Libri i Jobit

Është pohimi ynë i parë dhe i fundit i problemit të pareshtur – fati i njeriut dhe rruga e Perëndisë me të këtu në tokë … brengë tepër e lartë, pajtim po aq i lartë; melodia më e lashtë e korit nga një zemër njerëzore – aq e butë dhe e madhe; si mesnata e verës, si bota me detin dhe yjet e saj! Nuk ka asgjë të shkruar, mendoj, në Bibël apo jashtë saj për ndonjë meritë të tillë të ngjashme.Thomas Carlyle

I. Vendi unik në Kanun

Libri i Jobit është libri i vetëm i llojit të tij në tërë Fjalën e Perëndisë: një dialog i gjatë e dramatik në formë poetike, i paraqitur si një diamant me shumë faqe në mes të një prologu dhe epilogu historik në formë proze. Ashtu siç është shkruar në gjuhën fillestare hebraike, libri ishte tërësisht një poezi, me përjashtim të kapitujve 1, 2, 32:1-6a dhe Jobi 42:7-17.

Samuel Rajdauti (Samuel Ridout) komenton rreth vendit të tij në Shkrimin e Shenjtë:

Nga madhësia e tij dhe nga një vështrim i shpejtë në përmbajtjen e tij mund të gjykojmë se Libri i Jobit është një pjesë shumë e rëndësishme e fjalës së Perëndisë. Megjithatë, ai është lënë pas dore nga shumë vetë . . . {{1}}.
Madhështia e gjuhës pranohet edhe nga jobesimtarët (ndonjëherë edhe në mënyrë të veçantë). Sigurisht, racionalistët kanë gati teoritë e tyre të “burimeve”, “korrigjimeve” dhe “ndërshtënieve” – zakonisht duke mos pasur asnjë provë nga dorëshkrimet për të mbështetur teoritë e tyre shkatërrimtare.

Reformatori i madh, Martin Luteri, që vetë ishte një shkrimtar dhe përkthyes i talentuar, ka thënë se Libri i Jobit është “libri më madhështor dhe më sublim se çdo libër tjetër i Shkrimit”. Alfred Lord Tenisoni (Alfred Lord Tennyson), i cili si poet i diplomuar në Angli mund të pritet të pranojë poezinë madhështore, e quan Librin e Jobit “poemën më të madhe, qoftë të letërsisë së lashtë apo asaj moderne”.

Në dritën e librit të stilit të madh të Jobit dhe mendimit mbi kushtet njerëzore, nuk duhet të habitemi nëse e folura jonë e përditshme është pasuruar së tepërmi nga ky libër. Shprehjet e mëposhtme janë disa nga huazimet e qarta. Pjesa më e madhe e tyre janë citime të drejtpërdrejta nga Libri i Jobit, që janë bërë pjesë e së folurës sonë të përditshme:

M’u ngritën përpjetë qimet e trupit (4:15b; flokët e mi m’u ngritën përpjetë).
Jeta ime është një frymë (7:7a).
Ta vë jetën time në duart e mia (13:14b).
“Ngullëshuesit e Jobit” (këto fjalë saktësisht nuk gjenden, por te 16:2 Jobi i quan miqtë e tij “ngushëllues të mërzitshëm”).
Drejtësi nuk ka (19:7).
Nuk më ka mbetur veçse lëkura e dhëmbëve (19:20b).
Rrënja e këtyre të këqijave (19:28b).
Vini dorën mbi gojë (21:5b).
Mbi tokën e të gjallëve (28:13b).
Isha sy për të verbrin dhe këmbë për çalamanin (29:15).
Nuk ngurrojnë të më pështyjnë në fytyrë (30:10b).
Nuk janë detyrimisht të mëdhenjtë që kanë diturinë (32:9).
Fjalë që nuk kanë arsye (35:16b).
Ti do të arrish deri këtu, por jo më tutje; këtu do të ndalen valët e tua krenare! (38:11).
Portat e vdekjes (38:17a).
E nuhat nga larg betejën (39:25) (Ne themi: “Erën e luftës”).
Pendohem mbi pluhurin dhe hirin (42:6b).
Shprehja: “Unë e di që Shpëtimtari im jeton …” (19:25) njihet pjesërisht prej fjalëve të kompozimit të mrekullueshëm muzikor të Hendelit në veprën e tij “Mesia“.
Shprehja: “Durimi i Jobit” (Jakobit 5:11), edhe pse nuk shfaqet në Librin e Jobit, është bërë një pjesë e bashkëbisedimeve të përditshme.
Për sa i përket përmbajtjes së librit, është treguar se pyetjet e thella që bën Jobi rreth jetës, vdekjes, vuajtjes dhe jetës pas vdekjes marrin përgjigje në Ndërmjetësuesin, për të cilin digjej nga brenda – Zotin Jezus Krisht.

II. Autorësia

Libri i Jobit është pa autor, edhe pse tradita judaike zgjedh Moisiun si autor. Ide të tjera mbështesin si autorë Elihun, Salomonin, Ezekielin, Esdrën, apo një jude pa emër që ka jetuar diku midis viteve 500 e 200 para K. apo vetë Jobi. Meqë Jobi jetoi edhe 140 vjet të tjera pas ngjarjeve në libër dhe përjetoi tërë ngjarjen dhe fjalimet, ai vetë mbase është zgjedhja më e mirë.

III. Data

Për sa u përket ngjarjeve në libër, kryesisht është besuar se Jobi ka jetuar para lindjes së Abrahamit. Kështu, ngjarjet në Librin e Jobit mund t’i takojnë deri diku pjesës së fundit të Zanafillës 11. Ka disa arsye pse Jobi vendoset në këtë periudhë të historisë. Para së gjithash, nuk përmendet fare në libër nëse ai ishte një jude. Nuk përmendet fare Eksodi apo Ligji i Moisiut. Në fakt, është e qartë se Jobi ishte prift për familjen e tij (Jobi 1:5) dhe kjo lloj priftërie familjare i përkiste periudhës së etërve [patriarkëve]. Stili i jetës, i karakterizuar nga mirëqenia që varej nga zotërimi i gjedhëve dhe i kafshëve të tjera është gjithashtu tejet patriarkal. Jobi jetoi më tepër se dyqind vjet dhe kjo gjatësi e moshës ishte karakteristikë e epokës para Abrahamit. Studiuesit vënë re gjithashtu veglat muzikore (Jobi 21:12) dhe format e parasë (Jobi 42:11), që përmenden në Librin e Jobit dhe ata ia bashkëngjitin këtë libër pjesëve të hershme të Zanafillës në mënyrë kronologjike{{2}}.

Për sa i përket kohës së shkrimit, studiuesit rendisin periudhën nga epoka e etërve (rreth viteve 2100 – 1900 para K.) deri në shekullin e dytë para K. (kjo pikëpamje përkrahet nga liberalët e skajshëm dhe është e pamundur nga ana pamore ta përputhësh me pjesët e Jobit te Pergamenat e Detit të Vdekur, që rrjedhin nga e njëjta epokë)!

Epokat më të besueshme janë: epoka e etërve dhe e Salomonit. Për perëndimorët modernë ligjërata të tilla të gjata dhe të ndërlikuara do të ruheshin mirë nëse do të shkruheshin menjëherë pasi janë shprehur. Megjithatë, transmetimi gojor lindor e semitik njihet për saktësinë e tij.

Argumenti më i mirë për datën e shkrimit nga ana e Salomonit është përmbajtja dhe stili i librit: ai është një letërsi diturie, që nuk është i ndryshëm nga veprat e mbretit Salomon. Studiues konservatorë të DhV, siç janë Frenc Deliç (Franz Delitzsch) dhe Meril Unxhër (Merrill F. Unger), përkrahin një datë që parakupton shkrimin prej Salomonit të këtij libri, por, pa dyshim, duke lejuar një traditë gojore të gjatë dhe të përpiktë. Një dukuri e tillë në letërsi kuptohet kryesisht në Evropë dhe në Lindje, por jo në Amerikë.

IV. Sfondi dhe tema

Edhe pse autori i Librit të Jobit është i panjohur, nuk vihet varet në diskutim frymëzimi i tij apo përpikëria historike. Apostulli Pal citon nga Jobi 5:13 te 1 e Korintasve 3:19: “Ai i zë të urtët në dinakërinë e tyre”. Tek Ezekieli 14:14, Jobi quhet një person historik, jo një karakter i trilluar. Ai përmendet gjithashtu te Jakobit 5:11: “Ju keni dëgjuar për durimin e Jobit dhe e keni parë fatin përfundimtar që Zoti i rezervoi, sepse Zoti është plot mëshirë e dhembshuri”.

Tema e librit është misteri i vuajtjes njerëzore dhe problemi i dhimbjes. Pse të gjithë njerëzit vuajnë dhe, në mënyrë të veçantë, pse vuan i drejti? Te Libri i Jobit shohim një njeri, i cili u vu përballë katastrofave më të mëdha në një ditë të vetme më tepër se çdo njeri tjetër që ka jetuar, duke përjashtuar Zotin Jezus. Zoti i lejoi këto vuajtje për të ndërhyrë në jetën e Jobit që të zgjeronte aftësinë e tij për përbashkësi me Perëndinë. Mbase, në një mënyrë të veçantë, libri ka gjithashtu si qëllim të jetë një dritëhije e vuajtjeve të popullit jude.

Judenjtë ishin gati të pranonin një Mesi heroik (si Makabeu, 165-63 para K.). Por që të pranonin një Mesi ishte e domosdoshme që të tregohej se vuajtja nuk vjen detyrimisht prej mëkateve individuale. Krishti vuajti për ne, i drejti për të padrejtët.

Disa pjesë në këtë libër mund t’i bashkëngjiten Zotit Jezus:

1. Jobi 9:33 – “Nuk ka asnjë arbitër midis nesh, që të vërë dorën mbi ne të dy” (Krishti është Ndërmjetësuesi që bën lidhjen midis Perëndisë dhe njeriut).

2. Jobi 16:8-19 – Vuajtjet e Jobit. Shumë nga shprehjet në këtë pjesë përmenden në psalmet e vuajtjeve të Mesias.

3. Jobi 16:21 – “Le të përkrahë ai arsyetimet e njeriut pranë Perëndisë, ashtu si bën njeriu me fqinjin e tij” (Zoti Jezus Krisht është Avokati ynë, që mbron çështjen tonë para Atit).

4. Jobi 19:25,26 – “Unë e di që Shpëtimtari im jeton” (rolet e Krishtit si Shpengues dhe Mbret i ardhshëm janë përshkruar me qartësi).

5. Jobi 33:24 – “Kurseje që të mos zbresë në gropë; gjeta shpengimin për të” (fjala “shpengim” këtu është e njëjta fjalë me “shlyerje”. Përmes shlyerjes së Krishtit besimtarët çlirohen nga gropa e ferrit).

Për disa pohime në Librin e Jobit thuhet se shfaqin një njohuri të përparuar të shkencës:
1. Cikli i avullimit dhe i precipitimit (Jobi 36:27,28).
2. Drejtimet e erës dhe i motit (Jobi 37:9,17).
3. Përbërja e trupit njerëzor (Jobi 33:6).
4. Qëndrimi i tokës pezull (Jobi 26:7).
5. Dukuria e fundit të oqeanit (Jobi 38:16).
6. Lidhja e reve me vetëtimat (Jobi 37:11).
7. Orbitat e trupave qiellorë dhe ndikimi i tyre te toka (Jobi 38:32,33).

PARAQITJE E PËRGJITHSHME

I. PROLOGU: PROVA E JOBIT (Kapitujt 1,2)
A. Skena I: Vendi i Uzit (1:1-5)
B. Skena II: Qielli – Prania e Zotit (1:6-12)
C. Skena III: Vendi i Uzit – fatkeqësia mbi pronën dhe bijtë e Jobit (1:13-22)
D. Skena IV: Qielli – përsëri në praninë e Zotit (2:1-6)
E. Skena V: Uzi – fatkeqësia mbi vetë Jobin (2:7-13)
II. DEBATI MES JOBIT DHE MIQVE TË TIJ (Kapitujt 3-31)
A. Faza e parë e ligjëratave (Kapitujt 3-14)
1. Vajtimi hyrës i Jobit (Kapitulli 3)
2. Ligjërata e parë e Elifazit (Kapitujt 4,5)
3. Përgjigjja e Jobit (Kapitujt 6,7)
4. Ligjërata e parë e Bildadit (Kapitulli 8)
5. Përgjigjja e Jobit (Kapitujt 9,10)
6. Ligjërata e parë e Zofarit (Kapitulli 11)
7. Përgjigjja e Jobit (Kapitujt 12-14)
B. Faza e dytë e ligjëratave (Kapitujt 15-21)
1. Ligjërata e dytë e Elifazit (Kapitulli 15)
2. Përgjigjja e Jobit (Kapitujt 16,17)
3. Ligjërata e dytë e Bildadit (Kapitulli 18)
4. Përgjigjja e Jobit (Kapitulli 19)
5. Ligjërata e dytë e Zofarit (Kapitulli 20)
6. Përgjigjja e Jobit (Kapitulli 21)
C. Faza e tretë e ligjëratave (Kapitujt 22-31)
1. Ligjërata e tretë e Elifazit (Kapitulli 22)
2. Përgjigjja e Jobit (Kapitujt 23,24)
3. Ligjërata e tretë e Bildadit (Kapitulli 25)
4. Përgjigjja e Jobit (Kapitulli 26)
5. Monologu mbyllës i Jobit (Kapitujt 27-31)
III. NDËRHYRJA E ELIHUT (Kapitujt 32-37)
A. Ligjërata e Elihut drejtuar tre miqve të Jobit (Kapitulli 32)
B. Ligjërata e Elihut drejtuar Jobit (Kapitulli 33)
C. Ligjërata e dytë e Elihut drejtuar tre miqve të Jobit (Kapitulli 34)
D. Ligjërata e dytë e Elihut drejtuar Jobit (Kapitujt 35-37)
IV. SHFAQJA E ZOTIT (38:1-42:6)
A. Sfida e parë e Zotit drejtuar Jobit (38:1-40:2)
1. Hyrje (38:1-3)
2. Sfida e mrekullive të krijimit të pajetë (38:4-38)
3. Sfida e mrekullive të krijimit plot jetë (38:39-40:2)
B. Përgjigjja e Jobit (40:3-5)
C. Sfida e dytë e Zotit drejtuar Jobit (40:6-41:34)
1. Jobi i sfiduar që të përgjigjet si një njeri (40:6-14)
2. Jobi i sfiduar të marrë në shqyrtim behemothin (40:15-24)
3. Jobi i sfiduar të marrë në shqyrtim leviathanin (Kapitulli 41)
D. Përgjigjja e përulur e Jobit (42:1-6)
V. EPILOGU: TRIUMFI I JOBIT (42:7-17)
A. Qortimi dhe ripërtëritja drejtuar miqve të Jobit (42:7-9)
B. Ripërtëritja e begatisë së Jobit (42:10-17)
VI. MBYLLJE: MËSIME RRETH LIBRIT TË JOBIT
[1] Samuel Ridout, Job: An Exposition, f. 5.[[1]][2] Zanafilla 1 –11 shënon datën rreth vitit 2000 para K. dhe shumë më herët ndërsa ndjek gjenealogjitë.[[2]]

[previous][next]