Mundimet dhe vdekja e Mbretit (Mateu 26-27)

A. Komploti për vrasjen e Jezusit (26:1-5)

26:1-2 Për të katërtën dhe të fundit herë në këtë Ungjill, Zoti ynë i paralajmëroi dishepujt e Vet se Ai duhet të vdesë (Mt. 16:21; 17:23; 20:18). Shpallja e Tij nënkuptonte një interval të ngushtë kohor midis Pashkës dhe kryqëzimit të Tij: «Ju e dini se pas dy ditësh janë Pashkët dhe Biri i njeriut do të dorëzohet për t’u kryqëzuar.» Këtë vit Pashka do të gjente kuptimin e vërtetë të saj. Më në fund, Qengji i Pashkës kishte mbërritur dhe shpejt do të therej. 26:3-5 Pikërisht ndërsa Ai po shprehte këto fjalë, krerët e priftërinjve, skribët dhe pleqtë e popullit ishin mbledhur në pallatin e kryepriftit… Kajafa, për të planifikuar strategjinë e tyre. Ata donin ta arrestonin Atë me dinakëri dhe ta vrisnin, por nuk menduan se ishte e arsyeshme që këtë ta bënin gjatë festës. Populli mund të reagonte dhunshëm kundër ekzekutimit të Tij. Është e pabesueshme që udhëheqësit fetarë të Izraelit u vunë në krye të komplotit të vdekjes së Mesias së tyre. Ata duhej të kishin qenë të parët që duhej ta kishin njohur e vënë në fron Atë. Në vend të kësaj, ata formuan pararojën e armiqve të Tij.

B. Jezusi vajoset në Betani (26:6-13)

26:6-7 Ngjarja siguron një mirëpritje lehtësuese, që ndodh mes tradhtisë së priftërinjve, ngushtësisë së dishepujve dhe pabesisë së Judës. Kur Jezusi ishte në Betani, në shtëpinë e lebrozit Simon, u afrua një grua dhe zbrazi një alabastër me parfum tepër të shtrenjtë mbi kokën e Tij. Kushtueshmëria e sakrificës së saj shprehu thellësinë e devotshmërisë së saj për Zotin Jezus, duke thënë në fakt se asgjë s’ishte e mjaftueshme për Të. 26:8-9 Dishepujt e Tij, veçanërisht Juda (Gjoni 12:4-5), e panë këtë veprim si një shpenzim tepër të madh. Ata menduan se do të kishte qenë më mirë sikur paratë t’u jepeshin të varfërve. 26:10-12 Jezusi e ndreqi mendimin e shtrembër të tyre. Veprimi i saj nuk ishte shkapërderdhës, por ishte i mrekullueshëm. Dhe jo vetëm kaq. Ai ishte në mënyrë të përkryer në kohë. Të varfrit mund të ndihmohen në çdo kohë, por vetëm një herë mund të vajosej Shpëtimtari në historinë e kësaj bote për varrosje. Ai çast kishte trokitur dhe një grua e vetme, me mprehtësi frymërore, e kishte kapur atë. Duke u patur besuar parathënieve të Zotit në lidhje me vdekjen e Tij, ajo duhet të ketë arritur të kuptojë se fjala ishte «o sot, o kurrë.» Kështu doli se ajo ishte në rregull. Ato gra që planifikuan ta vajosnin trupin e Tij mbas varrimit u penguan nga ringjallja (Mr. 16:1-6). 26:13 Zoti Jezus e pavdekësoi aktin e saj të thjeshtë të dashurisë: «Në të vërtetë unë po ju them se kudo që do të predikohet ky ungjill, në gjithë botën, do të tregohet edhe çfarë bëri kjo grua, në përkujtim të saj.» Çdo akt adhurimi i vërtetë i mbush oborret e qiellit me erë të këndshme dhe është regjistruar pashlyeshmërisht në kujtesën e Zotit.

C. Tradhtia e Judës (26:14-16)

26:14-15 Atëherë një nga të dymbëdhjetët, njëri prej dishepujve që kishte jetuar me Zotin Jezus, udhëtuar me Të, kishte parë mrekullitë e Tij, kishte dëgjuar mësimin e Tij të pakrahasueshëm dhe kishte dëshmuar për mrekullinë e një jete pa mëkat, ai që Jezusi mundi ta quante «miku im i ngushtë…që hante bukën time» (Psa. 41:9), ishte ai njeri që ngriti këmbën e tij kundër Birit të Perëndisë. Judë Iskarioti shkoi te krerët e priftërinjve dhe bëri ujdi ta shiste Mësuesin e tij për tridhjetë sikla argjendi. Priftërinjtë e paguan atë aty për aty me një shumë të ulët prej rreth pesëmbëdhjetë dollarësh (afërsisht 2000 lek). Është e habitshme të vëresh kontrastin midis gruas që e vajosi Jezusin në shtëpinë e Simonit dhe Judës. Ajo e vlerësoi shumë Shpëtimtarin. Juda e vlerësoi fare lehtë Atë. 26:16 Dhe kështu, ai që s’kishte marrë tjetër prej Jezusit veçse mirësi, doli për të ujdisur pjesën e vet në atë pazar të tmerrshëm.

D. Pashka e fundit (26:17-25)

26:17 ditën e parë të ndormëve, e gjithë majaja hiqej nga shtëpitë judease. Çfarë mendimesh duhet të kenë vërshuar në mendjen e Zotit ndërsa Ai i dërgoi dishepujt në Jeruzalem që të shtronin për… Pashkën! Çdo hollësi e atij vakti ngrënieje do të kishte një domethënie të mprehtë. 26:18-20 Jezusi i dërgoi dishepujt të kërkonin filanin pa emër, që do t’i çonte ata në shtëpinë e caktuar. Ndoshta mjegullimi i udhëzimeve kishte për synim t’u humbiste gjurmët komplotuesve. Për çdo rast, ne vërejmë njohjen e plotë të individëve nga ana e Jezusit, vendndodhjet e tyre si dhe gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar. Vërej këto fjalë: «Mësuesi thotë: ‘Koha ime është afër; do të bëj Pashkën në shtëpinë tënde bashkë me dishepujt e mi’.» Ai e përballi vdekjen e Tij afruese me vetëpërmbajtje. Ai e ujdisi atë vakt ushqimi me hir të përkryer. Çfarë privilegji për këtë njeri anonim që ta japë shtëpinë e tij për këtë Pashkë të fundit! 26:21-24 Ndërsa ato po hanin, Jezusi bëri njoftimin tronditës që një nga të dymbëdhjetët do ta tradhtojë Atë. Dishepujt ishin të mbushur me pikëllim, zhgënjim dhe vetëdyshim. Njëri pas tjetrit ata pyetën: «Mos jam unë, Zot?» Kur të gjithë, me përjashtim të Judës, kishin pyetur, Jezusi u tha atyre se bëhej fjalë për atë që ka ngjyer me Të në çanak. Atëherë Zoti mori një copë bukë, e ngjeu atë në lëngun e mishit dhe ia dha Judës (Gjoni 13:26), një shenjë kjo e përzemërsisë dhe e miqësisë së veçantë. Ai u kujtoi atyre se ekzistonte një lloj paracaktimi në atë që do t’i ndodhte Atij, por ajo nuk e shkarkonte tradhtarin nga përgjegjësia. Do të ishte më mirë që ai të mos kishte lindur ndonjëherë. Me vullnetin e tij, Juda vendosi ta shiste Shpëtimtarin dhe kështu konsiderohet vetë përgjegjës. 26:25 Kur Juda, më në fund, e pyeti drejtpërdrejt nëse ishte vetë ai, Jezusi iu përgjigj: «Po.»

E. Darka e parë e Zotit (26:26-29)

Te Gjoni 13:30 ne mësojmë se me të marrë copën e bukës, Juda doli jashtë dhe ishte natë. Prej kësaj ne arrijmë në përfundimin se ai nuk ishte i pranishëm kur ishte themeluar Darka e Zotit (megjithëse ka mjaft mospajtim në këtë pikë). 26:26 Mbasi mbajti Pashkën e Tij të fundit, Shpëtimtari themeloi atë që ne njohim si Darkë e Zotit. Elementet kryesore, buka dhe vera, tashmë ishin mbi tryezë si pjesë e ushqimit të Pashkës. Jezusi i veshi ato me një kuptim të ri. Në fillim Ai mori bukën, e bekoi dhe e theu. Ndërsa ua dha dishepujve, Ai tha: «Merrni, hani; ky është trupi im.» Meqenëse trupi i Tij nuk ishte dhënë ende në kryq, është e qartë që Ai po fliste në mënyrë figurative, duke e përdorur bukën për të simbolizuar trupin e Tij. 26:27-28 E njëjta gjë vlen edhe për kupën. Ena është përdorur për të shprehur atë çfarë përmban. Kupa përmbante frytin e hardhisë me të cilin nga ana tjetër simbolizohej gjaku i besëlidhjes së re. Besëlidhja e re dhe e pakushtëzuar e hirit do të miratohej nga gjaku i Tij i çmueshëm, i derdhur për shumë veta për faljen e mëkateve. Gjaku i Tij ishte i mjaftueshëm që të siguronte falje për të gjithë, por këtu ai ishte derdhur për shumë, në kuptimin që ai ishte i efektshëm vetëm për të hequr mëkatet e atyre që besojnë. 26:29 Pastaj Shpëtimtari u kujtoi dishepujve të Tij se Ai nuk do të pinte përsëri me ta nga ky fryt i hardhisë, deri kur të kthehej mbi tokë për të mbretëruar. Atëherë vera do të kishte një kuptim të ri. Ajo do të fliste për gëzimin dhe lumninë e mbretërisë së Atit të Tij. Shpesh është ngritur çështja nëse ne duhet të përdorim bukë me maja apo pa maja, verë të fermentuar apo të pafermentuar për Darkën e Zotit. S’ka dyshim që Zoti përdori bukë pa maja dhe verë të fermentuar (gjithë vera ishte e fermentuar në ato kohë). Ata që argumentojnë se buka me maja dëmton tipin (majaja është një figurë e mëkatit) duhet të kuptojnë se e njëjta gjë vlen edhe për fermentimin. Është një tragjedi kur ne merremi aq shumë me elementet sa nuk arrijmë të shohim Vetë Zotin. Pali theksoi se është kuptimi frymëror i bukës e jo vetë buka ajo që vlen. «Sepse Pashka jonë, që është Krishti, u flijua për ne. Prandaj le ta kremtojmë festën jo me maja të vjetër, as me maja ligësie dhe keqësie, por me bukë pa maja të sinqeritetit dhe të së vërtetës» (1 e Korintasve 5:7-8). Nuk është majaja në bukë ajo që ka rëndësi, por majaja në jetët tona!

F. Dishepujt me besim në vetvete (26:30-35)

26:30 Në vijim të Darkës së Zotit, grupi i vogël këndoi himnin, ka mundësi të marrë nga Psalmet 113-118, «Haleli i Madh.» Pastaj ata lanë Jeruzalemin, kapërcyen Përroin e Kidronit dhe iu ngjitën shpatit perëndimor të Malit të Ullinjve për te Kopshti i Gjetsemanit. 26:31 Gjatë gjithë shërbesës së Tij tokësore, Zoti Jezus i kishte paralajmëruar besnikërisht dishepujt e Tij në lidhje me shtegun që qëndronte përpara. Tani Ai u tha se atë natë, ata do të shkëputeshin të gjithë prej Tij. Do të pushtoheshin nga frika me të parë tërbimin e shpërthimit të stuhisë. Për të shpëtuar lëkurën, ata do ta braktisnin Mësuesin e tyre. Profecia e Zakarisë do të përmbushej: «Godite bariun dhe delet le të shpërndahen» (Zakaria 13:7). 26:32 Por Ai nuk i la ata pa shpresë. Megjithëse atyre do t’u vinte turp për shoqërimin me Të, Ai nuk do t’i braktiste ata kurrë. Mbas ngritjes nga të vdekurit, Ai do t’i takonte ata në Galile. Ç’Mik i pashtershëm e i mrekullueshëm! 26:33-34 Pjetri ndërhyu nxitimthi për ta siguruar Zotin që megjithëse të tjerët mund ta braktisin Atë, ai nuk do ta bënte kurrë një gjë të tillë. Zoti e ndreqi atë «kurrë» për ta kthyer në «këtë natë…tri herë.» Përpara se të këndonte gjeli, dishepulli i rrëmbyer do ta mohonte tri herë Mësuesin e Tij. 26:35 Duke protestuar ende në lidhje me besnikërinë e tij, Pjetri ngulmoi se ai do të vdiste me Krishtin më tepër se sa ta mohonte Atë. Të gjithë dishepujt u pajtuan me këtë mendim. Ata ishin të sinqertë. Ata kishin ndër mend atë që thanë, por çështja ishte se ata nuk njihnin vetë zemrat e tyre.

G. Agonia në Gjetsemani (26:36-46)

Askush nuk mundet t’i afrohet asaj që përshkruhet në Kopshtin e Gjetsemanit pa kuptuar se ai po ecën në tokë të shenjtë. Kushdo që përpiqet ta komentojë atë provon një ndjesi të jashtëzakonshme droje dhe nderimi për t’i patur fjalët të kursyera. Sikurse shkroi Guy King: «Karakteri hyjnor i ngjarjes e bën personin të ketë frikë se mos e prish atë në ndonjë farë mënyre duke e çikur.» 26:36-38 Pas hyrjes në Gjetsemani, që ka kuptimin e tinarit ose të trokut të ullinjve, Jezusi u tha tetë prej njëmbëdhjetë dishepujve që ishin me Të që të uleshin e të prisnin. Pastaj mori Pjetrin dhe të dy djemtë e Zebedeut më në thellësi të kopshtit. A mund të sugjerojë kjo se dishepuj të ndryshëm kanë aftësi të ndryshme për ta kuptuar në intimitet Shpëtimtarin në agoninë e Tij? Ai filloi të ndiejë trishtim dhe ankth të madh. Ai i tha hapur Pjetrit, Jakobit dhe Gjonit se shpirti i Tij ishte thellësisht i trishtuar, deri në vdekje. Pa dyshim që ky ishte ankthi i papërshkrueshëm i shpirtit të Tij të shenjtë ndërsa Ai parashijonte të bërit ofertë për mëkatin për ne. Ne që jemi me mëkate nuk mund ta marrim me mend se çfarë donte të thoshte për Të, të Pamëkatin, që të bëhej mëkat për ne (2 e Korintasve 5:21). 26:39 Nuk është për t’u befasuar që Ai i la ata tre dhe shkoi pak përpara në kopsht. Askush tjetër s’mund të marrë pjesë në vuajtjen e Tij apo të bëjë lutjen e Tij: «Ati im, në qoftë se është e mundur, largoje prej meje këtë kupë; megjithatë, jo si dua unë, por si do Ti.» Që të mos mendojmë se kjo lutje shprehu kundërshtim apo një dëshirë për t’u kthyer prapa, ne duhet të kujtojmë fjalët e Tij te Gjoni 12:27-28: «Tani shpirti im është i tronditur dhe çfarë të them: ‘O Atë, më shpëto nga kjo orë’? Po për këtë Unë kam ardhur në këtë orë. O Atë, përlëvdo Emrin Tënd!» Prandaj, duke u lutur që kjo kupë të mund të largohej prej Tij, Ai nuk po kërkonte që të shpëtonte nga të shkuarit në kryq. Pikërisht ky ishte qëllimi i ardhjes së Tij në botë! Lutja ishte retorike, që do të thotë se nuk kishte për synim që të nxirrte një përgjigje, por që ne të na jepte një mësim. Në të vërtetë, Jezusi po thoshte: «O Ati im, nëse ka ndonjë rrugë tjetër përmes së cilës mëkatarët e paperëndishëm të mund të shpëtohen, në vend që unë të shkoj në kryq, zbuloje atë rrugë tani! Por megjithatë dua që të dihet se unë nuk dëshiroj asgjë në kundërshtim me vullnetin Tënd.» Cila ishte përgjigjja? Nuk kishte asnjë përgjigje. Qiejt ishin të heshtur. Nga kjo heshtje domethënëse ne dimë se nuk kishte asnjë rrugë tjetër për Perëndinë për shfajësimin e mëkatarëve fajtorë veç vdekjes së Krishtit, Shpëtimtarit të pamëkatë, si Zëvendësues për ne. 26:40-41 Duke u kthyer te dishepujt, Ai i gjeti tek flinin. Frymët e tyre ishin gati; mishi i tyre ishte i dobët. Ne nuk guxojmë t’i dënojmë ata ndërsa mendja na shkon te vetë jeta jonë e lutjes. Ne na vjen më tepër të flemë sesa të lutemi. Mendjet tona përhumben atëherë kur duhet të qëndrojnë zgjuar. Sa shpesh duhet të na thotë ne Zoti sikurse i tha Pjetrit: «Po si nuk mundët të vigjiloni me mua të paktën për një orë? Rrini zgjuar dhe lutuni, që të mos bini në tundim26:42 U largua përsëri për herë të dytë dhe u lut duke shprehur nënshtrim ndaj vullnetit të Atit. Ai do ta pinte me fund kupën e vuajtjes dhe të vdekjes. Sigurisht që Ai ishte i vetëm në jetën e Tij të lutjes. Ai i mësoi dishepujt të luten, u lut në praninë e tyre, por Ai nuk u lut asnjëherë me ta. Karakteri i pashembullt i Personit dhe i veprës së Tij ua pamundësonte të tjerëve pjesëmarrjen në jetën e Tij të lutjes. 26:43-45 Kur Ai u kthye te dishepujt për herë të dytë, ata përsëri po flinin. Në të njëjtën mënyrë herën e tretë: Ai u lut, ata fjetën. Ishte atëherë kur Ai u tha atyre: «Tani vazhdoni të flini dhe pushoni; ja, erdhi ora dhe Biri i njeriut do të bjerë në duart e mëkatarëve26:46 Rasti për të qëndruar zgjuar me Jezusin, në rojë me Të, kishte kaluar. Tashmë mund të dëgjoheshin hapat e tradhtarit. Jezusi tha: «Çohuni, të shkojmë.» Jo për t’u tërhequr, por për t’i dalë armikut përballë. Para se të largohemi nga kopshti, le të ndalemi edhe një herë për të dëgjuar gulçimat e Tij, për të sjellë ndër mend pikëllimin e Tij dhe për ta falënderuar Atë me gjithë zemrën tonë.

H. Arrestimi dhe tradhtimi i Jezusit në Gjetsemani (26:47-56)

Tradhtimi i Shpëtimtarit të pamëkatë nga njëra prej vetë krijesave të Tij përbën një nga anomalitë më të çuditshme të historisë. Pa faktin e gjithë prishjes së njeriut, ne nuk do të ishim në gjendje të shpjegonim tradhtinë e ulët dhe të pajustifikueshme të Judës. 26:47 Ndërsa Jezusi ende po u fliste të njëmbëdhjetëve, Juda mbërriti me një bandë të armatosur me shpata dhe me shkopinj. Sigurisht që armët nuk ishin ide e Judës. Ai s’e kishte parë kurrë Shpëtimtarin të përgjigjej apo të rezistonte. Ndoshta armët simbolizonin vendosmërinë e krerëve të priftërinjve dhe të pleqve për ta kapur Atë pa patur asnjë mundësi për të ikur. 26:48 Juda do të përdorte një puthje si shenjë për të ndihmuar turmën që ta dallonte Jezusin nga dishepujt e Tij. Simboli universal i dashurisë do të shitej për t’u përdorur në mënyrën më të ndyrë. 26:49 Ndërsa iu afrua Zotit, Juda tha: «Përshëndetje, Mësues!» dhe pastaj e puthi Atë me tepri. Dy fjalë të ndryshme janë përdorur në këtë pjesë për «puth.» E para, në vargun 48, është fjala e zakonshme për puthje, kurse në vargun 49 është përdorur një fjalë më e fuqishme që shpreh të puthurën e përsëritur ose demonstrative. 26:50 Me vetëpërmbajtje dhe me mprehtësi fajësuese, Jezusi e pyeti: «Mik, çfarë ke ardhur të bësh?» Pa dyshim që pyetja i ra Judës si ujë i valuar, por ngjarjet tashmë po rrokulliseshin me shpejtësi. Turma u dynd dhe e mbërtheu Zotin Jezus pa e zgjatur. 26:51 Njëri prej dishepujve (ne e dimë nga Gjoni 18:10 se ai ishte Pjetri), nxori shpatën e vet… dhe ia preu veshin… shërbëtorit të kryepriftit. Ka pak mundësi që Pjetri të ketë marrë shenjë për t’i rënë veshit. Pa dyshim që ai kishte patur ndër mend një goditje vdekjeprurëse. Për faktin që shënjimi i tij ishte aq i dobët ashtu sikurse edhe gjykimi i tij na tregon që kjo i atribuohet Providencës hyjnore. 26:52 Lavdia morale e Zotit Jezus shndrin vezullueshëm në këtë rast. Përpara Ai qortoi Pjetrin: «Ktheje shpatën në vendin e vet, sepse të gjithë ata që rrokin shpatën, prej shpate do të vdesin.» Në mbretërinë e Krishtit fitoret nuk arrihen me mjete mishërore. T’i drejtohesh forcës së armëve në luftën frymërore do të thotë t’i hapësh derën shkatërrimit. Le ta përdorin armiqtë e mbretërisë shpatën. Në fund ata do të pësojnë disfatë. Kush është ushtar i Krishtit le t’i drejtohet lutjes, Fjalës së Perëndisë dhe fuqisë së një jete të mbushur me Frymën e Shenjtë. Ne mësojmë nga doktor Luka se pas kësaj, Jezusi e shëroi veshin e Malkut (Luka 22:51; Gjoni 18:10). Ky ishte emri i viktimës. A nuk është kjo një shfaqje e mrekullueshme e hirit? Ai i deshi ata që e urryen dhe tregoi mirësi ndaj atyre që donin t’i merrnin jetën. 26:53-54 Po të kishte dëshiruar që t’i kundërvihej turmës, Ai s’do të ishte kufizuar te shpata e papërfillshme e Pjetrit. Për një çast Ai mund të kishte kërkuar që të dërgoheshin më shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh (nga 36.000 deri në 72.000), por një gjë e tillë veçse do ta kishte penguar planin hyjnor. Shkrimet që parashikonin tradhtimin, vuajtjet, kryqëzimin dhe ringjalljen e Tij duhej të përmbusheshin. 26:55 Pastaj Jezusi i kujtoi grumbullit të njerëzve se sa pa vend ishte për ta që të dilnin për ta kapur duke qenë të armatosur. Ata s’e kishin parë Atë kurrë që t’i drejtohej dhunës apo të merrej me plaçkitje. Përkundrazi, Ai kishte qenë një Mësues i qetë, që çdo ditë rrinte në tempull. Ata mund ta kishin kapur kollaj atëherë, por nuk e kishin bërë këtë. Pse të vinin tani me shpata dhe me shkopinj? Duke folur nga ana njerëzore, sjellja e tyre ishte e paarsyeshme. 26:56 Megjithatë Shpëtimtari e kuptoi se ligësia e njeriut po përparonte vetëm në përmbushje të planit të caktuar të Perëndisë. «Të gjitha këto ndodhën që të përmbushen Shkrimet e profetëve.» Duke kuptuar se nuk do të kishte asnjë mundësi shpëtimi për Mësuesin e tyre, të gjithë dishepujt e lanë dhe ikën në panik. Në qoftë se burracakëria e tyre ishte e pajustifikueshme, e jona është edhe më shumë. Ata nuk ishin banuar ende nga Fryma e Shenjtë, kurse ne po.

I. Jezusi përpara Kajafës (26:57-68)

26:57 Ishin dy gjyqe kryesore për Zotin Jezus: një gjyq fetar përpara udhëheqësve judenj dhe një gjyq civil përpara autoriteteve romake. Ndërthurja e tregimeve nga të katër Ungjijtë tregon se çdo gjyq pati tri faza. Përshkrimi i gjyqit judeas nga Gjoni tregon se në fillim Jezusin e çuan përpara Anës, vjehrrit të Kajafës. Përshkrimi i Mateut fillon me fazën e dytë te kryeprifti Kajafa, në shtëpinë e tij. Zakonisht njerëzve nën padi u jepej një mundësi për të përgatitur mbrojtjen e tyre, por udhëheqësit fetarë, të papërmbajtshëm siç ishin, e larguan me shpejtësi Jezusin nga burgu dhe nga drejtësia (Isa. 53:8), duke mos i dhënë mundësi për një gjyq të drejtë. Në këtë natë të veçantë, farisenjtë, saducenjtë, skribët dhe pleqtë, që përbënin Sinedrin, treguan një mospërfillje të plotë ndaj rregullave në bazë të të cilave ata duhej të vepronin. Ata nuk duhej të takoheshin natën apo gjatë ndonjërës prej festave judease. Ata nuk duhej të blinin dëshmitarë që të bënin dëshmi të rreme. Një vendim për dënim me vdekje nuk duhej marrë pa kaluar një natë. Gjithashtu, pa u takuar në sallonin e Gurit të Latuar, në zonën e tempullit, vendimet e tyre nuk ishin detyruese. Në padurim për ta hequr Jezusin qafe, institucioni judaik nuk ngurroi të begeniste që t’i thyente vetë ligjet e tij. 26:58 Kajafa ishte gjykatësi që drejtonte. Duket që Sinedri shërbeu si juri ashtu edhe si palë paditëse. Le të themi të paktën një ndërthurje e parregullt. Jezusi ishte i Pandehuri. Dhe Pjetri ishte një spektator nga një largësi e parrezikshme. Ai u ul bashkë me rojet për të parë fundin. 26:59-61 Udhëheqësit judenj e patën të vështirë të gjenin dëshmi të rreme kundër Jezusit. Ata do të kishin qenë më të suksesshëm po të kishin përmbushur detyrimin e tyre paraprak në procesin gjyqësor dhe po të kërkonin dëshmi të pafajësisë së Tij. Më në fund, dy dëshmitarë të rremë sajuan një formulim të shtrembëruar të fjalëve të Jezusit: «Shkatërroni këtë tempull dhe unë për tri ditë do ta ngre përsëri!» (Gjoni 2:19-21). Sipas dëshmitarëve, Ai kishte kërcënuar se do ta shkatërronte tempullin në Jeruzalem dhe pastaj do ta rindërtonte atë. Në të vërtetë Ai kishte parashikuar vdekjen e Tij dhe ringjalljen vijuese. Në këtë rast judenjtë e përdorën atë parashikim si një justifikim për vrasjen e Tij. 26:62-63 Gjatë këtyre padive, Zoti Jezus nuk tha asgjë. «Si një qengj që e çojnë në thertore, si një dele e heshtur përpara atyre që i qethin, nuk e hapi gojën» (Isa. 53:7). Kryeprifti, i irrituar nga heshtja e Tij, e nxiti Atë që të bënte një pohim. Shpëtimtari iu shmang përsëri të përgjigjurit. Atëherë kryeprifti i tha: «Unë po të përbej për Perëndinë e gjallë të na thuash në se ti je Krishti, Biri i Perëndisë.» Ligji i Moisiut kërkonte që një jude të dëshmonte kur vihej nën betim nga kryeprifti (Lev. 5:1). 26:64 Duke qenë një jude i bindur nën ligj, Jezusi u përgjigj: «Ti po thua!» Pastaj Ai shpalli edhe më fuqishëm që ishte Mesia dhe hyjninë e Tij: «Madje unë po ju them se në të ardhmen ju do ta shihni Birin e Njeriut duke ndenjur në të djathtën e Pushtetit dhe duke ardhur mbi retë e qiellit.» Në thelb Ai po thoshte: «Unë jam Krishti, Biri i Perëndisë, sikurse ti the. Tani për tani lavdia ime është e mbuluar në një trup njerëzor. Unë dukem sikur jam thjesht si çdo njeri tjetër. Ju jeni duke më parë në ditët e përuljes sime, por po vjen dita kur ju, judenj, do të më shihni të përlëvduar, të barabartë në çdo drejtim me Perëndinë, duke ndenjur në krah të djathtë të Tij dhe duke ardhur mbi retë e qiellit.» Në vargun 64, «ti» (njëjës) [1] i drejtohet Kajafës. «Po ju them» dhe «ju» (shumës) u referohen judenjve si përfaqësues të atyre izraelitëve që do të jetojnë në kohën e shfaqjes së lavdishme të Krishtit, të cilët do ta shohin qartë se Ai është Biri i Perëndisë. «Nganjëherë është pohuar se Jezusi nuk e quajti Veten asnjëherë ‘Bir të Perëndisë’», shkruan Lenski. «Këtu (në vargun 24) Ai betohet se nuk është më pak» [2]. 26:65-66 Kajafa e kapi thelbin. Jezusi kishte përmendur tërthorazi një profeci mesianike të Danielit: «Unë shikoja disa vegime nate dhe ja mbi retë e qiellit po vinte dikush që i ngjante një Biri Njeriu; Ai arriti deri te i Lashti i Ditëve dhe iu afrua Atij.» Reagimi i kryepriftit vërteton se ai e kishte kuptuar që Jezusi po deklaronte barazi me Perëndinë (shih Gjoni 5:18). Ai i shqeu rrobat e veta priftërore, një shenjë kjo se dëshmitari kishte blasfemuar. Fjalët e ndezura të Tij, duke iu drejtuar Sinedrit, e quanin Jezusin fajtor. Kur iu kërkua gjykimi, Këshilli iu përgjigj: «Ai është fajtor për vdekje26:67-68 Faza e dytë e gjyqit përfundoi me juristët që goditnin dhe pështynin mbi të Akuzuarin, duke e tallur pastaj Atë që të përdorte fuqinë e Tij si Krisht për të dalluar se kush e kishte goditur. I tërë procesi ishte jo vetëm i paligjshëm, por skandaloz.

J. Pjetri e mohon Jezusin dhe qan me hidhërim (26:69-75)

26:69-72 Tani për Pjetrin kishte ardhur çasti më i zymtë. Ndërsa ndenji përjashta, në oborr, një grua e re iu afrua dhe e akuzoi se ai kishte qenë ortak me Jezusin. Mohimi i tij ishte energjik dhe i atypëratyshëm: «Nuk di ç’po thuaAi doli në hajat, ndoshta për të shpëtuar pa rënë më në sy, kur atje, një shërbëtore tjetër e njëjtësoi publikisht si një që kishte qenë me Jezusin, Nazareasin. Këtë herë ai u betua se nuk e njihte atë Njeri. Ai «Njeri» ishte Mësuesi i Tij. 26:73-74 Mbas pak disa soditës erdhën duke thënë: «Sigurisht edhe ti je një nga ata, sepse e folura jote të tradhton!» Nuk mjaftonte më një mohim i thjeshtë. Këtë herë ai e përforcoi atë me betime dhe mallkime. «Unë nuk e njoh atë njeri!» Me një bashkërenditje shqetësuese, një gjel këndoi. 26:75 Zëri i njohur shpoi jo vetëm qetësinë e orëve të para, por edhe zemrën e Pjetrit. I shfryrë nga vetvetja, duke kujtuar atë që Zoti kishte thënë, ai doli përjashta dhe qau me hidhërim. Tek Ungjijtë ekziston një kontradiktë në dukje në lidhje me numrin dhe çastin e mohimeve. Te Mateu, Luka dhe Gjoni është dëshmuar se Jezusi thotë: «Para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë» (Mt. 26:34; shih gjithashtu Luka 22:34; Gjoni 13:38). Te Marku, profecia thotë: «…para se gjeli të këndojë dy herë, ti do të më mohosh tri herë» (Mr. 14:30). Ka gjasë që të ketë qenë më shumë se një gjel duke kënduar, njëri gjatë natës e tjetri në të aguar. Gjithashtu ka mundësi që Ungjijtë të shënojnë të paktën gjashtë mohime të ndryshme të Pjetrit. Ai e mohoi Krishtin përpara: (1) një shërbëtoreje (Mt. 26:69-70; Mr. 14:66-68); (2) një shërbëtoreje tjetër (Mt. 26:71-72; Mr. 14:69-70); (3) turmës së pranishme (Mt. 26:73-74; Mr. 14:70-71); (4) një njeriu (Luka 22:58); (5) një njeriu tjetër (Luka 22:59-60); (6) një shërbëtori të kryepriftit (Gjoni 18:26-27). Ne besojmë se ky i fundit është ndryshe nga të tjerët për arsye se ai tha: «A s’të pashë në kopsht me Të?» Të tjerët nuk përshkruhen duke thënë një gjë të tillë.

K. Gjyqi në mëngjes përpara Sinedrit (27:1-2)

Faza e tretë e gjyqit fetar u bë në mëngjes përpara Sinedrit. Asnjë çështje gjyqësore nuk përfundonte në po atë ditë që kishte filluar, veç në qoftë se i pandehuri kishte dalë i pafajshëm. Ishte menduar të kalonte një natë përpara se vendimi të shpallej, «në mënyrë që të kishte kohë për lindjen e ndjenjave të mëshirës.» Në këtë rast udhëheqësit fetarë dukeshin se synonin të mbytnin çdo ndjenjë mëshire. Sidoqoftë, duke qenë se gjyqet gjatë natës ishin të parregullta, në mëngjes ata thirrën një seksion për t’i dhënë vlerë ligjore vendimit të tyre. Nën sundimin romak, udhëheqësit judenj nuk kishin autoritet për të dhënë dënim me vdekje. Për këtë arsye ne tani i shohim ata duke e çuar me ngut Jezusin te guvernatori romak Ponc Pilati. Megjithëse urrejtja e tyre ndaj gjithçkaje që kishte të bënte me romakët ishte e madhe, ata ishin të gatshëm që «ta përdornin» këtë pushtet për të kënaqur një urrejtje akoma më të thellë. Kundërvënia ndaj Jezusit bashkon edhe armiqtë më të ashpër.

L. Brejtja dhe vdekja e Judës (27:3-10)

27:3-4 Juda, me të kuptuar mëkatin e tij duke tradhtuar gjakun e pafaj, ua ktheu paratë krerëve të priftërinjve dhe pleqve. Këta komplotues kryesorë, që pak orë më parë kishin bashkëpunuar me aq zjarr, tani nuk pranojnë të kenë të bëjnë më tej me këtë çështje. Ky është njëri prej shpërblimeve të tradhtisë. Juda u pendua, por ky nuk ishte një pendim i perëndishëm që të çon në shpëtim. I brengosur për pasojat që krimi i tij kishte sjellë mbi veten e tij, ai nuk ishte ende i gatshëm për ta njohur Jezus Krishtin si Zot dhe Shpëtimtar. 27:5 Në dëshpërim e sipër, Juda i hodhi siklat prej argjendi në tempull ku vetëm priftërinjtë mund të hynin. Pastaj doli jashtë dhe kreu vetëvrasje. Duke e krahasuar këtë tregim me Veprat 1:18, ne arrijmë në përfundimin se ai vari vetveten në një pemë, litari ose dega u thye dhe trupi i tij ra në një greminë, ku i dolën zorrët jashtë. 27:6 Krerët e priftërinjve, tepër «frymërorë» për t’i vënë paratë në thesarin e tempullit, ngaqë ishte çmim gjaku, ishin fajtorët që i kishin paguar ato para në mënyrë që Mesia t’u shitej atyre. Kjo nuk duket se i shqetëson ata. Siç kishte thënë Zoti, ata e pastronin anën e jashtme të kupës, por përbrenda ajo ishte plot me mashtrim, tradhti dhe vrasje. 27:7-10 Ata i përdorën paratë për të blerë arën e poçarit, ku mund të varroseshin të huajt e papastër johebrenj, duke mos kuptuar se sa shumë hordhi johebre do ta pushtonin vendin e tyre dhe do t’i spërkatnin rrugët e tyre me gjak. Qysh atëherë ajo ka qenë Ara e gjakut për atë komb fajtor. Pa dashje kryepriftërinjtë përmbushën profecinë e Zakarisë që thoshte se paratë e varrimit do të përdoreshin për të blerë nga një poçar (Zakaria 11:12-13). Mjaft e çuditshme që pjesa te Zakaria ka një lexim të ndërkëmbyeshëm ku përdoret «thesar» për «poçar» (shih variantin anglez Revised Standard Version).
Priftërinjtë ngurronin t’i futnin paratë e gjakut në thesar, kështu që ata përmbushën profecinë e leximit tjetër duke ia dhënë ato poçarit në këmbim të fushës së tij (Daily Notes of the Scripture Union).
Mateu ia vesh këtë profeci profetit Jeremia, ndërsa ajo sigurisht që vjen nga libri i Zakarisë. Ka mundësi që këtë citim ai ta emërtojë se është nga Jeremia, ngaqë profeti qëndroi në krye të rrotullës profetike që ai përdori, sipas renditjes së vjetër të ruajtur në dorëshkrimet e shumta hebraike e të njohura nga tradita talmudiane. Një përdorim i ngjashëm ndodh te Luka 24:44 ku libri i Psalmeve emërton të gjithë seksionin e tretë të kanunit hebraik.

M. Dalja e parë e Jezusit përpara Pilatit (27:11-14)

Ankesat e vërteta të judenjve kundër Jezusit ishin fetare. Ata e gjykuan Atë mbi këto kritere. Mirëpo akuzat fetare nuk kishin peshë në gjykatën e Romës. Duke e ditur këtë, kur e çuan Atë përpara Pilatit, ata paraqitën tri padi politike kundër Tij (Luka 23:2): (1) Ai ishte një revolucionar që përbënte një kërcënim për perandorinë; (2) Ai u bënte thirrje njerëzve të mos paguanin taksa, duke minuar kështu mbarësinë e perandorisë; (3) Ai shpalli që ishte një Mbret, duke kërcënuar në këtë mënyrë pushtetin dhe pozitën e perandorit. Tek Ungjilli i Mateut, ne dëgjojmë Pilatin që e merr Atë në pyetje në lidhje me padinë e tretë. I pyetur nëse Ai ishte Mbreti i Judenjve, Jezusi u përgjigj se Ai ishte. Kjo shkaktoi një lumë abuzimesh e shpifjesh nga ana e udhëheqësve fetarë. Pilati u çudit shumë me heshtjen e të Pandehurit. Ai s’do ta vlerësonte asnjërën nga paditë e tyre të denjë për përgjigje. Ka mundësi që më përpara guvernatori të mos kishte parë kurrë ndokënd që të rrinte i heshtur përballë sulmesh të tilla.

N. Jezusin apo Barabën? (27:15-26)

27:15-18 Ishte bërë e zakonshme që autoritetet romake t’i zbutnin judenjtë duke liruar një jude të burgosur në kohën e Pashkës. Një i dënuar i tillë që mund të zgjidhej ishte Baraba, një jude fajtor për kryengritje dhe vrasje (Mr. 15:7). Duke qenë një rebel kundër sundimit romak, ndoshta ai gëzonte popullaritetin e bashkëvendësve të tij. Kështu, kur Pilati u dha atyre mundësinë për të zgjedhur Jezusin ose Barabën, ata bërtitën për të fundit. Guvernatori nuk u befasua. Ai e dinte se në një farë mase opinioni publik ishte mbrujtur nga kryepriftërinjtë, të cilët e kishin zili Jezusin. 27:19 Për një çast diskutimet u ndërprenë nga një lajmëtar që erdhi nga gruaja e Pilatit. Ajo e këshilloi të shoqin që të adaptonte një linjë mospërzierjeje në lidhje me Jezusin. Ajo kishte parë një ëndërr shumë shqetësuese rreth Tij. 27:20-23 Prapa skenës krerët e priftërinjve dhe pleqtë po bënin që të qarkullonte fjala për lirimin e Barabës dhe vdekjen e Jezusit. Kështu kur Pilati e pyeti popullin përsëri se cilin donin ata që të lirohej, ata kërkuan vrasësin. I mbërthyer në rrjetën e pavendosmërisë së tij, Pilati pyeti: «Ç’të bëj, pra, me Jezusin, që quhet Krisht?» Ata njëzëri kërkuan kryqëzimin e Tij, një qëndrim i pakuptueshëm ky për guvernatorin. Pse të kryqëzohej Ai? Çfarë krimi kishte kryer? Por ishte shumë vonë që të kërkohej një diskutim i shtruar. Histeria e turmës kishte marrë frenat në dorë. E bërtitura ushtoi: «Të kryqëzohet27:24 Ishte e qartë për Pilatin që njerëzit nuk mund të qetësoheshin e që një trazirë po fillonte. Kështu ai lau duart përpara grumbullit të njerëzve, duke shpallur pafajësinë e tij për gjakun e të Akuzuarit. Por uji nuk do ta çlirojë kurrë Pilatin nga faji i tij në gabimin më të rëndë të historisë së drejtësisë. 27:25 Turma, tepër e tërbuar për t’u bërë merak për fajin, ishte e gatshme të merrte përsipër përgjegjësinë: «Le të jetë gjaku i Tij mbi ne dhe mbi fëmijët tanë!» Që atëherë populli i Izraelit është lëkundur nga getoja në masakër, nga kampi i përqendrimit në dhomën e gazit, duke vuajtur fajin e tmerrshëm të gjakut të Mesias së tyre të refuzuar. Ata kanë ende përballë Kohën e frikshme të Ankthit të Jakobit, ato shtatë vjet mundimi të përshkruar te Mateu 24 dhe Zbulesa 6-19. Mallkimi do të mbetet derisa ata të njohin e të pranojnë Jezusin e refuzuar si Mesi dhe Mbret të tyre. 27:26 Pilati ia liroi… Barabën turmës. Qysh atëherë fryma e Barabës ka sunduar mbi botë. Vrasësi është ende i kurorëzuar; Mbreti i drejtë është i refuzuar. Pastaj, siç ishte zakon, i Dënuari u fshikullua. Një kamxhik i madh lëkure me copa metali të mprehtë të ngulitura në të binte mbi shpinë të Tij, çdo fshikullim duke e hapur mishin dhe duke bërë që të shpërthejnë rrëke gjaku. Tani s’mbetej asgjë për t’u bërë prej guvernatorit pa karakter veçse t’ua dorëzonte Jezusin ushtarëve për ta kryqëzuar.

O. Ushtarët tallin Jezusin (27:27-31)

27:27-28 Ushtarët e guvernatorit, mbasi e çuan Jezusin në pallatin e qeveritarit, mblodhën rreth Tij gjithë kohortën. Ka mundësi të kenë qenë disa qindra vetë. Ajo që vijoi është e vështirë të merret me mend! Krijuesi dhe Mbajtësi në ekzistencë i gjithësisë u keqtrajtua nga disa ushtarë mizorë dhe vulgarë, krijesa të Tij të padenja dhe plot mëkat. Pasi e zhveshën, ata i hodhën mbi trup një mantel të kuq në imitim të rrobës së një mbreti, por ajo rrobë ka një mesazh për ne. Meqenëse e kuqja e ndezur lidhet me mëkatin (Isa. 1:18), më pëlqen të mendoj që rroba përshkruan mëkatet e mia të vëna mbi Jezusin, në mënyrë që rroba e drejtësisë së Perëndisë të mund të vendosej mbi mua (2 e Korintasve 5:21). 27:29-30 Ata i thurën një kurorë me ferra dhe ia vunë mbi krye, por përtej talljes së tyre të vrazhdë, ne kuptojmë se Ai mori një kurorë ferrash që ne të merrnim një kurorë lavdie. Ata e përqeshën Atë si Mbret të Mëkatit; ne e adhurojmë si Shpëtimtar të mëkatarëve. Ata i dhanë Atij edhe një kallam, një skeptër për tallje. Ata nuk e dinin se dora që mbajti atë kallam është dora që sundon botën. Ajo dorë e Jezusit me shenjë gozhde, tani mban skeptrin e sundimit të gjithësisë. Ata u gjunjëzuan përpara Tij dhe iu drejtuan me fjalët: «Mbret i judenjve.» Duke mos u mjaftuar me kaq, ata pështynë në fytyrën e të vetmit Njeri të përsosur që ka jetuar ndonjëherë. Pastaj ia morën kallamin dhe me të i binin në kokë. Jezusi e duroi gjithë këtë me durim. Ai nuk nxori as edhe një fjalë. «Kujtoni, pra, Atë që duroi një kundërshtim të tillë nga ana e mëkatarëve kundër Tij, që të mos lodheni dhe të ligështoheni në shpirtin tuaj» (Heb. 12:3). 27:31 Në fund, ata e veshën me rrobat e Tij dhe e çuan për ta kryqëzuar.

P. Kryqëzimi i Mbretit (27:32-44)

27:32 Zoti ynë e mbarti kryqin e Tij gjatë një pjese të rrugës (Gjoni 19:17). Pastaj ushtarët detyruan një burrë me emrin Simon (nga Kirena, Afrikë e Veriut) që ta mbarte për Të. Disa mendojnë se ai ishte një jude, ndërsa disa të tjerë mendojnë se ishte një zezak. Rëndësi ka që ai pati privilegjin e mrekullueshëm të mbajtjes së kryqit. 27:33 Në aramaisht, Golgota do të thotë «kafkë.» Kalvar është përkthimi latin i shqipëruar i fjalës greke «kranion.» Ndoshta zona kishte trajtën e një kafke ose e kishte marrë emrin ngaqë ishte një vend ekzekutimi. Vendndodhja është e pasigurt. 27:34 Para se të gozhdohej, ushtarët i ofruan Jezusit uthull dhe vrer që u jepeshin kriminelëve të dënuar si narkozë. Jezusi nuk pranoi ta merrte. Për të ishte e domosdoshme që Ai të mbante të gjithë peshën e mëkateve të njeriut pa i dobësuar shqisat e Tij, pa i lehtësuar dhimbjet. 27:35 Mateu e përshkruan kryqëzimin thjesht dhe pa emocion. Ai nuk jepet pas dramatikes, nuk përdor publicistikë të bujshme dhe as nuk ndalet në hollësi të shëmtuara. Ai thjesht pohon faktin: «E kryqëzuan.» Megjithatë përjetësia vetë nuk do të plotësojë thellësinë e atyre fjalëve. Siç ishte profetizuar në Psalmi 22:18, ushtarët i ndanë… rrobat e Tij… dhe hodhën short për rrobën pa të qepura. Kjo ishte tërë pasuria e Tij tokësore. Denney ka thënë: «E vetmja jetë e përsosur që është jetuar në këtë botë është jeta e Atij që nuk zotëroi asgjë e që nuk la asgjë, përveç teshave që veshi.» 27:36 Këta ushtarë ishin përfaqësues të një bote njerëzish të vegjël. Me sa dukej ata nuk ia kishin fare idenë se një fakt historik po ndodhte. Sikur ta dinin, ata nuk do të uleshin e të ruanin; ata do të gjunjëzoheshin e do të adhuronin. 27:37 Përmbi krye të Krishtit, ata kishin vënë titullin: «KY ËSHTË JEZUSI, MBRETI I JUDENJVE.» Shprehja e saktë e mbishkrimit ndryshon disi në të katër Ungjijtë [3]. Marku thotë: «Mbreti i judenjve» (Mr. 15:26); Luka: «Ky është Mbreti i judenjve» (Luka 23:38); Gjoni: «Jezusi nazareas, Mbreti i judenjve» (Gjoni 19:19). Kryepriftërinjtë protestuan që titulli nuk duhet të jetë një shpallje e faktit, por thjesht pretendimi i të Akuzuarit. Megjithatë Pilati i hodhi poshtë ata. E vërteta ishte atje që të gjithë ta shikonin – në hebraisht, latinisht e në greqisht (Gjoni 19:19-22). 27:38 I pamëkati Bir i Perëndisë kishte përbri dy cuba. A nuk kishte parathënë 700 vjet më parë Isaia se Ai do të numërohej midis keqbërësve (Isa. 53:12)? Në fillim, të dy cubat e sulmuan me fyerje dhe të shara Atë (v 44), por njëri u pendua dhe u shpëtua pikërisht në kohën e duhur. Pas pak orësh, ai shkoi me Krishtin në parajsë (Luka 23:42-43). 27:39-40 Në qoftë se kryqi zbulon dashurinë e Perëndisë, ai zbulon edhe prishjen e njeriut. Kalimtarë të ndryshëm ndaleshin mjaft gjatë për t’u tallur me Bariun ndërsa Ai po vdiste për delet: «Ti që e shkatërron tempullin dhe e rindërton për tri ditë, shpëto vetveten; në qoftë se je Biri i Perëndisë, zbrit nga kryqi!» Kjo është gjuha e mosbesimit racionalist. «Le të shohim e pastaj do të besojmë.» Gjithashtu është gjuha e liberalizmit. «Zbrit nga kryqi. Me fjalë të tjera: Hiq përçmimin e kryqit dhe ne do të besojmë.» William Booth ka thënë: «Ata pohuan se do të kishin besuar po qe se Ai do të kishte zbritur; ne besojmë për faktin se Ai qëndroi.» 27:41-44 Krerët e priftërinjve, bashkë me skribët dhe me pleqtë iu shtuan korit. Me mprehtësi, por pa dashje, ata thirrën: «Ai i shpëtoi të tjerët dhe nuk mund të shpëtojë Vetveten.» Ata e thanë këtë me tallje; ne e përshtatim si një himn lavdërimi:
Vetveten s’mundi ta shpëtojë, Ai në kryq duhet të vdesë, Ndryshe mëshira s’mund të vijë Mbi mëkatarët e pashpresë. Po, duhet të derdhë gjakun Krishti, Biri i Perëndisë, Që ne nga mëkati të ishim të lirë. – Albert Midlane
Ishte e vërtetë në jetën e Zotit dhe në jetën tonë gjithashtu. Ne s’mund t’i shpëtojmë të tjerët duke u përpjekur të shpëtojmë veten tonë. Udhëheqësit fetarë e përqeshën pohimin e Tij se ishte Shpëtimtari, pohimin e Tij se ishte Mbreti i Izraelit, pohimin e Tij se ishte Biri i Perëndisë. Edhe cubat u bashkuan me ata që e shanin. Udhëheqësit fetarë u bashkuan me kriminelët në përgojimin e Perëndisë së tyre.

Q. Tre orë errësire (27:45-50)

27:45 Të gjitha vuajtjet dhe keqtrajtimet që Ai pësoi nga duart e njerëzve ishin të vogla në krahasim me atë që Ai përballi tani. Që nga ora gjashtë (12.00) deri në orën nëntë (15.00) errësira jo vetëm mbuloi gjithë vendin (Palestinën), por edhe shpirtin e Tij. Ishte kjo koha gjatë së cilës Ai mbarti mallkimin e papërshkrueshëm të mëkateve tona. Në ato tri orë ishin ngjeshur ferri që ne meritonim, zemërimi i Perëndisë kundër të gjitha shkeljeve tona. Ne e shohim atë vetëm turbullt. Ne thjesht s’mund të dimë se çfarë deshi të thoshte për Të që Ai të kënaqte gjithçka që kërkonte drejtësia e Perëndisë kundër mëkatit tonë. Dimë vetëm këtë që në ato tre orë, Ai pagoi çmimin, shleu borxhin dhe përfundoi veprën që e ishte e domosdoshme për shpengimin e njeriut. 27:46-47 Rreth orës 15.00, Ai bërtiti me zë të lartë duke thënë: …«Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?» Përgjigjja gjendet te Psalmi 22:3: «…Ti je i shenjti, që banon në lëvdimet e Izraelit.» Meqenëse Perëndia është i shenjtë, Ai s’mund ta kalojë mëkatin. Përkundrazi, Ai duhet ta ndëshkojë atë. Zoti Jezus nuk kishte mëkat në Veten e Tij, por Ai mori fajin e mëkateve tona mbi Vetveten. Kur Perëndia, si Gjykatës, hodhi sytë poshtë dhe pa mëkatet tona mbi Zëvendësin e pamëkatë, Ai u tërhoq nga Biri i dashurisë së Tij. Ishte kjo ndarje ajo që shkuli nga zemra e Jezusit atë që zonja Browning kaq mrekullueshëm e quajti: «Britma jetime e Emanuelit»:
I lënë! Perëndia mundi të ndahej nga vetë thelbi i Tij vërtet; Kur mëkatet e Adamit ishin shtrirë, mes Atit dhe Birit të drejtë: Një herë britma jetime e Emanuelit mbarë gjithësinë e Tij e ka dridhur. U ngjit lart e vetmuar, pa jehonë, «Perëndia im, jam i braktisur»! – Elizabeth Barrett Browning
Kur Jezusi thirri: «Eli, Eli…,» disa nga të pranishmit aty, thanë se Ai po thërriste Elian. Nëse ata ngatërruan vërtet emrat apo thjesht po talleshin, kjo nuk është e qartë. 27:48 Njëri përdori një kallam të gjatë për të ngritur një sfungjer të njomur me uthull te buzët e Tij. Duke gjykuar nga Psalmi 69:21, ky nuk ishte menduar si një veprim i mëshirshëm, por si një vuajtje shtesë. 27:49 Qëndrimi i përgjithshëm ishte pritje për të parë nëse do të vinte Elia për të përmbushur rolin që tradita judease i kishte caktuar, ardhjen në ndihmë të të drejtit. Por nuk ishte koha që të vinte Elia (Mal. 4:5); ishte koha që Jezusi të vdiste. 27:50 Mbasi bërtiti edhe një herë me zë të lartë, Ai dha frymën e Tij. Britma me zë të lartë tregon se Ai vdiq i fortë e jo i dobët. Fakti që Ai dha frymën e Tij bëri që vdekja e Tij të dallohej nga të gjitha të tjerat. Ne vdesim sepse duhet të vdesim; Ai vdiq ngaqë zgjodhi të vdiste. A nuk kishte thënë Ai: «Unë e lë jetën time që ta marr përsëri. Askush nuk mund të ma heqë, por e lë nga vetja; Unë kam pushtet ta lë e pushtet ta marr përsëri»? (Gjoni 10:17-18)
Ai që bëri mbarë Gjithësinë Mallkim Vetë u bë për njerëzinë; Gjithçka që ligji i Tij kërkoi Deri në fund, pra, Ai pagoi; Nga gishtat e Tij u bë degë e njomë që rriti ferrat për t’u bërë kurorë; Gozhdët e mia duart kanë shpuar Në vend të fshehtë prej Tij formuar; Bëri dhe pyjet ku mbiu më parë Pema ku trupi në të iu var; Mbi kryq të drunjtë, atje ku vdiq Vetë bëri kodrën ku ai u ngrit; Dhe qielli mbi Të i bërë errësirë Prej Tij përmbi tokë seç ishte shtrirë; Dielli që fshehu fytyrën prej Tij Me urdhër të Tij në hapësirë; Heshta që derdhi të çmuarin gjak E temperuar në hyjnorin zjarr; Varri ku trupi u vu për pak kohë Latuar në shkëmb të bërë nga ajo dorë; Dhe tani froni ku duket Ai I Tij ishte gjithmonë që nga përjetësi; Mbi ballë i shkëlqen një lavdi e re Përpara Atij çdo gju do të bjerë. – F. W. Pitt

R. Veli i shqyer (27:51-54)

27:51-53 Në kohën që Ai nxori frymën, perdja e rëndë dhe e thurur, që ndante dy dhomat kryesore të tempullit, u shqye nga një Dorë e Padukshme nga maja e deri në fund. Deri atëherë ai vel ia kishte ndaluar hyrjen çdo njeriu, me përjashtim të kryepriftit, në Vendin Shumë të Shenjtë ku banonte Perëndia. Vetëm një njeri mund të hynte në shenjtëroren e brendshme dhe ai mund të hynte në një ditë të vetme të vitit. Në librin e Hebrenjve ne mësojmë se veli simbolizonte trupin e Jezusit. Çarja e tij përshkruante dhënien e trupit të Tij në vdekje. Përmes vdekjes së Tij, ne kemi «liri të plotë për të hyrë në shenjtërore me anë të gjakut të Jezusit, me anë të një udhe të re dhe të gjallë që Ai përuroi për ne me anë të velit, domethënë të mishit të Tij» (Heb. 10:19-20). Tani besimtari më i përulur mund të hyjë në çdo kohë në praninë e Perëndisë me lutje dhe lavdërim. Por le të mos harrojmë kurrë se privilegji ishte blerë për ne me një çmim të jashtëzakonshëm, me gjakun e Jezusit. Vdekja e Birit të Perëndisë shkaktoi trazira të jashtëzakonshme edhe në natyrë, sikur të ekzistonte një empati [ndjenjë shpirtërore] midis krijesës së pajetë dhe Krijuesit të saj. Ra një tërmet që çau shkëmbinj të mëdhenj dhe hapi shumë varre. Vërej ama se vetëm mbas ringjalljes së Jezusit ndodhi që ata që ishin në këto varre u ringjallën dhe hynë në Jeruzalem ku iu shfaqën shumëkujt. Bibla nuk e thotë nëse këta shenjtorë të ringjallur vdiqën përsëri apo shkuan në qiell me Zotin Jezus. 27:54 Pështjellimi i çuditshëm i natyrës e bindi kryeqindësin romak dhe njerëzit e tij se Jezusi ishte Biri i Perëndisë (ndërsa nuk ka artikull përcaktues [i shquar] në greqisht përpara «Bir i Perëndisë», renditja e fjalëve e bën atë përcaktues [d.m.th. e shquar, Biri i Perëndisë] [4]). Çfarë donte të thoshte centurioni? A ishte ky një rrëfim i plotë se Jezus Krishti ishte Zot dhe Shpëtimtar apo një pohim se Jezusi ishte më shumë se njeri? Ne s’mund të jemi të sigurt. Kjo tregon një ndjenjë druajtjeje dhe nderimi si dhe të kuptuarit se çrregullimet e natyrës ishin disi të lidhura me vdekjen e Jezusit dhe jo me vdekjen e atyre që ishin kryqëzuar me Të.

S. Gratë besnike (27:55-56)

Përmenden në mënyrë të veçantë ato gra që i kanë shërbyer me besnikëri Zotit dhe që e kanë ndjekur Atë gjatë gjithë rrugës nga Galilea e deri në Jeruzalem. Atje ishin Maria Magdalena, Maria, nëna e Jakobit dhe e Ioseut dhe Salomeja, gruaja e Zebedeut. Devotshmëria e patrembur e këtyre grave bie në sy me një shkëlqim të veçantë. Ato qëndruan me Krishtin kur dishepujt meshkuj ikën nga sytë këmbët.

T. Varrimi në varrin e Jozefit (27:57-61)

27:57-58 Jozefi nga Arimatea, një njeri i pasur dhe anëtar i Sinedrit, nuk kishte qenë i një mendjeje me vendimin e Këshillit që Jezusi t’i dorëzohej Pilatit (Luka 23:51). Në qoftë se deri në këtë pikë ai kishte qenë një dishepull i fshehtë, tani ai e la mënjanë qëndrimin e kujdesshëm. Me guxim ai shkoi te Pilati dhe kërkoi leje për të varrosur Zotin e Tij. Ne duhet të përpiqemi të marrim me mend befasimin për Pilatin si dhe provokimin për judenjtë nga fakti që një anëtar i Sinedrit do të dilte publikisht në krahun e të Kryqëzuarit. Në një farë kuptimi, kur varrosi trupin e Jezusit, Jozefi varrosi veten e tij nga ana ekonomike, shoqërore dhe fetare. Ky veprim e ndau atë përgjithmonë nga institucioni që vrau Zotin Jezus. 27:59-60 Pilati e lejoi dhe Jozefi, me përzemërsi, e aromatizoi trupin dhe e mbështolli me një pëlhurë të pastër, duke vënë erëza mes mbështjelljeve. Pastaj ai e vuriatë në varrin e tij të ri, të punuar në shkëmb të fortë. Hyrja e varrit u mbyll me një gur të madh në trajtën e një guri mulliri, që qëndronte në buzë të tij në një kanal edhe ky i gdhendur në gur. Shekuj më parë, Isaia paratha: «Kishin caktuar ta varrosnin bashkë me të pabesët, por kur vdiq e vunë me të pasurin» (53:9). Pa dyshim që armiqtë e Tij kishin planifikuar që trupin ta flaknin në luginën Himnonit për t’u konsumuar nga zjarri i plehrave ose për t’u ngrënë nga dhelprat, por Perëndia i hodhi poshtë planet e tyre dhe përdori Jozefin për të siguruar që Ai të varrosej me të pasurit. 27:61 Mbas largimit të Jozefit, Maria Magdalena dhe nëna e Jakobit dhe e Joses ndenjën për të bërë rojë përballë varrit.

U. Varri i ruajtur (27:62-66)

27:62-64 Dita e parë e Pashkës, e quajtur Dita e Përgatitjes, ishte dita e kryqëzimit. Të nesërmen,… krerët e priftërinjve dhe farisenjtë ishin në merak. Duke kujtuar atë që Jezusi kishte thënë në lidhje me të ngjallurit sërish, ata shkuan te Pilati dhe i kërkuan që një roje e posaçme të vihej te varri. Kjo ishte nxjerrë si shkak për të parandaluar që dishepujt e Tij të vidhnin trupin, duke krijuar kështu përshtypjen se Ai ishte ringjallur. Ata kishin frikë se po të ndodhte kjo, mashtrimi i fundit do të ishte më i keq se i pari. Kjo do të thotë se zërat në lidhje me ringjalljen e Tij do të ishin akoma më keq se sa pohimi i Tij se Ai ishte Mesia dhe Biri i Perëndisë. 27:65-66 Pilati u përgjigj: «Rojën e keni; shkoni dhe e siguroni varrin, si t’ju duket më mirë.» Kjo mund të ketë kuptimin se një roje romake ishte caktuar tashmë për ta ose mund të ketë këtë kuptim: «E pranoj kërkesën tuaj. Tani po caktoj një rojë për ju.» A pati ironi në fjalët e Pilatit kur tha: «si t’ju duket më mirë?» Dhe ata vepruan duke bërë maksimumin. E vulosën gurin dhe vendosën roje, por masat maksimale siguruese të ndërmarra prej tyre, thjesht nuk ishin aq të mjaftueshme. Unger thotë:
Masat paraprake që ndërmorën armiqtë e Tij kur «e siguruan varrin dhe, përveç rojës, vulosën gurin,» 62-64, vetëm se rezultuan në hedhjen poshtë nga ana e Perëndisë të planeve të të liqve si dhe në ofrimin e një prove të padiskutueshme të ringjalljes së Mbretit [5]
[1] Për të bërë një theks, përemri grek (njëjës) su («ti») shkruhet. Kurse «ju» (humin) nënkuptohet nga folja opsesthe.[[1]] [2] R.C.H. Lenski, The Interpretation of St. Matthew’s Gospel, fq 1064.[[2]] [3] Mbishkrimi i plotë është, «Ky është Jezusi i nazareas, Mbreti i Judenjve.» Një mundësi tjetër është që secili ungjilltar citoi saktësisht mbishkrim por ndryshimet e citimeve dolën për shkakun e gjuhëve të ndryshme.[[3]] [4] Shih “Colwell’s Rule” në greqisht.[[4]] [5] Merrill F. Unger, Unger’s Bible Handbook, fq 491.[[5]]