21 janar | çdo ditë me radhë
«Fryma e Zotit ishte larguar nga Sauli dhe një frymë e keqe e terrorizonte nga ana e Zotit» (1 Sam. 16:14).
Ka vargje në Bibël që duket se ia atribuojnë Perëndisë veprimet e këqija. Për shembull, kur Abimeleku kishte mbretëruar për tre vjet mbi Izraelin, «Perëndia dërgoi një frymë të keqe midis Abimelekut dhe banorëve të Sikemit» (Gjyqtaret 9:23). Në ditët e Ahabit, Mikajahu i tha mbretit të lig: «Zoti ka vënë një frymë gënjeshtare në gojën e tërë profetëve të tu» (1 i Mbreterve 22:23). Jobi ia atribuoi humbjet e tij Zotit kur tha: «Në rast se pranojmë të mirën nga Perëndia, pse nuk duhet të pranojmë edhe të keqen» (Job. 2:10). Dhe prapë vetë Zoti thotë në Isaia 45:7: «Unë sjell mirëqenien dhe krijoj fatkeqësinë».
Por ne e dimë që, ngaqë Perëndia është i shenjtë, Ai as nuk mund të krijojë të keqen, as ta kalojë atë anash. Asnjë mëkat, sëmundje, vuajtje apo vdekje nuk vjen nga Zoti. Ai është dritë dhe në Të nuk ka kurrfarë errësirë (1 Gjonit 1:5). Është e papërfytyrueshme që Ai të jetë shkaku i gjithçkaje që është në kundërshtim me përsosurinë e Tij morale.
Është e qartë nga vargje të tjera që Satani është autori i sëmundjes, vuajtjes, tragjedisë dhe shkatërrimit. Humbjet e Jobit dhe dhimbjet e tij të forta ishin shkaktuar nga djalli. Jezusi tha se gruaja që ishte krejt e kërrusur kishte qenë e lidhur nga Satani prej tetëmbëdhjetë vjetësh (Luka 13:16). Pali foli për gjembin e tij në mish si «një engjëll i Satanit» (2 e Korintasve 12:7). Satani është fajtori mbrapa çdo problemi të njerëzimit.
Por, atëherë, si e pajtojmë këtë me ato vargje që e përshkruajnë Perëndinë sikur krijon të keqen? Shpjegimi është thjesht ky: në Bibël thuhet shpesh për Perëndinë se bën atë që, në fakt, Ai lejon që të bëhet. Është dallimi midis vullnetit të Tij tregues dhe vullnetit të Tij lejues. Ai i lejon shpesh njerëzit e Tij që të kalojnë përmes përvojave që Ai nuk do t’i kishte zgjedhur kurrë për ata në radhë të parë. Ai e lejoi Izraelin që të endej për dyzet vjet në shkretëtirë, ndërsa vullneti i Tij tregues, po të ishte pranuar, do t’i kishte çuar në tokën e premtuar përmes një rruge më të shkurtër.
Edhe në rastin e lejimit të së keqes nga demonët dhe njerëzit, Perëndia e ka gjithnjë fjalën e fundit. Ai e mbisundon atë për lavdinë e vet dhe për bekimin e atyre që janë ushtruar nga kjo.