Letra drejtuar Efesianëve

Kurora e shkrimeve të Apostullit Pal.J. Armitage Robinson
Letra e tretë qiellore e Palit.A. T. Pierson

I. Vendi unik në Kanun

Nga një pikëpamje Letra drejtuar Efesianëve është një letër tipike e Palit: përshëndetja, falënderimi, zhvillimi i doktrinës, pastaj zbatimi i saj si një detyrë e jona dhe përshëndetjet përfundimtare. Efesianëve, edhe pse është një letër e çiltër dhe e vërtetë, është si një predikim apo një shërbesë e krishterë me lutje dhe doksologji. Në këtë letër, siç shkruan Moorehead, “Ne kalojmë në qetësinë dhe në heshtjen e vendit të shenjtë . . . Këtu mbizotëron atmosfera e pushimit, meditimit, adhurimit dhe paqes.” [1]

Pavarësisht nga fakti që shumë komentues janë të një mendjeje me vlerësimin e Robertson, cituar më lart, disa studiues modernë, duke braktisur mësimin e Krishterë të 18 apo 19 shekujve në radhë, shpallin që këtë letër nuk e ka shkruar Pali. Por a është e vërtetë kjo pikëpamje duke u parë në dritën e fakteve?

II. Autorësia

Përsa i përket evidencësjashtme që tregon se Efesianëve është një letër e Palit, faktet janë të forta dhe të qëndrueshme. Asnjë nga letrat e tjera të Palit nuk ka një rrymë të tillë të herët dhe të vazhdueshme dëshmish, duke filluar nga Klementi i Romës, Ignatius, Polikarpi dhe Hermas dhe duke vazhduar me Klementin e Aleksandrisë, Ireneusin dhe Hipolitusin. Marcioni e përfshiu atë në “kanunin” e tij duke e quajtur atë “Laodikasve.” Edhe Kanuni Muratorian e rendit këtë letër si të Palit.

Evidenca e brendshme përfshin faktin që autori dy herë thotë që është Pali (Efesianeve 1:1 dhe Efesianeve 3:1), dhe përmbajtja e letrës është tepër e ngjashme (në disa aspekte) me Kolosianëve, një gjë që tregon se ato duhet të jenë shkruar në një kohë të afërt me njëra tjetrën. Struktura e Efesianëve, siç e përmendëm edhe më lart, është tipike e Palit. Megjithatë, disa njerëz të pamend kanë bërë një akuzë qe kjo ngjashmëri midis letrave të Efesianëve dhe Kolosianëve do të thotë që një autor tjetër falsifikoi Letrën e Efesianëve duke kopjuar shumë pjesë nga Kolosianëve. Por kjo akuzë nuk qëndron. Një praktikë e zakonshme midis autorëve është që një autor shumë shpesh do të modifikojë një vepër nga lapsi i tij për ta përshtatur për lexuesit të tjerë (duke shtuar tema të reje ose duke hequr pjesë të ndryshme). Ashtu, Pali veproi me Efesianëve.

Liberali gjerman Schleiermacher ishte ndoshta i pari që hodhi poshtë autorësinë e Palit. Disa të tjerë si p.sh. Moffat dhe Goodspeed, kanë bërë të njëjtën gjë. Fjalori, stili, doktrina e “përparuar,” dhe argumente të tjera subjektive janë mbledhur për të mohuar që ky libër është i apostullit. Megjithatë, çdo teori e tillë mund të gjejë një përgjigje të kënaqshme për vetveten. Nën dritën e evidencave të jashtme të panumërta dhe nën numrin e madh të komentuesve shkollarë, të cilët e shohin Efesianëve jo thjesht si në frymën e Palit, por siç e ka shprehur Coleridge, “shkrimi i tij më hyjnor,” kjo letër duhet pranuar si e vërtetë.

III. Data

Bashkë me Kolosianëve, Filipianëve dhe Filemonit, Efesianëve është një nga të ashtuquajturat “letrat e burgut.” Është debatuar mbi faktin se cila burgosje është përfshirë (Efesianeve 3:1; 4:1). Ndërkohë që disa besojnë që ishte qëndrimi dy vjeçar i Palit në Çezarea, apo një burgosje Efesiane, pesha e fakteve duket se rëndon në burgosjen e parë Romake (vitet 60 e.s.). Ashtu si Kolosianëve (Efesianeve 4:7-9), kjo letër ishte çuar në provincën e Azisë nga Tikiku (Efesianeve 6:21, 22). Kjo shpjegon ngjashmërinë në përmbajtjen doktrinale, të njëjtat ide ishin duke u freskuar në mendjen e apostullit gjatë kohës që ai shkruante këto letra.

IV. Sfondi dhe Tema

Subjekti kryesor i Efesianëve është ai që Pali e quan “misteri.” Me anë të kësaj ai nuk nënkupton diçka që nuk mund të shpjegohet, por për më tepër një të vërtetë të mrekullueshme të pazbuluar ndonjëherë, por që tani ishte bërë e njohur.

Kjo e vërtetë sublime, që formon temën e librit, është shpallja apo lajmërimi që thotë se besimtarët Judenj dhe Johebrenj janë një në Krishtin Jezus. Ata janë anëtarë të Kishës, Trupit të Krishtit. Në këtë kohë ata janë ulur në Krishtin në vendet qiellore. Në të ardhmen ata do të marrin pjesë në lavdinë e Tij si Kreu i çdo gjëje.

Misteri gjendet në secilin nga gjashtë kapitujt e Efesianëve.

Në kapitullin 1 ai është quajtur misteri i vullnetit të Perëndisë dhe pret kohën kur të gjitha gjërat në qiell dhe në tokë do të sillen në një krye të vetëm, në Krishtin (v 9-10). Besimtarët Judenj (v 11, “ne”) dhe besimtarët Johebrenj (v 13 “ju”) do të kenë pjesën e tyre në lavdinë e asaj dite. Ata do të mbretërojnë me Të në gjithë universin si Trupi dhe Plotësia e Tij (v 22, 23).

Kapitulli 2 përshkruan procesin në të cilin Judenjtë dhe Johebrenjtë janë shpëtuar me anë të hirit të Perëndisë; se si ata janë pajtuar me Perëndinë dhe me njëri-tjetrin; se si në unitet me Krishtin ata bëhen një njeri i ri; dhe se si ata formojnë një tempull të shenjtë në të cilin Perëndia banon me anë të Frymës së Tij.

Kapitulli 3 jep shpjegimin më të plotë të këtij misteri. Aty flitet për misterin e “Krishtit” (v 4 JND), ku Krishti paraqitet si Kreu dhe të gjithë besimtarët si Trupi i Tij. Në këtë Trup, Johebrenjtë që besojnë janë bashkë-trashëgimtarë, bashkë-anëtarë dhe bashkë-pjesëmarrës në premtimin e Perëndisë (v 6).

Kapitulli 4 thekson unitetin e Trupit dhe planin e Perëndisë për rritjen e tij në pjekuri. (v 1-16)

Në kapitullin 5, misteri është quajtur Krishti dhe Kisha (v 32). Lidhja mes Krishtit dhe Kishës është shembulli i lidhjes midis burrit dhe gruas.

Së fundi, në kapitullin 6 Pali flet për misterin e Ungjillit, për të cilin ai ishte një ambasador në pranga (v 19, 20).

Përpiquni të imagjinoni ndikimin e këtij lajmi në besimtarët Johebrenj të cilëve u ishte dërguar kjo letër. Ata jo vetëm që ishin shpëtuar me anë të hirit nëpërmjet besimit ashtu si edhe Judenjtë, por për herë të parë ata zinin një vend të një privilegji të barabartë me ta. Ata nuk ishin inferiorë përsa i përket pozicionit përpara Perëndisë. Dhe ata ishin destinuar për t’u kurorëzuar me Krishtin si Trupi i Tij dhe Nusja e Tij, duke marrë pjesë në lavdinë e mbretërimit të Tij universal.

Një temë tjetër e rëndësishme e Efesianëve është dashuria (Greqisht agape, dashurie e shprehur nëpërmjet vullnetit). Pali e fillon dhe e mbaron letrën e tij me këtë koncept (Efesianeve 1:4; 6:24) dhe e përdor këtë folje dhe këtë emër në Efesianëve më shumë se në çdo letër tjetër. Kjo mund të tregojë paranjohjen e Frymës, sepse ndërkohë që në tridhjetë vitet e ardhshme kjo asamble e madhe ende do t’i bindej kësaj urdhërese për të luftuar kundër doktrinave të rreme, Zoti ynë u thotë atyre në Letrën e Tij për Efesin që Ai kishte diçka kundër tyre sepse ata e kishin lënë dashurinë e tyre të parë. (Zbulesa 2:4)

PËRMBLEDHJE

  1. POZICIONI QË KA BESIMTARI NË KRISHTIN (Kapitujt 1-3)
    A. Përshëndetja (1:1,2)
    B. Lavdërimi që i bën Pali Perëndisë për bekimet e hirit (1:3-14)
    C. Falënderimet dhe lutjet e Palit për të shenjtët (1:15-23)
    D. Fuqia e Perëndisë manifestuar në shpëtimin e Johebrenjve dhe Judenjve (2:1-10)
    E. Uniteti i besimtarëve Judenj dhe Johebrenj në Krishtin (2:11-22)
    F. Një Parantezë rreth Misterit (3:1-13)
    G. Lutja e Palit për të shenjtët (3:14-19)
    H. Doksologjia e Palit (3:20, 21)
  2. PRAKTIKA E BESIMTARIT NË ZOTIN (Kapitujt 4-6)
    A. Thirrje për unitet në bashkësinë e Krishtere (4:1-6)
    B. Program për funksionimin e duhur të anëtarëve të Trupit (4:7-16)
    C. Thirrje për një moral të ri (4:17-5:21)
    D. Thirrje për devotshmëri personale në familjen e Krishtere (5:22-6:9)
    E. Këshilla për luftën e Krishterë (6:10-20)
    F. Përshëndetjet personale të Palit (6:21-24)


Referenca    ( ↵ Kthehu mbrapa returns to text)

  1. William G. Moorehead, Outline Studies in Acts and the Epistles, fq. 214. ↵ Kthehu mbrapa