20 mars | çdo ditë me radhë
«O Atë, unë kam mëkatuar…» (Luka 15:21).
Vetëm kur djali plëngprishës u kthye i penduar, i ati u lëshua me vrap për ta takuar, ra mbi qafën e tij dhe e puthi. Nuk do të kishte qenë e drejtë të jepej falje derisa së pari të kishte pendim. Parimi shkrimor (biblik) është: «…nëse pendohet, fale» (Luka 17:3).
Nuk na thuhet në asnjë vend që i ati i dërgoi ndihmë plëngprishësit për aq kohë sa ishte në vendin e largët. Në fakt, kryerja e këtij veprimi do të pengonte punën e Perëndisë në jetën e rebelit. Qëllimi i Zotit ishte ta bënte djalin kokëfortë që të binte në llum. Ai e dinte se djali duhet të arrinte në fund të vetes, që ai të mos shihte më lart derisa të kishte arritur më parë fundin. Sa më shpejt që vagabondi të futej në guaskën e vet, aq më shpejt do të ishte i gatshëm për të dalë prej saj. Prandaj babai duhet t’ia dorëzonte Zotit të birin dhe të priste krizën ekstreme.
Kjo është një nga gjërat më të vështira për t’u bërë nga prindërit – sidomos për nënat. Prirja e natyrshme është që ta shpëtojnë një djalë a vajzë rebele nga çdo urgjencë që dërgon Zoti. Por gjithçka që arrijnë të bëjnë këta prindër është se ata e pengojnë Zotin për të realizuar qëllimin e Tij dhe e zgjatin agoninë e të afërmve të tyre.
Spërxhëni tha dikur: «Dashuria më e vërtetë për ata që gabojnë nuk është të miqësohemi me ata në gabimin e tyre, por që të jemi besnik ndaj Jezusit në gjithçka». Nuk është dashuri që ta llastojmë dikë në ligësinë e tij. Madje dashuria e dorëzon personin te Zoti dhe lutet: «Zot, ktheje atë, pavarësisht se cili mund të jetë çmimi».
Një nga gabimet më të mëdha që bëri Davidi ishte kthimi i Absalomit përpara se të kishte pendim. Nuk kaloi shumë kohë dhe Absalomi po fitonte zemrat e njerëzve dhe po komplotonte një revoltë kundër të atit. Përfundimisht, ai e dëboi të atin nga Jerusalemi dhe u vajos mbret në vend të tij. Madje edhe kur u nis me ushtrinë e tij që të shkatërronte Davidin, ky i fundit i udhëzoi njerëzit e tij që ta kursenin Abasalomin në rast të një përballje. Por Joabi mendoi më mirë dhe e vrau Absalomin.
Prindërit që janë gati të durojnë dhimbjen kur Perëndia e katandis djalin apo vajzën e tyre drejt jetës së një stalle derrash, kursejnë shpesh një dhimbje më të madhe.