2 korrik
«Martë, Martë, ti po shqetësohesh dhe kujdesesh për shumë gjëra; por vetëm një gjë është e nevojshme, dhe Maria zgjodhi pjesën më të mirë, që asaj nuk do t’i hiqet» (Luka 10:41, 42).
Maria u ul qetë te këmbët e Jezusit dhe dëgjoi fjalën e Tij. Marta ishte e shqetësuar dhe e mërzitur me punën që po bënte dhe nuk e duronte faktin që Maria nuk po ngrihej për ta ndihmuar. Zoti Jezus nuk e ndëshkoi Martën për shërbimin e saj, por për frymën me të cilën po e bënte atë. Gjithashtu kemi një sugjerim se prioritetet e Martës ishin të gabuara; ajo nuk duhet ta vendoste shërbimin mbi adhurimin.
Shumë prej nesh janë si Marta. Ne jemi njerëz të prirur drejt arritjeve, të cilët do të parapëlqenim të bënim se të uleshim. Ne mburremi duke thënë se jemi të organizuar, të efektshëm, që jemi në gjendje të arrijmë diçka. Ne jemi kaq të preokupuar me punën, që leximi i Biblës në mëngjes ndërpritet shpesh nga kujtesa e gjashtëdhjetë gjërave që duhen bërë. Lutjet tona priren të jenë rrëmujë, pasi mendja jonë bredh nga Dani në Beersheba, duke planifikuar ditën. Është kollaj që të mos e durojmë këtë kur të tjerët nuk rrëmbejnë një peshqir dhe të na ndihmojnë. Ne ndiejmë se gjithsecili duhet të bëjë atë që ne jemi duke bërë.
Por kemi edhe ata që janë si Maria. Ata janë njerëz që duan. Jetët e tyre kullojnë simpati për të tjerët. Për ata, njerëzit janë më të rëndësishëm se tenxheret dhe tiganët. Veçanërisht Një Person është Objekti i simpatisë së tyre. Ata nuk janë dembelë, edhe pse mund të na duket kështu neve Martave. Është thjesht që ata kanë prioritete të ndryshme.
Ne vetë e vlerësojmë dikë që është i ngrohtë dhe i dashur, më shumë se dikë që është i aftë dhe i efektshëm, por i ftohtë. Zemrat tona tërhiqen nga ai fëmija që na përqafon e na puth me të madhe, më shumë se nga ai që është tepër i zënë me lodrat e tij dhe kështu nuk ka kushton shumë vëmendje.
Dikush e ka thënë mirë se Perëndia është më shumë i interesuar në adhurimin tonë se në shërbimin tonë; Dhëndri qiellor është duke tërhequr një nuse, nuk është duke pajtuar një shërbëtor.
Krishti nuk na kërkon kurrë një punë aq të zënë
që të mos na lërë aspak kohë për t’u ulur te këmbët e Tij
qëndrimin e durueshëm të pritjes
shpesh Ai e konsideron një shërbim më se të përfunduar.
Maria zgjodhi pjesën më të mirë, që asaj nuk do t’i hiqet. Kjo le të bëhet edhe nga ne të gjithë!