20 prill | çdo ditë me radhë
«Po të jetë prej hirit, nuk është më në bazë të veprave, përndryshe hiri nuk është më hir» (Rom. 11:6, NASB).
Kur dikush rrënjoset herët në doktrinën e hirit, ai i kursen vetes një mori problemesh më vonë në jetë. Është kaq e thjeshtë të kuptosh se shpëtimi është një dhuratë falas e hirit të Perëndisë dhe ai u jepet atyre që jo vetëm nuk e meritojnë atë, por që, në fakt, meritojnë pikërisht të kundërtën. Nuk ka asgjë të meritueshme që një person mund të bëjë a të bëhet për të fituar jetën e përjetshme. Ajo u jepet atyre që e braktisin çdo mendim të denjësisë personale dhe që e mbështetin çështjen e tyre vetëm në denjësinë e Shpëtimtarit.
Nëse e kuptojmë se shpëtimi është i tëri prej hirit, atëherë mund të kemi siguri të plotë. Ne mund ta dimë që jemi të shpëtuar. Nëse shpëtimi do të varej qoftë edhe në shkallën më të vogël në ne dhe në arritjet tona të mjerueshme, atëherë nuk do ta dinim kurrë me siguri. Nuk do ta dinim nëse kishim bërë mjaft vepra të mira apo llojin e duhur [të veprave]. Por kur kjo varet mbi veprën e Krishtit, atëherë nuk ka pse të ketë ndonjë dyshim ngacmues.
E njëjta gjë është e vërtetë për sigurinë tonë të përjetshme. Nëse siguria tonë e vazhdueshme do të varej disi mbi aftësinë tonë për të rezistuar, atëherë ne mund të shpëtohemi sot dhe të humbasim nesër. Por për sa kohë që siguria jonë varet mbi aftësinë e Shpëtimtarit për të na ruajtur, ne mund të dimë se jemi përjetësisht të sigurt.
Ata që jetojnë nën hir nuk janë ushtarë të paaftë ndaj mëkatit. Mëkati ka pushtet mbi ata që janë nën ligj, sepse ligji u thotë atyre çfarë të bëjnë, por nuk u jep fuqinë për ta bërë. Hiri i jep personit një pozitë të përsosur para Perëndisë, i mëson atij që të ecë denjësisht sipas thirrjes së tij, e aftëson që ta bëjë këtë përmes Frymës së Shenjtë që banon brenda tij dhe e shpërblen për këtë gjë.
Nën hir, shërbimi bëhet një privilegj i gëzueshëm, jo një skllavëri legale. Besimtari motivohet nga dashuria, jo nga frika. Kujtimi i asaj që pësoi Shpëtimtari për të siguruar shpëtimin e frymëzon mëkatarin e shpëtuar që ta derdh jetën e tij si shërbim të përkushtuar.
Gjithashtu hiri e pasuron jetën përmes falënderimit, adhurimit, lavdërimit dhe admirimit frymëzues. Njohja e asaj se kush është Shpëtimtari, se kush janë mëkatarët nga natyra dhe nga praktika si edhe [njohja] e gjithçkaje që Ai ka bërë për ne, bën që zemrat tona të mbushen plot e përplot me admirim [adhurim] të përzemërt për Atë.
Nuk ka asgjë si hiri i Perëndisë. Ai është xhevahiri kryesor i të gjitha atributeve të Tij. Rrënjosu në të vërtetën e hirit sovran të Perëndisë dhe ai do ta shpërfytyrojë gjithë jetën.