikë ndaj Perëndisë së tyre. Krijuesi-Perëndi i tyre, një Person i pashembullt që ndërthurte hyjninë absolute dhe njerëzinë e përsosur, qëndroi ndër ta duke u folur atyre e megjithatë ata guxonin t’i kërkonin Atij një shenjë. 12:40 Ai u tha atyre pa vonuar se asnjë shenjë nuk do t’u jepet, përveç shenjës së profetit Jona, duke iu referuar vdekjes, varrimit dhe ringjalljes së Tij. Përvoja e Jonës, që u gëlltit nga peshku e pastaj u voll (Jona 1:17; 2:10) shëmbëlleu vuajtjet dhe ringjalljen e Krishtit. Ngritja e Tij nga të vdekurit do të ishte shenja kulmore dhe përfundimtare e shërbesës së Tij ndaj kombit të Izraelit. Ashtu sikurse Jona qëndroi tri ditë e tri net në barkun e peshkut të madh, kështu, paratha Zoti ynë, do të qëndrojë edhe Ai tri ditë e tri net në zemër të tokës. Kjo ngre një problem. Në qoftë se Jezusi, siç besohet në përgjithësi, u varros të premten pasdite dhe u ringjall të dielën në mëngjes, si mund të thuhet se Ai kishte qenë për tre ditë e tre net në varr? Përgjigjja është se, në llogaritjen judaike, çdo pjesë e një dite dhe nate numërohet si një periudhë e plotë. «Një ditë dhe një natë përbëjnë një onah dhe një pjesë e një onah është si një e tërë» (thënie judaike). 12:41 Jezusi e përshkroi fajin e udhëheqësve judenjë me dy kontraste. Së pari, johebrenjtë e Ninivit ishin shumë më pak të privilegjuar. Megjithatë, kur ata dëgjuan predikimin e profetit bredharak Jona, ata u penduan me pikëllim të thellë. Ata do të ringjallen në gjyq për t’i dënuar njerëzit e kohës së Jezusit, të cilët nuk pranuan Dikë që është më i madh se Jona, Birin e mishëruar të Perëndisë. 12:42 Së dyti, mbretëresha e Shebës, një johebre jashtë cakut të privilegjit judaik, udhëtoi prej jugut, me përpjekje dhe me shpenzime të mëdha, për një takim me Salomonin. Judenjve të kohës së Jezusit nuk u duhej fare të udhëtonin që ta shihnin Atë. Ai kishte udhëtuar nga qielli në rrethinat e vogla të tyre për të qenë Mesia-Mbret i tyre. Megjithatë ata nuk patën asnjë dhomë në jetët e tyre për Atë që është pafundësisht më i madh se Salomoni. Një mbretëreshë johebre do t’i dënojë ata në gjykim për një mospërfillje kaq të paarsyeshme. Në këtë kapitull, Zoti ynë ka qenë prezantuar si më i madh se tempulli (v 6), më i madh se Jona (v 41) dhe më i madh se Salomoni (v 42). «Ai është më i madh se më i madhi dhe shumë më i mirë se më i miri.»

J. Një frymë e ndyrë kthehet (12:43-45)

12:43-44 Tani, në formë parabolike, Jezusi jep një përmbledhje të së kaluarës, të së tashmes dhe të së ardhmes së Izraelit mosbesues. Njeriu përfaqëson kombin judaik, kurse fryma e ndyrë idhujtarinë që karakterizoi kombin që nga koha e skllavërisë së tij në Egjipt deri në robërinë babilonase (e cila përkohësisht e shëroi Izraelin nga idhujtaria e tij). Ishte sikur fryma e ndyrë kishte dalë nga një njeri. Që nga fundi i robërisë deri në ditët e sotme, judenjtë nuk kanë qenë adhurues idhujsh. Ata janë si një shtëpi që e gjen të zbrazët, të pastruar dhe të zbukuruar. Më se një mijë e nëntëqind vjet më parë, Shpëtimtari kërkoi të drejtën e hyrjes tek ajo shtëpi e zbrazët. Ai ishte banuesi i ligjshëm, i Zoti i shtëpisë, por njerëzit me vendosmëri nuk pranuan ta linin të hynte. Megjithëse nuk adhuruan më idhuj, ata nuk do të adhuronin as Perëndinë e vërtetë. Shtëpia e zbrazët flet për boshllëk frymëror, një gjendje e rrezikshme, siç tregohet në vazhdim. Reformimi nuk është i mjaftueshëm. Nevojitet pranimi pozitiv i Shpëtimtarit. 12:45 Në një ditë të ardhshme, fryma e idhujtarisë do të vendosë që të kthehet në shtëpi, e shoqëruar nga shtatë frymëra të tjera më të liga se ai. Meqenëse shtata është numri i përsosmërisë ose i plotësisë, ajo ka mundësi t’i referohet idhujtarisë në formën e saj tërësisht të zhvilluar. Vështrimi hidhet përpara te Mundimi kur kombi besimbraktisës do të adhurojë Antikrishtin. Të përkulesh përpara njeriut të mëkatit dhe ta adhurosh atë si Perëndi është një formë më e tmerrshme idhujtarie sesa çdo formë tjetër për të cilën kombi ka qenë fajtor në të kaluarën. Kështu, gjendja e fundit e këtij njeriut bëhet më e keqe nga e mëparshmja. Izrael mosbesuesi do të vuajë gjykimet e tmerrshme të Mundimit të Madh. Vuajtjet e tyre do të jenë shumë më të mëdha sesa ato të robërisë babilonase. Pjesa idhujtare e kombit do të shkatërrohet krejtësisht në Ardhjen e Dytë të Krishtit. «Kështu do t’i ndodhë edhe këtij brezi të mbrapshtë.» E njëjta racë besimbraktisëse dhe refuzuese e Krishtit që kundërshtoi me përçmim Birin e Perëndisë në Ardhjen e Tij të Parë do të pësojë një gjykim të ashpër në Ardhjen e Tij të Dytë.

K. Nëna dhe vëllezërit e Jezusit (12:46-50)

Këto vargje përshkruajnë një ngjarje të zakonshme me sa duket, ku familja e Jezusit vjen që t’i flasë Atij. Përse kishin ardhur ata? Marku mund të na japë një çelës. Disa nga miqtë e Jezusit gjykonin se Ai nuk ishte në vete (Marku 3:21, 31-35). Ndoshta familja e Tij erdhi ta merrte me vete pa bërë bujë (lexo Gjoni 7:5 gjithashtu). Kur iu tha se nëna e tij dhe vëllezërit e tij po prisnin jashtë dhe kërkonin të flisnin me të, Zoti iu përgjigj duke pyetur: «Kush është nëna ime dhe kush janë vëllezërit e mi?» Pastaj, duke iu drejtuar dishepujve të vet, Ai tha: «Kushdo që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej, më është vëlla, motër dhe nënë.» Kjo shpallje befasuese është e mbarsur me domethënie frymërore. Ajo shënon një pikë kthese të veçantë në marrëdhëniet e Jezusit me Izraelin. Maria dhe bijtë e saj përfaqësonin kombin e Izraelit, farefisin e Jezusit. Deri atëherë, Ai e kishte kufizuar shërbesën e Tij kryesisht te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit, por po bëhej e qartë se vetë njerëzit e Tij nuk do ta pranonin. Në vend që të binin përmbys përpara Mesias së tyre, farisenjtë e kishin akuzuar Atë se ishte nën kontrollin e Satanit. Kështu tani, Jezusi shpall një rend të ri të gjërave. Tani e tutje, lidhjet e Tij me Izraelin nuk do të jenë faktori mbisundues në shtrirjen e Tij. Megjithëse zemra e Tij e dhembshur do të vazhdonte t’u lutej bashkatdhetarëve të Tij sipas mishit, kapitulli 12 shënon një ndërprerje të qartë nga Izraeli. Tani përfundimi është i qartë. Izraeli nuk do ta pranojë Atë, kështu që Ai do t’u kthehet atyre që dëshiron. Marrëdhëniet farefisnore do të zëvendësohen nga aspektet frymërore. Bindja ndaj Perëndisë do të çojë burra e gra, judenj apo johebrenj, në një marrëdhënie të gjallë me Të. Përpara se të shkëputemi nga kjo ngjarje, ne duhet të përmendim dy pika në lidhje me nënën e Jezusit. Së pari, tregohet qartë se Maria nuk zinte ndonjë vend privilegji të veçantë përsa i përket hyrjes në praninë e Tij. Së dyti, përmendja e vëllezërve të Jezusit i jep një goditje mësimit se Maria ishte një virgjëreshë e përhershme. Nënkuptohet fuqishëm se ata ishin bij të vërtetë të Marias dhe si rrjedhojë gjysmë-vëllezër të Zotit tonë. Kjo pikëpamje fuqizohet nga Shkrime të tjera të tilla si Psalmi 69:8; Mateu 13:55; Marku 3:31-32; 6:3; Gjoni 7:3, 5; Veprat e Apostujve 1:14; 1 e Korintasve 9:5; Galatasve 1:19. [1] Alva J. Gospel McClain, The Greatness of the Kingdom, fq. 311.[[1]] [2] J. H. Jowett, cituar tek Our Daily Bread.[[2]] [3] E.W. Rogers, Jesus the Christ, .fq 65-66[[3]] [4] McClain, Kingdom, fq. 283.[[4]] [5] Kleist dhe Lilly, The New Testament rendered from the Original Greek with Expanded Notes, fq. 45.[[5]] [6] Ella E. Pohle, C. I. Scofield’s Question Box, fq. 97.[[6]] [7] Megjithëse si tekstet kritike ashtu edhe ato maxhoritare lënë jashtë “i zemrës”, sidoqoftë kjo do të kuptohej.[[7]]