10 tetor

[no_toc]

10 tetor

«Le të flaket larg jush çdo hidhërim, zemërim, inat, trazirë dhe shpifje me çdo ligësi» (Efesianeve 4:31).

Jeta është plot me situata provokuese që i tundojnë njerëzit të humbasin toruan. Ndoshta mund t’i kuptosh situatat e mëposhtme. Kamerieri e derdh kafen e nxehtë mbi ty ose të bën të presësh pafund për porosinë. Ti mbërrin në shtëpi me blerjen më të fundit, por sheh se malli është i dëmtuar. Kur përpiqesh për një kthim të mundshëm parash, shitësi sillet me pafytyrësi. Ose ndoshta të është dhënë informacion i gabuar që të bën të humbasësh avionin. Që javën e parë pasi ke blerë një makinë të re, një shofer i pakujdesshëm të lë një gërvishtje të dukshme në pjesën anësore të saj. Ose një dyqan premton se do të të dorëzojë një pajisje në një datë të caktuar. Dhe kështu ti pret në shtëpi, por pajisja nuk vjen! Dhe shumë premtime dorëzimi të panumërta nuk janë mbajtur. Shitësi i supermarketit të merr më shumë pare se duhet, mirëpo tregohet edhe i pasjellshëm kur ia vë këtë në dukje. Komshiu të shqetëson për ndonjë keqkuptim të parëndësishëm midis fëmijës së tij dhe fëmijës tënd – dhe siç duket fëmija i saj e kishte fajin. Një komshi tjetër të acaron me zërin e lartë të muzikës dhe festat e çmendura. Një bashkëpunëtor të mërzit me pyetje të mërzitshme, ndoshta për shkak të dëshmisë tënde të krishterë. Kompjuteri bën një gabim në llogarinë tënde mujore dhe më pas, pavarësisht nga ankesat e përsëritura nëpërmjet telefonit, gabimi rishfaqet muaj pas muaji. Në sportin e preferuar, arbitri jep një vendim shumë të gabuar. Ose problemi mund të jetë një mospërputhje dëshirash për programet televizive në dhomën e pritjes në shtëpi.

Nuk ka mënyra për shmangien e disa prej këtyre situatave të bezdisshme. Por për të krishterin, ajo që është e rëndësishme është mënyra se si reagon. Mënyra e zakonshme është të shfrysh inat, të fyesh ofenduesin me disa fjalë të zgjedhura. Por kur një i krishterë e humbet toruan, ai humbet edhe dëshminë e tij. Ja qëndrimi i tij, i murrëtyer nga furia, me sy therëse si çeliku, me buzë që fërgëllojnë nga inati. Në asnjë mënyrë ai nuk mund të flasë kështu ndonjë fjalë për Zotin Jezus. Sjellja e tij është si ajo e njerëzve të botës. Ai nuk vepron më si një Bibël por si një shpifës.

Por tragjedia qëndron në faktin se personi që e ka ofenduar ndoshta është në kërkim të Ungjillit. Ndoshta sjellja e tij e mërzitshme është për shkak të ndonjë krize që i ka ndodhur në jetë. Nëse ne thjesht do t’i tregonim dashuri dhe konsideratë, ai mund të fitohej për Shpëtimtarin.

Shpërthimet e zemërimit kanë bërë shumë dëm në drejtim të anulimit të dëshmisë së besimtarëve dhe i kanë sjellë çnderim emrit të Zotit. Një i krishterë i çmendur është një reklamë e dobët për besimin.

[previous][next]