23 korrik
«…i binin të sëmurët në sheshe, i vinin në shtretër e shtroja, që kur kalonte Pjetri, të paktën hija e tij të mbulonte ndonjë nga ata» (Veprat e Apostujve 5:15).Njerëzit e kuptuan se shërbesa e Pjetrit ishte një shërbesë e fuqisë. Kudo ku ai shkonte, të sëmurët shëroheshin. Nuk është për t’u çuditur që turma dëshironte të mbulohej nga hija e tij! Ai zotëronte një ndikim të pamasë.
Çdonjëri prej nesh hedh një hije. Ne i ndikojmë pashmangshmërisht jetët e atyre që kemi kontakte. Herman Melville shkroi: «Ne nuk mund të jetojmë vetëm për vetveten. Jetët tona janë të lidhura nga mijëra fije të padukshme dhe gjatë këtyre fibrave simpatike, veprimet tona lëvizin si shkaqe dhe kthehen te ne si pasoja».
Ti po shkruan një ungjill,/ një kapitull për mua,/ me veprat që bën,/ dhe fjalët që thua./
Njerëzit lexojnë çfarë shkruan,/ për mirë a për keq,/ Më thuaj! A ka nevojë,/ ungjilli yt që ta ndreq?
Kur dikush u pyet se cili ishte ungjilli i tij i parapëlqyer, ai u përgjigj: «Ungjilli sipas nënës sime». Dhe Xhon Uesli tha një herë: «Mësova më tepër rreth krishterimit nga nëna ime sesa nga gjithë teologët e Anglisë».
Kthjellohesh kur kupton se dikush e vështron secilin prej nesh dhe mendon: «Kjo është pikërisht ajo se si duhet të jetë një i krishterë». Mund të jetë një djalë ose një vajzë, një mik ose një komshi, një mësues ose një student. Ju jeni heroi i tij, modeli i tij, ideali i tij. Ai të vështron më nga afër, sesa ju mendoni. Jeta juaj e biznesit, jeta juaj e kishës, jeta juaj familjare, jeta juaj e lutjes – të gjitha këto caktojnë modelin për t’u imituar nga ai. Ai kërkon që hija juaj t’i bëjë hije atij.
Përgjithësisht ne mendojmë se hijet nuk janë asgjë. Por hija frymërore që ne hedhim është diçka reale. Prandaj ne duhet t’i bëjmë vetes këtë pyetje: «Kur në ditën e madhe të llogarisë/ jetët që takoj duhet të shkojnë,/ kjo prekje e vockël, e shpejtë/ a do të ketë shtuar gëzim apo mjerim? Ai që shqyrton të dhënat e tyre -/ emrin dhe kohën dhe vendin -/ Do të thotë: “Këtu ndodhi një ndikim i bekuar”/ apo “Këtu kemi gjurmë të së keqes”?» (Strickland Gillilan).
Robert G. Li (Robert G. Lee) shkroi: «Ju nuk mund të shmangni më atë që jeni, atë që thoni dhe atë që bëni pa ndikuar njerëzit e tjerë, po aq sa nuk mund të shmangni trupin tuaj që të mos hedh një hije dritën e diellit. Ajo që ju jeni përbrenda shfaqet jashtë dhe kjo nuk shprehet errët. Ju shfaqni një ndikim që gjuha dhe bindja e fortë janë thjesht të dobëta për ta shprehur».