A janë pak që do të jenë zgjedhur?

Bibla është mjaft e qartë se pak janë ata që do të shpëtohen. “Dhe një njeri e pyeti: “Zot, a janë pak ata që do të shpëtohen?” (Luka 13:23). Zoti nuk i përgjigjet pyetjes drejtpërdrejt, por e bën këtë me nënkuptim, duke thënë: “Përpiquni të hyni nëpër derë të ngushtë, sepse unë po ju them se shumë do të kërkojnë të hyjnë dhe nuk do të munden”. Kjo është njëlloj sikur të thuash që janë pak ata që do të shpëtohen. Ai e thotë po aq qartë në një pjesë të ngjashme: “Hyni nga dera e ngushtë, sepse e gjerë është dera dhe e hapur është udha që të çon në shkatërrim, dhe shumë janë ata që hyjnë nëpër të. Përkundrazi sa e ngushtë është dera dhe sa e vështirë është udha që çon në jetë! Dhe pak janë ata që e gjejnë!” (Mt. 7:13-14).

Por ata që besojnë se shkaku i vetëm i shpëtimit tonë është një dekret i përjetshëm dhe i parevokueshëm, përmes të cilit Perëndia na zgjodhi për shpëtim, kanë qenë zakonisht tepër të parehatshëm me faktin që Perëndia ka zgjedhur kaq pak. Kjo duket se e bën gënjeshtër pohimin e qartë të Biblës se “Perëndia është dashuri” – për të mos thënë asgjë për pohimin e qartë nga Bibla se ai “nuk do që ndokush të humbasë, por që të gjithë të vijnë në pendim” (2 Pjetrit 3:9).

Shumica e kalvinistëve të cilët kanë pak nga dashuria e Perëndisë të derdhur në zemrat e tyre janë shumë të parehatshëm me shumë prej dogmave të kalvinizmit. Ata i paraqesin ato me fjalë të tilla të buta sa i mohojnë ato, ndonëse njëkohësisht rrëfejnë se i besojnë ato. Me asgjë tjetër nuk janë më të parehatshëm se me faktin se pak janë ata që do të shpëtohen. Ndonëse apostulli Pal, i shtrënguar nga dashuria e Krishtit, do e shpenzonte veten për të shpëtuar sa më shumë që mund të shpëtonte, Perëndia që mund t’i shpëtonte të gjithë po aq kollaj sikurse për të shpëtuar njërin, ka zgjedhur qëllimisht (sipas kalvinistëve) që të shpëtojë pak. Kjo na jep një nocion aq të sëmurë për Perëndinë e dashurisë, saqë nuk është për t’u çuditur që kalvinistët kanë qenë të parehatshëm me të.

Kjo doktrinë e kalvinistëve (që Perëndia ka zgjedhur qëllimisht që të shpëtojë vetëm disa) është një nëpërkëmbje aq e madhe e ndjenjës së lindur të njeriut për drejtësi dhe është një barrë aq e patolerueshme për çdo ndjeshmëri të tij, saqë rezulton thjesht e padurueshme për të gjithë ata që mendojnë apo ndiejnë. Shumë kalvinistë, me sa duket, nuk bëjnë asnjërën, por ata që e kanë bërë, kanë qenë aq shumë të parehatshëm me kontradiktat e tyre, saqë kanë formuar shumë argumente të marra për të bindur veten për doktrinat e tyre.

Për shembull, në një përpjekje të kotë për të pajtuar kalvinizmin me dashurinë e Perëndisë, disa kalvinistë, të cilët më parë kanë qenë të mendimit se Krishti vdiq vetëm për disa të përzgjedhur, pra, për të zgjedhurit, e ndryshuan përkufizimin e tyre për të zgjedhurit që të ishte “të gjithë njerëzit”. Fatkeqësisht, ky ndryshim i bëri ata të bien në gabimin e universalizmit, për të cilin janë fajtor shumë prej kishave të Anglisë së Re.

Shumica e kalvinistëve nuk do të shkojnë kaq larg, por ata kanë shkuar më larg, sesa duhet të shkonin. Ata janë munduar për të treguar se ata pak që do të shpëtohen janë, në fakt, shumë, në fund të fundit. Sigurisht që ata nuk do e bëjnë këtë zakonisht ndërsa janë duke shpjeguar tekstin “pak janë ata që e gjejnë”, por këtë ata e bëjnë në lidhje të tjera dhe vetë fakti që e bëjnë, tregon se sa të parehatshëm janë në të vërtetë me atë sistem që ata e konsiderojnë se është e vërteta e Perëndisë.

Për shembull, një autor kalvinist shkruan: “Përse janë paraqitur ‘nocionet e Kalvinit’ si ‘të zymta’? A është e zymtë, të besosh, se pjesa më e madhe e racës njerëzore është bërë për lumturi të pafund? Rreth gjysma e njerëzimit vdes në foshnjëri dhe një numër shumë i konsiderueshëm e gjysmës së mbetur, vdesin herët në fëmijëri. Veç kësaj, kemi arsyen më të fortë të mendojmë se shumë milionë prej atyre që jetojnë mbas fëmijërisë së hershme, në çdo brez pasues, i kanë emrat e tyre në Librin e Jetës. Prandaj, çfarë pjese shumë e vogël, relativisht, e specieve njerëzore, bie nën dekretin e dënimit dhe jo-shpengimit!”

Dhe kështu ajo “pak të shpëtuar” e Zotit Jezus Krisht bëhet “pak të dënuar” në duart e kalvinistëve. Fakti që foshnjat të cilat vdesin janë të shpëtuara, ne nuk kemi asnjë dyshim – edhe pse kjo ka qenë mohuar nga shumë kalvinistë – por që gjysma e racës vdes në foshnjëri është veçse arsyetim i dëshiruar. Sa për “shumë milionë … në çdo brez pasues” të cilët janë konvertuar, kjo është thjesht të mbyllim sytë ndaj së vërtetës. Janë pak që e gjejnë rrugën drejt jetës së përjetshme. Tetë shpirtra mbi tokë ishin të drejtë në kohën e përmbytjes. Vetëm tre u shpëtuan nga shkatërrimi i Sodomës dhe vetëm njëri prej tyre ishte, faktikisht, i drejtë. Kishte vetëm shtatë mijë në Izrael në kohën e Elias dhe ndoshta as edhe një në botën pagane. Kaluan brez pas brezi për mijërat e viteve pa asnjë rreze të dritës së ungjillit, ndonëse vetëm një dritë e zbehtë dhe drithëruese u dogj në disa rajone të favorizuara përreth Detit Mesdhe. Në ditët e sotme, madje edhe në Amerikë, është e dyshimtë që një në njëqind të jetë, faktikisht, i konvertuar dhe “kur të vijë Biri i njeriut, a do të gjejë besim mbi tokë?” (Luka 18:8). Janë pak ata që e gjejnë rrugën drejt jetës së përjetshme në çdo brez. Madje edhe rizgjimet e mëdha që kanë ndodhur herë pas here kanë prekur vetëm një pjesë shumë të vogël të sipërfaqes së globit dhe kanë konvertuar vetëm një pakicë të vogël të njerëzve atje.

Endrju Bonari (Andrew Bonar) ishte një kalvinist tjetër, i cili ishte i parehatshëm për kontradiktën midis dashurisë së Perëndisë dhe doktrinës kalviniste që Perëndia zgjedh vetëm disa për shpëtim. Ai u përpoq të pajtonte këtë kontradiktë, duke thënë:

“Shprehja e parapëlqyer e Krishtit, kur fliste për të shpëtuarit e Tij, ishte ‘shumë’. Katekizmi i Shkurtër i yni duhet të kishte thënë, ‘zgjedhur shumë për jetë të përjetshme’. Unë kam shpresën se ne do të jemi shumicë kur të jemi mbledhur në mbretërinë”. E çuditshme, që ne të cilët jemi gjithmonë një pakicë e vajtueshme dhe e përndjekur gjatë tërë historisë së botës, të rritemi në shumicë kur të jemi mbledhur në mbretërinë. Por jo aq e çuditshme, sepse Zoti thotë: “Mos ki frikë, o tufë e vogël, sepse Atit tuaj i pëlqeu t’ju japë mbretërinë” (Luka 12:32).

Pohimi i Bonarit zbulon dëshirën e një zemre të mirë, të rënduar nga një sistem i lig. Por e vërteta është se një “shumicë” e zgjedhur për shpëtim, nuk do të kënaq më tepër një zemër të mirë se një “pakicë” e zgjedhur për shpëtim. Përse të ndalojnë te “shumica”, kur Perëndia shumë lehtë mund t’i kishte zgjedhur të gjithë për shpëtim, nëse ai thjesht do të kishte zgjedhur të vepronte kështu?

Në vend të “shumicës”, kalvinistë të tjerë përdorin “një pjesë e madhe e njerëzimit”. Për shembull, në një artikull të titulluar “Një analizë e shkurtër e kalvinizmit”, në Revista Presbiteriane, lexojmë:

“Perëndia, i cili është i pafund në njohuri dhe fuqi dhe ‘që ka mëshirë për atë që do të ketë mëshirë’, pasi ka premtuar që Biri i tij i përjetshëm, Jezus Krishti, Shpëtimtari ynë, ‘do të shikojë frytin e mundimit të shpirtit të tij dhe do të jetë i kënaqur’, ka synuar përjetësisht, në përputhje me këtë, që një pjesë e madhe e njerëzimit të pranojë kushtet e Ungjillit”.

Sigurisht që do të shpëtohet një numër i madh, por përsëri kjo është një pjesë e vogël e racës njerëzore. Të thuash “një pjesë e madhe” vetëm sa nxjerr në pah parehatinë të cilën ndiejnë kalvinistët me sistemin e tyre. Përsëri, kjo ngre pyetjen – Përse të ndalojmë te “një pjesë e madhe e njerëzimit”, kur Perëndia shumë lehtë mund t’i kishte zgjedhur të gjithë për shpëtim, nëse ai thjesht do të kishte zgjedhur të vepronte kështu?

C. H. Spërxhëni thotë: “Unë besoj se do të ketë më shumë në Qiell se në ferr. Nëse dikush më pyet se përse mendoj kështu, unë i përgjigjem, sepse Krishti, në çdo gjë, duhet të ‘ketë epërsinë’, dhe unë nuk mund ta përfytyroj se si Ai mund të ketë epërsinë nëse do të ketë më shumë në dominionet e Satanit se në Parajsë. Për më tepër, unë nuk kam lexuar kurrë se do të ketë në ferr një turmë të madhe, që asnjë njeri nuk mund ta numërojë. Unë gëzohem kur di që shpirtrat e tërë foshnjave, sapo vdesin, e shpejtojnë rrugën e tyre për në Parajsë. Mendo se çfarë turmë e madhe është e atyre! Më pas kemi tashmë në Qiell mori të panumërta të frymëve të të drejtëve që u bënë të përsosur, – të shpenguarit nga tërë kombet dhe fiset dhe popujt dhe gjuhët deri më sot; dhe ka kohë më të mira që po vijnë, kur feja e Krishtit do të jetë universale; kur

‘Ai do të mbretërojë nga poli në pol,
me ndikim të pakufishëm;’

kur tërë mbretëritë do të përkulen para Tij dhe kombet do të lindin brenda një dite; dhe në njëmijë vitet e gjendjes së mijëvjeçarit të madh do të ketë mjaft të shpëtuar për të kompensuar mungesat e mijëra viteve që kanë kaluar më parë. Krishti do të jetë Zot kudo dhe lavdërimi i Tij do të dëgjohet në çdo vend. Krishti do të ketë epërsinë më në fund; treni i Tij do të jetë shumë herë më i madh se ai që do të ndjekë koçinë e monarkut të zymtë të ferrit”.

Ne nuk besojmë vërtet që epërsia e Krishtit të ketë të bëjë sadopak me këtë çështje apo që ndonjë krahasim me djallin të jetë menduar prej së largu në pjesën shkrimore të përmendur. As nuk është djalli ndonjë “monark” në ferr, por një i burgosur si pjesa tjetër. As nuk do të ketë ai atje ndonjë subjekt besnik, por do të jetë, pa dyshim, i urryer me gjithë zemër nga të gjithë, si shkaku primar i mjerimit të tyre. Është e sigurt që Krishtin nuk ka epërsi numerike mbi djallin sot dhe nëse ai mund ta fitojë atë në fund përmes vdekjes së foshnjave, kjo duket se është një fitore e zbrazët.

Sa për mijëvjeçarin, është e sigurt që dita e mijëvjeçarit nuk do të nis me konvertimin e miliarda të pabesëve, të cilët e banojnë sot tokën, por me shkatërrimin e tyre. Nuk ka asgjë në Bibël rreth kombeve që lindin brenda një dite. Kjo i zbatohet vetëm njërit komb, kombit të Izraelit. Sa për të perëndishmit e mijëvjeçarit që kompensojnë “mungesat e mijëra viteve që kanë kaluar më parë”, një pohim i tillë vetëm sa verifikon faktin që vetëm disa kanë qenë shpëtuar gjatë epokave të kaluara, por ne nuk shohim asnjë arsye të besojmë që mijëvjeçari do t’i kompensojë me një numër të panumërueshëm njerëzish që shpëtohen. Në fakt, ne dimë se në fund të mijëvjeçarit, kur Satani të zgjidhet për pak kohë, ai do të gjejë një grup ndjekësish të gatshëm dhe madje një grup shumë të madh, “numri i tyre do të jetë si rëra e detit” (Zbulesa 20:8). Fakti që këta i janë nënshtruar më parë së jashtmi Krishtit, ndërsa pashmangshmëria i detyronte – sepse ai sundoi mbi ata me një shufër hekuri – nuk tregon se ata i ishin nënshtruar atij me zemër dhe sigurisht që ata nuk do të merren në qiell kur të jenë përpirë nga zjarri i Perëndisë.

Prandaj argumentet e Spërxhënit nuk janë bindëse. Ato nuk tregojnë tjetër gjë, veçse parehatinë që ai ndjeu natyrshëm me atë sistem që ai supozonte se ishte e vërteta. Ne supozojmë se këta burra vepruan shumë mirë që ndjenë këtë parehati të cilën e shfaqën emocionalisht në mënyrë të dukshme lidhur me kalvinizmin e tyre, por ata shkuan në drejtimin e gabuar për ta ndrequr atë. Ata duhej të kishin hequr dorë nga kalvinizmi i tyre, në vend që të modifikonin të vërtetën e qartë të Perëndisë. Janë pak që janë të zgjedhur. “Shumë janë të thirrur, por pak janë të zgjedhur”. Kjo zgjedhje, megjithatë, qëndron mbi atë që ata janë dhe jo thjesht mbi “kënaqësinë sovrane” të Perëndisë. Ajo është “sipas paranjohjes”. Pikëmbërritja e tyre përcaktohet nga veprimet e tyre dhe prandaj janë pak ata që do të shpëtohen. Nuk mund të hedh faj për këtë mbi Perëndinë sepse Ai “dëshiron që gjithë njerëzit të shpëtohen dhe t’ia arrijnë njohjes të së vërtetës” (1 Timoteut 2:4).

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *