SHKRIMI I SHENJTË—PËRKTHIMI DIODATI I RI
Pali kthehet në Jeruzalem dhe arrestohet në tempull
21:1 Mbasi u ndamë nga ta, lundruam dhe, duke shkuar drejt, arritëm në Koos, ditën tjetër në Rodos dhe që andej në Patara.
21:2 Edhe, si gjetëm një anije që shkonte për Feniki, hipëm dhe lundruam.
21:3 Pamë nga larg Qipron dhe e lamë në të majtë, vazhduam lundrimin për në Siri dhe dolëm në Tiro, sepse atje anija kishte për të shkarkuar.
21:4 Dhe, si i gjetëm dishepujt, qëndruam atje shtatë ditë; të shtyrë nga Fryma, ata i thoshin Palit të mos ngjitej në Jeruzalem.
21:5 Kur i plotësuam ato ditë, u nisëm dhe shkuam; dhe na përcollën të gjithë, me gra e me fëmijë, deri jashtë qytetit; dhe si u ulëm në gjunjë në breg, u lutëm.
21:6 Dhe, mbasi u përshëndetëm, hipëm në anije, kurse ata u kthyen në shtëpitë e veta.
21:7 Kur mbaruam lundrimin, nga Tiro erdhëm në Ptolemaidë dhe, si përshëndetëm vëllezërit, kaluam një ditë me ta.
21:8 Të nesërmen u nisëm (ne që ishim shokë me Palin), arritëm në Cezare dhe hymë në shtëpinë e Filip ungjilltarit, që ishte një nga të shtatët, dhe ndenjëm tek ai.
21:9 Por ai kishte katër bija virgjëresha, që profetizonin.
21:10 Dhe, pasi qëndruam ne atje shumë ditë, zbriti nga Judeja një farë profeti me emër Agabo.
21:11 Si erdhi te ne, ai mori brezin e Palit, lidhi duart dhe këmbët e veta dhe tha: “Këtë thotë Fryma e Shenjtë: Kështu do ta lidhin Judenjtë në Jeruzalem burrin, të cilit i përket ky brez dhe do t`a dorëzojnë johebrenjve“.
21:12 Kur i dëgjuam këto gjëra, ne dhe vendësit iu lutëm që të mos ngjitej në Jeruzalem.
21:13 Por Pali u përgjigj: “Ç`po bëni ju, duke qarë e duke ma copëtuar zemrën? Sepse unë jam gati jo vetëm për të qenë i lidhur, por edhe për të vdekur në Jeruzalem për emrin e Zotit Jezus“.
21:14 Dhe, mbasi nuk i mbushej mendja, ne pushuam duke thënë: “U bëftë vullneti i Zotit!“.
21:15 Dhe pas atyre ditëve, bëmë gati gjërat tona, dhe u ngjitëm në Jeruzalem.
21:16 Me ne erdhën edhe disa dishepuj nga Cezareja dhe prunë me ta njëfarë Mnasoni, lindur në Qipro, një dishepull i vjetër, tek i cili do të bujtnim.
21:17 Kur arritëm në Jeruzalem, vëllezërit na pritën me gëzim.
21:18 Të nesërmen Pali u tërhoq me ne te Jakobi, dhe erdhën të gjithë pleqtë.
21:19 Mbasi i përshëndeti, Pali u tregoi atyre, një për një, të gjitha sa kishte bërë Zoti ndër johebrenjtë me anë të shërbesës së tij.
21:20 Dhe ata, kur dëgjuan këtë, përlëvduan Perëndinë dhe i thanë Palit: “Vëlla, ti po sheh sa mijëra Judenj ka që kanë besuar; dhe të gjithë i përbahen me zell ligjit.
21:21 Tani ata morën vesh për ty se ti i mëson të gjithë Judenjtës që jetojnë midis johebrenjve të shkëputen nga Moisiu, duke thënë që të mos i rrethpresin djemtë dhe të mos ndjekin më zakonet.
21:22 Po atëherë, ç`duhet të bëhet? Duhet patjetër që të mblidhet populli, sepse do ta marrin vesh se ke ardhur.
21:23 Bëje, pra, atë që të themi: ne kemi katër burra, që kanë bërë një premtim solemn;
21:24 merri dhe pastrohu me ta, dhe paguaj për ta që të rruajnë kokën; kështu të gjithë do ta mësojnë se s`janë gjë ato që kanë dëgjuar për ty, por se edhe ti ecën duke respektuar ligjin.
21:25 Dhe sa për johebrenjtë që kanë besuar, ne u kemi shkruar atyre, mbasi vendosëm që ata nuk kanë ç`të respektojnë lidhur me këtë, por se të ruhen nga gjërat që u flijohen idhujve, nga gjaku, nga gjërat e mbytura dhe nga kurvëria“.
21:26 Atëherë Pali i mori me vete ata burra dhe, të nesërmen, pasi u pastrua bashkë me ta, hyri në tempull dhe deklaroi plotësimin e ditëve të pastrimit, dhe kur do të paraqitej oferta për secilin nga ata.
21:27 Por, kur po mbusheshin shtatë ditët, Judenjtë e Azisë, duke e parë në tempull, e nxitën turmën dhe vunë duart mbi të,
21:28 duke bërtitur: “O burra të Izraelit, na ndihmoni! Ky është ai njeri që u mëson të gjithëve dhe kudo kundër popullit, kundër ligjit dhe kundër këtij vendi; përveç kësaj ai i ka sjellë Grekët në tempull dhe e ka ndotur këtë vend të shenjtë“.
21:29 Sepse ata kishin parë më përpara Trofimin nga Efesi bashkë me Palin në qytet, dhe mendonin se ai e kishte sjellë në tempull.
21:30 Dhe gjithë qyteti ziente, dhe u mblodhën njerëzit; dhe, si e kapën Palin, e nxorrën jashtë tempullit dhe dyert u mby-llën menjëherë.
21:31 Dhe, ndërsa kërkonin ta vrisnin, tribunit të kohortës i shkoi lajmi se gjithë Jeruzalemi ishte turbulluar.
21:32 Ai mori menjëherë ushtarë dhe centurionë dhe u sul kundër tyre. Dhe këta, kur panë tribunin dhe ushtarët, pushuan së rrahuri Palin.
21:33 Atëherë tribuni u afrua, e zuri dhe urdhëroi që ta lidhnin me dy zinxhirë, pastaj pyeti cili ishte dhe ç`kishte bërë.
21:34 Në turmë disa bërtisnin një gjë, të tjerë një tjetër; dhe, mbasi nuk mori vesh dot të vërtetën për trazirën, urdhëroi që ta sillnin në fortesë.
21:35 Dhe kur arriti te shkallaret, ndodhi që, për shkak të dhunës së turmës, duhej të bartej nga ushtarët,
21:36 sepse masa e popullit vinte pas duke bërtitur: “Vdekje!“.
21:37 Kur Pali do të hynte në fortesë, i tha tribunit: “A më lejohet të them diçka?“. Ai u përgjigj: “A di greqisht?
21:38 Mos je vallë ai Egjiptasi që disa ditë më parë ngriti krye dhe nxori në shkretëtirë katër mijë gjakësorë?“.
21:39 Dhe Pali tha: “Unë jam një Jude nga Tarsi, qytetar i një qyteti të Kilikisë që s`është i padëgjuar; dhe të lutem më lejo t`i flas popullit“.
21:40 Dhe, mbasi e lejoi, Pali, duke qëndruar në këmbë mbi shkallarët, i bëri shenjë me dorë popullit. Dhe, si u bë heshtje e madhe, i foli në gjuhën hebraike, duke thënë: