Osea

Në librin e Oseas kemi një ndër zbulimet më tërheqëse të natyrës së vërtetë të mëkatit dhe një ndër interpretimet më të qarta të forcës së dashurisë hyjnore. Askush nuk mund ta lexojë historinë e Oseas pa kuptuar agoninë e zemrës së tij. Pastaj, e ngre njeriun në nivelin e Pafundësisë dhe duke bërë të ditur se mëkati plagos zemrën e Perëndisë.G. Campbell Morgan

I. Vendi unik në Kanun

Megjithëse libri i Oseas nuk është në një formë rrëfyese apo historike, ai përmban një histori, edhe pse kjo ndërthuret me tekstin [1]. Shkurtimisht, ngjarja është se Osea u martua me Gomeren dhe ajo lindi tre fëmijë, Jezreelin, Lo-ruhamahën dhe Lo-amin. Gomerja ishte e pabesë dhe, pavarësisht nga kjo, Osea e kërkoi me një dashuri të madhe dhe e ktheu nga skllavëria dhe rënia.

Përkthimi i zakonshëm i Oseas 1:2 thotë se Perëndia, në pamje të parë, e urdhëroi profetin të martohej me një grua që ishte tashmë një prostitutë [2].

Shumë lexues të Biblës shikojnë një problem moral këtu. A mund t’i kërkojë një Perëndi i shenjtë njërit prej profetëve të tij të martohet me një “grua prostitutë”? Dhe a mund të bindet një profet me një moral të ndjeshëm? Janë parashtruar të paktën tri zgjidhje:

  1. E para është se ky veprim është një shëmbëlltyrë për të ilustruar dashurinë e Perëndisë për Izraelin mëkatar dhe nuk duhet të merret në mënyrë të fjalëpërfjalshme. Megjithatë, stili është rrëfyes, ashtu si tek Isaia 7:3 dhe Jeremia 13:11, që do të thotë se ata janë gjithashtu urdhra të drejtpërdrejtë nga Perëndia për profetët dhe askush nuk i merr ato si shëmbëlltyra të thjeshta. E vërteta në këtë pikëpamje është se historia ilustron shumë bukur dashurinë e Perëndisë për Izraelin mëkatar; gabimi qëndron në të quajturin e saj vetëm një histori.
  2. Një pikëpamje tjetër thotë: “Po, Perëndia e urdhëroi dhe Osea u bind. Ky, me siguri, duket se është leximi moral i tekstit (megjithatë shikoni shënimin 2 në fund). Qëllimi, në këtë rast shpëtimi, përligjte mjetet e dhimbshme që Osea duhej të përjetonte.

Kundër kësaj paraqitjeje është fakti se nëse Gomeri do të kishte qenë një prostitutë para martesës së saj, ky do të ishte një simbol i varfër i Izraelit.

  1. Një zgjidhje e tretë thotë se Osea u martua me një grua të pastër që më vonë u bë një shkelëse e kurorës. Kjo pikëpamje përputhet mirë me profetin dhe gruan e tij si simbole të Jehovahut dhe të gruas së pabesë, Izraelit. Kjo përputhet gjithashtu me idealet e larta të profetit (dhe të Biblës) rreth martesës. Njerëzit që mbështesin këtë pikëpamje zakonisht hasin vështirësi për të kuptuar pësimin e një trishtimi të madh tek Osea për fillimin e martesës së tij të prishur nëse Gomeri do të kishte qenë imorale.

Një argument i fortë kundër kësaj është se Osea 1:2 e quan atë grua ” një prostitutë” në urdhrin për ta marrë atë për grua!

Mbase neveria jonë e madhe kundër martesës me një grua imorale është një ilustrim i mëtejshëm i hirit të Perëndisë, dmth duke duar mëkatet e Izraelit (dhe të kishës!) kur Ai është aq i shenjtë, saqë nuk mund të krahasohet me asnjë profet apo predikues.

Cilëndo pikëpamje të marrim për bazë, historia përtej profecisë ilustron gjallërisht, gjë të cilën nuk mund ta bëjnë fjalët, hirin e mahnitshëm të Perëndisë ndaj Izraelit mëkatar e të hallakatur dhe gjen zbatim për tërë mëkatarët që kthehen nga rrugët e tyre të këqija te një Perëndi i dashurisë.

II. Autorësia

Osea ishte biri i Beerit. Emri i tij do të thotë shpëtim dhe është kryesisht i njëjti emër me Joshua dhe formën e tij greke, Jezus. Në përputhje me emrin e tij, Osea profetizoi rreth shpëtimit të Jehovahut, që do të vijë kur Krishti të kthehet për të vendosur mbretërinë e Tij. Osea ishte një profet kryesisht për Izraelin, por ka pjesë që pasqyrojnë gjithashtu një interes judaik.

III. Data

Osea profetizoi kur Jeroboami II, biri i Joasit, ishte mbret i Izraelit dhe gjithashtu kur Uziahu, Jothami, Ashazi dhe Ezekia ishin mbretër të Judës. Kjo duhet të ketë qenë një periudhë prej disa dhjetëvjeçarësh në shekullin VIII para Krishtit. R. K. Harrisoni beson se shërbesa e Oseas “shtrihej nga viti 753 para K. deri në një kohë para rënies së Samarisë më 722 para K.” [3].

IV. Sfondi dhe tema

Osea parashikoi pushtimin asir të Mbretërisë së Veriut dhe rënien e Samarisë.

Kur gruaja e tij, Gomeri, e la për të jetuar në mënyrë të turpshme në mëkat, Perëndia udhëzoi shërbëtorin e Tij ta blinte atë në tregun e hapur dhe ta kthente në bekimet e mëparshme. Sigurisht, qëllimi i tërë kësaj ishte të paraqiste marrëdhënien e Perëndisë me Izraelin (quajtur gjithashtu Efraim, Jakob dhe Samari). Kombi ishte treguar i pabesë, duke jetuar në idhujtari dhe paudhësi morale. Për shumë vjet jetoi pa mbret, pa flijim apo idhuj. Kjo është gjendja e tij e tashme.

Megjithatë, në të ardhmen, kur Izraeli të kthehet te Zoti në pendim, Ai do të ketë mëshirë. Efraimi do të shërohet atëherë përgjithmonë nga zemërpërdalja e tij idhujtare dhe do të kthehet te Perëndia. Henri Gemani (Henry Gehman) shkruan:

Osea paraqet mëshirën e pashtershme të Perëndisë, të cilën asnjë mëkat i njeriut nuk mund ta ndalojë apo ta sosë. Mendimi kryesor i mesazhit të Oseas ishte se dashuria e madhe dhe e pashtershme e Perëndisë ndaj Izraelit nuk do të mbetet e kënaqur, derisa ta sjellë Izraelin në harmoni me vetveten [4].

Përtej ndëshkimit, ashtu siç tregon Kembëll Morgani (G. Campbell Morgan), ka një Perëndi dashurie:

Gjëja më e lartë në çdonjërën prej profecive është se Perëndia, me të Cilin kishin lidhje të ngushtë këta njerëz, njihej prej tyre si Perëndia i dashurisë së ëmbël, i dhembshurisë së pafundme, i zemërimit për shkak se Ai do, i trajtimit me zemërim mbi bazën e dashurisë së Tij dhe veprimit me anë të gjykimit sipas qëllimit përfundimtar të zemrës së Tij. Është rrahja e zemrës së Perëndisë që regëtin në tërë këto pjesë [5].

PARAQITJE E PËRGJITHSHME

I. REFUZIMI I IZRAELIT I SIMBOLIZUAR NGA EMRAT E TRE FËMIJËVE TË OSEAS (1:1-9)
II. PREMTIMI I PËRTËRITJES SË IZRAELIT (1:10-2:1)
III. PARALAJMËRIMI I PERËNDISË KUNDËR PABESISË SË IZRAELIT DHE GJYKIMI I TIJ KËRCËNUES (2:2-13)
IV. PARASHIKIMI I NJË TË ARDHMEJE BEKIMI PËR IZRAELIN (2:14-23)
V. SHPENGIMI I GRUAS SË OSEAS SI SIMBOL I KTHIMIT PËRFUNDIMTAR TË IZRAELIT TE JEHOVAHU (kapitulli 3)
VI. POLEMIKA E PERËNDISË ME POPULLIN E TIJ (kapitujt 4-10)
A. Mëkatet e popullit (4:1-6)
B. Mëkatet e priftërinjve (4:7-11)
C. Idhujtaria e popullit (4:12-14)
D. Një thirrje e veçantë për Judën (4:15-19)
E. Sjellja e keqe e priftërinjve, e popullit dhe familjes mbretërore (5:1-7)
F. Gjykimet e premtuara të Izraelit e të Judës dhe qëllimi i Perëndisë për të pritur pendimin e tyre (5:8-15)
G. Thirrje Izraelit për t’u penduar (6:1-3)
H. Mëkatet e Izraelit dhe të Judës (6:4-11)
I. Paudhësia e Izraelit të pambuluar (kapitulli 7)
J. Një paralajmërim për t’u përgatitur për pushtimin e huaj për shkak të idhujtarisë dhe aleancave të huaja (kapitulli 8)
K. Robëria e Izraelit parashikuar si rrjedhojë e paudhësisë së tij (9:1-10:15)
VII. NË ZEMËRIM PERËNDIA KUJTON MËSHIRËN (kapitujt 11-13)
VIII. IZRAELI NXITET TË PENDOHET DHE TË GËZOJË BEKIMIN E PERËNDISË (kapitulli 14)








Referenca    ( ↵ Kthehu mbrapa returns to text)
  1. Jona është profecia e vetme në formë rrëfimi. ↵ Kthehu mbrapa
  2. Morgani, duke ndjekur Ewald-in dhe shënimet e versioneve ER dhe AS, përkthen: “Kur Jehovahu foli në fillim me Osean (jo “me anë të”)”. Ai mbështet idenë se profeti po shikonte prapa në çastin e përbashkësisë së tij të hershme me Perëndinë. Osea po thoshte në fakt: “Kur filloi që më parë shërbesa ime, kur, para se të ndodhte tragjedia në jetën time, Jehovahu foli me mua, ishte Ai që më urdhëroi të martohesha me Gomeren. Shprehja e përcakton atë qartazi si një grua të përdalë, por nuk na thotë se ishte e tillë në atë kohë. Me siguri do të thotë se Perëndia i njihte mundësitë në zemrën e Gomeres dhe se ato do të shfaqeshin tashmë në sjelljen e saj dhe, duke e ditur këtë gjë, Ai e urdhëron Osean të martohej me të, duke e ditur, gjithashtu, se si do të ishte përvoja e tij në veprën profetike. Kur Osea u martua me Gomeren, ajo nuk ishte një grua e njohur mëkatare dhe bijtë pararendën pabesinë e saj” (G. Campbell Morgan, Hosea: The Heart and Holiness of God, f. 9). ↵ Kthehu mbrapa
  3. R. K. Harrison, Introduction to the Old Testament, f. 860. ↵ Kthehu mbrapa
  4. Henry Snyder Gehman, Botues, The New Westminster Dictionary of the Bible, f. 410. ↵ Kthehu mbrapa
  5. G. Campbell Morgan, The Minor Prophets, f. 6. ↵ Kthehu mbrapa