27 maj

[no_toc]

27 maj | çdo ditë me radhë

«…cili është më i madh: ari apo tempulli që e shenjtëron arin?» (Mt. 23:17).

Skribët dhe farisenjtë e kohës së Jezusit mësonin se nëse dikush betohej për tempullin [në Jerusalem], ai nuk ishte medoemos i detyruar që të bënte atë që premtonte. Por nëse ai betohej për arin e tempullit, atëherë ky ishte një muhabet krejt ndryshe. Ai ishte i lidhur nga ky betim. Ata bënë të njëjtin dallim të gabuar midis betimit për altarin dhe betimit për sakrificën që ishte mbi të. Betimi i parë mund të thyhej; i dyti ishte detyrues.

Zoti u tha atyre që arsyetimi i tyre për vlerat ishte krejt i shtrembëruar. Është tempulli ai që i jep arit vlerë të veçantë dhe është altari ai që e veçon sakrificën në një mënyrë të veçantë.

Tempulli ishte vendi i banimit të Perëndisë mbi tokë. Nderi më i lartë që mund të kishte ari ishte të përdorej në atë vend banimi. Lidhja që ari kishte me shtëpinë e Perëndisë e veçonte atë në një mënyrë unike. Kështu ishte edhe me altarin dhe sakrificën që ishte mbi të. Altari ishte pjesë integrale e shërbesës hyjnore. Asnjë kafshë nuk mund të nderohet më shumë, sesa të sakrifikohet mbi altarin. Nëse kafshët do të kishin ambicie, ato të gjitha do të kishin synuar atë fat.

Një turist bleu një gjerdan qelibari të shtrenjtë në një dyqan sendesh të përdorura në Paris. Ai u çudit kur i duhej të paguante taksa doganore të larta në Nju Jork. Ai shkoi te një argjendar që ta vlerësonte dhe iu ofruan 25.000 dollarë. Një argjendar tjetër i ofroi 35.000 dollarë. Kur pyeti se përse ishte aq e vlershme, argjendari e vendosi nën një lupë. Turisti lexoi: «Nga Napoleon Bonopardi për Jozefinën». Ishte emri i Napoleonit që e bëri gjerdanin kaq shumë të vlershme.

Zbatimi duhet të jetë i qartë. Në vetvete ne nuk jemi asgjë dhe nuk mund të bëjmë asgjë. Është lidhja tonë me Zotin dhe shërbesën e Tij që na veçon në një mënyrë të veçantë. Si ka thënë Spërxhëni: «Lidhja jote me Kalvarin është gjëja më e mrekullueshme për ty».

Ju mund të keni një mendje jashtëzakonisht të shndritshme. Kjo është diçka për të cilën duhet të jeni mirënjohës. Por mbaj mend këtë. Vetëm kur përdoret për Zotin Jezus Krisht ajo mendje arrin qëllimin e saj më të lartë. Është Krishti Ai që e shenjtëron intelektin tënd.

Ju mund të keni talente për të cilat bota është e gatshme që të paguaj një çmim të lartë. Ju mund të mendoni edhe që Kisha është tepër e parëndësishme për to. Por është Kisha ajo që i shenjtëron talentet e tua dhe jo talentet e tua që e shenjtërojnë Kishën.

Ju mund t’i keni paratë me thasë. Ju mund t’i grumbulloni ato, t’i shpenzoni për të kënaqur veten ose t’i përdorni ato për Mbretërinë. Përdorimi më i madh që ato mund të përdoren është për të shtyrë përpara kauzën e Krishtit. Është Mbretëria ajo që e shenjtëron pasurinë tënde, jo e kundërta.

[previous][next]