26 shtator
«Kam lënë për veten time shtatë mijë burra, që nuk kanë rënë në gjunjë përpara Baalit» (Rom. 11:4).
Perëndia nuk e lë kurrë veten pa dëshmi. Edhe në ditët më të errëta një zë i qartë e i pastër do të dalë për Të. Shpesh në rrethanat më të pazakonshme Ai ngre papritur një rrëfyes për të shpallur Emrin e Tij me guxim.
Në ditët përpara përmbytjes, toka ishte mbërthyer nga dhuna dhe imoraliteti. Por atje ishte Noeu për të ndërmarrë një hap të guximshëm për Zotin.
Profetit Elia i dukej që i gjithë Izraeli ishte zhytur në idhujtari, por Perëndia kishte 7000 burra që nuk i ishin përkulur Baalit.
Në mes të plogështisë frymërore dhe rënies morale Xhon Hus, Martin Luter dhe Xhon Knoks dolën me guxim në skenën e historisë për të mbrojtur kauzën e Më të Lartit.
Përpara jo shumë kohësh, Perëndia u pranua kur u zbulua telegrafi. Mesazhi i parë që u transmetua ishte «Çfarë ka bërë Perëndia!»
Kur Apollo 8 po kthehej në tokë pas udhëtimit të parë me njerëz për në hënë, në vigjilje të Krishtlindjes të vitit 1968, tre kozmonautë lexuan me radhë nga Zanafilla 1:1-10, pastaj përfunduan me fjalët: «Dhe nga ekuipazhi i Apollo 8 e mbyllim me […] Zoti ju bekoftë, të gjithë juve mbi tokën e mirë».
Pavarësisht nga protestat e tërbuara nga njerëz të pafe, Shërbimet Postare të Shteteve të Bashkuara botuan një pullë të Apollos 8 me fjalët e marra nga Zanafilla 1:1: «Në fillim Perëndia…».
Monedha e Shteteve të Bashkuara mbart moton: «Në Perëndinë ne besojmë».
Shkurtimi kalendarik A.D. na kujton që ky është viti i Zotit tonë (A.D. Anno Domini).
A është përputhje e rastit që qiejtë yjorë paraqesin një virgjëreshë, një djalë, një gjarpër dhe një kryq – të gjithë këta pjesëmarrës të rëndësishëm në dramën e shpengimit? Mos vallë kemi Ungjillin të paraqitur në yjet?
Madje ndonjëherë edhe ateistët gabojnë duke pranuar ekzistencën e Zotit. Një udhëheqës ateist tha në një mbledhje diplomatësh në Austri në vitin 1979: «Perëndia nuk do të na falë nëse dështojmë».
Në gjithësi gjendet një farë detyrimi moral që Perëndia ynë të pranohet publikisht. Kur dishepujt e lavdëruan Zotin Jezus si Mbretin që duhej të vinte në Emrin e Zotit, farisenjtë i kërkuan Krishtit që t’i qortonte. Por Ai u tha atyre: «Unë po ju them se nëse këta do të heshtnin, gurët do të bërtasin» (Luka 19:40).
Ne s’duhet të kemi frikë se mos emri i Perëndisë do të ngelet ndonjëherë pa u kënduar apo që nderi i Tij të lihet pas dore. Në po atë kohë që njerëzit do ta quajnë Atë të vdekur, Ai do të ngrejë ndonjë dëshmitar për të turpëruar armiqtë e Tij dhe për të ngushëlluar miqtë e Tij.