«Mos gjykoni, që të mos gjykoheni» (Mt. 7:1).
Ata njerëz që dinë pak rreth Biblës e dinë shpesh këtë varg dhe e përdorin në një mënyrë tepër të çuditshme. Edhe kur dikush kritikohet për ligësi të madhe, me një zë të mbytur dhe në mënyrë fetare thonë: «Mos gjykoni, që të mos gjykoheni». Me fjalë të tjera, ata e përdorin këtë varg për të ndaluar çdo dënim të së keqes. Fakti i qartë i kësaj çështje është se, ndonëse ka fusha ku nuk duhet të gjykojmë, ka fusha të tjera ku gjykimi urdhërohet. Ja disa shembuj ku gjykimi përjashtohet. Ne nuk duhet të gjykojmë motivet e të tjerëve; duke mos qenë dijeplotë, ne nuk mund të dimë se përse bëjnë atë që bëjnë. Ne nuk duhet të gjykojmë shërbesën e një besimtari tjetër; a qëndron mbi këmbë ose rrëzohet, është punë e Zotit të tij. Ne nuk duhet të gjykojmë ata që kanë brejtje të ndërgjegjes për gjëra që janë neutrale moralisht; do të ishte e gabuar që ata të dhunonin ndërgjegjen e tyre. Ne nuk duhet të gjykojmë sipas pamjes së jashtme apo të tregojmë anësi te njerëzit; çfarë ka vlerë është ajo që është në zemër. Dhe, sigurisht, ne duhet të shmangim frymën e ashpër dhe tepër kritike; një kritikues i rëndomtë është një reklamim i dobët për besimin e krishterë. Por ka fusha të tjera ku ne urdhërohemi që të gjykojmë. Ne duhet të gjykojmë çdo mësim për të parë nëse është në përputhje me Shkrimin. Me qëllim për të shmangur zgjedha të pabarabarta, ne duhet të gjykojmë nëse të tjerët janë besimtarë të vërtetë. Të krishterët duhet të gjykojmë grindjet midis besimtarëve, në vend që t’i lejojnë ata që t’iu drejtohen gjyqeve civile. Kisha lokale duhet të gjykojë rastet e formave ekstreme të mëkatit dhe të largoj nga përbashkësia shkelësin fajtor. Ata në kishë duhet të gjykojnë se cilët burra kanë kualifikimet e pleqve dhe të dhjakëve. Perëndia nuk pret nga ne që të flakim tutje aftësitë tona kritike apo t’i braktisim të gjitha standardet morale dhe frymërore. Gjithçka që na kërkon është që të shmangim gjykimin atje ku është i ndaluar dhe që të gjykojmë me drejtësi atje ku urdhërohet.