4 tetor
«Largoji sytë e mi nga gjërat e kota» (Psa. 119:37).
Në anglisht fjala e parë dhe e fundit e kësaj lutjeje të shkurtër fillon përkatësisht me shkronjat TV dhe ky varg është veçanërisht i përshtatshëm kur zbatohet për televizorin. Shumica e programeve televizive janë kotësi. Ato portretizojnë një botë që nuk ekziston dhe një jetë që është shumë herë më e largët se realiteti.
Televizori është një zhvatës i kohës që është e çmuar. Shikuesit harxhojnë orë të tëra që nuk mund të rifitohen. Në përgjithësi, televizori ka shkaktuar një rënie në leximin e Biblës, që si rrjedhim ka çakorduar zërin e Perëndisë dhe ka sjellë një ulje të temperaturës frymërore të shikuesve pa e kuptuar ata vetë.
Efektet e dëmshme të televizorit te fëmijët janë të mirënjohura. Vlerat e tyre morale janë korruptuar duke qenë se dhuna lartësohet, epshi seksual zbukurohet dhe pornografia reklamohet. Fëmijët vuajnë nga pikëpamja edukative, duke mos gjetur as kohën dhe as dëshirën për të lexuar apo shkruar. Vlerat e tyre përcaktohen nga ato çka ata shohin në ekran dhe i tërë të menduarit e tyre formohet sipas propagandës antikristiane.
Humori që shërbehet në televizor është i fëlliqur dhe shumica e pjesës tjetër të skenarit është plot me aluzione të turpshme.
Reklamimi është jo vetëm i pakuptim por edhe moralisht shkatërrues. Duket sikur asgjë nuk mund të shitet pa një grumbull prostitutash hollivudiane që ekspozojnë pjesë të mëdha të anatomisë së tyre dhe që përdorin gjuhën e trupit për të nxitur epshe.
Në shumë familje televizori ka shkaktuar një rënie në marrëdhëniet komunikuese. Anëtarët e familjeve janë kaq të magjepsur pas programeve që nuk vazhdojmë më biseda ndërtuese me njëri-tjetrin.
Në fushën e muzikës, tekstet e këngëve janë shpesh tepër të dënueshme. Ato lartësojnë epshet, e trajtojnë tradhtinë bashkëshortore dhe homoseksualizmin si mënyra të vlefshme jetese dhe e bëjnë hero njeriun e dhunshëm.
Nëse dikush kundërshton që në televizor ka programe të dobishme të krishtera, përgjigjja është që këto janë vetëm shtresa e sheqerit në një tabletë helmuese. Fakti i rëndomtë është që efekti i përgjithshëm i televizorit është shkatërrues për gjallërinë frymërore.
Një i krishterë kishte porositur një televizor për t’ia çuar në shtëpi. Ndërsa po shihte kamionin duke parkuar përpara shtëpisë, ai vuri re reklamën në anë të kamionit: «Televizori sjell botën në dhomën e pritjes». Kjo ishte gjithçka që i duhej. Ai e ktheu televizorin në dyqan.
Askush që rri ngjitur para televizorit nuk do të mund të bëjë histori për Perëndinë. Ai është një nga shkaqet kryesore të rënies frymërore të ditëve tona.