5 shtator

[no_toc]

5 shtator

«Ai ishte në botë, dhe bota u krijua me anë të tij, por bota nuk e njohu. Ai erdhi në shtëpinë e vet dhe të vetët nuk e pranuan, por të gjithë atyre që e pranuan, ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij» (Gjoni 1:10-12).

Ai ishte në botë. Ishte hiri i jashtëzakonshëm ai që bëri të mundur që Zoti i jetës dhe i lavdisë të vinte për të jetuar në këtë planet të vockël. Nuk do të ishte interesante që të thuhej për dikë tjetër: «Ai ishte në botë». Kjo është diçka mbi të cilën njeriu nuk ka kontroll. Por për Atë kjo ishte një zgjedhje e paramenduar, një akt i mrekullueshëm dhembshurie.

dhe bota u krijua me anë të Tij. Mrekullia shtohet! Ai që ishte në botë është po Ai që edhe e krijoi botën. Ai i cili e mbush gjithësinë e ngjeshi Veten në trupin e një foshnje, e një të riu, e një burri dhe në atë trup banoi gjithë plotësia e Hyjnisë.

por bota nuk e njohu. Ky ishte një rast i një injorance të pafalshme. Krijesat duhet ta kishin njohur Krijuesin e tyre. Mëkatarët duhet të ishin mahnitur nga personi i Tij i pamëkatë. Ata duhet ta kishin kuptuar nga fjalët dhe veprat e Tij që Ai ishte më tepër se thjesht një njeri.

Ai erdhi në shtëpinë e vet. Çdo gjë në botë i përkiste Atij. Si Krijuesi Ai kishte të drejta të patjetërsueshme mbi gjithçka. Ai nuk u fut pa leje në pronën e dikujt tjetër.

dhe të vetët nuk e pranuan. Këtu kemi fyerjen përfundimtare. Judenjtë e refuzuan. Ai i kishte të gjitha letrat kredenciale të Mesias, por ata nuk donin që Ai të mbretëronte mbi ta.

Por të gjithë atyre që e pranuan. Jepet një ftesë e pakufizuar. Është si për judenjtë ashtu dhe për johebrenjtë. Kushti i vetëm është që ata duhet ta pranojnë Atë.

ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë. Çfarë nderi i pamerituar – që mëkatarët rebelë të mund të bëhen fëmijë të Perëndisë nëpërmjet mrekullisë së dashurisë dhe hirit!

atyre që besojnë në emrin e tij. Fjalët nuk mund të jenë më të thjeshta se kaq. Pushteti për t’u bërë fëmijë të Perëndisë iu jepet të gjithë atyre të cilët, përmes një akti të qartë besimi, e pranojnë Jezu Krishtin si Zot dhe Shpëtimtar.

Pra, kemi një lajm të trishtuar dhe një lajm të gëzuar. Në fillim lajmi i trishtuar: «bota nuk e njohu» dhe «të vetët nuk e pranuan». Pastaj lajmi i gëzuar: «Por të gjithë atyre që e pranuan, ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij». Nëse ti nuk e ke pranuar Atë akoma, përse të mos besosh në emrin e tij sot?

[previous][next]