SHKRIMI I SHENJTË—PËRKTHIMI DIODATI I RI
Pali del përpara Festit dhe i apelohet Cesarit
25:1 Kur Festi arriti në krahinë, mbas tri ditësh u ngjit nga Cezarea në Jeruzalem.
25:2 Kryeprifti dhe krerët e Judenjve i paraqitën akuzat kundër Palit dhe i luteshin,
25:3 duke kërkuar t`u bënte favorin që Palin ta binin në Jeruzalem; kështu ata do ta vrisnin në një pritë rrugës.
25:4 Por Festi u përgjigj që Pali ruhej në Cezare dhe që ai vetë do të shkonte aty shpejt.
25:5 “Prandaj njerëzit me influencë midis jush“, tha ai, “le të zbresin me mua; dhe, në qoftë se ka ndonjë faj te ky njeri, le ta akuzojnë“.
25:6 Si qëndroi midis tyre jo më shumë se tetë a dhjetë ditë, Festi zbriti në Cezare; të nesërmen zuri vend në gjykatë dhe urdhëroi që të sillnin Palin.
25:7 Kur erdhi ai, Judenjtë që kishin zbritur nga Jeruzalemi e rrethuan, dhe drejtuan kundër Palit shumë akuza të rënda, të cilat nuk mund t`i vërtetonin.
25:8 Në mbrojtje të vet Pali thoshte: “Unë nuk kam mëkatuar as kundër ligjit të Judenjve, as kundër tempullit, as kundër Cezarit“.
25:9 Por Festi, duke dashur t`u bëjë qejfin Judenjve, iu përgjigj Palit e tha: “A dëshiron të ngjitesh në Jeruzalem për t`u gjykuar para meje për këto gjëra?“.
25:10 Atëherë Pali tha: “Unë jam para gjykatës së Cezarit, ku duhet të gjykohem; unë nuk u kam bërë asnjë të padrejtë Judenjve, sikurse ti e di fare mirë.
25:11 Në qoftë se kam vepruar keq ose kam kryer diçka që meriton vdekjen, nuk refuzoj që të vdes; por nëse s`ka asgjë të vërtetë në gjërat për të cilat këta më akuzojnë, askush nuk mund të më dorëzojë në duart e tyre. Unë i apelohem Cezarit“.
25:12 Atëherë Festi, pasi e bisedoi me këshillin, u përgjigj: “Ti i je apeluar Cezarit; te Cezari do të shkosh“.
Pali përpara mbretit Agripa
25:13 Pas disa ditësh mbreti Agripa dhe Berenike erdhën në Cezare për të përshëndetur Festin.
25:14 Dhe, mbasi ata ndenjën disa ditë, Festi ia parashtroi çështjen e Palit mbretit, duke thënë: “Feliksi ka lënë të burgosur njëfarë njeriu,
25:15 kundër të cilit, kur isha në Jeruzalem, krerët e priftërinjve dhe pleqtë e Judenjve, kishin paraqitur akuza, duke kërkuar dënimin e tij.
25:16 Unë u dhashë përgjigje se nuk është zakon i Romakëve të dorëzojnë dikë për vdekje para se i akuzuari të ballafaqohet me paditësit e tij, dhe t`i jetë dhënë mundësia që të mbrohet nga akuza.
25:17 Prandaj, kur ata u mblodhën këtu, pa e shtyrë punën, u ula të nesërmen në gjykatë dhe urdhërova të ma sjellin këtë njeri.
25:18 Kur u ngritën paditësit e tij, nuk paraqitën kundër tij asnjë akuzë për gjërat që unë dyshoja.
25:19 Por kishin vetëm disa pika mospajtimi për fenë e tyre dhe për njëfarë Jezusi, që ka vdekur, dhe për të cilin Pali thoshte se është i gjallë.
25:20 Dhe duke qenë se unë mbeta ndërdyshas përpara një konflikt i të këtij lloji, e pyeta nëse ai donte të shkonte në Jeruzalem dhe të gjykohej atje lidhur me këto gjëra.
25:21 Por, mbasi Pali u apelua tek Augusti për të marrë gjykimin e tij, dhashë urdhër që ta ruanin derisa të mundem ta dërgoj te Cezari“.
25:22 Agripa i tha Festit: “Do të doja edhe unë ta dëgjoja këtë njeri“. Dhe ai u përgjigj: “Do ta dëgjosh nesër“.
25:23 Kështu të nesërmen Agripa dhe Berenike erdhën me shumë madhështi dhe, mbasi hynë në auditor me tribunët dhe me parinë e qytetit, me urdhër të Festit, e sollën Palin aty.
25:24 Atëherë Festi tha: “O mbret Agripa, dhe ju të gjithë që jeni të pranishëm këtu me ne, ju po shihni atë kundër të cilit gjithë turma e Judenjve m`u drejtua mua në Jeruzalem dhe këtu, duke thirrur se nuk është më i denjë të jetojë.
25:25 Por unë, duke parë se s`ka bërë asnjë gjë që të meritojë vdekjen, dhe duke qenë se ai vetë i është apeluar Augustit, vendosa ta dërgoj.
25:26 Dhe duke qenë se s`kam asgjë konkrete që t`i shkruaj perandorit për të, e solla këtu para jush, dhe kryesisht para teje, o mbret Agripa, që pas kësaj seance të kem diçka për të shkruar.
25:27 Sepse më duket e paarsyeshme të dërgosh një të burgosur pa treguar akuzat kundër tij“.