Isaia

Isaia … është profeti dhe gojëtari më i madh hebre. Për shkëlqimin e mënyrës së të shprehurit, figurat letrave, shumanshmërinë dhe bukurinë e stilit ai është i pashoq. Me të drejtë ai është quajtur ‘Princi i profetëve të Dhiatës së Vjetër.Merrill F. Unger

I. Vendi unik në Kanun

Vizitorëve të kryeqytetit të dashur irlandez, që vlerësojnë kulturën e krishterë, u tregohet zakonisht një shtëpi private ku kompozimi më i madh muzikor ka pasur “shfaqjen e parë botërore”. Kjo ka ndodhur në Dublin, më 13 prill të vitit 1742, kur Mesia i Hendelit u vu në skenë për herë të parë [1]. Asnjë njeri i ditur nuk e ka vënë në diskutim shkëlqimin e kompozimit të Hendelit për sa i përket muzikës, por çfarë mund të themi për libretin [fjalët] e më së famshmes ndër profetët? Ato të gjitha janë marrë nga Fjala e Perëndisë, sidomos nga profecitë rreth Mesias së DhV. Dhe profeti që dha ndihmën e tij më të madhe për këtë libret [2] ishte një shkrimtar hebre, që ka jetuar shtatë shekuj para mishërimit të Mesias së tij – dhe Mesias së Hendelit, tëndit dhe timit. Emri i tij është Isaia dhe ai ka shkruar profecitë më të gjata, më të dashura dhe më mesianike të DhV.

II. Autorësia

Isaia (hebraisht Yesha yahu, Jahveja [Jehovahu] është shpëtim apo shpëtimi i Jehovahut), biri i Amotsit, pati një vegim që përbën Librin e Isaias. Për shkak të teorive kritike që “e kanë veçuar”, ne do të japim një hyrje deri diku më të plotë të këtij libri sesa të tjerëve.

Uniteti i Isaias

Ka disa teori të ashtuquajtura “kritika të larta”, që janë mësuar aty rreth një shekull, jo si hipoteza, po për më tepër si fakte. Këto janë marrë si të vërteta në shumë rrethe. Midis tyre janë: Moisiu nuk e ka shkruar Pentateukun, Danieli nuk e ka shkruar librin e tij, Pjetri nuk e ka shkruar letrën e tij të dytë, Pali (mbase) nuk i ka shkruar letrat baritore [3] dhe Isaia ka shkruar vetëm pjesën e parë të gjashtëdhjetë e gjashtë kapitujve të librit të tij.

Meqë Libri i Isaias është një punë kaq e madhe, është kaq i mbushur me profeci mesianike (sidomos në pjesët ku kritikët mendojnë se kanë shkruar të tjerët) dhe citohet kaq shumë shpesh në DhR, mendojmë se është e domosdoshme të lëmë më tepër vend për këtë çështje kritike, sesa lëmë zakonisht për një libër të një niveli popullor për besimtarët e zakonshëm.

Qasja jonë do të jetë duke dhënë argumentet pozitive për autorësinë e Isaias për të tërë librin dhe më pas do t’u përgjigjemi një nga një argumenteve të paraqitura kundër këtij uniteti.

1. Dëshmia e historisë dhe traditës

Deri në fund të viteve 1700, pothuajse tërë studiuesit judenj dhe të krishterë e pranonin Isaian si një profeci të gjatë nga një shkrimtar i talentuar, Isaia, biri i Amotsit.

Por më 1795 Dederleini (J. C. Doederlein) propozoi një “Isai të dytë” (apo “Isaia i përtërirë”) si autor të kapitujve 40-66. Sigurisht, ndryshimi në përmbajtje dhe paraqitje midis Isaias 1-39 dhe 40-66 është vënë re nga tërë lexuesit e kujdesshëm për shekuj me radhë, por kjo nuk do të thotë se me patjetër duhet të jetë autor tjetër. Më 1892 Dumi (B. Duhm) mohoi unitetin e kapitujve 40-66, duke supozuar një “Isai të tretë” për kapitujt 55-65. Disa i kanë çuar gjërat edhe më larg, por dy apo tre “Isai” pranohen përgjithësisht në rrethet liberale.

Asnjë traditë e hershme nuk ka hamendësuar për dy apo tre autorë; në fakt, besimi në unitetin e Isaias është i hershëm, uniform dhe i pasfidueshëm.

2. Dëshmia e DhR

Isaia është libri i dytë i DhV në renditje për citimet në DhR (pas Psalmeve) dhe ka gjithmonë një hamendësim uniteti. Citimet nga pjesa e dytë e profecisë së Isaias janë bërë nga Gjon Pagëzori (Mt. 3:3; Luka 3:4; Gjoni 1:23), nga Mateu (8:17; 12:18-21), nga Gjoni (12:38-41) dhe nga Pali (Rom. 9:27-33; 10:16-21). Kjo është e dukshme, sidomos te Gjoni 12:38-41, për shkak se ky autor si person [Isaia] dhe jo thjesht libri po i referohet: “Këto gjëra tha Isaia, kur e pa lavdinë e tij dhe foli për të” (v. 41). Shprehja “këto gjëra” janë Isaia 53:1, që është nga pjesa e dytë e librit (v. 38), dhe Isaia 6:10 (ku Isaia pa lavdinë e Krishtit, v. 39, 40) është nga pjesa e parë.

3. Uniteti i planit dhe i zhvillimit

Libri i Isaias paraqet një plan dhe rend të pajtueshëm, që nuk shkon me teorinë e një mbledhje copëzash nga dy apo më shumë autorë.

4. Madhështia e pastër e poetikës

Bukuria e spikatshme në pjesën e dytë të librit e bën të vështirë për t’u besuar se një shkrimtar i tillë i mrekullueshëm, pretenduar se ka jetuar në vitet 500 para K., të mund të harrohej plotësisht. Mbi të gjitha, librat e Profetëve të Vegjël kanë emrin e tyre përkatës.

5. Pergamenat e Detit të Vdekur

Pergamenat e Isaias në Detin e Vdekur (shekulli i dytë para K.,) nuk japin asnjë aluzion të ndonjë ndarjeje në kapitullin 40.

Përgjigje rreth argumenteve kundër unitetit të Isaias

Kundër unitetit të këtij libri janë ngritur tri argumente kryesore: pikëpamja e tij historike, argumenti gjuhësor dhe ai teologjik.

1. Pikëpamja historike

Fakti që Isaia ndahet në dy pjesë të mëdha pranohet gati nga të gjithë (1-39 dhe 40-66). Kapitujt 36-39 janë një lloj intervali historik. Është interesante të shohim se si kapitujt 1-39 pasqyrojnë DhV dhe 40-66 paralelizojnë DhR – qoftë edhe në numra: një kapitull për librat e DhV dhe DhR. Megjithatë, kjo mund të jetë rastësi, meqë ndarjet e kapitujve nuk janë pjesë e tekstit të frymëzuar.

Pikëpamja e kapitujve 1-39 është përfundimisht para periudhës së mërgimit dhe ajo e 40-66 është qartësisht pas mërgimit. A mund ta projektonte veten Isaia në të ardhmen dhe të shkruante nga një pikë vështrimi në të ardhmen? Shumë kritikë thonë jo. Edhe Jeremia, Danieli dhe madje Zoti ynë (Mt. 13) e bënë një gjë të tillë një herë.

Nëse kapitujt 40-66 janë shkruar në vitet 500 para K., pse libri ka aromë palestineze dhe jo babilonase?

2. Argumenti gjuhësor

Stili i “Isaias së dytë” është i ndryshëm nga ai i Isaias, thonë kritikët. Të gjithë kanë vënë re ndarjen e madhe në paraqitje që fillon me “Ngushëlloni, ngushëlloni popullin tim” (40:1). Por kjo mund të vërtetojë thjesht shumanshmërinë e shkrimtarit. Platoni, Miltoni dhe Shekspiri, gjithashtu, mund ta ndryshonin stilin e tyre në mënyrë të mrekullueshme – sipas përmbajtjes. Ngushëllimi i lavdishëm i Mesias, mbizotërues në 40-66, mjafton për të shpjeguar ndryshimin.

Gjithashtu, ka shumë ngjashmëri stilistikore midis dy (apo tri) pjesëve të librit. Shumë hollësi kërkojnë një njohje të hebraishtes, por një prej shprehjeve të Isaias që shfaqet në tërë librin e tij është “i Shenjti i Izraelit” – një titull hyjnor.

3. Argumenti teologjik

Kritikët nuk paraqesin një kontradiktë midis teologjisë së Isaias së “Parë” dhe të “Dytë”, thjesht se “Isaia i dytë” është më “i përparuar” (kjo përkon me tërë teorinë e pashëndoshë të evolucionit që zbatohet kudo dhe jo thjesht në biologji. Për Isaian thuhet se thekson madhështinë e Perëndisë, “Isaia i dytë” pafundësinë e Tij. Në fakt, Mikea, që ishte një bashkëkohës i Isaias, përmban ide të ngjashme për sa i përket “Isaias të dytë” të pretenduar).

Argumenti teologjik është më i dobëti nga të tre, por sugjeron arsyen e vërtetë për teoritë në radhë të parë: kundër-mbinatyrizmin.

Isaia përmend Kirin me emër shekuj para se ai të lindte – nëse pranojmë një Isai. Jozefusi (Josephus) ka thënë se vetë Kiri u ndikua nga leximi i kësaj pjese tek Isaia 45 [4].

Shumë nga pjesët për të cilat thuhet përgjithësisht se janë shtuar janë kryesisht profeci të veçanta që janë përmbushur. Këtu përsëri një shmangie kundër-mbinatyrore duket e qartë në refuzimin e caktimit të datës së hershme.

Mbi të gjitha, nëse Perëndia është i gjithëdijshëm, Ai nuk e ka problem të parathotë të ardhmen përmes profetëve të Tij në hollësinë më të thellë, ashtu siç vendos Ai.

Prandaj, pavarësisht nga shmangiet që kanë bërë këto teori në rrethet e hamendësuara të krishtera, pozita e lashtë, uniforme e ungjillore është e fortë dhe gjithashtu logjike: tërë libri është shkruar, ashtu siç thotë Isaia 1:1, nga Isaia, biri i Amotsit.

III. Data

Isaia e filloi shërbesën e tij “në vitin e vdekjes së mbretit Uziah” (6:1; rreth vitit 740 para K.). Vitet e tij të shërbesës, kryesisht në Judë, u shtrinë në mbretërimin e katër mbretërve: Uzias dhe Jothamit, që ishin mbretër të mirë; Ashazit, një mbret i lig; Ezekias, një mbret shumë i mirë dhe një mik vetjak i profetit. Meqë Isaia flet për vdekjen e Senakeribit (viti 681 para K.), ka gjasa të ketë jetuar deri në vitin 680, duke paraqitur një shërbesë të gjatë – gjashtëdhjetë vjet! Sipas traditës, Isaia vdiq gjatë mbretërimit të lig të mbretit Manas.

IV. Sfondi dhe tema

Domethënia e emrit të Isaias jep gjithashtu temën kryesore të librit. Shpëtimi vjen nga Zoti. Fjala shpëtim ndeshet njëzet e gjashtë herë në këtë profeci dhe vetëm shtatë herë në tërë profetët e tjerë të marrë së bashku. Kjo temë ilustron gjithashtu unitetin e librit: kapitujt 1-39 paraqesin nevojën e jashtëzakonshme të njeriut për shpëtim dhe kapitujt 40-66 japin sigurimin e hirshëm të tij.

Isaia e paralajmëroi Izraelin se ligësia e tij do të ndëshkohej dhe, megjithatë, Perëndia në hirin e Tij do të siguronte një Shpëtimtar si për judenjtë, ashtu edhe për johebrenjtë.

Politikisht, fuqitë e mëdha, midis darëve që shtrëngonin shpesh Izraelin e vogël, ishin Asiria nga veriu, fuqia në rritje, dhe Egjipti nga jugu, fuqia që po venitej. Pjesa e fundit e librit e projekton profetin në Frymë 200 vjet më vonë, në ditët e ardhme të fuqisë së madhe Babilonase.

PARAQITJE E PËRGJITHSHME

I. PROFECITË E NDËSHKIMIT DHE TË BEKIMIT NGA KOHA E ISAIAS (kapitujt 1-35)
A. Gjykimet mbi Judën dhe Jerusalemin me shfaqje të shkëlqyera të lavdisë (kapitujt 1-5)
1. Padia e Perëndisë kundër Izraelit (kapitulli 1)
2. Bekimet e ardhshme përmes pastrimit (kapitujt 2-4)
3. Ndëshkimi i Izraelit për mëkatin (kapitulli 5)
B. Thirrja, pastrimi dhe detyra e Isaias (kapitulli 6)
C. Libri i Emanuelit (kapitujt 7-12)
1. Lindja e mrekullueshme e Mesias (kapitulli 7)
2. Toka e mrekullueshme e Mesias (kapitujt 8-10)
3. Mbretëria mijëvjeçare e Mesias (kapitujt 11,12)
D. Gjykimi mbi kombet (kapitujt 13-24)
1. Gjykimi mbi Babiloninë (13:1-14:23)
2. Gjykimi mbi Asirinë (14:24-27)
3. Gjykimi mbi Filistinë (14:28-32)
4. Gjykimi mbi Moabin (kapitujt 15,16)
5. Gjykimi mbi Damaskun (kapitulli 17)
6. Gjykimi mbi tokat pa emër në Afrikë (kapitulli 18)
7. Gjykimi mbi Egjiptin (kapitujt 19,20)
8. Gjykimi mbi Babiloninë (21:1-10)
9. Gjykimi mbi Dumahun (Edomin; 21:11,12)
10. Gjykimi mbi Arabinë (21:13-17)
11. Gjykimi mbi Jerusalemin (kapitulli 22)
12. Gjykimi mbi Tiron (kapitulli 23)
13. Gjykimi mbi tërë tokën (kapitulli 24)
E. Libri i këngëve (kapitujt 25-27)
1. Kënga e lavdërimit të Izraelit për bekimet e mbretërisë (kapitulli 25)
2. Kënga e Judës për Shkëmbin e Përjetshëm (kapitulli 26)
3. Kënga e Perëndisë për Izraelin e shpenguar (kapitulli 27)
F. Rënia dhe ngritja përsëri e Izraelit dhe e Jerusalemit (kapitujt 28-35)
1. Mjerim për Efraimin/Izraelin (kapitulli 28)
2. Mjerimi për Arielin/Jerusalemin (kapitulli 29)
3. Mjerimi për aleancën me Egjiptin (kapitujt 30,31)
4. Mbretërimi i Mbretit të Drejtë (kapitulli 32)
5. Mjerimi për plaçkitësin/Asirinë (kapitulli 33)
6. Mjerimi ndaj tërë kombeve (kapitulli 34)
7. Lavdia e mbretërisë së ardhshme (kapitulli 35)
II. PERIUDHA KALIMTARE HISTORIKE: LIBRI I EZEKIELIT (kapitujt 36-39)
A. Çlirimi i Ezekias nga Asiria (kapitujt 36,37)
1. Mospërfillja asire ndaj Perëndisë (kapitulli 36)
2. Shkatërrimi i Asirisë nga Perëndia (kapitulli 37)
B. Sëmundja dhe shërimi i Ezekias (kapitulli 38)
C. Mëkati i Ezekias (kapitulli 39)
III. PROFECITË E NGUSHËLLIMIT NGA PIKËPAMJA E ROBËRISË SË ARDHSHME (kapitujt 40-66)
A. Ngushëllimi i çlirimit të ardhshëm të Izraelit (kapitujt 40-48)
1. Ngushëllimi nga falja dhe paqja e Perëndisë (40:1-11)
2. Ngushëllimi nga cilësitë e Perëndisë (40:12-31)
3. Ngushëllimi nga i Shenjti i Izraelit (kapitulli 41)
4. Ngushëllimi nga Shërbëtori i Zotit (kapitulli 42)
5. Ngushëllimi nga përtëritja e Izraelit (kapitujt 43,44)
6. Ngushëllimi nga Kiri, i Vajosuri i Perëndisë (kapitulli 45)
7. Ngushëllimi nga rënia e idhujve të Babilonisë (kapitulli 46)
8. Ngushëllimi nga rënia e Babilonisë (kapitulli 47)
9. Ngushëllimi nga kthimi i Izraelit pas ndëshkimit (kapitulli 48)
B. Mesia dhe mospranimi i Tij nga Izraeli (kapitujt 49-57)
1. Mesia si shërbëtor (kapitulli 49)
2. Mesia si dishepull i vërtetë (kapitulli 50)
3. Mesia si sundues i drejtë (51:1-52:12)
4. Mesia si flijimi mëkatmbartës (52:13-53:12)
5. Mesia si shpengues dhe përtëritës (kapitulli 54)
6. Mesia si ungjilltari i botës (55:1-56:8)
7. Mesia si gjykatës i të pabesëve (56:9-57:21)
C. Mëkati, gjykimi, pendimi dhe përtëritja e Izraelit (kapitujt 58-66)
1. Gëzimet e perëndishmërisë së vërtetë (kapitulli 58)
2. Paudhësitë e Izraelit (kapitulli 59)
3. Lavdia e ardhshme e Sionit (kapitulli 60)
4. Shërbesat e Mesias (kapitulli 61)
5. Gëzimet e ardhshme të Jerusalemit (kapitulli 62)
6. Dita e hakmarrjes (63:1-6)
7. Lutja e pjesës së mbetur (63:7-64:12)
8. Përgjigjja e Zotit ndaj lutjes së pjesës së mbetur (kapitulli 65)
9. Përdëllimi: paqja si një lumë (kapitulli 66)

[1] Ishte një shfaqje bamirëse, “për ngushëllimin e të burgosurve në disa burgje dhe për mbështetjen e Spitalit të Mëshiruesit në Stefën Strit [Stephen Street] dhe për Infermierinë Bamirëse në Molin e Hanit”. Nën dritën e theksit të Isaias mbi çlirimin e të burgosurve dhe të lidhjes së plagëve të të sëmurit, ai pa dyshim do të kënaqej me këto bamirësi, që shoqëroheshin zakonisht me shfaqjet e mëparshme të Mesias.[[1]]
[2] Pas uverturës, fillimi i pjesës së dytë të Isaias këndohet nga një tenor solo: “Ngushëlloni popullin tim” (40:1). Kush mund të lexojë në Isaia 7:14 pa dëgjuar solon e altit [lloj i mënyrës së të kënduarit klasik, zë më i trashë se sopranoja] femëror: “Ja, e virgjëra do të mbetet me barrë”, apo të lexojë në Isaia 9:6 pa dëgjuar zërin e korit: “Sepse na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë”? “Ai mbante sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona” është një pjesë e shkëputur më pak e njohur me fjalë nga Isaia (53:4). Gjithashtu fjalë nga Isaia janë: “O Sion, ti që sjell lajmin e mirë” (40:9), “Atëherë do të hapen sytë e të verbërve dhe veshët e të shurdhëve” (35:5), “Ai do të kullosë kopenë e tij si një bari” (40:11) dhe fjalët prekëse: “I përçmuar dhe i hedhur poshtë nga njerëzit” (53:3).
Krahasimisht kemi më pak tekst nga DhR në oratorien, gjë që është e pazakontë, sidomos kur kujtojmë se tema flet vetëm për Mesian.[[2]]
[3] Shikoni Believers Bible Commentary tek hyrjet e librave të përmendur për një mbrojtje të pozicioneve tradicionale dhe dogmatike mbi autorësinë.[[3]]

[4] Josephus, Antiquities, XI:1 e në vazhdim.[[4]]




Referenca    ( ↵ Kthehu mbrapa returns to text)
  1. ↵ Kthehu mbrapa
  2. ↵ Kthehu mbrapa
  3. ↵ Kthehu mbrapa
  4. ↵ Kthehu mbrapa