26 qershor

[no_toc]

26 qershor | çdo ditë me radhë

«Dhe ai u tha atyre: “Ejani veçmas në një vend të vetmuar […] u nisën […] drejt një vend të vetmuar […] turma i pa që u nisën, dhe shumë veta e njohën [atë]; dhe nga të gjitha qytetet erdhën aty me këmbë dhe mbërritën përpara tyre […] Jezusi[t] […] iu dhimbs» (Marku 6:31-34).

Është kollaj për ne që të mërzitemi nga ndërprerjet. Unë skuqem kur mendoj se sa shpesh jam nxehur për kërkesa të papritura që më kanë penguar për të kryer një detyrë të caktuar vetë. Ndoshta kam qenë duke shkruar dhe fjalët ishin duke rrjedhur lirshëm. Në atë moment ka rënë zilja e telefonit ose dikush ka qenë te dera që ka patur nevojë për këshillë. Ishte një ndërhyrje e paftuar.

Zoti Jezus nuk u mërzit kurrë nga ndërprerjet. Ai i pranoi të gjitha ato si pjesë të planit të Atit të Tij për atë ditë. Kjo i dha jetës së Tij një vetëpërmbajtje dhe gjakftohtësi të pamasë.

Faktikisht, niveli me të cilin ne ndërpritemi është shpesh një tregues i dobisë sonë. Një autor në «Anglican Digest» tha: «Kur ndërprerjet ta kanë sjellë në majë të hundës, përpiqu të mbash mend faktin që vetë shpeshtia e tyre mund të tregojë vlerën e jetës tënde. Vetëm ata njerëz që janë ndihmues dhe plot forcë rëndohen nga nevojat e të tjerëve. Ndërprerjet për të cilat ne mërzitemi janë pikërisht provat e dobishmërisë sonë. Dënimi më i madh që dikush mund t’ia bëjë vetes – dhe që është e rrezikshme edhe të shmanget – është të jesh kaq i pavarur, kaq i padobishëm, që askush nuk na ndërpret ndonjëherë dhe ne kemi ngelur vetëm fare».

«Ne të gjithë buzëqeshim me nervozizëm kur lexojmë përvojën e një amvise të zënë me punë. Një ditë, kur ajo kishte planifikuar një program jashtëzakonisht të ngjeshur, ajo ngriti sytë dhe pa burrin e saj që erdhi në shtëpi më herët se zakonisht. “Çfarë bën ti këtu?” e pyeti ajo me një mërzitje paksa të fshehur. “Unë jetoj këtu”, iu përgjigj ai me një buzëqeshje të lënduar. Ajo shkroi më vonë: “Që nga ajo ditë kam vendosur që të lë mënjanë punët kur im shoq vjen në shtëpi. Unë i jap atij një pritje të dashur dhe e bëj të kuptoj që ai ka vërtet përparësi».

Çdo mëngjes ne duhet t’ia dorëzojmë ditën Zotit, duke i kërkuar Atij që të organizojë çdo hollësi. Pastaj, nëse dikush na ndërpret, kjo ndodh sepse Ai e ka dërguar atë person. Ne duhet të zbulojmë arsyen dhe t’i shërbejmë. Kjo mund të jetë gjëja më e rëndësishme e tërë asaj dite, edhe nëse vjen e fshehur si një ndërprerje.

[previous][next]